EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Polariteti

Shko poshtë

Polariteti Empty Polariteti

Mesazh  Jon 26.08.12 23:30

POLARITETI

Polariteti 561715_447218265334282_577025676_n

“Gjithçka është e dyzuar; gjithçka ka pole; gjithçka ka çiftin e saj të të kundërtave; ngjashmëria dhe dallimi janë e njëjta gjë; të kundërtat janë identike në natyrën e tyre, por të ndryshme në gradë; skajet takohen; të gjitha të vërtetat nuk janë veçse gjysmë të vërteta; të gjithë paradokset mund të pajtohen.” – Kybalioni

Parimi i katërt i madh Hermetik, Parimi i Polaritetit, trupëzon vërtetësinë që pohon se çdo gjë e manifestuar ka “dy anë”, “dy aspekte”, “dy pole”, “një çift të kundërtash” ku midis dy skajeve qëndrojnë gradë të shumëfishta. Duke e kuptuar në thelb këtë Parim, mund të zgjidhen paradokse të vjetra, të cilat kanë turbulluar ngaherë mendjet njerëzore. Njeriu në vetvete e ka pranuar gjithmonë një koncept të ngjashëm me këtë Parim, të cilin është orvatur ta formulojë me thënie, fjalë të urta dhe aforizma të tipit: “të gjitha të vërtetat nuk janë veçse gjysmë të vërteta”, “çdo pohim është gjysmë i gënjeshtërt”, “gjithçka ka dy anë”, “ka dy faqe të çdo medaljeje” etj.

Doktrina Hermetike na sqaron se dallimet midis gjërave të cilat në pamje të parë duken diametralisht të kundërta, qëndrojnë thjeshtë në gradë. Doktrina na tregon se “çiftet e të kundërtave mund të bashkohen”, se “teza dhe antiteza kanë natyrë identike, por ndryshojnë në gradë”, dhe se nëpërmjet njohjes së Parimit të Polaritetit mund të kryhet “pajtimi universal i të kundërtave”. Mësuesit pohojnë se shembuj ilustrues për këtë Parim mund të gjenden lirisht gjithkund, si edhe mund të përftohen përmes këqyrjes së natyrës së vërtetë të gjërave.

Ata fillimisht na tregojnë se Shpirti dhe Materia nuk janë gjë tjetër veçse pole të të njëjtës gjë, e rrafshet ndërmjetëse janë thjeshtë gradë lëkundjeje. Ata na tregojnë se GJITHËSIA dhe Të Tjerat janë e njëjta gjë dhe se dallimi është thjeshtë çështje gradësh në Manifestimin Mendor. Në të njëjtën mënyrë, LIGJI dhe Ligjet janë dy pole të kundërta të të njëjtës gjë. Po kështu edhe PARIMI dhe Parimet. Mendja e Pafundme e mendjet e fundme.

Duke u hedhur më pas në Rrafshin Fizik, mësuesit e ilustrojnë Parimin duke dëshmuar se Nxehtësia dhe Ftohtësia janë identike në natyrë dhe se dallimi midis tyre është thjeshtë çështje gradësh. Termometri tregon shumë gradë të temperaturës ku skaji më i ulët përbën “ftohtësinë” dhe ai më i lartë “nxehtësinë”. Midis këtyre dy skajeve, gjenden shumë gradë të “së ngrohtës” apo të “së ftohtës”, të cilat sido që t’i etiketojmë, mbetemi gjithsesi korrektë. Kur shqyrtojmë dy gradë, grada që qëndron sipër është gjithmonë “më ngrohtë” dhe ajo që qëndron poshtë është gjithmonë “më ftohtë”.

Standardi absolut nuk ekziston; gjithçka është çështje gradësh. Nuk ekziston një vend i caktuar në termometër ku ngrohtësia përfundon e ku nis ftohtësia. Gjithçka është një çështje lëkundjesh më të larta apo më të ulëta. Edhe vetë fjalët “i lartë” apo “i ulët” të cilat jemi të shtrënguar t’i përdorim, nuk janë veçse pole të së njëjtës gjë; terminologji relative. I njëjti arsyetim vlen për “Lindjen e Perëndimin”; nëse udhëtoni përqark botës në drejtim të lindjes, do të mbërrini në një pikë e cila quhet perëndim në vendin prej ku u nisët. Udhëtoni vazhdimisht në drejtim të Veriut, e do ta gjeni veten duke udhëtuar drejt Jugut, ose anasjelltas.

Drita dhe Errësira janë pole të të njëjtës gjë të ndara nga gradë të shumta që qëndrojnë mes tyre. E njëjta gjë edhe me shkallën muzikore, ku duke u nisur nga “C” udhëtoni lart derisa mbërrini te një tjetër “C” e kështu me radhë, me dallime të njëjta e me gradë të shumta midis dy skajeve. Njësoj edhe për shkallën e ngjyrave, ku lëkundjet e larta apo të ulëta janë i vetmi dallim midis ngjyrës vjollcë dhe asaj të kuqe. I Madh apo i Vogël janë koncepte relative. Po kështu janë edhe Zhurma e Qetësia dhe të njëjtit rregull i nënshtrohen edhe Fortësia e Butësia. Njësoj edhe për Mprehtësinë dhe Topitjen. Pozitivja dhe Negativja janë dy pole të të njëjtës gjë, të ndara nga gradë të panumërta të ndërmjetme.

E Mira dhe e Keqja nuk janë absolute; ne e quajmë njërin skaj të shkallës e Mira dhe skajin tjetër e Keqja, apo njërin skaj Mirësia e tjetrin Ligësia, në përputhje me formën e përdorimit. Diçka është “më pak e mirë” se diçka tjetër që qëndron më lart në shkallë, por me radhë, kjo gjë “më pak e mirë” është “më e mirë” se gjëja tjetër pasuese që ndodhet poshtë saj, e kështu në vazhdimësi, në varësi të pozicionit përkatës në shkallë.

Po kështu ndodh edhe në Rrafshin Mendor. “Dashuria e Urrejtja” në përgjithësi shihen si gjëra diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën, krejtësisht të ndryshme e të papajtueshme. Por kur zbatojmë Parimin e Polaritetit, zbulojmë se nuk ekzistojnë gjëra si Dashuria Absolute apo urrejtja Absolute në formë të ndarë nga njëra-tjetra. Që të dyja janë thjeshtë fjalë për të përshkruar dy pole të të njëjtës gjë.

Duke u nisur nga një pikë çfarëdo e shkallës matëse, teksa ngjitemi do të gjejmë “më shumë dashuri” apo “më pak urrejtje”, e teksa zbresim “më shumë urrejtje” apo “më pak dashuri”, pavarësisht nga pozicioni i lartë apo i ulët i pikënisjes fillestare. Ekzistojnë gradë të Dashurisë e urrejtjes dhe ekziston një pikë e ndërmjetme në të cilën “Pëlqimi apo Mospëlqimi” zbehet aq shumë, sa bëhet e vështirë për t’u dalluar. Trimëria dhe Frika i nënshtrohen të njëjtit rregull. Çiftet e të Kundërtave shfaqen gjithkund. Aty ku gjeni njërën gjë, do të gjeni edhe të kundërtën e saj, polin tjetër.

Është pikërisht ky fakt ai që i mundëson Hermetistëve të shndërrojnë një gjendje të caktuar mendore në një tjetër përgjatë trajtave të Polarizimit. Nuk mund të shndërrohen gjëra të cilat u përkasin klasave të ndryshme, por është plotësisht e mundur të shndërrohen gjëra të cilat i përkasin të njëjtës klasë duke ndryshuar polaritetin e tyre.

Kështu Dashuria nuk mund të kthehet kurrë në Lindje apo në Perëndim, në të Kuqe apo në Vjollcë, por mund dhe shpesh kthehet në Urrejtje, e anasjelltas edhe Urrejtja mund të transformohet në Dashuri nëpërmjet ndryshimit të Polaritetit. Trimëria mund të kthehet në frikë e anasjelltas. Gjërat e Forta mund të Zbuten. Gjërat e Topitura mund të kthehen në të Mprehta. Gjërat e Nxehta mund të Ftohen e kështu me radhë.

Shndërrimi mund të kryhet gjithmonë vetëm brenda gjërave të të njëjtës bashkësi, por me gradë të ndryshme. Të marrim rastin e një njeriu Frikacak. Duke i rritur lëkundjet e tij mendore përgjatë linjës Frikë-Trimëri, ai mund të mbushet me Trimërinë e Kurajën më të lartë të mundshme. Në të njëjtën mënyrë, thjesht duke u polarizuar përgjatë linjave të cilësisë së dëshiruar, njeriu i Plogët mund ta shndërrojë veten në një individ Aktiv dhe Energjik.

Nxënësi që është njohur me proceset nëpërmjet të cilave shkolla të ndryshme të Shkencës Mendore etj. shkaktojnë ndryshime në gjendjet mendore të pasuesve të tyre, mund të mos e kuptojë menjëherë parimin që qëndron pas këtyre ndryshimeve. Sidoqoftë, kur Parimi i Polariteti rroket plotësisht dhe vihet re se ndryshimet mendore shoqërohen me një ndryshim polariteti, një lëvizje përgjatë së njëjtës shkallë, çështja bëhet menjëherë më e kuptueshme.

Natyra e transformimit nuk është shndërrimi i diçkaje në një diçka tjetër krejtësisht të ndryshme, por thjeshtë ndryshimi i gradëve të të njëjtës gjë, një dallim ky tejet i rëndësishëm. Si shembull mund të huazojmë një analogji nga Rrafshi Material: është e pamundur të shndërrohet Nxehtësia në Mprehtësi, Zhurmë, Lartësi etj., por ajo mund të shndërrohet lehtësisht në Ftohtësi thjesht duke ulur lëkundjet. Në mënyrë të ngjashme, Dashuria e Urrejtja, Frika e Trimëria mund të shndërrohen në mënyrë të ndërsjellët. Por Frika nuk të transformohet në Dashuri, e as Trimëria nuk mund të bëhet Urrejtje. Gjendjet mendore kategorizohen ne klasa të panumërta, ku secila klasë ka polet e saj të kundërta, përgjatë të cilave është i mundur edhe shndërrimi.

Nxënësi është i aftë të dallojë menjëherë se si në gjendjet mendore, ashtu edhe në dukuritë e Rrafshit Fizik, dy polet mund të kategorizohen respektivisht si Pozitivi dhe Negativi. Kështu Dashuria është Pozitive ndaj Urrejtjes, Trimëria ndaj Frikës, Aktiviteti ndaj Plogështisë etj. Është po kështu e dallueshme qoftë edhe nga ata të cilët nuk e njohin Parimin e Lëkundjes, se poli Pozitiv është në pamje të parë më i lartë në gradë se poli Negativ dhe është dominues i këtij të fundit. Prirja e Natyrës anon në drejtim të veprimtarisë së polit Pozitiv.

Përveç shkëmbimit të poleve të gjendjeve mendore të një personi nëpërmjet ushtrimit të artit të Polarizimit, dukuria e Ndikimit Mendor në fazat e saj të shumëfishta, na tregon se parimi mund të zgjerohet në mënyrë që të përqafojë edhe dukurinë e ndikimit të një mendjeje mbi një tjetër, gjë për të cilën është shkruar e folur shumë gjatë viteve të fundit.

Kur të kuptohet se Induksioni Mendor është i mundshëm dhe se gjendjet mendore mund ndryshohen prej të tjerëve nëpërmjet “induksionit”, atëherë mund të vërehet qartazi se në ç’mënyrë një frekuencë e caktuar lëkundjeje, apo polarizimi i një gjendjeje të caktuar mendore, mund t’i transmetohet një personi tjetër, duke i ndryshuar në këtë mënyrë polaritetin në atë klasë gjendjesh mendore.

Nëpërmjet këtij parimi përftohen edhe rezultatet e “trajtimeve të shumta mendore”. Si shembull mund të marrim dikë që ndihet i trishtuar, melankolik dhe i mbushur me frikë. Një shkencëtar i mendjes, e ngre mendjen e tij në nivelin e dëshiruar të lëkundjeve përmes vullnetit të tij të ushtruar, duke arritur kështu polarizimin vetjak të dëshiruar, e më pas riprodhon një gjendje të ngjashme mendore te personi tjetër përmes induksionit.

Rezultati është rritja e lëkundjeve te personi tjetër dhe polarizimi i këtij të fundit drejt skajit Pozitiv të shkallës e jo atij Negativ, duke shndërruar Frikën në Kurajë dhe emocionet e tjera negative në gjendje mendore pozitive. Një hulumtim i shkurtër do t’ju tregojë se këto ndryshime mendore kryhen pothuajse pa përjashtim përmes Polarizimit dhe se dallimi midis tyre qëndron në gradë e jo në lloj.

Njohuria mbi ekzistencën e këtij Parimi të madh Hermetik, do t’i mundësojë nxënësit të kuptojë më mirë si gjendjet mendore vetjake, ashtu edhe ato të të tjerëve. Ai do të vërejë se të gjitha këto gjendje janë çështje gradësh, e kështu do të fitojë aftësinë rrisë apo të ulë lëkundjet sipas dëshirës, të këmbejë polet e tij mendore, duke u bërë në këtë mënyrë Padron i gjendjeve të tij mendore në vend që të jetë shërbëtor apo skllav i tyre.

Nëpërmjet njohurisë së tij ai do të jetë i aftë të ndihmojë të tjerët me zgjuarsi, e të ndryshojë polaritetin e tyre përmes metodave të përshtatshme kur kjo është e dëshirueshme. Ne i këshillojmë të gjithë nxënësit të njihen nga afër me Parimin e Polaritetit, pasi të kuptuarit në mënyrë të drejtë i këtij të fundit, do t’i ndihmojë të hedhin dritë mbi shumë çështje të koklavitura.

Përktheu: Adrian Kosturi
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi