EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Herakliu

Shko poshtë

Herakliu Empty Herakliu

Mesazh  Lauret 13.12.13 19:34

Herakliu Be60ddef2bca45cc1ef30c6bdf44609f-d55399a

KOPJE NGA WIKIPEDIA

HERAKLIU (greq. Herakles, lat. Hercules) - i biri i Zeusit, zotit suprem dhe Alkmenës, gruas së Amfitrionit trimi më i madh i miteve greke.
Figura 3.jpg

Me emrin e tij (më shpesh në versionin latin) ndeshemi si me atributin e njeriut me shtat vigani dhe me fuqi gjiganti. Mirëpo, Herakliu nuk ka qenë vetëm njeri me fuqi vigane. Ai i ka pasur poashtu të gjitha dobësitë dhe virtytet njerëzore. Me fuqi të vetën është shërbyer jo vetëm që ta fitojë famën, por edhe njerëzimit t'i sjellë mirëqenie. Ka bërë më tepër se njerëzit e tjerë, por edhe ka vuajtur më tepër. Pikërisht për këtë edhe është bërë hero. E ka fituar shpërblimin për të cilin më kotë është munduar paraardhësi i tij babilonas, Gilgameshi ose Melkari fenikas. I është plotësuar dëshira e paarritshme e njeriut - që të bëhet i pavdekshëm.
Ka lindur në Tebë ku ishte strehuar e ëma e tij, Alkmena, me burrin e vet Amfitrionin, kur Amfitrioni e vrau vjehrrin e vet, Elektrionin dhe u frikësua nga hakmarrja e vëllaut të tij, Stenelit. Zeusi ka ditur për lindjen e shenjtë të Herakliut dhe jo vetëm si zot i gjithëdijshëm, por pikërisht për shkak se edhe vetë ka marrë pjesë në këtë. Me të vërtetë Alkmena i pat pëlqyer shumë andaj edhe e merr pamjen e Amfitrionit dhe i është afruar pa vështirësi. Kur arriti dita e lindjes së Herakliut, Zeusi nuk e lëshoi rastin që në këshillin e zotërave, ta profetizojë se atë ditë do të lindë kreshniku më i madh në botë. Herës menjëherë i shkoi ndërmend se prapa kësaj është fjala për pasojat e ndonjë aventure të dashurisë së tij dhe vendosi që t'i hakmirret. Bëhej se nuk beson në profetizimin e Zeusit dhe kërkoi që të përbëhet, se ai që do të lindë atë ditë vërtet do të sundojë të gjithë njerëzit, qofshin ata edhe të fisit të Zeusit. Zeusi e pranoi dhe u përbe se ashtu do të ndodhë, kurse Hera menjëherë u kujdes që gruaja e Stehelit, Nikipa, në të njëjtën ditë ta lindë djalin, ndonëse ishte në muajin e shtatë të shtatëzanisë, ndërsa lindjen e Alkmenës e ndali. Këtu asgjë nuk mundi të ndryshohet: Herakliu i fuqishëm, i biri i zotit suprem, qe i detyruar që t'i shërbejë Euristeut, birit të Stenelit vdekatarë - fatin e dhembshëm të cilin mund ta përballojë vetëm trimi i vërtetë.
Kur lindi Herakliu, emri iu dha sipas gjoja stërgjyshit të tij, Alkidit. Me emrin Herakli e quajtën më vonë për arsye se përmes Herës e fitoi famën (kjo është tradicionale, ndonëse nuk është hulumtuar plotësisht origjina e emrit të tij). Hera ka qenë shkak i kësaj fame, kuptohet, krejtësisht kundër vullnetit të vet - madje me pengesa që ia kurdiste, duke iu hakmarrë për shkak të tradhtisë së burrit të vet dhe të cilat Herakliu i ka mposhtur njërën pas tjetrës me ngulm. Posa lindi, Hera ia çoi në djep dy gjarpërinj për ta mbytur. Herakliu i mbyti ata. Amfitrioni u tmerrua nga fuqia dhe shkathtësia e fëmijës. E kuptoi se ai i cili si fëmijë mund të bëjë gjëra të tilla vërtet do të arrijë larg. Andaj u kujdes që Herakliu të edukohet në mënyrë shembullore, madje edhe më mirë se i biri i tij, Ifikliu. Mësuesi i cili e ushtronte në përdorimin e armëve në luftë ka qenë Kastori, i biri i Zeusit, ndërsa në gjuajtje me hark Euriti, mbret i Ehalesë. Në dituri e ka mësuar Radamanti, djali i ndershëm i Zeusit, ndërsa orët nga muzika dhe kënga ia ka mbajtur Lini, vëllau i vetë Orfeut. Herakliu ka qenë nxënës i mirë. Atij nuk i shkonte për dore deri diku vetëm luajtja në lirë. Kur njëherë gjatë orës Lini e qortoi, Herakliu i ra aq fort me lirën sa që në vend e la të vdekur. Amfitrioni atëherë vendosi që ta largojë diku larg njerëzve. E dërgon në malin Kiteron, që atje ta kullosë bagëtinë. Herakliu e konsideroi këtë profesion të mirë dhe e ndëgjoi.
Në Kiteron Herakliut i pëlqente shumë, e pengonte vetëm luani i tërbuar, i cili i hante njerëzit dhe kafshët. U lëshua kundër tij, e mposhti dhe në shenjë të kujtimit e merr lëkurën e tij. Tani jetonte i qetë deri në moshën e tij tetëmbëdhjetëvjeçare, kur iu kujtua mendimi se do të ishte më mirë që të shikojë pak nëpër botë dhe t'ia gjejë vetes gruan. Prej drurit të frashërit e gdhendi shkopin, e hudhi krihëve lëkurën e luanit të Kiteronit dhe u nis për në Tebë, në vendlindjen e vet.
Rrugës i takon disa njerëz prej të cilëve mësoi se ishin tagërmbledhës të mbretit të Orhomenit, Erginit dhe se po shkonin në Tebë që t'i marrin njëqind dema, të cilët Kreonti, mbreti i Tebës, ka qenë i detyruar për çdo vit t'ia dorëzojë për arsye se Ergini i ka sulmuar dhe i ka mundur. Herakliut nuk iu duk kjo e drejtë dhe kur tagërmbledhësit nuk deshtën ta dëgjonin dhe u përpoqën që me fyerje ta largonin, me veprim të shkurtër i qëroi hesapet me ta: ua preu veshët, hundën e gojën dhe me duar të lidhura i dërgoi në shtëpi. Tebanët e pranuan bashkëvendësin e tyre me admirim. Mirëpo, gëzimi i tyre nuk zgjati shumë. Para dyerëve të qytetit u paraqit Ergini me ushtri të madhe. Herakliu mbrojtjen e qytetit e muar në duar të veta. E mposhti Erginin dhe me marrëveshje paqësore e detyroi që tebanëve t'ua kthejë dyfishin e asaj që ua ka marrë. Për këtë arsye mbreti Kreont ia dha Herakliut të bijën e vet, Megarën për grua dhe gjysmën e pallatit të vet. Herakliu mbeti në Tebë dhe u bë babë i tre djemve, duke e ndier veten si njeri më të lumtur në botë.
Mirëpo jeta e qetë nuk është veti e lumturisë së trimit dhe për këtë Herakliu u bind së shpejti. Deri sa ishte bari hyjnesha Hera i shikonte qetë ngjarjet e jetës së tij, por kur u ngrit aq rrëmbyeshëm, vendosi që të ndërhyjë. Fuqinë nuk ka mundur t'ia marrë, por ç'është më e keqe se fuqia që nuk udhëheqet prej arsyes? Ia lëshoi çmendurinë dhe Herakliu që në fillim të kësaj sëmundje i mbyt tre djem e vet dhe dy fëmijët e kushëririt të vet, Ifikliut. Por kjo nuk mori fund me kaq. Hera pastaj ia ktheu arsyen. I rraskapitur nga dhëmbja Herakliu u nis për në Delfe që në orakullin e atjeshëm ta lusë zotin Apollon për këshillë se si të pastrohet nga krimi që e kishte bërë. Zoti përmes gojës së Pitisë i përgjigjet se duhej të shkojë te Euristeu, mbreti i Mikenës dhe t'i shërbejë atij. Kur t'i kryen dymbëdhjetë vepra të cilat ia ngarkon Euristeu, do ta lajë nga vetja turpin e fajin dhe kështu do të bëhet i pavdekshëm.
Herakliu e ndëgjoi. Shkoi në Arg, u vendos në Tirint, qytetin e babait, jo larg Mikenës dhe iu paraqit Euristeut në shërbim. (Ishte kjo qendër vërtet e denjë për Herakliun : Tirinti me muret e veta të trasha prej dhjetë deri pesembëdhjetë metra është njëri prej qyteteve më të mbrojtura deri më sot në botë). Kur e pa mbreti Euriste, nga pamja e tij e fuqishme dhe muskujt e fryrë e kaploi asi tmerri sa që nuk pat guxim që drejtpërdrejt t'i urdhërojë çkadoqoftë, por këtë ia besoi Kopreut, kasnecit të vet, mirëpo, për Herakliun trillonte detyra gjithnjë e më të guximshme.
Për detyrën e parë Herakliu nuk pat nevojë të presë shumë. Duhej ta mbyste luanin i cili jetonte jo larg në malet nemease. I tërë rrethi frikësohej prej luanit, sepse ai ishte dy herë më i madh se sa të tjerët dhe ishte i paplagosur, për arsye se e kishte lëkurën e papërshkueshme. Herakliu e gjeti strofullën e tij (shpella sot e kësaj dite u tregohet turistëve), u vërsul në te dhe me goditje të forta me çomagë e trullosi, e pastaj thjeshtë e mbyti. Pasi që e kreu këtë vepër e kapi në krah luanin dhe e çoi në Mikenë. Euristeu nga trishtimi gati u nguros sa prej luanit të tmerrshëm, aq më tepër prej fuqisë së shërbëtorit të vet. Në vend të mirënjohjes i tha që në të ardhmen mos të vijë më në Mikenë. Mjafton që dëshmitë e kryerjes së detyrave të veta t'i sjellë para mureve, ndërsa ai nga muret do t'i vlerësojë. Tani le të përgatitet për kryerjen e detyrës së dytë: për ta vrarë Hidrën (kulshedrën)!
Hidra ka qenë përbindësh me trup gjarpri dhe me nëntë koka dragojsh prej të cilave njëra ishte e pavdekshme. Jetonte në moçale, në afërsi të qytetit Lerna në Argolidë dhe shkretëronte rrethinën. Njerëzit ishin të paaftë ndaj saj. Herakliu mësoi se Hidra ka ndihmësen, gaforren e madhe me pishkazët e mprehta. Prandaj edhe vetë e mori me vete ndihmësin, trimin Jolaun, djalin më të vogël të të vëllait, Ifikliut. Prapa moçaleve të Lerneut e kalli pyllin që Hidres t'ia bëjë të pamundshme ikjen. Në flakë i skuqi shigjetat e vet dhe e filloi betejën. Shigjetat e skuqura vetëm e pezmatuan Hidrën. U vërsul në Herakliun, por kjo i kushtoi një kokë. Sa çel e mbyll sytë në atë vend i dolën dy koka të tjera. Hidrës i erdh në ndihmë edhe gaforrja, por kur e kafshoi këmbën e Herakliut, Jolau e mbyti me një goditje të qëlluar mirë. Në çastin kurrë Hidra e befasuar u kthye kah përcjellësja dhe ndihmësja e saj, Herakliu e shkuli nga toka drurin e ndezur dhe Hidrës ia kalli kokën. E reja nuk u paraqit më. Tani Herakliu mësoi se si duhej të luftojë kundër saj. Gradualisht ia preu kokat, ndërsa Jolau me drurin e ndezur i ndizte filizat e kokave që i dilnin. Më në fund, kështu ia preu dhe ia dogj të gjitha kokat, ndonëse Hidra e dëshpëruar mbrohej edhe me atë kokë të vetmen, të pavdekshme. Mbeturinat e saj të shkrumuara Herakliu menjëherë i shtini në dhe e në atë vend e vuri edhe hurin që mos të mund t'i dalë më koka. Kur Hidra ishte mbytur, si dëshmi se e kishte mbytur e preu trupin e saj në copëza dhe në tëmëthin e saj i lag majet e shigjetave të veta. Plagët e krijuara prej tyre ishin të pashërueshme. I përcjellë nga popullata vendase e çliruar, Herakliu dhe Jolau u kthyen triumfalisht ne Mikenë. Mirëpo, para dyerëve të luanit priste kasneci Kopre me detyrë të re: ta çlirojë tokën prej shpendëve stimfalikë - të Stimfalidëve.
Këta shpendë quheshin ashtu sepse jetonin pranë liqejve të Stimfalisë në Arkadi, rrethinën e së cilës e shkretëronin më keq se sa karkalecat. I kanë pasur kthetrat dhe puplat prej remi të fortë, kurse gjatë fluturimit kanë mundur t'i hedhin puplat sikurse edhe të afërmit e tyre të sotëm nga radhët e bombarduesve. Lufta kundër tyre si të të thuash, ka qenë e pashpresë, sepse që do të shtinte kundër tyre do të gjendej nën shiun e shigjetave të tyre prej të cilave askush nuk ka mundur të ikë. Prandaj Herakliu ngjjtet në lis të lartë, i frikësoi me rraktataken dhe kur filluan të sillen rreth tij një shumicë të madhe i goditi me shigjeta të drejtuara mirë. Shpendët e tmerrshëm më kot i hedhnin shigjetat e metalta në tokë. Më në fund, nga frika fluturuan përtej detit dhe kurrë nuk u kthyen më.
Pas kësaj Herakliut iu dha detyra e re: që ta zëjë drenushën me brirë të artë dhe këmbë prej remi e cila jetonte në Kerine (në kufi të Akesë dhe të Arkadisë) dhe i ka takuar hyjneshës Artemida. Euristeu shpresonte se hyjnesha e pushtetshme do të zemrohej në Heraikliun dhe se do t'ia topit vetebesimin e tij. Të zihet drenusha gjithsesi nuk ka qenë punë e lehtë, sepse ka qenë tejet frikacake dhe e shpejtë. Herakliu e ndoq tërë vitin deri sa nuk iu ka afruar në shënjestër. Drenushën e plagosur e zuri dhe e solli në Mikenë. Nuk harroi që t'i kërkojë ndjesë Artemidës për shkak të veprës së tij kundërhyjnore dhe që ta qetësojë zemërimin e saj me flijim të begatshëm, kështu që ajo ia fali.
Detyra e re e Herakliut, pas kësaj, ishte e ngjashme me atë të parën. Qe i detyruar që ta zëjë derrin e egër nga Erimanti, i cili e shkretëronte rrethinën e qytetit Psofida dhe me dhëmbët e mëdhenj të tij të syrit i mbyste kafshët dhe njerëzit. Kur e futi në borë të thellë, Herakliu ia lidhi këmbët dhe të gjallë e solli në Mikenë. Mbreti uluriste nga frika para kafshës së madhe u fsheh në fuçi dhe nga aty, i shastrisur, e luste Herakliun që sa më parë të largohet me derrin e egër dhe se për këtë do t'i japë detyrë më të parrezikshme: që t'i pastrojë shtallat e Augiut, mbretit të Elidës.
Kjo punë nuk ka qenë e rrezikshme. Augeu ka pasur kope të madhe të gjedheve dhe në shtalla aq shumë pleh dhe flliqti sa që kjo përmendet në proverb edhe sot. Për t'i pastruar këto shtalla ose më mirë të thuhet shtallat e lopëve, ishte detyrë mbinjerëzore. Herakliu i propozoi mbretit planin si do ta kryejë këtë detyrë për një ditë poqese për këtë ia jep një të dhjetën e kopes. Augeu pranoi dhe Herakliu ia filloi punës, kuptohet jo vetëm me fuqi, por edhe me arsye. Bagëtinë e nxjerr në kullosë, e mih kanalin deri te Alfea dhe Penea, lumenjtë me të afërt, andej e ktheu ujin në shtalla për ta bartur plehun dhe në mbrëmje e mbyll kanalin, bagëtinë e rreshton në shtallë dhe shkon për ta marrë shpërblimin e premtuar. Mirëpo, mbreti mësoi se pastrimi i shtallave ka qenë detyrë e Herakliut dhe e merr këtë si arsye që të mos ia japë shpërblimin. Veç kësaj, e ka fyer me vërejtjen se si i biri i Zeusit, nuk duhet të fitojë me pastrimin e shtallave. Kuptohet, se këtë Herakliu nuk ia ka falur dhe ia ka mbajtur ndërmend dhe, kur më vonë, iu dha rasti, ia ktheu këtë Augeut me kamata: me shokët e vet ia shkatërroi plotësisht tokën e tij dhe e vret atë.
Për ta kryer detyrën e re është dashur që Heralkliu të shkojë në Kretë. Euristeu i urdhëroi që prej atje ta sjellë demin e egër të cilin Minosit, mbretit të Kretës, ia ka dhuruar Poseidoni, zoti i detit me kusht që t'ia flijojë. Minosit i pëlqeu jashtëzakonisht demi dhe në vend të tij e flijoi një tjetër. Poseidoni nuk u pajtua me këtë dhe për dënim e tërboi demin kështu që i tërbuar vraponte prej skajit ne skaj të ujëdhesës dhe shkatërronte çdo gjë që gjendej në rrugë. Herakliu, sipas urdhrit të Euristeut, e zë demin, e frenon dhe krejtësisht të qetë e bie në shpinë nëpër det prej Kretës në Arg.
Pasi e zuri demin e Kretës, Herakliu udhëtoi me anije në Traki, ku sundonte Diomedi, mbreti i bistonasve, që sipas urdhrit të Euristeut, t'ia rre mbejë kuajt jashtëzakonisht të fuqishëm, të cilët ushqeheshin me mish njeriu. Me ndihmën e disa shokëve Heraikliu me sukses i shtie në duar kuajt dhe i sjell deri te anijet. Atje me ushtri e zë mbreti Diomed, duke u përpjekur që t'i kthejë kuajt. Herakliut, në betejë të ashpër kundër epërsisë së madhe numerike, i shkon përdore që ta ruajë plaçkën e vet. Mirëpo, në ndërkohë, kuajt e kanë shkyer Abderin, njërin prej shokëve më të mirë të tij, i cili i ruante te anija. I pikëlluar thellë, Herakliu i sjell kuajt në Mikenë. Mirëpo, Euristeu i liron, siç ka bërë më parë me demin e Kretës.
As pikëllimi i thellë dhe as përbuzja e rezultateve të tilla të ndërmarrjeve të tij nuk e thyen Herakliun. Me vendosmëri shkon në ujdhesën Erite nga është dashur që Euristeut t'ia sjellë kopenë e bagëtisë, e cila i ka takuar viganit me tre trupa, Gorion. Kjo ujdhesë gjendej larg në perëndim ku toka përfundonte me një rrip të ngushtë. Herakliu e theu me top urrën e vet dhe kështu në ngushticën detare të krijuar i vendosi dy shtylla (në antikë Gjibraltari quhej "shtyllat e Herakliut"). Në pjesën perëndimore të botës arriti pikërisht në çastin kur zoti Heliu, zbriti nga qerrja e artë në Oqean. Për t'u mbrojtur nga rrezet e tij shkatërruese, deshti që ta gjuajë me shigjetë. Natyrës dhe sjelljes së zotërave nuk u shpëton pa e vërejtur. Heliut i pëlqeu trimëria e Herakliut andaj edhe ia ofroi anijen e vet prrej ari që me të të shkojë në Erite. Atje e sulmoi qeni dykrerësh i Ortit dhe vigani Eurition, të cilët e ruanin bagëtinë. Herakliu i vret dhe pas tyre e vrau edhe Gerionin. Pas shumë vuajtjeve e sjell bagëtinë në brigjet e Peloponezit. Rrugës e mposht Eriksin e fuqishëm i cila ia vodhi një lopë dhe pastaj edhe viganin Kakaun, i cili ia vodhi disa lopë. Kur tani më shpresonte se fatbardhësisht do te kthehet në Mikenë, Hera e lëshoi tërbimin në bagëtinë e tij. Bagëtinë e shkapërderdhi anembanë kështu që qe i detyruar ta përdorë tërë fuqinë edhe shkathtësinë e vet për ta mbledhur sërish. Euristeu pastaj ia bëri fli tërë bagëtinë kundërshtares se tij, Heresë.
Ndërmarrja e re heroike e Herakliut ishte ekspedita në tokën e luftëtareve të ashpra amazone nga ishte i detyruar t'ia sjellë bijës së Euristeut, Admetës, brezin e Hipolitës, hyjneshës së tyre. Niset për atje me një grup jo të madh shokësh dhe në rrugë ndalet në Mizi, ku sundonte mbreti Lik, i njohur për nga mikëpritja e tij. Mbreti i organizoi gosti madhështore. Deri sa ata gostiteshin në qytet sulmuan bebrikët e egër dhe filluan ta plaçkisin. Herakliu u çua nga tryeza dhe me shokët e vet i dëbon bebrikët, e vret mbretin e tyre dhe tërë tokën e tyre ia dhuron Likës, të cilën për nderë të tij e quan Heraklea. Me ngadhënjimin e vet fitoi aq famë sa që mbretëresha Hipolita vetë ia plotësoi dëshirën dhe vullnetarisht ia fali brezin e vet. Por, hyjnesha Hera e përhap lajmin se Herakliu tenton ta çojë Hipolitën në skllavëri dhe amazonet i besuan. I sulmuan shokët e Herakliut kështu që atyre nuk u mbet gjë tjetër përveç se të luftonin. Në fund amazonet u mposhtën, shumë prej tyre i zunë rob dhe në mesin e tyre dy udhëheqëse, Melanipa dhe Antiopa. Hipolita ia bleu lirinë e Melanipës me brez të vetin. Antiopën Herakliu ia dhuroi mikut të vet, Tezeut, që kështu t'i dalë borgjit për trimërinë e tij, por edhe për arsye se Tezeut i pëlqente shumë dhe u martua me të.
Kështu Herakliu plotësisht i kreu dhjetë detyra, ndonëse në fillim Euristeu nuk ka dashur të pranojë se Hidra lernease është mbytur (me pretekst se Herakliu ka pasur ndihmesë), sikurse edhe pastrimin e shtallave të Augeut (sepse këtë kinse nuk ka dashur ta kryejë falas). Për ta kryer detyrën e njëmbëdhjetë, Herakliut i është dashur të shkojë në botën nëntokësore që ta sjellë vetë Kerberin. Ky ishte në të vërtetë qen i ferrit. Ka pasur tri koka, rreth qafës gjarpinj dhe në fund të bishtit kokën e dragoit me turi të gërditshëm. Edhe pse deri më atëherë askush nuk është kthyer nga bota nëntokësore, Herakliu nuk u luhat. Zotëravet guximi e tij iu bënte përshtypje dhe vendosën që t'i ndihmojnë. Zoti Hermes, udhëheqësi i shpirtërave, e sjell deri te gremina Tenara (në kepin e sotëm Matapan, në pjesën më jugore të Peloponezit dhe bregut evropian), ku ishte hyrja e fshehtë për në perandorinë nëntokësore të Hadit. Aty e pranoi hyjnesha Athena. Nëpër rrugë të vegullisë, ku ka ndeshur shpirtrat e miqve të vdekur dhe armiqve të vrarë, erdhi para fronit të Hadit, sunduesit të botës nëntokësore i cili, si djalë të Zeusit, e pranoi miqësisht. I lejoi që ta zë dhe ta marrë Kerberin. Por në këtë ndërmarrje nuk guxoi t'i përdorë armët. Mirëpo, rreth kësaj është dashur ta thotë edhe Kerberi të veten. Mbrohej me dhëmbë dhe me thonj (ose më mirë të thuhet me kthetra), rrahtë me bisht ku gjendej koka e dragoit dhe aq tmerrshëm ulurinte sa që shpirtrat e të vdekurve fluturonin nëpër botën nëntokësore si të lafitur. Pas betejës së shkurtër Herakliu e shtrëngoi aq fort sa që Kerberi nuk mundi të shpëtojë nga duart e tij përveç nëse i premtonte se do të shkonte pas tij në Mikenë. Duke e parë rojtarin e botës nëntokësore, Euristeu u ul në gjunj (kurse sipas një verzioni tjetër ai u fsheh në fuçi ose në enë për drithëra) dhe duke i thyer duart e luste Herakliun që ta largojë këtë fantom infernal nga edhe e ka sjellë.
Mbeti edhe detyra e fundit, të cilën Herakliu është dashur ta kryejë. Euristeu i urdhëroi që t'ia sjellë tri mollë të arta nga kopshti i Hesperidës, bijës së Atlantit, titanit të pushtetshëm i cili për shkak të kryengritjes kundër zotërave u denua që në supa ta mbajë kupën qiellore. Se ku gjendeshin këto kopshte askush nuk e ka ditur. Mirëpo, dihej se rruga që çonte deri te ato ruhej prej Ladonit, dragoit i cili kurrë nuk ka fjetur, pastaj nga vigani Anteu, i cili secilin e mposht dhe e vret, dhe poashtu edhe vetë titani Atlant. Herakliu u nis për në Egjipt, kaloi Libinë dhe të gjitha tokat, të cilat i ka mësuar gjatë udhëtimit për bagëtinë e Gerionit. Por kopshtet e kërkuara nuk i gjet. Mu kur arriti larg në veri deri te ujërat e pakufijshëm të Eridanit, nimfet e atjeshme e këshilluan që për të të pyesë Nereun, zotin e detit. Mirëpo, Nereu do t'ia tregojë pasi që ta detyrojë për këtë. Prandaj Herakliu papritmas e sulmoi Nereun dhe pas betejës së rëndë gjatë së cilës Nereu përherë e ndërronte pamjen e vet, e lidhi dhe nuk e lëshoi, deri sa nuk mësoi krejt çka ka dashur të dijë. Kopshtet e Hesperideve ishin diku në perëndimin e largët, diku ndërmjet Marokut të sotëm dhe Francës.
Herakliut i është dashur që sërish të shkojë në Libi dhe pastaj në tokën ku jetonte vigani Antej, i biri i Gesë, hyjneshës së tokës. Sipas zakonit të vet Anteu e fton në dyluftim. Në këtë dyluftim Herakliu e mund vetëm për arsye se në luftë e kuptoi nga e merrte fuqinë e vet vigani. Kur në të vërtetë Anteu e ndien se po dobësohej, puqet mirë për toke, me nënën e vet dhe kështu mbledh fuqinë për betejë të re. Herakliu e shkoqit nga toka dhe e çon lartë. Në këtë gjendje vigani mbeti i paaftë dhe Herakliu e mbyti. Në rrugën deri te Hesperidet Herakliu qe i detyruar që t'i mposhtë dhe t'i kapërcejë pengesat e shumta, të cilat udhëtarëve ua krijojnë cubat dhe sunduesit. Ndër të tjera e menjanon edhe mbretin egjiptian, Buzirisin, i cili i kapte të huajt dhe ua flijonte zotërave. Më në fund, Herakliu arrin deri te Atlanti. Kur ia shpjegoi se pse ka ardhur tek ai, Atlanti me një mikëpritje të dyshimtë i propozoi se vetë do t'ia sjellë mollët poqese gjatë kësaj kohe Herakliu do t'ia mbante kupën qiellore. Herakliu u pajtua me këtë. Atlanti e plotësoi premtimin e vet. Por vetë deshti t'i çojë mollët në Mikenë, e pastaj të kthehet. Dinakërisë mund t'i përballohet vetëm me dinakëri. Herakliu sa për sy e faqe pranoi, por e luti Atlantin që për një çast t'ia mbajë peshën vetëm deri sa të bëjë mbështetësen për supa që kupa mos t'i shkaktojë plagë. Posa Atlanti u gjet në pozitën e mëparshme Herakliu i mori mollët dhe iu falënderua njerëzishëm viganit dhe askund nuk u ndal deri në Mikenë. Euristeu nuk u besoi syve të vet dhe nga vetë befasia ia ktheu mollët. Herakliu i ofroi si fli hyjneshës Athena dhe ajo ua ktheu Hesperideve. Me këtë u plotesua edhe detyra e dymbëdhjete dhe Herakliu tani më ishte i lirë.
Pak kohë pas kësaj u lirua edhe në kuptimin e tjetër të fjalës. Gruan e vet, Megarën, Herakliu zemërgjerë ia jep Jolaut, i cili gjatë mungesës se tij e ngushëllonte si mik besnik dhe kështu u mësua me të sa që pa të nuk mundte të jetonte më. Heralkliu pastaj e braktisi Teben për të cilën nuk e lidhte më asgjë dhe u kthye në Tirint. Por jo për një kohë të gjatë. Aty e pritnin pusitë e hyjneshës Hera dhe me to edhe vuajtjet dhe trimëritë e reja.
Nuk dihet saktësisht se, vallë, a ia nxiti Hera dëshirën për grua të re apo në të u zgjua ambicia për ta mundur Euritiun, mbretin e Ehailës, shigjetarin më të madh në Heladë. Te dyja këto qenë në lidhje të ngushtë. Euriti në të vërtetë, shpalli se Jolën, bijën e vet flokëkuqe dhe të bukur do t'ia japë atij që do të fitojë në gjuajtje me hark. Për këtë arsye Herakliu shkoi në Ehali (në Tesali, ndërsa sipas Sofokliut në Eube), u paraqit në pallatin e mësuesit të vet të dikurshëm dhe në shikim të parë u dashurua në bijën e tij dhe menjëherë ditën e dytë e mundi. Mbreti Eurit, ndërkaq, nuk mundi që ta flakë urrejtjen pse e mundi nxënësi i tij dhe shpalli se bijën e vet nuk do t'ia japë njeriut i cili ka shërbyer te Euristeu i gjorë. Herakliu u fye dhe shkoi të kërkojë grua tjetër. E gjeti në Kalidon. Ishte kjo Deianira e bukur, e bija e mbretit Ene. Nuk e fitoi lehtë. U detyrua që për të të dalë në dyluftim me një krushqar tjetër, me Akeloun, zotin e lumit, i cili ka mundur të shndërrohet në gjarpër dhe në dem. Pas darsmës bashkëshortët e rinjë mbetën në pallatin e Eneut. Mirëpo, Hera nuk e harroi Herakliun. Ia muar arsyen dhe ai gjatë gostisë e mbyti djalin e Arhitelit, mikut të vet: deshti që vetëm t'i mëshojë shuplakë për arsye se në duar ia derdhi ujin që ka qenë i përgatitur për larjen e këmbëve. Mirëpo, djaloshi nga goditja nuk u këndell më. Arhiteli, në të vërtetë, ia fali. Mirëpo, Herakliu megjithatë e braktisi Kalidoninë dhe me Deianirën shkoi në Tirint.
Duke udhëtuar arritën deri te lumi Euena mbi të cilin nuk ka pasur urë. Me një pagesë modeste udhëtarët i klonte në anën tjetër të bregut Kentauri Neso. Herakliu ia dha në besë gruan ndërsa ai vetë notoi në lumë. Mirëpo, bukuria e Deianirës e magjepsi aq fortë Kentaurin sa që u përpoq ta rrëmbejë. Herakliu e ndali me shigjetën vdekjesjellëse. Tëmëlthi i Hidrës e helmeoi gjakun e Kentaurit aq sa vdiq shpejt. Mirëpo, para vdekjes i shkoi përdore që të hakmerret. E këshilloi Deianirën që të marrë gjak të tij dhe, poqese ndonjëherë Herakliu nuk do ta dojë më, le t'ia fërkojë rrobet me gjak dhe dashuria e tij do të kthehet përsëri. Sa arritën në Tirint Deianirës iu duk se gjaku i mrekullueshëm kurrë nuk do t'i nevojitet. Jetuan siç u ka hije bashkëshortëve, së bashku e edukonin fëmijën e tyre, Hillin, dhe fëmijët e tjerë - deri sa në fatin e Herakliut nuk ndërhyri Hera.
Kjo ndodhi krejt rastësisht. Kur Herakliu shkoi në Ehali, mbretit Eurit i humb bagëtia. Ia kishte vjedhur Autoliku, hajn i njohur dhe me qëllim që hetimin ta çojë në rrugë të gabuar, Herakliun e shpalli vjedhës, me qëllim që kështu t'i hakmerret mbretit për fyerjet e mëparshme. E tërë Ehalia i besoi kësaj, me përjashtim të Iftit, djalit të madh të Euritit. Për ta dëshmuar pafajsinë e Herakliut, shkoi ta lypë bagëtinë e vjedhur. Rruga e çon në Argolidë dhe mbasi kishte shkuar deri atje shkoi edhe në Tirint. Herakliu e pranoi përzemërisht. Por kur gjatë gostisë mësoi për ç'arsye Euriti e vë në dyshim u hidhërua pa masë. Ndërkaq, Kera nxiste në të asi zemërimi sa që nuk mundi të përmbahet dhe e hudhi Ifitin nga muret. Nuk ishte kjo vetëm vrasje, por edhe shkelje e ligjit më të shenjtë të mikpritjes. Zeusi u zemërua në birin e vet dhe çoi sëmundje në të.
Pasi që sëmundja nuk i kalonte, duke i mbledhë të gjitha fuqitë e veta, Herakliu shkoi në Delfe për ta pyetur për këshillë Apollonin se si të pendohet për mëkatin e vet. Mirëpo, Pitia nuk i përgjegji. Herakliu i zemëruar ia muar trekëmbëshin nga i shpallte orakujt e vet. Kur nuk do të qesë atëherë nuk i nevojitet as trekëmbëshi. Menjëherë pastaj u paraqit Apolloni dhe kërkoi që t'ia kthejë trekëmbëshin. Herakliu nuk deshti t'ia kthejë, kurse Apolloni donte që t'ia marrë dhe kështu filluan të zihen djemt e mëdhenj të Zeusit dhe të rrahen si fëmijët. Kur nuk pushuan së rrahuri bubulloi dhe i ndau me rrufe. Pas kësaj u qetësuan dhe Apolloni i urdhëroi Pities që ta këshillojë Herakliun. Ka qenë i detyruar që për tri vjet të shërbejë si shërbëtor, ndërsa paratë e fituara t'ia japë Euritit si shpërblim për Ifitin e vrarë.
Herakliu sërish qe i detyruar të ndahet nga liria. U bë skllav i Omfallës, mbretëreshës së Lidisë, grua mendjemadhe dhe e vrazhdë, e cila e nënçmonte pandërprerë. Aq më tepër që i detyruar të bëjë vek së bashku me shërbëtorët dhe kështu të bëjë rrobet e femrave, ndërsa vet ajo ecte para tij në lëkurën e luanit të Kiteronit. Kohë pas kohe i jepte liri, por jo për shkak të mirësisë, por për arsye që pas kthimit t'i ndiejë vuajtjet edhe më të mëdha të fatit të skllavit.
Pas një leje të tillë Herakliu iu bashkangjit argonautëve të cilët shkonin në Kolhidë. Gjate lejes së dytë ra në skllavëri të mbretit Sile në Aulidë, i cili e detyronte secilin të huaj që të punojë në vreshtën e tij, por shpejt iku prej atje. Në Efez, deri sa ishte në gjumë, e sulmuan shkurtabiqët Kërkopitë (ose Daiktilët) dhe ia vodhën armët. Deshti t'i dënojë, por pasi që ishin të vegjël dhe qesharakë, i liroi. Përherë kthehej në detyrën e robërisë vetë, deri sa nuk u pastrua tëresisht.
Më në fund, arriti dita e fundit e vitit të tretë dhe Herakliu i fitoi armët prej mbretëreshës Omfalla dhe u lirua. Prej saj u nda pa zemërim, për më teper, ia plotësoi dëshirën e saj, që në shenjë kujtimi, t'ia dhurojë një trashëgimtar, të cilin e pagëzoi me emrin Atis, i cili pas saj e muar fronin e Lidisë. Kur u kthye në atdhe, Herakliu i mblodhi të gjithë miqtë e vet besnikë dhe u përgatit për qërimin e madh të hesapeve.
I pari për fyerjen e kahmotshme, ia pagoi mbreti Augi dhe pastaj në radhë erdhi Laomedonti, mbreti trojan. Ishte ky borxh i papaguar që në kohën kur Herakliu shërbente te Euristeu dhe nuk ishte zot i vetvetes. Pasi u kthye nga ekspedita kunder amazoneve Lamedontit ia bëri një shërbim të konsiderueshëm: e çliroi Trojën nga përbindshi i detit, të cilit është dashur që t'i flijohet Heziona, e bija e Laomedontit. Laomedonti i premtoi kuajt të cilët gjyshi i tij, Trosi, i kishite fituar prej Zeusit si shpërblim për djalin Ganimed, që u bart në Olimp. Mirëpo, Laomedonti nuk kishte zakon t'i plotësonte premtimet e dhëna. Kur Herakliu erdhi për shpërblim e dëboi, duke e fyer. Tani Herakliu mori hakun: erdhi nën Trojë me gjashtë anije, e pushtoi dhe e vrau Laomedontin. Nuk duhet të befasohemi se pas të gjitha atyre veprave heroike fama e Herakliut i ka arritur lartësirat e Olimpit me borë. Dhe këto as për së largti nuk ishin të gjitha që i kishte kryer. E ka çliruar, për shembull, titanin Promete, të cilin Zeusi dikur e kishte gozhduar në maje të Kaukazit, ku për çdo ditë shqiponja ia qukaste mëlqinë, e cila përherë sërish i rritej. Me një goditje të qëlluar mirë e vret shqiponjën dhe e çliron Prometeun nga vuajtjet dhe dënimi i turpshem. Prej zotit të vdekjes, Tanatit e fitoi shpirtin e Alkestidës e cila vullnetarisht vendosi të vdesë në vend të Admetit, bashkëshortit të vet dhe e ktheu përsëri në jetë. I mposhti dhe i vrau shumë armiq dhe përbindësh, në mesin e tyre edhe Kiknin, të birin e Aresit, zotit të luftës. Themeloi shumë qytete prej të cilëve më i famshmi ka qenë çeraklea (Herkulanumi) në rrëzë të Vezufit. I kënaqi shumë gra (vetëm në një natë të vetmën të cilën e kaloi me argonautet në Lemnos u bë babë i pesëdhjetë fëmijëve të lemnanve). Për disa vepra dhe ndërmarrje të tij të mëvonshme hulumtuesit dyshojnë, prandaj nuk do të ndalemi në to. Mirëpo, të gjithë pajtohen se Herakliu e ka fituar admirimin si asnjë njeri i asaj kohe. Vetë Zeusi, zoti suprem, e ka lutur për ndihmë.
Kundër zotërave olimpikë u çuan Gjigantët, djemt e Uranit, zotit të rrëzuar të qiellit dhe Gesë, hyjneshës së tokës. Ngadhnjimin e kanë pasur gati të siguruar, sepse kanë qenë tejet të fuqishëm dhe përveç kësaj nga ana e tyre e kanë fituar bimën e cila i mbronte prej armëve të zotërave. Zotërat atëherë u gjeten në gjendje të vështirë, andaj edhe u ranë ndërmend njerëzit e gjorë, sepse nga armët e njeriut Gjigantët, nuk i ka mbrojtur kurrfarë magjie. Për këtë arsye Zeusi e dërgoi Athenën te Herakliu. Nuk ka qenë e detyruar ta përfitojë me bindje të jashtëzakonshme. Me një gatishmëri i qe nënshtruar thirrjes së babës së vet, dhe shkoi shpejt në fushëbetejë. Më së pari e vrau Alkioneun, Gjigantin më të fuqishëm, pastaj edhe kryengritësit e tjerë dhe, në bashkëpunim me zotërat, më në fund, e theu rrezistencën e tyre. Kështu me këtë e fitoi jo vetëm dashamirësinë e zotërave, por edhe të njerëzve. Pa marrë parasysh se çfarë ka qenë Zeusi, megjithatë, ai ka qenë sundimtari më i mirë se sa paraardhësit e tij, Kroni dhe Urani ose Kaosi i mirëfilltë.
Pasi kthehet nga lufta me Gjigantët, Herakliu vendosi që ta spastrojë edhe llogarinë e fundit. U nis për në Ehali, e pushtoi dhe e mposhti Euritin, mbretin e fundit, për arsye të fyerjeve të hershme. Në mesin e robëve të zenë, e vërejti Jolën flokëkuqe, të cilën Euriti dikur nuk ka dashur t'ia japë për grua dhe sërish në të gufoi dashuria e dikurshme. Posa mori vesh për këtë Deanira, i ra ndërmend gjaku i mrekullueshëm i Kentaurit, Nes, e lagu në të gunën e Herakliut dhe përmes Lihasit e çoi në Ehali. Helmi i Hidrës nga shigjeta e e Herakliut i cili e ka helmuar gjakun e Nesit, depërtoi në trupin e Herakliut dhe i shkaktoi dhëmbje të tmerrshme. Herakliu trimërisht i duronte këto vuajtje dhe kur mësoi prej birit të vet, Hillit, për shkakun e tyre, kuptoi sa i ka ardhur fundi. Urdhëroi që ta çonin në oborrin e tij. Mirëpo, Deanira tani më ishte e vdekur. Nga deshpërimi se për shkak të dashurise ia ka shkaktuar vdekjen burrit të vet u therr me shpatë. Vuajtjet e padurueshme e kanë shtyrë Herakliun që të lirohet nga barra e rëndë e jetës. I luti shokët e vet që në kodrën Eta ta ngrisin stivën funerale. E ndëgjuan dhe sipas dëshirës së tij e vendosën në të. Por askush nuk deshti t'ia vërë zjarrin edhe pse për këtë i luste përzemërisht. Në fund mori guximin Filokteti i ri. Për shpërblim Herakliu ia dha harkun dhe shigjetën e vet. Zjarri i pishës së Filoktetit shpërtheu, por edhe më qartë shëndrisin rrufete e Zeusit. Me to nga Olimpi zbriti Hyjnesha Athena së bashku me Hermesin, kasnecin e zotërave dhe kështu e çoi Herakliun në qerre të arta në Olimp. I tërë Olimpi e përshëndeti Herakliun, madje edhe Hera e mposht urrejtjen e vjetër dhe për grua ia jep Hebën, të bijën e vet të bukur, hyjneshën e rinisë së amshueshme. Zeusi e vendosi pranë tryezës së zotërave, e gostiti me nektar e ambrozium dhe si shpërblim për veprat e tija heroike dhe vuajtjet e tij e shpalli të pavdekshëm.
Vendimi i Zeusit të madh vlen edhe sot e kësaj dite. Herakliu vërtet u bë i pavdekshëm. Sot e kësaj dite jeton në legjenda dhe proverbe, sot e kësaj dite është shembull i trimit (madje aq pozitiv sa që patjetër ka edhe vija negative), sot e kësaj dite mbahen lojërat olimpike, të cilat thonë se ai i themeloi në kujtim të ngadhënjimit të tij mbi mbretin Augeu ose pas kthyerjes së argonautëve nga Kolhida. Sot e kësaj dite gjendet në qiellin e lartë. Gjatë netve të kthjellta mund ta shohim me sy mu në afërsi të hyllesisë së Hidres. Greket dhe romakët e kanë nderuar si hero më të madh. I kanë kushtuar qytete, tempuj dhe elterë. Famën e tij e paraqesin veprat e artistëve antikë dhe modernë. Eshtë shembulltyrë e paraqitur më së shpeshti në mitet antike në përgjithësi.
Veprat antike për Herakliun nuk është e mundur të numrohen. Vetëm piktura në vaza me pamjet nga jeta e tij janë ruajtur (sipas katalogut të Bromerit) më së njëmijë e tetëqind. Më së pesëqind paraqesin Herakliun në luftë me luanin, më se treqind Herakliun në luftë me amazonet, më se njëqind e pesëdhjetë Herakliun me demin e Kretës, më se njëqind e njëzet Udhëtimin e Herakliut në Olimp, me se njëqind Herakliun me Kikën, gati njëzet Herakliun me Kerberin, saktësisht tetëdhjetë Herakliun në luftën me Gerionm etj. Gjenden gati në të gjitha muzetë e mëdha botërore. Skulptura e vjetër me pamjen e tij Herakliu në luftë me Hidrën, e zbukuronte frontonin e tempullit të lashtë në Akropolin athinas (përafërsisht eshtë e vitit 570 para e.s.). Me siguri nga viti 530 para e.s. janë ruajtur metopat nga tempulli C në Selinunt që e paraqesin Herakliun dhe Kerkopët dhe Herakliu e vret amazonen (sot në Muzeun Kombëtar në Palermo). Nga fillimi i shek. 5. para e.s. është truporja Herakliu e gjuan shigjetën nga harku që gjendet në frontonin lindor të tempullit të Afaniut në Eginë (sot gjendet në Gliptotekën e Mynihut). Nga koha përafërsisht e vitit 460 para e.s. janë metopat e Veprave të Herakliut nga tempulli i Zeusit në Olimp (sot gjendet në Muzeun e Olimpisë). Prej skulpturave romake më të njohura jane Veprat e Herakliut në Muzeun e Kapitolit në Romë, ndërsa prej pikturave murale janë freskat Herakliu i mbyt gjarpinjët dhe Herakliu e mbron Deanirën prej Kentaurit Nes nga Pompejët (sot gjenden në Muzeun Kombëtar në Napoli). Disa piktura të Herakliut janë ruajtur edhe në katakombet e krishtera (Herakliu me Hidrën, Herakliu ia sjell Alkestidën mbretit Admet e të tjera, nga mesi i shek. IV të e.s.) që gjendet në Via Latina të Romës. Prej skulpturave janë ruajtur më së shumti kopjet e Herakliut të Poliktetit, me siguri nga shek. V para e.s. (kopja më e bukur është ndoshta Herakliu, kopja e Lisipit nga fundi i shek. IV para e.s. (më e bukura është e ashtuquajtura Herakliu Farnese (Farneze) që gjendet në Muzeun Kombëtar të Napolit; kopja romake e veprës së dytë të Lisipit Herakliu në luftë me luanin, gjendet në Ermitazhin e Leningradit. Prej të tjerave të ruajtura janë veçmas i ashtuquajturi Herakliu i Vatikanit, ;trupore e gjatë gati katër metra prej bronze të praruar që është nga theatari i Pompeut në Romë (sot gejndet në Muzeun e Vatikanit), pastaj Herakliu e vret drenushën, trupore romake prej bronze sipas modelit grek nga shek. IV para e.s. nga Pompejët (sot gjendet në Muzeun kombëtar në Palermo) dhe Herakliu i dehur nga shtëpia Cervia (Çervia) në Herkulanum (sot gjendet në Muzeun Kombëtar në Napoli); prej veprave artistike që kanë të bëjnë me shembëlltyrën e Herakliut në vend të parë duhet përmendur kopjen e vogël të Lisipit Herakliun, përafërsisht nga fillimi i shek. III para e.s. dhe gjendet në Muzeun Popullor në Beograd.
Prej veprave arkitektonike që kanë të bëjnë me Herakliun rëndom në vend të parë përmendet tempulli më i vjetër grek në Sicili, i ashtuquajturi Tempull i Herakliut në Agrigent (nga gjysma e dytë e shek. VI para e.s.). Identifikimi i tij, ndërkaq, ëishtë mjaft i dyshimtë. Në Romë Herakliu i ka pasur dy tempuj njërin nën Kapitol, tjetrin pas Cirkus Maximus-it (Cirkus Maksimus) pranë lumit Tibër, dhe prej tempujve të tjerë, të cilët i janë kushtuar veçmas ishte i njohur ai në Cora (Kora) afër Romës (në stilin italodorik nga shek. I para e.s., sot për fat të keq në gërmadhat).
Prej veprave të mjeshtërve të kohës së re që frymëzohen nga mitet mbi Herakliun po i përmendim vetëm më të vlefshmet dhe më të famshmet. Në rend të parë po i përmendim tri piktura të Pjetër Paul Rubensit Herakliu i dehur (1615-1616, sot gjendet në Galerinë e Drezdenit), Herakliu në luftë me luanin e Nemeut (pas vitit 1620 dhe sot gjendet në Galerinë Kombëtare në Bukuresht) dhe Herakliu te mbretëresha Omfalla (sot gjendet në Prado të Madridit, ndërsa kopja është e shek. XVII dhe gjendet në Galerinë e Pallatit në Ryhnovo në Çekosllovaki), pastaj pikturat e Jan Gosaert Mabuscut Herakliu dhe Omfalla e vitit 1513 (sot gjendet në koleksionin e H.Cook-ut (Kukut) në Richmond) të Nikoias Pusinit pejzazhi Herakliu dhe Kaku, me siguri i vitit 1649-1650 (sot gjendet në Ermitazhin e Leningradit) dhe Guido Renit Vdekja e Herakliut, përafërsisht e viteve 1617-1621 dhe sot gjendet në Luvër të Parizit. Prej pikturave murale duhet përmendur pikturën Herakliu dhe Atlanti dhe Herakliu i rrethuar me virtyte të vëllazërve Ludoviko, Augustino dhe Anibale Carraccit (Karaqit) e vitit 1582 dhe gjendet në Pallatin Sanpiere në Bolonjë. Prej veprave skulpturale duhet veçmas përmendur Herakliu dhe Kako e Baccio Bandinellit (Bakçio Bandinelli) e vitit 1534 dhe sot gjendet në Piaizza della Siguria në Firencë, Herakliu e vret Kentaurin Nes e Giovani de Bologna (Gjovani da Bolonja) e vitit 1594-1599 dhe sot gjendet në Loggi dei Lanzi në Firencë; Herakliu pushon dhe Herakliu në luftë me Hidrën e Pierre Pugetut (Pjer Puzheut) pas vitit 1675, Herakliu dhe Lihasi e Antonio Canoves (Aantonio Kanoves) sot gjendet në Galerinë Corsini (Korsini) në Romë dhe Herakliu i madh prej bronze e Antione Bourdellit (Antoan Burdellit) e vitit 1090 në Muzeun Metropolitan në Nju Jork. Në Pragë gjenden pesë skulptura të shkëlqyeshme të Herakliut. Tri janë të Adriaen de Vriesit (1625-1626), dhe ato Herakliu (origjinali gjendet në Muzeun e qytetit), Herakliu në luftë me dragoien (origjinali gjatë luftës tridhjetëvjeçare është bartur në Suedi, ndërsa kopja gjendet në pallatin e Vaddshtejnit), Herakliu i sjeli mollët prej kopshtit të Hesperideve (poashtu kopjet e origjinalit janë nga Suedia), sot gjenden në Galertnë e Qytetit në Pragë, pastaj Herakliu me Hidrën e Ignac Platzerit (Flatcerit) e vitit 1746 (gjendet në Pallatin Çerninslki dhe Herakliu e ngre hakun e Antoine Bourdellit (Antoan Burdelli) e vitit 1909 dhe sot gjendet në Galerinë Kombëtare, pastaj Herakliu dhe Anteu e Giovani da Bologna (Gjovani da Bolonja) e vitit 1570, sot gjendet në Muzeun Artistiko-historik në Vjenë.
Trajtime poetike dhe dramaturgjike të aventurave të Herakliut poashtu ka shumë. Për herë të parë veprat e Herakliut permenden (kuptohet jo të gjitha) te Homeri. Prej atëherë nuk i ka lënë anash pothuajse asnjë autor antik. Sofokliu e trajtoi fazën e fundit të jetës së Herakliut në tragjedinë Trahinjaset. Tragjedia e Euripidit Herakliu, në të vërtetë, nuk e përfshin verzionin tradicional të mitit (i cili edhe ashtu ka variante të shumta), por, përkundër kësaj me përpunimin e vet e ka ruajtur primatin gati më tepër se dy mijë vjet. Dy tragjedi për Herakliun i ka shkruar edhe poeti romak Seneka: Herkuli i tërbuar sipas Euripidit dhe Herkulit në Eta sipas Sofokliut. Të përditshmen e Herakliut, jetën e tij që e ka kaluar në mes të veprave të tij heroike, e ka trajtuar në epilin Shekulli i heronjëve të Teokritit, poet i Aleksandrisë (nga gjysma e parë e shek. III para e.s..). Prej veprave më të reja dramtike të njohura janë Herakliu dhe shtallat e Augiut të Frieddrich Dürrennmattit (Fridrih Dyrenmahit) dhe Herakliu i Marjan Matkoviqit, shikrimtarit kroat.
Lauret
Lauret

Yjet nuk mund të shkëlqejën pa errësirën.

2


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi