EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mahabharata

Shko poshtë

Mahabharata Empty Mahabharata

Mesazh  Zattoo 28.01.11 8:57

Mahabharata

Mahabharata Previe10

Ëndrra për origjinën e ligjërimit, për një gjuhë mëmë, ka pushtuar shumë mendje të shquara të gjenisë njerëzore në epokën moderne. Janë bërë shpjegime krahasuese për pjesë dhe tërësi të krijimeve të lashta, për mitologjitë, për strukturat konceptuale të tyre.

Përqasjet që kanë shkuar deri edhe tek organizimet shoqërore dhe politike, kanë çuar në përfundimin shkencor se në grupe të mëdha popullatash të Evropës së sotme dhe të atyre të një pjese të Azisë, ka pasur marrëdhënie të ngushta e afri të tilla gjuhësore që vërtetojnë idenë se ata rrjedhin nga i njëjti trung i përbashkët. Gjuhëtarët ia kanë lënë indoevropianishtes zanorëzimin e theksuar të sanskrites, që mbahet si gjuha më e lashtë pasindoevropiane.

Një nga gjenitë e studimeve krahasuese, specialist i besimeve fetare dhe i mitologjisë indoevropiane është francezi George Dumézil (1898-1986). Ai botoi fillimisht librat "Mitet dhe perënditë gjermanike", (1939); "Mitra-Varuna", 1940; "Perënditë indoevropiane", 1952; "Ideologjia trefunksionale e indoevropianëve" 1958 etj.

Historia e kohëve pa arkiv

Në veprën e tij madhore "Mite dhe epope", 1973, që është sinteza më e lartë e mendimit në këtë fushë, George Dumézil bën krahasime gjuhësore, mitologjike e fetare, duke vërtetuar idenë se besimet indoevropiane paraqesin një strukturë të njëjtë trefunksionale të hierarkizuar: pushtet shpirtëror, fuqi dhe pjellori.

Kjo ideologji trepjesëshe pasqyrohet në shumë kultura, si bie fjala sistemi i kastave në Indi: brahmans-priftër, ksatriya (kshatria)-luftëtarë, vaissya (vaisia) - bujq e blegtorë; triada hyjnore apo rrëfimi i lindjes së Romës me tre përbërësit paraekzistues si: protoromakët e Romulit, etruskët e Luc(k)umanit, sabinët e Titus Tatiusit, për cilën bëhet edhe një shpjegim paralel mitologjik i ideologjisë treshe: Jupiteri (kryeperëndia), Marsi (perëndia e luftës) dhe Quirinusi (perëndia e punës); historia e gjatë e tri familjeve te pasardhësit e tyre osetë në zemër të Kaukazit të Veriut; historia e lashtë epike tek iranianët e Azisë etj.

Duke parë çiftet e fjalëve që janë gati të njëjta në disa gjuhë të trungut indoevropian dhe në gjuhë sanskrite si: ambrozi (pije zotash) - amrta; Centaur (kafshë mitologjike) - Gandarva; Uran (zot dhe planet) - Varuna; flamen (prift në gjuhët nordike) -brahman etj., afria shndërrohet në një status shkencor të origjinës indoevropiane.

Në pjesën e parë të këtij libri të madh, mijëra faqesh me metodën krahasuese, si pararendësi i analizës strukturaliste, Dumézil studion poemën "Mahabharata". Ajo është poema më e gjatë që është krijuar në Indi dhe një nga poemat më të gjata të letërsisë, me rreth 120000 paragrafë, e ndarë në 19 libra, që ngjitet deri në epokën vedike, dhjetë shekuj e ca para erës sonë dhe vazhdon deri në shekullin VI.

Duke qenë historia e famshme e pasardhësve të Bharatas, aty tregohet në mënyrë heroike dhe lirike aventura e pesë vëllezërve. Kjo poemë vigane, në fakt, është një pjesë e epopesë së madhe të pushtimit dhe zhvendosjes së tribuve indoevropiane në pellgun indian, të luftës së tyre të brendshme e të luftës që duhej të zhvillonin ata kundër tribuve dravidiane që mbulonin atëherë territorin.

Filologjike apo historike qoftë, kritika letrare nuk mund të zbatohet në tërësinë e kësaj monstre. Poema me subjektin e dramës familjare të tri brezave është në të vërtetë si një saga moderne. A është histori e zbukuruar apo fiksion i pastër? Kjo pyetje bëhet në çdo vend ku ajo është përkthyer si rrëfim i historisë së kohëve pa arkiv. Ngjarja i përket një epoke, ku perëndi dhe njerëz janë në marrëdhënie të natyrshme. Këtë do ta shohim më vonë tek "Iliada", tek "Eneida" apo te ndonjë krijim tjetër.

Subjekti mitik është ky: Mbreti Pandu vdes. Ai ka dy gra dhe pesë djem që janë ngjizur me zota të ndryshëm.

Ata quhen: Youdhistira që simbolizon çinteresimin; Bhima që simbolizon dëshirën dhe interesimin mondan; Arzhuna që simbolizon përpjekjen për të bashkuar çinteresimin me frytshmërinë e detyrës; binjakët Nakula dhe Sahadeva që simbolizojnë klasat e punës. Rregulli kërcënohet se dy grupe njerëzish të një gjaku armiqësohen.

Njëra palë, familja Pandava, detyrohet të shkojë syrgjyn e të kthehet pas disa vjetësh për të luftuar. Në mbarim të betejës kemi një lloj apokalipsi të vërtetë, një krizë kozmike që mund të sjellë fundin e botës. Por mbetet një prej vëllezërve që në agoni u lë nipërve mësime për mbretërimin, lirinë dhe shpresën.

Rregulli vendoset dhe vëllezërit Pandava ngjiten në qiell. Futja e mitologjisë në epope është një moment i rëndësishëm në mendësinë krijuese të autorit kolektiv të poemës "Mahabharata". Për një indian është e mundshme dhe gjë e mrekullueshme një luftë ku marrin pjesë njerëz gjysmë të perëndishëm dhe perëndi.

Struktura mitike e perëndive funksionale dhe struktura epike e ngjarjes aty është themelore e për rrjedhojë e para ka krijuar të dytën me një lloj projektimi në planin njerëzor. Gjithçka që është vërejtur në sjelljen e pesë vëllezërve tregon përshtatjen me tri funksionet kryesore, harmonia e të cilave siguron një jetë normale.

"Mahabharata" është përshkrimi me gjuhë artistike i një sistemi të gjerë përfaqësimesh mitike në botën e njerëzve. Ajo përkthehet Rrëfim për Bharatat dhe paraqet deri në fund dramën e një trungu antik, i cili jetoi në luginën e Indusit. Në gjuhën indi, që është gjuha kombëtare e Bashkimit indian, Indisë i thonë edhe Bharat.

Kjo histori është një moment në jetën e pasardhësve të Vishnusë, si perëndia më e lartë në panteonin e besimeve indiane. Vepra, e cila është menduar mirë dhe është punuar nga specialistë të ditur e të talentuar, të cilët kanë shfrytëzuar mundësitë e mëdha që jepte lënda mitike, i përgjigjet një mbëhie që tejkalon letërsinë, duke bërë jetëshkrimin e disa brezave.

Të kundërtat e brendshme çojnë në transpozicionin e një krize eskatologjike të historisë së botës, duke bashkuar arsyen me mitologjinë, ashtu si ndodh në vepra të tjera me subjekte të tilla. Në rrjedhën logjike të ngjarjeve, si për shembull te kënga I - fillimi; te kënga V - libri i përgatitjeve; te kënga X - libri i sulmit nator; te kënga XVII - libri i marshimit të madh; apo te kënga XVIII - libri i ngjitjes në parajsë, lexuesi vë re edhe dëshirën për përsosmëri, që është histori përpjekjesh njerëzore e që sendërtohet te mistifikimi i mbretërisë së Youdhistirës.

Aty s‘ndodh asnjë fatkeqësi: lutjet që mërmëriten janë të panumërta, nga retë bie shi kur duhet, peizazhet janë të mrekullueshme, objektet janë të një cilësie të shkëlqyer, për të ngrënë s‘mungon asgjë, atje ka fruta, gjelbërim dhe vargje lulesh.

Shkurt tërë natyra dhe shoqëria janë si një idil dashurie. Përpara kësaj tabloje njeriu mendon për fabrikuesit e historisë romake me Romulin dhe Numën dhe për shumë vepra të mëvonshme si ajo për mitin e Atlantidës, shkruar nga Platoni 350 vjet para erës sonë; "Qyteti i Zotit" (427), i Shën Agustinit; "Utopia" (1516), i Shën Thomas More-it; "Qyteti i Diellit" ( 1623), i Tommaso Campanella-s etj.

Për poemën "Mahabharata", modeli i komenterit mitik ka qenë lehtësisht i kuptueshëm, po të nisemi nga origjina mitike e heronjve të rëndësishëm si gruaja e përbashkët, vëllai i madh, babai dhe dy vëllezërit e tij.

E mbinatyrshmja aty është një çelës për të zbërthyer shumë enigma. Kur nisen në ekzil vëllezërit Pandava, një zë pa trup atyre u thotë: "Mos vepro pa u menduar. Merr së pari leje duke iu përgjigjur pyetjeve të mia … ". Sepse katër nga personazhet e poemës i humbin ndjenjat pranë një burimi ku kanë pirë, pa dëgjuar paralajmërimin.

Lista e zotave në poemë është parahistorike. Parahistorike duhet të jetë gjithashtu ekzistenca e perëndive etër dhe bijve heronj. Beteja mes perëndive dhe demonëve të mishëruar sipas ligjit brahman bëhet që të lehtësohet toka.

Në gjysmën e dytë të shekullit XX studimet zbuluan se perënditë etër të vëllezërve Pandava në poemë janë padronë të tri funksioneve në formën arkaike indoiraniane të besimit vedik. Edhe radha e lindjes së Pandavave është e krahasueshme me rregullin hierarkik të tri funksioneve.

Në parimet kryesore, thotë Dumazil, ngjarja e poemës dhe struktura e koncepteve të saj, nuk është e ndryshme nga ajo që bëjnë analistët romakë, të cilët kanë ndërtuar historinë e mbretërve të Romës, nga ajo që ka bërë Snorri Sturlusoni me mitet dhe zotat e Skandinavisë së lashtë, apo nga ajo që ka bërë Saxo Gramaticus-i me historinë mitike të Danimarkës.

Në të njëjtën kohë poema është një lloj enciklopedie e njohjes dhe e dijeve mitike, të shenjta e laike të indoevropianëve indianë në atë epokë të largët. Ajo ka një histori të gjatë, duke pasur parasysh disa rishikime të saj. Njeriu mendon e pyet pastaj se çfarë kishte përpara shtesave e ndreqjeve të saj? Poema e madhe "Bhagavad - gita", që bën pjesë në librin e gjashtë, sipas gjasës është shtuar më pas. Libri i 19 që rrëfen për mitin që ka të bëjë me perëndinë Krishna ose me "bariun e dashurisë", gjithashtu është një ndërfutje e mëvonshme.

Koncepti i një krize të madhe kozmike, unike, e parashikuar për të ardhmen, duke i dhënë fund një bote mediokre që do të sjellë fill pas saj një botë të dëlirë, ekzistonte edhe pse nuk shfaqet te Rig-Vedat ose te himnet e dijes hyjnore.

Triada romake dhe legjenda narte e osetëve të Kaukazit të Veriut

Pjesa e dytë e librit "Mite dhe Epope" ("Mythes et Epopées", George Dumézil, Gallimard, Paris 1995) vazhdon me tregimin e lindjes së Romës, me tri përbërësit paraekzistues: protoromanët e Romulit, etruskët e Lukumanit dhe sabinët e Titusit, duke theksuar cilësitë hyjnore të mbretërve të parë. Triada mitike: Romul, Lucuman, Tatius dhe hyjniteti i tyre janë pasqyrim i përpiktë i ideologjisë trefunksionale.

Te pothuajse të gjitha krijimet e lashta të popujve indoevropianë mund të shihet skema konceptuale, që është struktura trefunksionale, e cila ka shërbyer të ndërtohet historia kombëtare apo ajo e botës.

Po të marrim veprën e Hesiodit, e shohim qartë strukturën trefunksionale. Rrëfimi i tij futet në një ansambël mitik të gjerë që ka korrespondenca në shumë nivele. Sepse ajo pasqyron një sistem klasifikues me vlera përgjithësuese për historinë e racave. Duke treguar vazhdimësinë e brezave të njerëzimit, vepra e tij simbolizon një seri të tërë aspektesh themelore të reales.

Gjithashtu, kapitujt e parë të veprës së Tit-Livit flasin për marrëdhënie të thella mes mbretërve dhe zotave. Enniusi me "Analet" dhe Plutarku me librin "Jetë paralele" hedhin themelet e historisë së origjinave, të cilat shprehnin në formë të krijimit njerëzor skemat, që në kohët indoevropiane shërbenin si truall ku takohej historia përrallore me copëza nga historia e vërtetë.

Virgjili është një dëshmitar i drejtpërdrejtë dhe origjinal i traditave indoevropiane me shoqërinë trefunksionale. Poema e tij epike "Eneida" nuk është thjesht një vepër arti, ajo është para së gjithash një vepër patriotike, një vepër e shenjtë.

Erudicioni aty është themelor, në një farë kuptimi është një arsye që shpjegon ekzistencën e saj. Me 12 këngët e saj poema rrëfen historinë e pelegrinazhit të Eneas, i cili pas rënies së Trojës detyrohet të mërgojë në Itali e të themelojë kombin romak. Rreth princit trojan, organizohet legjenda e origjinave trojane të Romës, që rimerr poeti.

Ja cili është subjekti: Enea, bir i Ankizit, bariut legjendar i Trojës dhe i perëndeshës Afroditë, i martuar fillimisht me Kreuzën, vajzën e Priamit, mbretit të Trojës, luajti një rol të rëndësishëm gjatë luftës së Trojës. Gjatë djegies së qytetit prej grekëve, ai shpëtoi Penatët (hyjni mbrojtëse të vatrës familjare) dhe u largua shpejt duke mbajtur në shpinë të atin, plakun Ankiz dhe për dore të birin, Askanjin. Prandaj është quajtur ndryshe edhe "Enea i përshpirtshëm".

Midis aventurave të shumta mund të theksohet zbritja e tij në ferr i prirë nga sibila e Kumës, ku i profetizohet fati i veçantë për të krijuar një racë të re. Ai me të birin mbahen si stërgjyshër të Romulit. Simbol i jashtëzakonshëm i urtisë, ngaqë u bindet vullneteve hyjnore, personazhi i Eneas që përkthen në mënyrë legjendare besimin e të vjetërve tek origjina orientale e etruskëve, njohu ilustrime letrare dhe artistike të panumërta që në kohën e Antikitetit.

Perënditë dhe perëndeshat e poemës "Eneida" nuk janë të mishëruara si te "Mahabharata", por janë vazhdimisht perëndi që futen vetë në veprim. Dysia e dramave, njëra kozmike dhe tjetra kombëtare, të kujton lojën me shumë tastiera të epopesë indiane.

Virgjili u përpoq t‘i jepte Romës një epope që përqaset me poemat homerike. Duke u larguar nga rrëfimi historik dhe mitologjik, ai trajton një subjekt legjendar, por duke i dhënë frymën kombëtare. Kjo vepër mbahet si një nga elementët themelorë të kulturës evropiane.

Pjesa e tretë e librit ka të bëjë me epopenë që u kushtohet tri familjeve narte në Kaukazin e Veriut. Bregu që kufizohet me Detin e Zi e zgjatet fort para se të shkosh në Jug, është një nga ruajtësit më interesantë për popujt dhe gjuhët që mbijetuan që nga lashtësia indoevropiane. Edhe dekori ka një histori të gjatë peripecish, për të cilat të vjetrit, bizantinët dhe arabët na kanë sjellë pak të dhëna.

Disa nga ata malësorë ishin aty që në kohën e gjeografëve grekë, të tjerë janë ardhës në kohë të ndryshme. Megjithatë, në zemër të Kaukazit, mes popujve modernë jeton një popullatë krejt e ndryshme nga shumica, osetët që flasin një gjuhë të degës iraniane të indoevropianishtes.

Deri në pushtimin rus, organizimi i tyre shoqëror ka qenë ai që është parë te skithët e Herodotit. Zakonet skithe i paraqet edhe Plini dhe ato janë të afërta me epopenë narte që këndojnë osetët. Osetët i këndojnë epopesë narte, të mbushur me heronj përrallorë, që jetonin në kohën e gjigantëve. Por shumë nartiotë kanë pasur gjithsesi vdekje, që paraqitet si diçka dramatike para se të zhdukej raca e tyre.

Objektet e zbuluara nëpër varreza të mbuluara nga stuhitë historike shpjegojnë më së miri tri funksionet indoiraniane: kulti fetar me kupën; lufta me armët dhe puna me parmendë e zgjedhë. Sipas legjendës narte zbulohet një psikologji politike e ndryshme në formë, por e afërt në përmbajtje me atë të Platonit te libri i katërt i veprës "Republika", ku parashtrohet koncepti për tri klasa: filozofët, luftëtarët dhe punëtorët e artizanët e bashkuar.

Edhe shpirti njerëzor përbëhet nga tri parime: arsyeja, pasioni dhe të ngrënët. Ëndrra e Platonit ngrihet mbi të njëjtën ideologji që mbijeton në folklorin e osetëve e që zbërthen thënien e Sokratit se urtia e Shtetit është të mendojë qartë e të vendosë mirë për të krijuar mbarësi.

Besnikëria e çuditshme e gjatë e osetëve për një strukturë mendimi që është më shumë se dymijëvjeçare e lashtë, duke ruajtur me kthjelltësi tema thesare si epopeja narte, tregon se rrënjët e tyre indoevropiane ishin të forta.

Është vërtetuar se miti indian i katër moshave të botës jepet me strukturën trefunksionale. Edhe në historinë e dinastive skandinave është zbatuar ideologjia trefunksionale. Sikur të mos kishte mitologji hyjnore, Roma vetë ka një mori legjendash për njerëzit e mëdhenj që e shpjegon origjinën e tyre si te Rig-Veda apo te Eddat skandinave.

Zotat vedikë, zotat romakë apo zotat irlandezë, sipas ideologjisë trefunksionale formojnë një shoqëri harmonioze. Është gjetur pastaj një korrespondencë iraniane që lidhet me antikitetin e ideologjisë trefunksionale si një skemë që e kanë përdorur si rregull kronologjik gjithë popujt indoevropianë për të parashtruar origjinat e tyre. Po të bëjmë një krahasim, Romuli dhe Numa, Varuna dhe Mitra, Odini dhe Börri e të tjerë rrinë pranë e pranë.

Në grupimet e mëdha epike si: "Mahabharata"; Triada romake (Romuli, Lucumani dhe Tatiusi), si dhe Epopeja e tri familjeve narte te osetët që studioi Dumazil-i, ideologjia trefunksionale zë vendin kryesor. Kjo strukturë haset edhe më gjerë në këngët epike të Irlandës së Veriut, në ato të ishullit britanik, tek armenët, te trakasit etj.

Ajo është gjallë deri në ditët tona në një tregim legjendar të Zvicrës gjermanike, apo në grupin e madh të legjendave gjermanike që u bëjnë jehonë traditave të skithëve për origjinën e tyre. Në një mbishkrim që është gjetur në Persepolis, ka një konceptim trefunksional edhe në fjalët e mbretit Darius të persëve të lashtë, i cili i kërkon Ahura-Mazdës, perëndisë kryesore mazdeiste, t‘i ruajë perandorinë.

Apriori ekzistenca e temave epike indoevropiane, apo ekzistenca e një letërsie indoevropiane, është një fakt i mundshëm. Që prej gjysmës së dytë të shekullit XX, në format poetike janë vënë re përkitje prozodike, domethënë në metrikë dhe në vargëzim midis Indisë e Greqisë midis Iranit e Skandinavisë e të shumë pasardhësve të tjerë indoevropianë, që shpjegohen fare thjesht me një trashëgimi letërsie të përbashkët. Edhe paralelet iraniane dhe jo vetëm avestike, që janë tekste të shenjta të Iranit antik, lejojnë të mendosh se kjo lidhje e shpjegueshme midis funksioneve dhe bartësve të tyre është e lashtë.

"Mahabharata", si një vepër e madhe njohu një popullaritet të pamatshëm dhe u përkthye e u interpretua në të gjitha vendet që pranonin të kishin ndikim indian, duke i dhënë letërsisë dhe arteve të bukura të vendeve të tyre ashtu si dhe vetë Indisë një burim të pashtershëm temash.

Në poemë vihen re vërshimet e vazhdueshme letrare gjatë shekujve të redaktimit. Ajo është jo vetëm imagjinarja mitologjike e një popullate të talentuar e të pajisur për një mbushulli dhe për durimin e madh të rrëfimit, por është dhe një imagjinatë përherë e gjallë. Mendimi indian mbetet përherë i ushqyer nga mitologjia, e cila dëshmon ekzistencën e temave epike në folklor e në letërsi para ndarjes me stërgjyshërit gjermanikë dhe indoiranianë.

Edhe gjuha shqipe dhe populli shqiptar bëjnë pjesë në grupimin indoevropian. Profesori i shquar, Eqrem Çabej, gjeniu i gjuhës shqipe, albanolog që duke u mbështetur në punën e gjuhëtarit Franc Bopp e në "trinomin Gustav Meyer, Holger Pedërsen dhe Norbert Jokl", nëpërmjet ligjeve shkencore të gjuhësisë krahasuese, vërtetoi si shqiptar tashmë (sepse para tij kishin folur vetëm albanologët e huaj) një visar autokton të trashëguar që është i përbashkët në shumë gjuhë indoevropiane. Ai përmend disa shembuj, por le të marrim fjalën natë: lit. naktis, gjerm. Nacht, lat. nox-noctis, sllav. noç, etj.

Shpjegimi indoevropian i botës është njëra prej ëndrrave të shumta të njerëzimit. Ajo tregon për rolin që kanë luajtur në histori popujt që kanë qenë trashëgimtarë të këtij grupimi të madh. Tabloja që paraqesin krijimet kur i afrojmë, tregon pasurinë e shpirtit njerëzor; të shpërndara në një poemë ose të përmbledhura në disa faqe rrëfimi, ato janë të gjitha të papritura dhe ngjyrojnë në tërësinë e tyre një mësim: origjinën e përbashkët indoevropiane.

Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi