EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shkakësia

Shko poshtë

Shkakësia Empty Shkakësia

Mesazh  Jon 26.08.12 23:48

SHKAKËSIA

“Çdo Shkak ka Pasojën e tij; çdo Pasojë ka Shkakun e saj; gjithçka ndodh në përputhje me Ligjin; Rastësi nuk është veçse emri që i japim një Ligjësie të panjohur; ekzistojnë shumë rrafshe shkakësie, por asgjë nuk i shpëton Ligjit.” – Kybalioni

Parimi i Gjashtë Hermetik, Parimi i Shkakut dhe Pasojës, trupëzon vërtetësinë që pohon se Ligji është i kudondodhur në Univers dhe se asgjë nuk ndodh Rastësisht; Rastësi është thjeshtë një fjalë që dëshmon se shkaku ekziston, por mbetet i panjohur apo i paperceptueshëm. Kjo dukuri është e vazhdueshme, pa ndërprerje apo përjashtime.

Parimi i Shkakut dhe Pasojës qëndron në themel të mendimit shkencor bashkëkohor dhe të lashtë, e është shpallur prej Mësuesve Hermetikë që në ditët e hershme. Megjithëse që prej asokohe kanë lindur debate të shumta mes shkollave të ndryshme të mendimit, këto diskutime kanë qenë të përqendruara mbi detajet e mënyrës së veprimit të Parimit, ose akoma më shpesh, mbi kuptimin e disa fjalëve të caktuara. Parimi i Shkakut dhe Pasojës është pranuar si i drejtë praktikisht nga të gjithë mendimtarët e botës të denjë për këtë emër. Të mendosh ndryshe, do të thotë ta heqësh dukurinë e universit nga kontrolli i Ligjit dhe Rregullsisë, e ta dorëzosh në kontrollin e diçkaje imagjinare të cilën njerëzit e kanë quajtur “Rastësi”.

Një shqyrtim i shpejtë do t’i tregonte gjithkujt se në realitet Rastësia e pastër nuk ekziston. Fjalori Webster e përkufizon fjalën “Rastësi” si vijon: “Një faktor i supozuar apo mënyrë veprimtarie që nuk i bindet një force, rregullsie apo qëllimi; veprimtaria a aktiviteti i këtij faktori; pasoja e supozuar e këtij faktori; ndodhi rastësore, shans, diçka e rastit etj.” Por një shqyrtim i shkurtër do t’ju tregonte se nuk mund të ekzistojë një faktor si “Rastësia”, në kuptimin e diçkaje që qëndron jashtë Ligjësisë apo jashtë Shkakut e Pasojës. Si mund të ekzistojë diçka që vepron në dukuritë e universit e pavarur nga ligjet, rregullsia dhe vazhdimësia e këtij të fundit?

Kjo diçka do të ishte krejtësisht e pavarur nga prirja drejt rregullsisë që ka universi, e si pasojë do të qëndronte me lart se vetë universi. Ne nuk mund të konceptojmë asgjë jashtë GJITHËSISË dhe kjo sepse GJITHËSIA është LIGJ në vetvete. Nuk ka hapësirë në univers për diçka të pavarur nga Ligji. Vetë ekzistenca e një Diçkaje të tillë do të shfuqizonte gjithë Ligjet e Natyrës e do ta fundoste universin në një rrëmujë kaotike e në çrregullim.

Një studim i kujdesshëm do të tregonte se ajo çka ne quajmë “Rastësi” nuk është gjë tjetër veçse një shprehje që lidhet me mosnjohjen e shkaqeve, shkaqe të cilat ne nuk mund t’i perceptojmë e rrjedhimisht nuk mund t’i kuptojmë. Fjala Rastësi vjen nga fjala “rast”, dhe nënkupton një ndodhi rastësore, të ngjashme me hedhjen e zareve të lojës, rënia e të cilëve thjesht “ndodh” rastësisht dhe nuk ka lidhje me ndonjë shkak. Ky është kuptimi në të cilin përdoret përgjithësisht kjo fjalë.

Por nëse kjo çështje hetohet nga afër, vihet re se nuk ka absolutisht asgjë rastësore në rënien e zareve. Sa herë që një zar hidhet e shfaq një numër të caktuar, ai i bindet një ligji që është po aq i pagabueshëm sa edhe ligji që rregullon rrotullimin e planetëve rreth diellit. Pas rënies së caktuar të zareve, qëndrojnë shkaqe ose vargje shkaqesh që shkojnë përtej aftësisë gjurmuese të mendjes sonë. Pozicioni fillestar i zareve, energjia e gjeneruar nga muskujt gjatë hedhjes, gjendja e tavolinës etj., janë të gjitha shkaqe me pasojë të dukshme. Përtej këtyre shkaqeve të dukshme ekzistojnë vargje shkaqesh paraprirës të padukshme dhe të gjitha këto, kanë ndikimin e tyre mbi numrin që bie faqelart pasi është hedhur zari.

Nëse një zar hidhet shumë herë radhazi, do të vihet re se numrat që dalin priren të jenë të barabartë, pra numri një priret të shfaqet po aq herë sa numri dy e kështu me radhë. Nëse hidhni përpjetë një monedhë, do të bjerë në tokë “kokë” ose “pilë”, por nëse e hidhni shumë herë radhazi numri i kokave dhe pileve pothuajse do të barazohet.

Këtu hyn në fuqi ligji i mesatares. Por si ligji i mesatares ashtu edhe një hedhje e vetme, i nënshtrohen Ligjit të Shkakut e Pasojës, e nëse ne do të ishim të aftë të ekzaminonim shkaqet pararendëse do të mund të shihnim qartësisht se do të ishte e pamundur për zarin të binte ndryshe nga sa ra, në të njëjtat rrethana e në të njëjtën kohë. Shkaqet e njëjta sjellin pasoja të njëjta. Ekziston gjithmonë një “shkak” dhe një “sepse” për çdo ngjarje. Asgjë nuk “ndodh” thjeshtë pa një arsye apo pa një varg të tërë arsyesh.

Shpesh në mendjet e atyre që shqyrtojnë këtë Parim shfaqet njëfarë pështjellimi që rrjedh nga fakti se ata janë të paaftë të shpjegojnë se si diçka mund të krijojë diçka tjetër, apo të jetë “krijuesja” e gjësë së dytë. Faktikisht asnjë “gjë” nuk mund të “krijojë” një “gjë” tjetër. Shkaku e Pasoja ka të bëjë drejtpërdrejtë me “ngjarjet”. “Ngjarje” quhet “ajo çka vjen, pason apo ndodh si rezultat apo pasojë e një ngjarjeje paraprirës”. Një ngjarje nuk “krijon” ngjarje të tjera, por përbën një hallkë pararendëse në vargun e madh të ngjarjeve që burojnë nga energjia krijuese e GJITHËSISË.

Ekziston një vazhdimësi midis të gjitha ngjarjeve paraprirës, aktuale dhe pasuese. Ekziston një lidhje midis çdo gjëje që ka kaluar dhe gjithçkaje që do të pasojë. Një gur shkëputet nga faqja e malit dhe rrëzohet mbi çatinë e një shtëpize poshtë në luginë. Në pamje të parë kjo pasojë duket e rastësishme, por nëse e shqyrtojmë çështjen, pas saj do të gjejmë një mori shkaqesh.

Fillimisht ishte shiu ai që zbuti tokën që mbante gurin, çka bëri që ky i fundit të binte; kësaj i paraprin ndikimi i diellit dhe i shirave të mëparshme etj., të cilat gradualisht copëtuan e shkëputën gurin nga shkëmbi; këtyre i paraprijnë shkaqet të cilat çuan në krijimin e malit, lartësimin e tij nga konvulsionet natyrore e kështu me radhë në pafundësi. Mund të gjurmonim shkaqet që qëndrojnë pas shiut etj. Më pas mund të trajtonim ekzistencën e çatisë. Shkurtimisht, do të ngatërroheshim keq në një lëmsh shkaqesh e pasojash prej të cilit do të përpiqeshim më kot të shpëtonim.

Ashtu siç ndodh me njeriun i cili ka dy prindër, katër gjyshër, tetë stërgjyshër, gjashtëmbëdhjetë katragjyshër e kështu me radhë derisa pas 40 brezash numri i paraardhësve të tij do të jetë disa milionë, ashtu ndodh edhe me numrin e shkaqeve që qëndrojnë pas një ngjarjeje apo dukurie, qoftë kjo po aq e papërfillshme sa edhe kalimi i një grimce bloze përpara syve tuaj.

Nuk është aspak e thjeshtë të gjurmohet ajo grimcë bloze deri në periudhat e hershme të historisë së botës, kur ajo ishte pjese e trungut masiv të një druri, i cili më pas u shndërrua në qymyr, e kështu me radhë, derisa në formën e grimcës së blozës kalon përmes fushëpamjes suaj, në rrugëtimin drejt aventurash të reja. Një varg i stërmadh ngjarjesh, shkaqesh e pasojash e transformuan grimcën në gjendjen në të cilën ndodhet, e kjo grimcë në vetvete nuk është gjë tjetër veçse një nga vargjet e ngjarjeve që do të prodhojnë ngjarje të tjera edhe qindra vjet më pas.

Diçka nga seria e ngjarjeve që lindin prej grimcës së vogël të blozës, ishte edhe shkrimi i këtyre rreshtave, çka bëri që radhitësi në shtypshkronjë të kryente një punë të caktuar në lidhje këtë, e po kështu edhe korrektori i bocave; grimca e blozës do të ndikojë në formimin e disa e ideve të caktuara në mendjen tuaj dhe të të tjerëve, të cilat më pas do të ndikojnë të tjera mendje e kështu me radhë pafund, përtej aftësisë së njeriut për të menduar më tutje, dhe e gjitha kjo nga kalimi i një grimce të vogël bloze, që dëshmon për relativitetin e gjërave dhe lidhjen e ngushtë që ekziston mes tyre, si edhe thekson faktin se “nuk ka të madh apo të vogël brenda mendjes, që është shkaku i gjithçkaje”.

Ndaluni e mendoni për një çast! Nëse në periudhën e vagullt të Epokës së Gurit, një djalë i caktuar nuk do të kishte takuar një vajzë të caktuar, ju që po lexoni sot këto rreshta nuk do të ishit këtu. Ndoshta edhe ne që po shkruajmë këto rreshta nuk do të ishim këtu nëse i njëjti çift nuk do të takohej. Vetë akti i të shkruarit nga ana jonë dhe i të lexuarit nga juaj, do të ndikojë jo vetëm jetët tona përkatëse, por në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, do të ndikojë edhe jetët e shumë njerëzve që jetojnë apo që do të jetojnë në shekujt që do të vijnë. Çdo mendim që na kalon nëpër mendje e çdo veprim që kryejmë, ka përfundime të drejtpërdrejta apo të tërthorta në vargun e madh te Shkakut dhe Pasojës.

Për arsye të shumta, nuk dëshirojmë të hyjmë në trajtimin e Vullnetit të Lirë apo Determinizmit në këtë libër. Midis shumë arsyeve qëndron edhe kryesorja, sipas së cilës asnjëra nga palët që polemizojnë nuk ka plotësisht të drejtë. Nga ana tjetër, në përputhje me Mësimet Hermetike, secila palë është pjesërisht e saktë në atë që thotë.

Parimi i Polaritetit tregon se të dyja janë Gjysmë të Vërteta; pole të kundërta të të Vërtetës. Doktrina sqaron se një njeri mund të jetë njëkohësisht edhe i Lirë, edhe i robëruar nga Nevoja, kjo në varësi të kuptimit që u jepet këtyre fjalëve dhe të lartësisë së së Vërtetës prej nga shqyrtohet çështja. Shkruesit e lashtë shprehen mbi këtë çështje si më poshtë: “Sa më larg të ndodhet krijimi nga Qendra, aq më i robëruar është; sa më shumë i afrohet Qendrës, aq më pranë Lirisë ndodhet”.

Shumica e njerëzve, disa më pak e disa më shumë, janë skllevër të trashëgimisë dhe ambientit rrethues, duke gëzuar kështu fare pak Liri. Ata janë të ndikuar nga opinionet, zakonet dhe mendimet e botës së jashtme, si edhe nga emocionet, ndjenjat dhe humori i tyre vetjak.

Ata nuk shfaqin Vetëkontroll të denjë për këtë emër. Madje edhe këtë pohim të mësipërm do ta hidhnin poshtë me zemëratë duke thënë: “Sigurisht që jam i lirë të sillem e të veproj siç më pëlqen mua; unë bëj atë çka dua të bëj”, megjithëse nga ana tjetër nuk janë të aftë të shpjegojnë ku e kanë origjinën fjalët e tyre “dua të” dhe “siç më pëlqen”. Çfarë i shtyn ata që të “duan të” bëjnë njërën gjë në vend të një tjetre; çfarë i bën ata t’u “pëlqejë” njëri veprim e jo një tjetër? A ka vallë një “sepse” për “pëlqimet” dhe “dëshirat” e tyre? Mjeshtri mund t’i shndërrojë këto “pëlqime” dhe “dëshira” në të tjera, të cilat gjenden në skajin e kundërt të polit mendor. Ai është i aftë të “dëshirojë sepse do”, e jo të dëshirojë për shkak se një ndjenje, gjendjeje shpirtërore, emocion apo ndikim i atmosferës rrethuese, i ndez në vetvete dëshirën për të vepruar në mënyrë të tillë.

Pjesa dërrmuese e njerëzve shkojnë kuturu si një gur që rrokulliset, duke iu bindur ambientit rrethues, ndikimeve të jashtme e gjendjeve të brendshme shpirtërore, dëshirave etj., pa përmendur këtu dëshirat dhe vullnetet e atyre më të fortë se ta, trashëgimitë dhe sugjestionimin, gjëra këto të cilat i përfshijnë e marrin përpara pa bërë rezistencë apo pa ushtruar Vullnetin e tyre. Njësoj si ushtarët e drunjtë në fushën e shahut të jetës, ata luajnë pjesën e tyre, e më pas lihen mënjanë kur loja ka përfunduar.

Ndërkohë Mjeshtrit që i njohin rregullat e lojës, ngrihen mbi rrafshin e jetës materiale dhe e vendosin veten në kontakt me forcat më të larta të natyrës së tyre, duke dominuar humorin, karakterin, cilësitë dhe polaritetin e tyre, si edhe ambientin që i rrethon, duke u bërë kështu Lojtarë të lojës në vend të jenë Ushtarë, Shkaqe në vend që të jenë Pasoja. Mjeshtrit nuk i largohen Shkakësisë së rrafsheve më të larta por u binden ligjeve të tyre, duke sunduar në këtë mënyrë mbi rrethanat e rrafshit më të ulët. Në këtë mënyrë, ata bëhen një pjesë e ndërgjegjshme e Ligjit, në vend që të jenë thjeshtë instrumente të verbra. Ndërkohë që janë Shërbëtorë të Rrafsheve të Larta, ata mbeten Sundimtarë të Rrafshit Material.

Si në rrafshet e larta ashtu edhe në ato të ulëta, Ligji mbetet kurdoherë në fuqi. Diçka si Rastësia nuk ekziston. Perëndeshën e verbër e shfuqizon Arsyeja. Tashmë, me sytë e kthjelluar nga dituria, jemi të aftë të shohim se gjithçka qeveriset nga Ligji Universal, se numri i pafund i ligjeve nuk është veçse manifestim i Ligjit të Vetëm të Madh, LIGJIT që quhet TERESI. Është pa dyshim e vërtetë që as edhe një trumcak nuk shpëton pa u vënë re nga Mendja e GJITHËSISË; është e vërtetë se edhe fijet e flokëve në kokën tonë janë të numëruara, siç shprehen edhe shkrimet e shenjta.

Nuk ekziston asgjë jashtë Ligjit e asgjë nuk ndodh në kundërshti me të. Gjithsesi, mos bëni gabimin të mendoni që njeriu është thjesht një automat, përkundrazi! Doktrina Hermetike pohon se Njeriu mund të përdorë Ligjin për të mposhtur ligjet, dhe se ligji i lartë do të mbizotërojë mbi më të ulëtin, derisa më në fund të ketë mbërritur në fazën në të cilën kërkon strehim te vetë LIGJI, ku qesh deri në përbuzje me ligjet që rregullojnë dukuritë. A jeni vallë të aftë të rrokni kuptimin e brendshëm të gjithë kësaj?

Përktheu: Adrian Kosturi
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi