EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Arjanët

Shko poshtë

Arjanët Empty Arjanët

Mesazh  Luli 20.08.12 10:36

Arjanët, erdhën nga stepat dhe “pushtuan” botën

Arjanët Shiva1-226x300

Ishin të gjatë, bjondë, me sy bojëqiell. Kishin nofull të fortë, ballë të lartë dhe shpatulla të gjera. Me një fjalë, njerëz të pashëm me tipare tipike nordike. Dy studiues gjermanë të fundit të tetëqindës e përshkruanin në këtë mënyrë aspektin fizik të indoevropianëve, alias Arianëve, popull primitiv gjaku i të cilit rrjedh në venat e pothuajse të gjithë evropianëve, dhe jo vetëm.

Dy studiuesit quheshin Theodor Poesche dhe Karl Penka. Pas tyre, nazizmi stiloi një klasifikim: neo-arianët e racës së pastër ishin gjermanë (përjashtuar hebrenjtë), ata një kategori më poshtë ishin rusë. Se sa shumë pasoja të tmerrshme erdhën prej kësaj, kjo dihet tashmë.

Të panjohur

E megjithatë, teoria Poesche-Penka bazohej në një hiç: indoevropianët nuk kanë lënë asnjë përshkrim të vetvetes. “Duket se nuk ekziston asnjë tipar fizik që mund të konsiderohet specifik i këtij populli që nga lashtësia, përveç faktit që ishin racë e bardhë”, e pret shkurt spanjolli Francisco Vilar, një prej indoeuropeistëve më të mëdhenj ende gjallë, docent në Universitetin e Salamancas.

Në lidhje me aspektin fizik të atyre paraardhësve tanë të largët, në fakt mund të thuhet edhe diçka tjetër, të paktën për gjatësinë. Harrojini “gjigandët” e Poesche dhe Penka: një skelet i një mashkulli, i gjetur disa dhjetëra vite më parë dhe që i është atribuar një kreu arian i vitit 2500 para Krishtit është i gjatë vetëm 152 centimetra, pak më shumë se një xhuxh. Nëse Hitleri do ta merrte vesh, do të rrotullohej në varr, edhe sepse skeleti u gjet në Kutuluk, një rajon në Povolzhye. Domethënë në fushën e Vollgës në veri të ish-Stalingradit, qytet simbol ku rusët poshtëruan Vermahtin.

Jashtë legjendës


Vetëm në dekadat e fundit indoevropianët kanë dalë nga legjenda dhe nga fantazitë raciste për të marrë një kornizë konkrete. E megjithatë, interesi kundrejt tyre nuk është i kohëve të fundit: studiuesi i parë që u mor me këtë temë quhej Andreas Jager, ishte suedez dhe jetoi mes 1660 dhe 1730. Nuk bëhej fjalë për një historian dhe as për një arkeolog, por për një filolog, i cili në vitin 1686 botoi një traktat në të cilin pohonte ekzistencën e gjyshërve të përbashkët mes shumë popujve europianë dhe një pjese të mirë të atyre aziatikë.

Teoria e Jager bazohej në një të dhënë leksikore: disa fjalë të gjuhëve të lashta të kontinentit tonë (greqisht, latinisht, kelte, gotike dhe të tjera) kishin rrënjë të ngjashme me ato gjuhë gjeografikisht të largëta, si persishtja, gjuha kurde, sanskrinishtja dhe tocaria, një gjuhë që flitet edhe sot në Kinë. Rastësi? E pamundur. Më e arsyeshme të mendosh për një origjinë të përbashkët të këtyre gjuhëve. Prej këtu hipoteza që në albumin familjar të gjermanëve, grekëve dhe indianëve janë të njëjtët gjyshër. Që Jager i quajti Sitokeltë.

Në fillim, askush nuk e mori seriozisht atë “suedez të marrë” që gjeti strehë tek feja dhe u shndërrua në pastor protestant. Më pas postulati i Jager gjeti prozelitë, që duke krahasuar fjalë të gjuhëve të njohura rindërtuan shumë fjalë të nëj gjuhe primitive, e quajtur protoindoevropiane. Një shembull: “baba”, në latinisht thuhet “pater”, në sanskrinisht “pita”, në gjuhën gote “fadar” dhe në anglisht “father”; linguistët deduktojnë prej kësaj ekzistencën e një rrënje indoeuropiane p-t (apo f-t) dhe një fjale primitive që ndoshta tingëllonte “peter”.

Me këtë operacion arkeologjie linguistike janë rindërtuar në mënyrë bindëse të paktën njëqind fjalë protoindoeuropiane, duke përfshirë edhe emrin me të cilin gjyshërit tanë ndoshta quanin vetveten: Aryos (Arianë).

Të zhvilluar

Pikërisht duke nisur nga ky minifjalor, tregues pas treguesi si në një libër misteri, u mbërrit tek Pavel Kuznetsov, studiuesi i institutit të arkeologjisë së Povolzhye, i cili gjeti edhe skeletin e famshëm të Kutuluk. Dhe para tij, tek Marija Gimbutas (1921-1994), arkeologe lituaneze që konsiderohet nëna e indoeuropeistikës moderne.

Falë “detektivëve” si dyshja Kuznetsov-Gimbutas, sot për jetën e Aryos dihen shumë gjëra. Dihet për shembull që ata njihnin metalet (bakrin, e më pas bronzin dhe floririn); që kishin një shoqëri të ndarë në tre klasa (priftërinj, luftëtarë, barinj); që zhvendoseshin me karroca dhe kuaj; që jetonin vetëm me mbarështim, por edhe një embrion të bujqësisë; që kishin një fe politeiste; që i nderonin të vdekurit me varre të papërpunuar por të mëdhenj; që nuk njihnin shkrimin, por njihnin poezinë.

Sot dimë edhe se kush ka qenë ndoshta “toka e parë ariane”, që për dy shekuj studiuesit e kanë quajtur në mënyrë gjenerike Urheimat (“atdheu fillestar”, në gjermanisht) sepse nuk dinin ku ta vendosnin. Tashmë, pothuajse askush nuk ka më dyshime që Urheimat (apo të paktën një prej Urheimatëve) ka qenë jugu i Rusisë, mes Vollgës dhe Kaukazit, mes Kaspikut dhe Detit të Zi. Prej aty, në tre faza mes epokës së bakrit dhe asaj të bronzit (dmth mes 4500 dhe 2500 para Krishtit) arianët u shtrinë në dy drejtime: në perëndim të Evropës, dhe në juglindje të Indisë.

Alternativa

Megjithatë, duhet vënë një kusht për të gjithë këtë pasi jo të gjithë studiuesit bien dakord. Këtë rindërtim e konteston mbi të gjitha një arkeolog britanik, Andreu Collin Renfreu, i bindur që djepi i indoevropianëve është jugu i Anadollit, që ekspansioni i tyre ka ndodhur që në Neolit (ndoshta 7000 para Krishtit) dhe që ekspansioni i arianëve në dëm të popujve që kishin ekzistuar më parë është i lidhur me përhapjen e bujqësisë.

Por dy tezat janë vërtetë alternative? Ndoshta jo, siç do ta shohim më poshtë. Për momentin mjafton të thuhet se deri jo shumë kohë më parë hipotezat në diskutim ishin më shumë dhe fantazia kish nisur galopin: disa e vendosnin Urheimatin në Lituani, të tjerë në Gjermani, në Lindjen e Mesme apo madje edhe në Kashmirin e largët. Po si u arrit në fund që të përzgjidhej Rusia? Edhe një herë, pista ka qenë mbi të gjitha gjuhësore. Dhe për t’u habitur që rrugën e duhur e kanë gjetur pikërisht përmes bimëve dhe kafshëve.

Marrim për shembull dy pemë karakteristike të klimave shumë të ndryshme: ahu dhe palma. Nëse në shumë gjuhë indoevropiane i pari ka emra të ngjashëm dhe e dyta jo, do të ishte logjike të mendoje që gjyshërit tanë, kur nuk ishin të ndarë në një mijë popuj të ndryshëm, jetonin në një rajon ku ka patur ahe dhe jo palma. Kështu, nëse për hipotezë do të mund të rindërtonim një fjalë indoevropiane për ariun, ujkun dhe drerin, por jo për luanin, atëherë do të deduktohej që Urheimat duhej të kish qenë në një zonë të pajtueshme me faunën nordike.

Speciet e përmendura më sipër nuk janë zgjedhur rastësisht. Në fakt për disa gjenden vërtetë emra me rrënjë të ngjashme të përhapura në një zonë të gjerë, nga Britania e Madhe në Indi.

Ujku, për shembull, në anglisht dhe gjermanisht quhet “ëolf”, në gjuhën ceke vlk, në shqip ujk, në norvegjisht ulv, në lituanisht vilkas, ndërsa në gjuhën paleosllave quhej vliku, në sanskrinisht vrkas dhe në gjuhën perse verkana. Në latinisht, predatori i pyjeve kishte një emër të ndryshëm, por rrënja e ëolf gjermanik përdorej për një specie të përafërt: vulpes, italisht volpe, pra dhelpra.

Deduksioni i linguistëve: në krye të këtyre emrave me “v” dhe “l” ka një fjalë indoeuropiane: ëlkëos. Në mënyrë të ngjashme është mundur t’i jepet një emër arian edhe ariut (rkthos), drerit (kereëos) dhe ahut (bhagos), por jo palmës, luanit dhe tigrit. Pra, Urheimat nuk mund të ekzistonte në Indi apo në Lindjen e Mesme, toka me mace, me shumë pak drerë dhe pa ahe. Thënë kjo, megjithatë, jemi në fushën e shtatë poleve: zona me ahe, ujq, arinj dhe drerë ka shumë, nga Spanja në Kaspik.

Në këtë pikë, në ndihmë të arkeologjisë gjuhësore vjen arkeologjia e vërtetë, me tre personazhe me origjinë të ndryshme (australiani Vere Gordon Childe, Gimbutas që u përmend më sipër dhe irlandezi James Patrick Mallory) që në kohë të njëpasnjëshme gjatë 90 viteve të fundit kanë propozuar, ndonëse me tone jo gjithnjë homogjenë, një fjalë magjike: kurgan.

Këtë herë nuk bëhet fjalë për një fjalë indoeuropiane, por një emër me origjinë turko-tartare, që tregon disa varre misteriozë prehistorikë, të shpërndarë mes Ukrainës, Rusisë dhe Kazakistanit. Ndonëse hapësira është kaq e gjerë, struktura e kurganëve është kudo e njëjtë: “piramidat e stepave” të ngritura me pirgje dheu dhe gurësh që formojnë kodërza me diametër deri në 200 metra.

Në brendësi, përveç eshtrave të të vdekurit, një kurgan përmban armë dhe sende të dobishëm, prej ahu dhe materiale të ndryshëm sipas epokës përkatëse. Duhet saktësuar se “piramidat” nuk janë të gjitha të së njëjtës epokë: variojnë nga 4500 në 1200 para Krishtit. Mes kurganëve të studiuar tashmë, më antikët janë në jug të Rusisë. Më i rëndësishmi është Majkop, në Adighezi, një republikë shumë pyjore autonome e Federatës ruse, në verilindje të Detit të Zi: brenda kishte objekte floriri dhe argjendi.

Po përse i kemi quajtur misteriozë këta maksipirgje? E thjeshtë: sepse ai që i ngriti nuk la asgjë të shkruar. Mbeten anonimë si arkitektët që i projektuan, ashtu edhe të vdekurit për të cilët u ngritën. Po kaq anonim është qytetërimi që i përdorte, që për konvencion është quajtur nga arkeologët “kultura Kurgan”. Një qytetërim i fuqishëm, por ende analfabet.

Dhe ja teza që do ta quajmë teorema Gimbutas, për arsye se studiuesja lituaneze ka qenë mbështetësja më bindëse, ndonëse jo e para: indoeuropianët, të hamendësuar në tavolinë pa gjetje arkeologjike dhe Kurganët, të pasur me arkeologji, por pa një histori të shkruar, mendohet të jenë i njëjti popull. “Një popull gjysmë nomad”, saktëson profesor Villar “që zakonisht jetonte në shtëpi gjysmë të nëndheshme, me strukturë dhe konstruksion shumë të thjeshtë, që braktiseshin për t’u ndërtuar më pas gjetkë”.

Pikërisht lehtësia e lëvizjes ka qenë në themel të kolonizimit të territoreve të mëdhenj si ata ku fliten gjuhë indoevropiane. Ishin toka të banuara tashmë nga të tjerë (për shembull në Spanjë vaskonët, paraardhësit e baskëve të sotëm; në Itali ndoshta ligurët), ushtarakisht më të dobët ndonëse ndonjëherë më të zhvilluar. Por nuk është aspak e thënë që kanë qenë pushtime të armatosur: “Ishte një proces që zgjati disa mijëvjecarë dhe përbëhej na një lëmsh i pazgjidhshëm zhvendosjesh të popujve”, këmbëngul Villar.

Duke reduktuar deri në kockë këtë lëmsh, mund të themi që ekspansioni indoevropian pati fillimisht si objekt pjesën e poshtme të Danubit dhe Ballkanin; më pas Evropën Qendrore dhe një pjesë të mirë të Azisë, nga Irani në Indi; në fund, Italinë, Spanjën dhe Egjeun. Morali: kur bota doli nga prehistoria, në Perëndim gjuha e origjinës ishte fragmentuar tashmë në të paktën nëntë “dialekte”: kelt, balltik, gjermanik, italik, grek, sllav, shqiptar, ilirik dhe itit.

Gjenet

Në trashëgiminë gjenetike të njeriut ka një kromozom (Y) që transmetohet nga babai tek fëmija mashkull. Duke studiuar kromozomet dhe variantet e tyre mund të zbulohen afërsi mes gjeneve të largët.

Një operacion i ngjashëm mund të bëhet me ADN mitokondriale, që transmetohet përmes linjës femërore. “Kërkimet mbi kromozomin Y tregojnë që në ADN e evropianëve ka pesë komponentë kryesorë, me origjinë nga valë të lashta migrimi të dallueshme qartë. I pari zë 28%, i dyti 22%, i treti pak më shumë se 20% e kështu me radhë në zbritje.

Gjenet e afërsisë nuk janë shpërndarë në mënyrë uniforme: ai i komponentit të parë ka frekuencë më të madhe në Lindjen e Mesme, në Anadoll e në juglindje të Evropës, ndërsa ai i tretë rritet drejt perëndimit, për t’u zhdukur në vendet baskë. “Kuadri që deduktojmë është që Evropa ishte e para e prekur nga një imigrim në epokën e neolitit me prejardhje nga Lindja e Mesme, që ndoshta lidhej me përhapjen e bujqësisë. Dhe që më pas pati një tjetër valë nga stepat ruse drejt perëndimit.

Teoria e Kurgan dhe ajo e Colin Renfreë janë të dyja të vërteta: indoevropianët u nisën nga Rusia, por paraardhësit e tyre direktë vinin nga Anadolli”.

Sigurisht, në fillimin e kohëve askush nuk e mendonte që ata bari dhish primitivë do të pushtonin botën. E megjithatë, pasardhësit e trye të largët janë shpërndarë kudo dhe sot përbëjnë gjysmën e popullsisë botërore.

Luli
Luli

"Duhet bredhur shumë në errësirë derisa të preket drita"

861


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi