EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gjithësia

Shko poshtë

Gjithësia Empty Gjithësia

Mesazh  Jon 05.12.12 23:51

Gjithësia

“Nën Universin e Kohës, Hapësirës dhe Ndryshimit, fshihet gjithmonë Realiteti Substancial, e Vërteta Themeltare.” – Kybalioni

Substanca nënkupton “atë çka qëndron nën të gjitha manifestimet e jashtme; thelbin, realitetin thelbësor, gjënë në vetvete” etj. “Substancial” nënkupton “atë çka ekziston në të vërtetë, të qenët element thelbësor, të qenët real” etj. “Realitet” do të thotë: “të qenët real, i vërtetë, i qëndrueshëm, i mirëqenë, i palëvizshëm, i përhershëm, I pranishëm” etj.

Nën dhe pas të gjitha shfaqjeve e dukjeve të jashtme, ka gjithmonë një Realitet Substancial. I tillë është Ligji. Njeriu që studion Universin, pjesë e të cilit është edhe ai vetë, nuk sheh gjë tjetër veç ndryshimeve të vazhdueshme në materie, forcë dhe gjendje mendore. Ai vëren se në të vërtetë, asgjë nuk EKZISTON e pandryshuar, por gjithçka KRIJOHET dhe NDRYSHON.

Asgjë nuk qëndron e palëvizur, gjithçka lind, rritet, vdes. Në të njëjtin çast në të cilin diçka arrin kulmin e saj atëherë fillon edhe e tatëpjeta; ligji i ritmit vepron në mënyrë të pareshtur; nuk ka realitet, cilësi të qëndrueshme, paluajtshmëri apo substancialitet në asgjë; nuk ka asgjë të përhershme përveç Ndryshimit.

Njeriu vëren se gjithçka evoluon nga të tjera gjëra dhe zbërthehet në të tjera akoma; një veprim e kundërveprim i pareshtur; një rrjedhë që qarkullon brenda e jashtë; ndërtim dhe rrëzim; krijim e shkatërrim; lindje, rritje e vdekje. Nuk ka asgjë të qëndrueshme përveç Ndryshimit. E nëse ky njeri është mendimtar, ai kupton se të gjitha këto gjëra nën ndryshim të pareshtur, nuk janë veçse shfaqje e manifestime të një Force e cila qëndron nën gjithçka; të një Realiteti Substancial.

Të gjithë mendimtarët, në të gjitha trevat e në të gjitha kohërat, kanë pranuar domosdoshmërinë për një postulat mbi ekzistencën e këtij Realiteti Substancial. Çdo filozofi e denjë për t’u quajtur e tillë është bazuar mbi këtë ide. Njerëzit i kanë dhënë Realitetit Substancial shumë emra. Disa e kanë quajtur Hyjni (me emra të shumtë), të tjerë “Energjia e Pafundme dhe e Përjetshme”, të tjerë akoma janë munduar ta quajnë “Materie”, por të gjithë e kanë pranuar ekzistencën e tij. Është i vetëkuptueshëm e nuk ka nevojë për argumentim.

Në këto mësime ne kemi ecur në hapat e disa prej mendimtarëve më të mëdhenj të botës, Mjeshtra Hermetikë si të lashtë ashtu edhe bashkëkohorë, dhe e kemi quajtur këtë Forcë Themelore, këtë Realitet Substancial, me emrin Hermetik “GJITHËSIA”, fjalë kjo të cilën e gjykojmë si më gjithëpërfshirësen nga të gjithë emrat e shumtë me të cilët Njeriu ka quajtur Atë çka qëndron përtej emrave, fjalëve e përkufizimeve.

Ne pranojmë e mësojmë pikëpamjen e mendimtarëve të mëdhenj Hermetikë të çdo kohe dhe atë të atyre shpirtrave të ndriçuar të cilët kanë mbërritur në rrafshe më të larta ekzistence, të cilët pohojnë se natyra e brendshme e GJITHËSISË është E PANJOHËSHME. Kështu duhet të jetë, pasi asgjë përveç vetë GJITHËSISË nuk mund të kuptojë natyrën dhe ekzistencën e saj.

Hermetistët besojnë dhe mësojnë se GJITHËSIA “në vetvete” është dhe duhet të jetë gjithmonë E PANJOHËSHME. Ata i konsiderojnë të gjitha teoritë, hamendësimet dhe spekulimet e teologëve dhe metafizikëve mbi natyrën e brendshme të GJITHËSISË, si përpjekje fëminore të mendjeve të vdekshme për të rrokur sekretin e Pafundësisë.

Përpjekje të tilla kanë dështuar e do të dështojnë gjithmonë, pikërisht për shkak të natyrës së qëllimit që kanë. Dikush që ndjek pyetje të tilla, udhëton vazhdimisht përqark në labirintin e mendimit, derisa humb të gjithë logjikën e shëndoshë, veprimet e sjelljen e arsyeshme, duke u bërë përfundimisht i papërshtatshëm për jetën. Ai i ngjan ketrit i cili vrapon furishëm brenda rrotës së lëvizshme të kafazit të tij, duke udhëtuar pareshtur pa mbërritur askund; në fund sërish i burgosur, duke qëndruar pikërisht aty ku filloi.

Akoma më mendjemëdhenj janë ata të cilët orvaten t’i veshin GJITHËSISË personalitetin, cilësitë, tiparet, karakteristikat dhe vetitë e vetvetes, duke e veshur GJITHËSINË me emocione njerëzore, ndjenja dhe veçori deri tek cilësitë më të ulëta njerëzore si xhelozia, ndjeshmëria ndaj lëvdatave e lajkave, nevoja për blatime e adhurim, të gjitha këto mbeturina nga kohët kur raca njerëzore jetonte fëmijërinë e saj. Ide të tilla nuk janë të denja për burra e gra të rritur dhe po flaken tutje me shpejtësi.

(Në këtë pikë, do të ishte e përshtatshme të saktësohej se ne bëjmë një dallim ndërmjet Besimit dhe Teologjisë; ndërmjet Filozofisë dhe Metafizikës. Besim për ne, do të thotë të kuptuarit në mënyrë intuitive i ekzistencës së GJITHËSISË dhe marrëdhënia e dikujt me të; ndërsa Teologjia nënkupton orvatjet njerëzore për t’i veshur GJITHËSISË personalitet, cilësi e karakteristika; pikëpamje mbi çështjet, vullnetin, dëshirat, planet dhe projektet e saj; dhe pretendimin e zyrës së “ndërmjetësit” midis GJITHËSISË dhe njerëzve.

Filozofi për ne, do të thotë të kërkuarit dituri mbi gjëra të njohshme e të mendueshme; ndërsa Metafizika nënkupton orvatjen për ta mbartur këtë kërkim mbi dhe përtej kufijve, në lëme të panjohshme e të pamendueshme, dhe me të njëjtat prirje si ato të Teologjisë.

Rrjedhimisht, ne i gjejmë si rrënjët e Besimit ashtu edhe të Filozofisë, të hedhura në Realitet, ndërkohë që Teologjia e Metafizika i ngjajnë xunkthit të këputur me rrënjë në baltën thithëse të injorancës, të paafta të ofrojnë mbështetje të sigurt as për mendjen e as për shpirtin e Njeriut. Nuk këmbëngulim që nxënësit tanë të pranojnë këto përkufizime. Ne I përmendëm thjeshtë për të qartësuar pikëpamjen tonë. Në çdo rast, në këto mësime do të dëgjoni fare pak mbi Teologjinë e Metafizikën.)

“AJO çka është e Vërteta Themeltare, Realiteti Substancial, në të vërtetë qëndron përtej emërtimeve, por të Urtët e quajnë GJITHËSIA.” – Kybalioni

“GJITHËSIA është E PANJOHËSHME në Thelbin e saj.” – Kybalioni

“Megjithatë, kumtimi i Arsyes duhet pritur derë çelur dhe duhet trajtuar me nderim.” – Kybalion

Arsyeja njerëzore, zërin e së cilës duhet të pranojmë për sa kohë arrijmë të arsyetojmë, na kumton sa vijon mbi GJITHËSINË, gjithmonë pa u orvatur t’i heqë asaj vellon e TË PANJOHËSHMES:

1. GJITHËSIA duhet të jetë GJITHÇKA që EKZISTON REALISHT. Asgjë nuk mund të ekzistojë jashtë GJITHËSISË, përndryshe GJITHËSIA nuk do të ishte GJITHËSIA.

2. GJITHËSIA duhet të jetë E PAFUNDME, sepse nuk ka asgjë tjetër që mund ta përcaktojë, rrethojë, kufizojë apo mbyllë në caqe. GJITHËSIA është E PAFUNDME në kohë ose E PËRJETËSHME; duhet të ketë ekzistuar vazhdimisht, pasi nuk mund të ketë pasur kurrë diçka tjetër që ta ketë krijuar, sepse asgjë nuk mund të evoluojë nga hiçi, e nëse nuk do të “kishte qenë” qoftë edhe për një çast, nuk do të “ishte” tani. Duhet të ekzistojë vazhdimisht pasi nuk ka asgjë tjetër që mund ta shkatërrojë, e nuk mundet “të mos jetë” qoftë edhe për një çast të vetëm, pasi diçka nuk mund të kthehet kurrë në hiç.

GJITHËSIA duhet të jetë e Pafundme në Hapësirë; duhet të jetë Gjithkund pasi nuk ekziston vend tjetër jashtë GJITHËSISË; nuk mund të jetë përveçse e vazhdueshme në Hapësirë, pa këputje, ndalesa, ndarje apo ndërprerje, pasi nuk ka asgjë që ta këputë, ndalojë, ndajë apo ndërpresë vazhdimësinë e saj, e asgjë tjetër për “të mbushur zbrazëtitë”. Duhet të jetë e Pafundme në Forcë ose Absolute, pasi nuk ka asgjë që mund ta kufizojë, frenojë, përmbajë, izolojë, shqetësojë apo kushtëzojë; GJITHËSIA nuk i nënshtrohet asnjë Force tjetër pasi nuk ka asnjë Forcë tjetër.

3. GJITHËSIA duhet të jetë E PANDËRRUESHME apo e patjetërsueshme në natyrën e saj të vërtetë, pasi nuk ekziston asgjë që mund ta ndryshojë; asgjë nga e cila mund të jetë shndërruar apo asgjë në të cilën ajo mund të shndërrohet. Asaj nuk mund t’i shtohet, e nga ajo nuk mund të zbritet asgjë; nuk mund rritet apo të pakësohet, e as të bëhet më e madhe a më e vogël në çfarëdo pikëpamje qoftë. Duhet të ketë ekzistuar e duhet të ekzistojë gjithmonë pikërisht siç është tani, GJITHËSI. Nuk ka pasur, nuk ka, e nuk dot të ketë kurrë asgjë tjetër në të cilën ajo do të mund të shndërrohej.

Meqenëse GJITHËSIA është e Pafundme, Absolute, e Përjetshme dhe e Pandryshueshme, rrjedhimisht gjithçka e fundme, e ndryshueshme, kalimtare dhe e kushtëzuar nuk mund të jetë GJITHËSIA. Dhe përderisa nuk ka Asgjë jashtë GJITHËSISË në Realitet, atëherë të gjitha këto gjëra të fundme duhet të jenë Asgjë në Realitet.

Ju kërkojmë të mos turbulloheni apo trembeni; nuk po përpiqemi t’ju udhëheqim drejt Doktrinës së Krishterë nën maskën e Filozofisë Hermetike. Ekziston një Pajtueshmëri mbi këto çështje të cilat duken në kundërvënie. Bëni durim, do të mbërrijmë atje kur të jetë koha.

Përreth nesh shikojmë atë që quhet “Materie”, e cila përbën bazën fizike materiale të të gjitha formave. A është GJITHËSIA thjesht Materie? Aspak! Materia nuk mund të manifestojë Jetë apo Mendje, e përderisa si Jeta ashtu edhe Mendja manifestohen në Univers, Materia nuk mund të manifestojë Jetë apo Mendje, e përderisa si Jeta ashtu edhe Mendja manifestohen në Univers, GJITHËSIA nuk mund të jetë Materie, pasi asgjë nuk mund të ngrihet më lart nga ku buron, asgjë nuk shfaqet brenda pasojës pa qenë edhe pjesë e shkakut, asgjë nuk kthehet në një përfundim pa qenë edhe pjesë e asaj që paraprin.

GJITHËSIA nuk mund të jetë Materie, pasi asgjë nuk mund të ngrihet më lart nga ku buron, asgjë nuk shfaqet brenda pasojës pa qenë edhe pjesë e shkakut, asgjë nuk kthehet në një përfundim pa qenë edhe pjesë e asaj që paraprin. Shkenca Bashkëkohore na mëson se në të vërtetë Materia nuk ekziston; se ajo që quajmë Materie është thjeshtë “energji apo forcë e ndërprerë”, pra energji apo forcë me lëkundje të ngadaltë. Ashtu siç ka thënë edhe një shkrimtar bashkëkohor “Materia u tret në Mister”. Edhe Shkenca Materiale e ka braktisur teorinë e Materies dhe tani mbështetet në bazat e “Energjisë”.

Atëherë a është vallë GJITHËSIA thjesht Energji ose Forcë? Jo Energji e Forcë në kuptimin që i japin materialistët fjalës, pasi energjia e forca e tyre janë gjëra të verbra, mekanike, pa Jetë e Mendje. Jeta e Mendja nuk mund të evoluojnë kurrsesi nga Energjia e Forca e verbër, për arsyen që dhamë një çast më parë: “Asgjë nuk mund të ngrihet më lart nga ku buron; asgjë nuk shtjellohet pa qenë e pleksur; asgjë nuk kthehet në një përfundim pa qenë edhe pjesë e asaj që paraprin”.

Kështu GJITHËSIA nuk mund të jetë thjesht Energji apo Forcë, pasi nëse do të ishte, ekzistenca nuk do të njihte gjëra si Jeta dhe Mendja, e ne këtë e kuptojmë më së miri pasi jemi të Gjallë e duke përdorur Mendjen për të shtruar këto pyetje, po aq sa ata të cilët pretendojnë se Energjia apo Forca janë Gjithçka.

Çfarë ekziston pra në Univers e që qëndron më lart se Materia e Energjia? JETA DHE MENDJA! Jeta dhe Energjia në të gjitha gradët e tyre të ndryshme të shpalosjes! “Atëherë kërkoni të na thoni se GJITHËSIA është JETË dhe MENDJE?”, – do të pyesnit ju. Po dhe Jo është përgjigjja jonë. Nëse nënkuptoni Jetë dhe Mendje në mënyrën në të cilën i njohim ne, të vdekshmit e gjorë vocërrakë, përgjigjja është Jo! GJITHËSIA nuk është ajo. “Atëherë për çfarë Jete e Mendje bëni fjalë?”, – pyesni ju.

Përgjigjja është “MENDJE QË JETON, shumë përtej kuptimit që të vdekshmit i japin këtyre fjalëve, pasi Jeta e Mendja qëndrojnë mbi forcat mekanike apo materien; MENDJE E GJALLË E PAFUNDME nëse do të krahasohej me Jetën e Mendjen e fundme.” Me këtë duam të themi atë çka nënkuptojnë shpirtrat e përndritur, kur shqiptojnë me nderim fjalën : “SHPIRT!”

“GJITHËSIA” është Mendje e Gjallë e Pafundme; të Përndriturit e quajnë SHPIRT!

Përktheu: Adrian Kosturi
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi