EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Aksioma Hermetike

2 posters

Shko poshtë

Aksioma Hermetike Empty Aksioma Hermetike

Mesazh  Jon 26.08.12 23:37

Aksioma Hermetike

“Zotërimi i Diturisë, nëse nuk shoqërohet me shfaqjen e shprehjen e saj në Veprim, i ngjan manisë së grumbullimit të metaleve të çmuara: kotësi dhe marrëzi. Dituria, njësoj si Pasuria, ekziston me qëllim që të Përdoret. Ligji i Përdorimit është Universal, e ai i cili e thyen këtë ligj do të vuajë, pasi vepron ndesh me forcat e natyrës.” – Kybalioni

Megjithëse Mësimet Hermetike janë ruajtur gjithmonë të sigurta, të kyçura në mendjet e zotëruesve të tyre fatlumë, për arsye të cilat i kemi thënë edhe më parë, qëllimi i tyre nuk ka qenë kurrë ruajtja mënjanë dhe sekretimi. Siç mund ta vini re nga adresimi që i bëhet citatit të mësipërm të Kybalionit, i cili e shpall me forcë, Ligji i Përdorimit është pjesë përbërëse e Doktrinës.

Dituria që nuk Përdoret apo Shprehet është diçka e kotë, e cila nuk i sjell ndonjë të mirë zotëruesit të saj apo racës. Ruajuni nga Koprracia Mendore dhe shpreheni në Veprim atë çka keni mësuar. Studiojini Aksiomat e Aforizmat, por gjithashtu edhe praktikojini.

Më poshtë do të radhitim disa nga Aksiomat Hermetike më të rëndësishme të marra nga Kybalioni, secila shoqëruar me një komentim të shkurtër. Përvetësojini, praktikojini e zbatojini ato, pasi nuk do të jenë kurrë vërtetë tuajat derisa t’i keni Përdorur.

“Për të ndërruar humorin apo gjendjen tuaj mendore, ndryshoni lëkundjet tuaja.” – Kybalioni

Gjithkush mund t’i ndryshojë lëkundjet e tij mendore përmes një përpjekjeje të Vullnetshme për të përqendruar qëllimisht Vëmendjen te një gjendje më e dëshirueshme. Vullneti drejton Vëmendjen dhe Vëmendja ndryshon Lëkundjet. Kultivojeni Artin e Vëmendjes përmes Vullnetit, dhe do të keni zbuluar të fshehtën e Zotërimit të Gjendjeve Mendore e Shpirtërore.

“Për të shkatërruar një frekuencë të padëshirueshme lëkundjesh mendore, vini në zbatim Parimin e Polaritetit dhe përqendrohuni në polin e kundërt të asaj çka dëshironi të shuani. Eliminojeni të padëshirueshmen duke i ndryshuar asaj polaritetin.” – Kybalioni

Kjo është një nga Formulat Hermetike më të rëndësishme. Është e bazuar mbi parime të vërteta shkencore. Ne ju dëshmuam se një gjendje e caktuar mendore dhe e kundërta e saj nuk janë gjë tjetër veçse pole të së njëjtës gjë, dhe se ky polaritet mund të këmbehet përmes Shndërrimit Mendor. Ky parim është i njohur edhe për psikologët bashkëkohorë, të cilët e zbatojnë për të ndërprerë vese të padëshirueshme duke i nxitur pacientët e tyre të përqendrohen në cilësitë e kundërta.

Nëse jeni të pushtuar nga Frika, mos humbisni kohë duke u orvatur të zhdukni Frikën, por në vend të saj kultivoni cilësinë e Trimërisë, e do të shikoni se Frika do të zhduket. Disa autorë e kanë shprehur këtë ide me forcë duke përdorur shembullin e dhomës së errët. Nuk keni nevojë ta hiqni me lopatë apo ta fshini me fshesë Errësirën. Mjafton të hapni grilat e të lini Dritën të hyjë që Errësira të zhduket. Për të eliminuar një cilësi Negative përqendrohuni në Polin Pozitiv të të njëjtës cilësi, dhe lëkundjet do të shndërrohen gradualisht nga Negative në Pozitive, derisa më në fund ju do të polarizoheni në Polin Pozitiv në vend të atij Negativ.

Edhe e anasjellta është njësoj e vërtetë siç kanë zbuluar me hidhërim shumë njerëz, të cilët e kanë lejuar veten të lëkunden pandërprerë në polin Negativ të gjërave. Duke ndryshuar polaritetin tuaj ju mund të zotëroni plotësisht humorin tuaj, gjendjet tuaja mendore, të ndreqni temperamentin e të forconi karakterin. Pjesa dërrmuese e Mjeshtërisë Mendore të Hermetistëve të përparuar buron nga zbatimi i Polaritetit, çka përbën një nga anët më të rëndësishme të Shndërrimit Mendor. Kujtoni Aksiomën Hermetike (të cituar më herët) e cila thotë:

“Mendja (njësoj si metalet dhe elementët) mund të shndërrohet nga një gjendje në një tjetër, nga një gradë në një tjetër, nga një konditë në një tjetër, nga një pol në një tjetër, nga një lëkundje në një tjetër.” – Kybalioni

Të njohësh në thelb Polarizimin, do të thotë të njohësh në thelb parimet themelore të Shndërrimit Mendor apo të Alkimisë Mendore, pasi nëse dikush nuk zotëron artin e të ndryshuarit të polaritetit vetjak, e ka të pamundur të ndikojë ambientin që e rrethon. Njohja në thelb e këtij parimi do t’i mundësonte dikujt të ndryshonte Polaritetin si vetjak ashtu edhe të të tjerëve, nëse ai person do t’i kushtonte kohën, kujdesin, studimin dhe praktikën e nevojshme për ta zotëruar këtë art. Parimi është real, por rezultatet e përftuara varen nga këmbëngulja, durimi dhe praktika e nxënësit.

“Ritmi mund të asnjanësohet përmes zbatimit të Artit të Polarizimit” – Kybalioni

Ashtu siç kemi sqaruar edhe në kapitujt paraardhës, Hermetistët pohojnë se Parimi i Ritmit shfaqet si në Rrafshin Mendor, ashtu edhe në Rrafshin Fizik, dhe se seria befasuese e humoreve, emocioneve dhe gjendjeve të tjera mendore, vijnë si pasojë e lëkundjes para e prapa që zhvillon lavjerrësi mendor, i cili na zhvendos nga njëri skaj i një ndjenje në skajin tjetër.

Hermetistët gjithashtu sqarojnë se Ligji i Asnjanësimit mundëson në masë të gjerë kapërcimin e veprimtarisë së Ritmit në vetëdije. Ashtu siç ju kemi treguar, ekziston një Rrafsh i Lartë Ndërgjegjeje dhe një Rrafsh i Ulët i saj, dhe Mjeshtri duke u lartësuar mendërisht në Rrafshin e lartë, bën që luhatja e lavjerrësit mendor të manifestohet në Rrafshin e Ulët.

Kështu duke qëndruar në Rrafshin e tij të lartë ai i shpëton ndërgjegjësimit të lëkundjes prapa. Kjo realizohet përmes polarizimit të Vetvetes duke rritur lëkundjet mendore të Egos mbi lëkundjet e rrafshit të zakonshëm të ndërgjegjes.

Është njësoj si të ngrihesh mbi diçka e ta lejosh të kalojë poshtë teje. Hermetisti i përparuar e polarizon veten në Polin Pozitiv të Qenies së tij, në polin “Unë Jam” dhe jo në polin e personalitetit, dhe përmes “refuzimit” e “mohimit” të veprimtarisë së Ritmit, e ngre veten mbi rrafshin e tij të ndërgjegjes, ku duke qëndruar i patundur në Deklaratën e Ekzistencës së tij, e lejon lavjerrësin të lëvizë prapa në Rrafshin e Poshtëm pa ndryshuar Polaritetin. Kjo mund të kryhet nga çdo individ që zotëron njëfarë vetëkontrolli, si kur e njeh ashtu edhe kur nuk e njeh ligjin në fjalë. Persona të tillë thjeshtë “refuzojnë” që t’i lejojnë vetes zhvendosjen pas prej lavjerrësit të humorit dhe emocionit, dhe duke pohuar të palëkundur superioritetin e tyre mbeten të polarizuar në polin Pozitiv.

Natyrisht, Mjeshtri zotëron një nivel zotësie shumë më të lartë, pasi ai e kupton ligjin të cilin po mposht përmes një ligji tjetër, e duke përdorur Vullnetin e tij ai arrin një gradë Vetëpërmbajtjeje e Qëndrueshmërie Mendore, pothuajse të pamundur për t’u besuar nga ata të cilët e lejojnë veten të zhvendosen para e pas nga lavjerrësi mendor i humorit dhe ndjenjave.

Sidoqoftë, mbani gjithmonë mend se në realitet, nuk jeni duke prishur Parimin e Ritmit, pasi ky i fundit është i pashkatërrueshëm. Thjesht po mposhtni një ligj duke shfrytëzuar një tjetër si kundërpeshë, e duke ruajtur në këtë mënyrë ekuilibrin. Ligjet e baraspeshës e kundërpeshës mbeten gjithmonë në fuqi si në rrafshet mendore ashtu edhe në ato fizike, e njohja e mirë e këtyre ligjeve në pamje të parë duket sikur i mundëson dikujt t’i përmbysë ligjet, kur në të vërtetë thjeshtë po ushtron një kundërpeshë.

“Asgjë nuk i shpëton Parimit të Shkakut e Pasojës, por ekzistojnë Rrafshe të shumta Shkakësie, e ligjet e rrafshit më të lartë mund të përdoren për të mposhtur ligjet e rrafshit më të ulët.” – Kybalioni

Përmes njohjes së praktikës së Polarizimit, Hermetistët ngrihen në një rrafsh më të lartë Shkakësie e në këtë mënyrë kundërpeshojnë ligjet e rrafsheve të ulëta të Shkakësisë. Duke u lartësuar mbi rrafshet e Shkaqeve të zakonshme, ata në një farë mase bëhen vetë Shkaqe, në vend që të jenë thjeshtë “të Shkaktuar”.

Duke qenë të aftë të zotërojnë plotësisht humorin dhe ndjenjat e tyre, si edhe të asnjanësojnë Ritmin në mënyrën që tashmë e kemi sqaruar, ata janë të aftë t’i shpëtojnë një pjese të madhe të veprimtarisë së Shkakut e Pasojës në rrafshin e zakonshëm.

Pjesa dërrmuese e njerëzve tërhiqen qorrazi, duke iu bindur ambientit rrethues, dëshirave dhe vullneteve të atyre më të fortë se ta, pasojave të prirjeve të trashëguara, sugjestionin që ushtrohet mbi ta dhe shkaqe të tjera të jashtme, të gjitha këto gjëra të cilat orvaten t’i lëvizin ata si ushtarë të thjeshtë në fushën e shahut të jetës.

Përmes lartësimit mbi ndikimin e këtyre shkaqeve, Hermetistët e përparuar synojnë një rrafsh më të lartë veprimi mendor, e duke dominuar humorin, emocionet, impulset dhe ndjenjat e tyre, zhvillojnë për vetveten karakter, cilësi e fuqi të reja, nëpërmjet të cilave mposhtin atmosferën e zakonshme rrethuese dhe praktikisht kthehen në Lojtarë në vend që të jenë Ushtarë të gjorë.

Këta njerëz ndihmojnë që loja e jetës të luhet me urtësi, në vend që të shtyhen e tërhiqen këtej apo andej prej ndikimeve, fuqive apo vullneteve më të forta. Ata e shfrytëzojnë Parimin e Shkakut dhe Pasojës në vend që të shfrytëzohen prej tij. Natyrisht, edhe më të lartët e tyre i nënshtrohen Parimit, pasi ai manifestohet edhe në rrafshet e larta, por në rrafshet e ulëta të aktivitetit ata janë Mjeshtra e jo Skllevër. Siç thotë edhe Kybalioni:

“Të mençurit shërbejnë në rrafshet e larta, por sundojnë në të ulëtat. Ata u binden ligjeve që u vijnë nga lart, por në rrafshin e tyre dhe në rrafshet poshtë tyre, ata sundojnë e japin urdhra. E megjithatë, duke vepruar në këtë mënyrë, ata vetë përbëjnë një pjesë të Parimit dhe jo një pengesë për të. Njeriu i mençur pajtohet me Ligjin, e duke kuptuar dinamikën e këtij të fundit kthehet në manovrues të tij në vend që të kthehet në një skllav të verbër. Ashtu siç ngjan një notar i zoti i cili kthehet sa në një anë në tjetrën duke vajtur apo ardhur sipas dëshirës, krahasuar me një kërcu që pluskon duke u përplasur andej këtej, ashtu duket edhe njeriu i mençur kur krahasohet me njeriun e zakonshëm, por, në çdo rast, notari dhe kërcuri, i mençuri e i marri, të gjithë i nënshtrohen Ligjit. Ai i cili e kupton këtë, është në rrugën e duhur drejt Mjeshtërisë.” – Kybalioni.

Në përfundim, na lejoni të tërheqim vëmendjen tuaj mbi këtë Aksiomë Hermetike:

“Transmutacioni (shndërrimi) i vërtetë Hermetik, është Art Mendor.” – Kybalioni

Në aksiomën e mësipërme, Hermetistët sqarojnë se vepra madhore e ndikimit të ambieniti që rrethon dikë, kryhet nëpërmjet Fuqisë Mendore. Duke qenë se Universi është tërësisht mendor, vetëm Mendësia mund ta sundojë. Brenda kësaj të vërtete gjendet një shpjegim për të gjitha dukuritë e manifestimet e forcave të larmishme mendore, të cilat po studiohen e po tërheqin kaq shumë vëmendje në këto vite të para të Shekullit të Njëzetë. Prapa apo në themel të doktrinave të shkollave e kulteve të ndryshme, qëndron përherë konstant parimi i Substancës Mendore të Universit. Nëse Universi është Mendor në natyrën e tij substanciale, atëherë rrjedh se Shndërrimi Mendor duhet të ndryshojë kushtet dhe fenomenet e Universit. Nëse Universi është mendor, atëherë Mendja duhet të jetë forca më e madhe e aftë të ndikojë fenomenet e tij. Nëse rroket ky koncept plotësisht, atëherë të gjitha të ashtuquajturat “mrekulli”, mund të shihen qartësisht për atë çka janë në të vërtetë.

“GJITHËSIA është MENDJE; Universi është Mendor.” – Kybalioni

Finis

Buzët e Diturisë Janë të Kyçura, Përveçse Për Veshët e Arsyes.

Përktheu: Adrian Kosturi
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Aksioma Hermetike Empty Re: Aksioma Hermetike

Mesazh  Equinox 15.11.13 23:31

Njih vetveten -
përmban një kuptim veçanërisht të thellë; është një nga simbolet që çojnë në njohurinë e së Vërtetës.Studimi i botës dhe studimi i njeriut mbështesin njëri-tjetrin.

Duke studiuar universin dhe ligjet e tij, njeriu studion veten dhe duke studiuar veten, ai studjon universin.
Equinox
Equinox

207


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi