EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

UFO në Dragash

Shko poshtë

UFO në Dragash Empty UFO në Dragash

Mesazh  Jon 06.05.10 9:26

UFO në Dragash

UFO në Dragash Ufo_e_10

UFO-t kanë vizituar Kosovën. Kështu beson Berat Ymeri nga Prishtina. Ai ka dërguar edhe një fotografi të bërë në vitin 2007. Por fotografë me përvojë besojnë se në vend të UFO-s, në fotografi është një shpend, flutur apo pikë balte.

Vizitorët mistikë që vijnë diku nga hapësira, nuk janë vetëm pjellë e imagjinatës së regjisorëve të filmave fantastikë. Disqet fluturuese të njohura si UFO, ka mundësi të na kenë vizituar edhe në Kosovë. Kjo mund të ketë ndodhur tri vjet më parë.

Që UFO-t kanë lëshuar një shikim mbi ne, këtë e pretendon i riu nga Prishtina, Berat Ymeri.

Për të vërtetuar këtë, ai ka dërguar në redaksinë e Expressit një fotografi, të cilën e ka bërë me telefon në tetor të vitit 2007, derisa udhëtonte me veturë në rrugën Prizren-Dragash. Dëshmitar i këtij momenti ishte edhe Gazmend Ademi.

Ymeri tregon se objektin e çuditshëm nuk e ka parë me sy të lirë, por e ka vërejtur pas bërjes së fotografisë. Ai thotë se arsyeja që kishte shkrepur këtë fotografi, nuk kishte për qëllim ta gjejë UFO-n. Foton e kishte bërë për të pasur drunjtë si kujtim.

“Unë e kam pasion fotografinë dhe më bëri përshtypje peizazhi i bukur në rrugën Dragash-Prizren”, thotë Berati për Express.

“Kam dashtë me zanë një pjesë të lisave që e mbyllin rrugën, por pasi që e kam pa fotografinë, jam çuditë shumë. Më duket si diçka jashtëtokësore, pasi që fluturon pjerrët dhe nëse rritet fotografia, shihen edhe objekte të tjera të vogla rreth saj. Ma merr mendja që ka diçka në të”, shton i bindur Berati.

Ai tregon se fotografinë e dërguar medieve, e ka bërë pas insistimit të shokëve të tij, sepse më herët nuk kishte dashur ta publikojë atë.

“Fillimisht kam menduar që është diçka personale e imja, mirëpo tani pasi që e publikova, kam ndërmend që këtë fotografi ta dërgoj edhe te dikush që mund të jetë ekspert në këtë drejtim”, thotë ai.

Por sipas vlerësimit të redaktorit të fotografisë në Express, Visar Kryeziu, kualitetit i rezolucionit të fotografisë është shumë i dobët për të identifikuar saktësisht se për çka bëhet fjalë.

“Sipas analizës së parë dhe kualitetit që na kanë dërguar, ne vlerësojmë se fotografia nuk është e manipuluar për shkak se dendësia e pikave në fotografi përshtatet me dendësinë e pikave (pixels) brenda objektit që pretendohet të jetë pjatë fluturuese”, thotë Kryeziu.

Megjithëkëtë, ai nuk mendon se ajo pikë, është UFO.

Sipas vlerësimit të tij, në këtë fotografi bëhet fjalë për një shpend në lëvizje, ku edhe shihet prania e disa shpendëve të tjerë në afërsi në pemën e parë në të majtë të fotografisë, ose bëhet fjalë për ndonjë njollë, flutur apo copë e dheut në xhamin e përparmë të veturës.

Kryeziu thotë se koha e ekspozicionit të fotografisë së telefonit është shumë e ulët për që të mund të fotografohet edhe në ambientet me dritë të ulët ose të zbehtë.

“Ajo e shkakton efektin e lëvizjes së objekteve në rast se dridhet dora e fotografit ose objekti është në lëvizje”, shton Kryeziu.

Kjo nuk është hera e parë që kosovarët pretendojnë se kanë parë objekte jashtëtokësore. Madje në vitin 2008, opinioni kosovar ishte çuditur kur në Radio Televizionin e Kosovës ishte transmetuar një video, ku pretendohej se shihej një objekt i çuditshëm fluturues, që kishte rënë në fshatin Babush të Lipjanit.

Dëshmitarët e rastit e kishin përshkruar atë si kalë vezullues e pa krahë, e herë si qengj me qafë të trashë. Por në fund ishte kuptuar se bëhej fjalë thjesht për një balon fëmijësh të fryrë me helium.

Fakte


Shumë fotografi ose vëzhgime, të cilësuara si UFO, janë marrë nga njerëz të ndryshëm, por edhe nga satelitët ushtarakë. Materialet janë video, fotografi, por edhe dëshmi mbi rrëmbime të mundshme.

Për shume njerëz këto filmime ishin prova të pamohueshme të ekzistencës së UFO-ve. Për shumë skeptikë, UFO-t nuk ekzistojnë dhe çdo dukuri e mbiquajtur e jashtëzakonshme nuk është gjë tjetër vetëm eksperimenti i radhës i shërbimeve ushtarake amerikane, si për shembull avionët Stealth, të cilët karakterizohen nga forma të pazakonta.

Nga Dafina Myrtaj - Gazeta Express
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi