EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Pirro i Epirit

Shko poshtë

Pirro i Epirit Empty Pirro i Epirit

Mesazh  Nikolaos 09.11.11 16:30

Pirro i veshur si perendia Mars
Pirro i Epirit Pirromarte
Pirro i Epirit (318-272 p.e.s.) ishte ndoshta sundimtari më i shquar i Epirit. Ishte biri i Akidit dhe kushëriri i Aleksandrit të Molosisë, që sundoi Molosët e Janinës. Fatkeqësisht Akidi u ngatërrua në grindje politike familjare e krahinore dhe, si rrjedhojë, në fillim humbi mbretërinë e pastaj edhe jetën në vitin 313 para Kr. I biri tij, Pirroja në atë kohë vetëm 6 vjeç, u shpëtua nga Glauku, Princi i fisit Ilir të Taulantëve. Në moshë të re ai hipi në fron për një kohë të shkurtër, por u rrëzua prej tij dhe filloi karrierën ushtarake me Antigonin e Maqedonisë, komandantin veteran që kishte shërbyer me Aleksandrin e Madh. Në njërën nga betejat ai u kap rob dhe u dërgua si peng në Aleksandri. Aty fitoi admirimin e Ptolemeut, i cili i dha për grua të bijën dhe në vitin 296 para Kr. e vuri përsëri në fronin e mbretërisë së tij. Pirro gëzonte nam për fisnikërinë dhe trimërinë e tij në beteja. Epirotët e quanin "Shqiponjë". Sipas një tradite shqiptare pretendohet se emri "Shqiptar" (Bij të Shqipes) e ka origjinën nga një thënie e Pirros. Kur dikush lëvdonte zhdërvjelltësinë e lëvizjes së trupave të tij, ai i përgjigjej me krenari se një gjë e tillë ishte normale, pasi ushtarët e tij ishin "Bijtë e Shqipes", kështu që lëvizjet e tyre, natyrisht u shëmbëllenin fluturimeve të madhërishme të mbretit të shpendëve. Sipas një versioni tjetër, disi të ndryshëm, kur trupat e tij i thurnin lëvdata sulmeve të tij të guxishme e të shpejta dhe e quanin "Shqiponjë" ai iu përgjigjej se ata ishin flatrat e tij, që bënin të mundur fluturimin e shpejtë të shqiponjës. Thuhet se kjo çoi në adoptimin e këtij emri, të cilin populli shqiptar e përdor edhe sot e kësaj dite. Pra jo "Albanë" por "Shqiptarë" ose "Bij të Shqipes". Pikërisht në këtë kohë kolonitë e Korfuzit e të ishujve të tjere në Detin Jon nisën ta thërrisnin fqinjin e tyre në kontinent "Epir" (Tokë në kontinent),për ta dalluar atë nga vendbanimi i tyre ishullor.
Gradualisht historianët greke e nxorrën jashtë përdorimit termin "Molosia" dhe zunë të përdornin emërtime të tilla si "Mbretëria e Epirit" ose "Pirro i Epirit". Sidoqoftë, ky ndryshim emri nuk ndikoi në karakterin pellazg apo shqiptar të asaj krahine. Epiri u shtri në jug deri në gjirin e Ambrakisë (Artës). Në fakt, gjeografi grek Straboni, shkruante se "për arkananiasit se janë grekë, kurse në të majtën ndodhen Nikopoja dhe Kasopia, që janë epirote". Pra, Straboni bënte dallimin midis epirotëve dhe grekëve. Ambrakia dikur kishte qenë një qytet i lulëzuar, mirëpo tani ishte rrënuar. Pirroja "e zbukuroi atë më shumë se çdo njeri tjetër dhe e bëri rezidencën e tij mbretërore. Pirroja njihej nga të gjithë si një princ i madh dhe i drejtë. Ai zgjeroi territorin e vet duke përfshirë në të edhe ishullin e Korfuzit dhe krahina e Maqedonisë. Në atë atmosferë ku mbizotëronte lufta e vazhdueshme për pushtet midis princave krahinorë dhe atyre me kufinj shumë të luhatshëm, që përcaktonin juridiksionin e tyre, konflikti ishte i pashmangshëm dhe i përjetshëm, thuhet se gjatë një beteje me farefisin e vet maqedon, ushtarëve maqedonas u bëri aq shumë përshtypje shembëllimi i Pirros me Aleksandrin e Madh, saqë braktisën mbretin e tyre dhe u bashkuan me të. Dhe vërtetë, kur maqedonët e rrëzuan nga froni mbretin e tyre të pazot, Demetrin, ata e ftuan Pirron që të sundonte edhe mbi Maqedoninë. Mirëpo, brenda shtatë muajve ai e kuptoi se maqedonët krenarë do të preferonin më mirë që sundimtar i Maqedonisë të bëhej më i keqi prej maqedonasve, sesa një nga më të mirët jomaqedonas. Prandaj hoqi dorë vullnetarisht nga froni në vitin 287 para Kr. Pirroja ëndërronte të ngrinte një perandori në perëndim, të ngjashme me atë të propozuar 40 vjet më parë nga kushëriri i atit të tij, Aleksandër Molosi.
Roma, që tradicionalisht konsiderohet e themeluar në vitin 753p.e.s, ishte ngritur gradualisht si qytet-shteti më i fuqishëm në gadishullin italik dhe, më pas, kishte bashkuar grupet e ndryshme në një konfederatë nën udhëheqjen romake. Si rrjedhojë, ajo ishte bërë gati një republikë e bashkuar, mjaft e fuqishme. Pushtimi i galëve apo i keltëve vërshoi nga Veriu rreth vitit 400 para Kr., duke e shkatërruar Romën pjesërisht me anë të një zjarri në vitin 390 para Kr. dhe duke dominuar një pjesë të madhe të Italisë për njëfarë kohe. Luftrat samnite të viteve 326-312 para Kr. dhe 299-291 para Kr. sapo kishin përfunduar kur Pirroja nisi të hidhte një sy nga Perëndimi, i frymëzuar ndoshta nga ura portative që kishte ngritur mbi Hellespont persiani Kserksi 200 vjet më parë.
Pirroja, sipas Plinit, ishte i pari që konceptoi një urë të ngjashme përmes Adriatikut në pikën e tij më të ngushtë, në ngushticën e Otrantos. Rasti i volitshëm erdhi në vitin 282 para Kr. Qyteti i pasur tregtar i Tarentit(Taranto) në jug të Italisë, një koloni spartane, e kishte halë në sy flotën romake në portin e vet (gjë që binte në kundërshtim me marrëveshjen) dhe i kërkoi ndihmë Pirros. Pa pritur që të zgjidhte problemet inxhinjerike të urës, ai shfrytëzoi medotën konvencionale, duke kaluar me anije përmes Adriatikut 25.000 trupa. Përveç 3000 kalorësve, ai mori dhe 19 elefantë lufte, kafshë gjigande të cilat italianët i shihnin për herë të parë në atë kohë. Kur panë ushtrinë romake që i afrohej Tarentit, banorët e tij, pra të kolonisë spartane, ia dhanë Pirros komandën supreme të forcave antiromake, duke preferuar që më mirë t"i nënshtroheshin Pirros pellazg, sesa romakeve barbarë. Në fillim, Pirro i shkroi konsullit romak, Valer Levinit, duke i kërkuar që të vepronte si arbitër midis Romës dhe Tarentit. Mirëpo konsulli ia preu shkurt, duke i thënë të shihte punët e veta e të kthehej në Epir. Kur prapavija romake kapi një spiun epirot, Levini i tregoi atij legjionet gjatë një loje stërvitore dhe pastaj e lëshoi që ti thoshte Pirros se, nëse e brente kureshtja për ushtarët dhe taktikat romake, duhej të shkonte e t’i shihte me sytë e vet. Në betejën që u zhvillua më pas në Heraklea, afër Tarentit (280 para Kr.) Pirroja u ndesh me një ushtri romake dy herë më të madhe se ushtria e tij dhe doli fitimtar.
Mirëpo, ai humbi aq shumë oficerë dhe ushtarë, saqë thirri: "Edhe një betejë tjetër si kjo dhe më duhet të kthehem vetëm në Epir". Prej këtej lindi edhe shprehja "Fitore si e Pirros”. Ky ishte kontakti i parë ushtarak i Romës me botën helenike në lindje. Por jo i fundit. Duke shpresuar për paqen dhe lirinë e bashkësive greke në Itali, Pirro dërgoi në Romë ministrin e tij më të zotin në artin e oratorisë, Linean, kujtesa fenomenale e këtij të dërguari e habiti Plinin, pasi ai "kishte fiksuar emrat e senatorëve dhe të kalorësve romakë vetëm me një ditë qëndrimi në Romë. Por Roma nuk pranoi të hynte në bisedime, prandaj Pirro marshoi drejt kryeqytetit, i cili mbrohej nga ushtria. Në pamundësi që ta pushtonte qytetin, ai u kthye mbrasht që të kalonte dimrin në Jug. Gjatë rrugës, lëshoi robërit romakë të veshur e të mbathur para, duke u thëne që të ndërmjetësonin për paqen në emër të tij. Ndërkohë, Kartagjena pranoi ti vinte në ndihme Romës me një aleancë ushtarake, duke shpresuar që të zgjeronte zotërimet e saj në Siçili. Kjo e alarmoi shumë koloninë greke të Sirakuzës, e cila iu lut Pirros për ndihme ushtarake kundër Kartagjenës. Pirroja nuk priti që ti thonin dy herë. Ai u hodh në Siçili ne vitin 278 para Kr.. dhe me strategjinë e tij të shkëlqyer arriti t"ua rimerrte kartagjenasve pjesën më të madhe të ishullit. Fatkeqësisht ai u përpoq të sundonte mbi këta grekë liridashës po aq arbitrarisht sa edhe Ptolemi mbi Egjiptin, prandaj grekët nuk mund ta duronin dot. Ata e hodhën poshtë ofertën e tij që të bëhej mbreti i tyre: disa prej tyre preferonin më mirë Kartagjenën sesa regjimin ushtarak.
Dionisi i Halikarnasit, që duhet të jetë ndikuar si historian nga origjina e tij greke dhe nga ambienti romak ku jetonte, ia hodhi fajin Pirros. Ai shkruante se Pirroja u soll në mënyrë arrogante e tiranike, ashtu si shtypesit e tyre italiane, duke konfiskuar pasuritë dhe duke shpërndarë ofiqe të larta për miqtë e kapitenët e tij. Ai internoi, e madje ekzekutoi njerëz të shquar me akuza të sajuara, fyu ndjenjat e popullatës duke plaçkitur thesaret e paruajtura në tempujt e tyre. Kur u tërhoq në drejtim të Tarentit, erërat e tërbuara shkatërruan disa nga anijet e tij, midis të cilave edhe ato që mbartnin thesarin e popullit. Megjithatë avantazhet e shumta që kishte, Pirroja e humbi betejën tjetër "për shkak të zemërimit të perëndeshës". Kjo ishte beteja jopërfundimtare e Bevenetos. Pas kësaj, në vitin 275 para Kr..ai u kthye në atdhe, duke lënë pas një garnizon në Tarent, por duke e lënë në Itali në duart e romakëve. Jo vetëm Epiri, por edhe Greqia dhe gjithë Lindja po bëheshin tashmë të vetëdijshëm për fuqinë e re që po ngirhej në Perëndim. Edhe Ptolemi i Egjiptit po përpiqej të zgjeronte kufijtë e tij. I pakënaqur me kontrollin e rrugëve detare në Egje, ai nxiti kryengritje në Greqi e Maqedoni. Në fakt, Pirros iu mbush mendja fare lehtë për të pushtuar Maqedoninë nga perëndimi, por kjo nuk dha ndonjë rezultat të madh. Ndërkohe, Ilirinë nuk mund ta sulmonte, pasi mbreti i saj Glauku, e kishte strehuar që të vogël dhe e kishte ndimuar të hipte në fronin e Molosisë që në moshën 12 vjeçare. Kështu, ai i drejtoi armët kundër Greqisë. Depërtoi në lindje deri në Argosinë e Pelopenezit dhe u step nga frika kur pa argivet që nuk donin ta pranonin brenda mureve të qytetit. Pikërisht aty, në Argosin pellazg, në vitin 272 Para Kr..karriera e tij do merrte fund.
Ashtu si heroi i tij, Aleksandri i Madh, që e kishte mbyllur karrierën e tij të shkëlqyer në mënyrë aq të dhimbshme, lavdishme edhe Pirroja e mbylli po ashtu në mënyrë shumë tragjike e disi të çuditshme për një hero aq të madh, në muret e Argosit, kur një grua e zemëruar do t’i hidhte një tjegull nga çatia e do ta linte të vdekur në vend! Në vepren e tij “Historia Natyrore”, Plini shkroi për një dukuri shumë të pazakontë që ndodhi në Romë. "Ditën që vdiq Pirroja, kokat e prera të kafshëve të flijuara rrokulliseshin në tokë, duke lëpirë gjakun e tyre, shenjë kjo jashtëzakonisht e mbarë". Një bust, të cilin studiuesit e identifikojnë si me atë të Pirros, u gjet në Herkulan, në rrëzë të malit të Vezuvit, dhe ruhet në Muzeun Arkeologjik Kombëtar të Napolit. Vendin e Pirros e zuri i biri, Aleksandri, i cili pati grindje të vazhdueshme me Maqedoninë. Sidoqoftë, është domethënës fakti që asnjëra nga këto mbretëri të hershme jogreke (shqiptare) nuk kërkoi aleance me Greqinë për të luftuar kundër njëra - tjetrës.
Pas Aleksandrit, Epiri u nda midis një numri principatash fisnore, të cilat qeveriseshin nga krerët e tyre në krahinat përkatëse si mbretëri të vogla. Shumë prej tyre morën anën e Perseut të Maqedonisë në luftën e tij kundra Romës. Rrjedhimisht, senati i zemëruar romak e urdhëroi gjeneralin e sapoemëruar, Emil Paulin, të autorizonte ushtarët e tij që, si ndëshkim, të plaçkisnin qytetet e Epirit. Pas betejës së Pidnës trupat romake shkatërruan 70 qytete Epirote, pjesa më e madhe e të cilave i përkiste fisit të molosëve, dhe kishin si skllevër 150.000 banorë. Shumica e tyre u transportuan në Itali. Një shekull më vonë Straboni shkruante se, ndonëse zonat fshatare ishin të ashpra e plot me male, "i gjithë Epiri dhe Iliria dikur ishin terësisht të populluara. Tani pjesa më e madhe ka mbetur e shkretë, kurse zonat e banuara janë katandisur në fshatra ose në rrenoja. Madje edhe “Orakulli i Dodonës” ka mbetur pothuajse i braktisur fare. "Dëshmi të heshtura të hakmarrjes se egër të Romës mbi Epirin u gjetën 2000 vjet më vonë, kur gërmimet në Antigonea të Gjirokastrës nxorrën në dritë një shtresë goxha të trashë prej hiri, të mbetur nga zjarri që rrënoi plotësisht këtë qytet dhe 69 të tjere si ai.

pamje nga Dodona
Pirro i Epirit Dodona1

Pirro i Epirit Dodona
Nikolaos
Nikolaos

"Kthejeni fytyrën nga Dielli dhe çdo hije mbetet mbrapa jush"

249


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi