EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sokrati

2 posters

Shko poshtë

Sokrati Empty Sokrati

Mesazh  Xhemajl 28.12.10 16:55

SOKRATI, Athinasi, filozof grek (470-399 p.e.r.). Bir i skulptorit Sofronikosit, në rini si ushtar athinas u shqua për nga trimëria. Veprimtarinë filozofike të tij në formë të dialogëve të përditshëm në shesh e filloi në kohën që u parapriu drejtpërdrejt luftërave pelopeneze, në kohën e lulëzimit të demokracisë athinase.

Personaliteti origjinal i Sokratit nuk mund të pajtohet me rolin as të shkencëtarit rigoroz, të mbyllur, as të mësuesit udhëtues i cili urtësinë retorike të vet të rreme e shet me para.

Në vend të të mësuarit dhe paradokseve të oratorëve sofistë të shkathët dhe të shkëlqyeshëm, kudo që paraqitet shtron çështje të thjeshta, sepse kurrgjë nuk di përveç vetë faktit të paditurisë së vet. Duke mbledhur së shpejti rreth vetes elitën intelektuale të rinisë athinase, paraqitet si ideolog i «aristokracisë shpirtërore» dhe bie në konflikt me demokracinë sunduese.

I akuzuar në vitin 399 p.e.r. për shkak të ateizmit dhe të «çoroditjes së rinisë», refuzon para gjyqit t'i përgënjeshtrojë tezat e veta. Mirëpo pikërisht vdekja, me të cilën u dënua dhe me të cilën dëshironin ta ndalonin ndikimin e tij, sipas dëshmive të nxënësve të tij, u bë triumf i meditacionit dhe i mendimit etik të tij të qetë, të ftohtë dhe konsekuent.

«Sepse të frikësohesh nga vdekja, njerëz, nuk është gjë tjetër veçse të mendosh se je i urtë, kurse nuk je. Kjo do të thotë të mendosh se di atë që nuk di... Koha është gjykatës, që unë të vdes kurse ju të jetoni. Dhe kush prej nesh do të ketë fat më të mirë, këtë askush nuk e di».

Ndonëse miqtë e ndihmuan që të ikte nga respektimi i ligjeve, mbeti në burg dhe vetë e piu helmin.

Sokrati nuk la asnjë vepër të shkruar ngase konsideronte se libri është i vdekur dhe se nuk mund ta zëvendësojë bisedën e gjallë. Burimet kryesore për njohjen e jetës dhe të filozofisë së tij, përveç veprës Jeta e Sokratit e Ksenofonit, janë edhe veprat e Aristotelit, sidomos shumë dialogë të Platonit (veçanërisht veprat e së ashtuquajtures periudhë të re Kritoni, Mbrojtja e Sokratit etj.).

Mendimi themelor i Sokratit e kundërshton, para së gjithash, subjektivizmin dhe relativizmin e sofistëve dhe përpiqet të gjejë në poliforminë dhe ndryshueshmërinë atë që është me vlerë të përgjithshme, në ndryshueshmërinë e iluzioneve të ndryshme ndijore ose të përfytyrimeve dhe në pasigurinë dhe rastësinë e opinionit të veçantë atë që është e përhershme, e pandryshueshme, e sigurt dhe e bazuar në domosdoshmërinë logjike.

Me interes për kozmosin, të cilin e kapërcen në filozofinë e mëparshme, Sokrati për këtë arsye i drejtohet brendësisë njerëzore dhe problemin antropologjik dhe etik e vë në qendër të bisedave të tij filozofike.

Sipas Sokratit, filozofia fillon pikërisht atëherë kur njeriu mëson të dyshojë, dhe sidomos atëherë kur fillon të dyshojë në dogmat dhe aksiomat vetjake. Të shumta mund të jenë shkaqet e gabimeve tona subjektive, të paragjykimeve dhe të nocioneve të paqarta. Andaj, duhet ta studiojmë, para së gjithash, subjektin vetjak, dhe filozofi të vërtetë nuk ka për derisa shpirti nuk i kthehet vetes. «Njih veten» është premisë e parë dhe njëkohësisht konkluzion i filozofimit të tij.

Duke u nisur nga premisa «di se nuk di asgjë», Sokrati me anën e ironisë u tregon bashkëbiseduesve sesi dituria e tyre është e themeluar në nocione të rreme dhe të pastudiuara. Ai nuk pohon se është posedues i urtësisë, por vetëm se është - pikërisht për shkak se e do - kërkon. «Me shkathtësinë e mamisë» (majeutikën) në bisedën e zhvilluar me plan arrin përkufizimin e nocionit të caktuar që nuk mund të bazohet në perceptimet mashtruese njerëzore.

Duke studiuar format e veçanta të një sendi ose fenomeni me anën e induksionit, sjell përcaktimin e thelbit të tij dhe të nocionit të tij. Kështu, për shembull, studimi i rastit të veçantë të drejtësisë ose të padrejtësisë të shpie te përcaktimi qenësor konceptual i drejtësisë në përgjithësi, i cili vlen për të gjitha rastet e veçanta. Kështu nocioni i përkufizuar, në vete i pakundërthënshëm, është qëllimi themelor dhe kuptimi i njohjes së vërtetë objektive. Njohjen e vërtetë të sendit, diturinë njëmend autoritative nuk e sjell as natyra as sensualiteti, por vetëm mendja.

Ky besim në nocionin dhe në arsyen njerëzore në planin e moralit sjell intelektualizmin dhe optimizmin etik. E vërteta dhe morali janë nocione identike, askush nuk gabon vullnetarisht, kurse gabimi është vetëm mashtrim. Njohja e së mirës medoemos na orienton në faktin që të veprojmë mirë, kurse njohja e së keqes që t'i shmangemi. Se virtyti nuk është dituri, askend nuk mund ta mësojmë moralisht, kurse ndërmjet diturisë dhe veprimtarisë parimisht nuk mund të ketë mosmarrëveshje.

Mirëpo etika racionaliste e Sokratit, e themeluar kështu në premisën idealiste të preferimit të njëanshëm të arsyes, gjen kriterin e fundit të veprimit moral prapë në dëgjimin e zërit të brendshëm mistik, hyjnor, të demonit që drejton të gjitha aktet tona jetësore.

Përkundër tezave materialiste mbi nevojën e «përgjimit të natyrës» dhe të «jetës në përputhje me të», Sokrati konsideron se natyra nuk është aq e vlefshme sa të kujdesen filozofët për të, dhe kështu përfundon në skemën racionaliste spekulative, e cila hedh poshtë radikalisht gjithë ndijshmërinë dhe sensualitetin. Duke ngritur moralizimin e popullarizuar, primar, të zakonshëm deri në etikën e nocioneve të përkufizuara dhe të pastërta, ai në fund në mendjen e perëndisë dhe në transcendentalitet gjen mbështetjen e fundit të intelektualizmit të vet etik.

Është vështirë ta ndash filozofinë e Sokratit nga të menduarit që më vonë disa shkrimtarë (për shembull Platoni) ia atribuan. Megjithatë, në bazë të disa dëshmive të tjera, duket se Sokrati edhe në planin etik, shoqëror dhe politik, si armik i demokracisë athinase, ishte i afërt edhe me disa pikëpamje të nxënësit të vet madhështor, Platonit.

Kështu - thonë - se edhe ai mendonte se nuk është kurfarë çudie që mbretëron kaosi ku nuk ka të menduar dhe ku «masa e paarsimuar» zgjidh gjithçka shpejt, për t'u penduar më vonë. Njerëzit në masë janë të marrë, të vdrazhdë, më të dhunshëm sesa që janë të tillë individualisht, kështu që shumica nuk ia qëllon asaj që është më e urtë. Drejtimi i shtetit kërkon tërë fuqinë e të menduarit të shpirtrave më të aftë, kështu që, këtyre duhet besuar drejtimin e shoqërisë.

Të pranuara dhe të përpunuara nga Platoni deri te sistemi universal i ideve, tezat e Sokratit patën ndikim të dukshëm në tërë zhvillimin historik të rrethit mendor evropian, dhe sidomos janë glorifikuar në kohën e iluminizmit, i cili Sokratin e konsideron «parardhës të Krishtit», dhe intelektin më të lartë moral dhe filozofik të antikës.

Përkundër këtyre interpretimeve, Niçeja përpiqet Sokratin dhe mbretërinë e tij absolut të sundimit të nocioneve ta shpallë mashtrim më të madh në historinë e kulturës njerëzore, që e gjymtoi, moralizoi dhe varfëroi kulturën e pasur dhe të dendur antike, kurse më vonë errësoi shqyrtimin e mendimit grek primar, të freskët, burimor, dionizian të parasokratistëve.


JETESHKRIMET - KURESHTI NGA JETA E SOKRATIT

* Sokrati i tha miqve të tij:
- Unë në jetën time kam pasur tri të këqija të mëdha për të luftuar: gramatikën, varfërinë dhe gruan. Duke studiuar të parën e hoqa qafe, fati më shpëtoi nga e dyta, kurse nga e treta, mjerisht, ende nuk kam shpëtuar.

* Për të mos dëgjuar ulurimat e gruas së vet, Sokrati doli me një kovë ujë dhe ia lëshoi në kokë. Atëherë ai tha:
- E mora më mënd se pas gjithë atyre bubullimave do të fillonte shiu.

* Alqiviadhi çuditej me Sokratin sesi i duronte britmat e së shoqes. - Tashmë jam mësuar, - i tha Sokrati, - ato nuk më bëjnë më shumë përshtypje nga zhurma e rrotave të karrocës.

* Kur Sokrati ishte në mes të nxënësve të tij, Platoni i tha:
- Mjeshtër, dje keni bërë shumë gabim që keni qortuar shërbëtorin në praninë e të gjithëve. A nuk do të ishte më mirë ta kishit qortuar vetëm për vetëm?
- Vërtetë, - i tha Sokrati, - por edhe ju më bëni mirë që më qortoni kur nuk ka njeri tjetër këtu pranë.

* Mbreti Arkelau i Maqedonisë i ofroi pasuri të madhe Sokratit që ta mbante në oborrin e tij. Sokrati iu përgjigj:
- Mielli është më i lirë në Athinë, ndërsa uji kudo nuk kushton asgjë.

* Nxënësit e Sokratit u zemëruan shumë me dikë që nuk iu përgjigj përshëndetjes së filozofit.
- Mos u shqetësoni, kur shikoni se mësuesi juaj është më i edukuar se një tjetër, - u tha Sokrati.

* E pyetën Sokratin se pse bënte çdo ditë shëtitje të gjata. - Përgatis shijen për drekën time, - u përgjigj Filozofi.

* Alqiviadhi i solli mësuesit të tij të shquar një dhuratë të çmueshme. Sokrati i tha së shoqes Ksanthipit që t'ia kthente dhuruesit. Për këtë veprim e shoqja u tërbua nga inati se donte ta mbante dhuratën. Por Sokrati i qetë i tha:

- Duke pranuar gjithnjë dhurata do ta bëjmë që të lodhet dhuruesi. Një mospranim i mençur nuk mund të shpjerë veçse te një bujari më e madhe.

Po të mos e kthejmë sot një gjë për të cilën nuk kemi nevojë, nuk do të mund të kërkojmë me lehtësi nesër kur do të jemi të detyruar nga nevoja.

Alqiviadhi i dërgoi si dhuratë Sokratit një tortë shumë të mirë. Ksanthipi, që ishte në humor të keq, për inat të të shoqit e hodhi përdhe tortën, e shtypi me këmbë dhe e përzjeu me baltë.

- Të lumtë Ksanthipi, - i tha Sokrati qetë-qetë, - po shoh me kënaqësi se ju duke hedhur tej pangopësinë tënde.

* Kur Sokrati u dënua me vdekje, e shoqja Ksanthipi shkoi dhe e takoi në burg, kur nisi të qajë. Sokrati për ta ngushëlluar i tha:
- Mos qaj Ksanthipi. Gjyqtarët që më kanë dënuar me vdekje, janë vetë të dënuar me vdekje nga natyra.
- Po, - i tha gruaja, - por të kanë dënuar padrejtësisht dhe kjo është që më bën të vuaj kaq shumë.
A do të ishit më i kënaqur, - i tha filozofi i madh, - po të më kishin dënuar për ndonjë faj?

* Në çastin kur Sokrati ishte duke pirë kupën e helmit Apollodori i afroi mantelin e tij për ta mbuluar mirë.
- O? Manteli im më ka mjaftuar për të jetuar dhe do të më mjaftojë edhe kur të kem vdekur - i tha Sokrati.
Xhemajl
Xhemajl

187


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sokrati Empty Re: Sokrati

Mesazh  Luli 15.02.12 21:30

Sokrati dhe metoda e tij dialektike

Sokrati me personalitetin e tij të vecantë dhe stilin e tij krejtësisht të ri do të përbëjë një stacion shumë të rëndësishëm në historinë e Filozofisë. Mendimi Sokratian është një nga nga fazat kryesore të filozofisë botërore.

Me filozofinë e Sokratit hapet një cikël i ri dhe mbyllet një tjetër. Për këtë asye filozofia greke ndahet në Presokratiane dhe Postsokratiane. Filozofia Presokratiane përbën një fazë ndërmjetëse që lejon kalimin nga mendimi mitik në atë racional, atë që quajmë filozofi.

Sokrati u përgjigj me përpikshmëri të madhe kërkesave të drejtimit njerëzor të cilin kishte marrë shkenca greke, duke zhvendosur qëndrën e interesimit të saj, nga njohuria e natyrës tek njeriu dhe aktivitetet brendësore të tij , ndërsa njëkohësisht humbte karakterin teorik të saj, duke marrë kryesisht rëndësi praktike. Me Sokratin kemi një fillim të ri të Filozofisë. Pra kemi të bëjmë më filozofin e parë, me kuptimin e sotëm të fjalës, me kuptimin e kërkuesit.

U lind në Athinë (469 – 399 para erës sonë), në një kohë ku kombi grek pasi kishte kaluar nëpërmes betejave të mëdha të brendshme dhe të jashtme, kishte humbur besimin tek traditat dhe kërkonte përgjigjje mbi pyetjet e jetës së përditshme, ndërsa dekadenca e qytetërimit të lashtë grek kishte filluar të dukej.

Revolucioni Filozofik i Sokratit lind si një nevojë ndërgjegjësimi etik, në momentin ku besimi fetar dhe zakonet e vjetra ishin tronditur dhe epoka e pranimit të padyshueshëm të sistemit kishte tashmë kaluar. Sokrati u mor me elementin i cili kishte rëndësi vendimtare për qytetërimin e periudhës së tij: etikën, politikën, dhë rëndësinë e madhe të dijes dhe shkencës.

Ishte kundër Sofistëve që kishin vendosur njeriun dhe ambicjet e tij personale në qëndrën e aktivitetit të tyre. Sokrati kërkonte Një të Vërtetë të vetme, drejtësinë dhe të vërtetën në vetvete, përtej opinioneve personale që cdonjeri mund të mbështesë.

Kështu, pavarësisht se merrej me të njëjtat probleme me Sofistët, ndërsa sofistët binin në një skepticizëm që i udhëheq në një aktivitet jorezultativ dhe akoma ofronin argumente për paligjshmërinë dhe anarkinë. Sokrati me një kriter të pastër dhe të shëndoshë gjen përsëri idetë e etikës dhe të besimit tek Arsyeja.

Dëshmitë që kemi na japin një imazh të saktë të personalitetit të tij. Sokrati shfaqet si një njeri i thjeshtë i popullit, i biri i statujbërësit Sofroniskut dhe mamisë Fenareti. Fillimisht u mor më gdhëndjen e skulpturave, duke ushtruar profesionin e të atit. Sokrati nuk ishtë shumë i shkolluar, nuk i përkiste asnjë shkolle filozofie, dhe as ishte mbështetës i ndonjërës.

Nuk kishte asnjë lloj lidhjeje me Shkollat e Mistereve të njohura të asaj periudhe. Sokrati ishte me të vërtetë një filozof i jetës së përditshme. Fliste në Pazar, duke mbledhur përreth tij ajkën e të rinjëve që e respektonin si mësues i virtytit. Konsideronte si misionin e tij ti përkushtohej tërësisht kërkimit të së Vërtetës dhe të edukojë vetveten e tij dhe bashkëqytetërët e tij drejt vetënjohjes dhe vetëkontrollit.. ‘’Njih Veteveten’’ e tij u bë emblema e mësimdhënies së tij.

Ashtu sikur na e paraqet Platoni tek ‘’Apologjia ‘’ e tij, se për Sokratin asnjë funksion tjetër nuk ishte më superior se sa ai që i ishte dhënë nga Perënditë, për këtë, u përpoq ta ekzekutonte më besnikërinë më të madhe.

Vlera e madhe e Filozofisë së Sokratit gjëndet tek sfera etike e jetës. Denjësia e individit, për Sokratin , gjëndet tek dija e tij. Dija (Shkenca) është themeli i të gjitha virtyteve dhe vetënjohja është mënyra e njohjes së të gjithave. Virtyti, për Sokratin, është dije, dhe më saktë është dituria e të mirës. Gabimi është mungesa e dijes.

Me metodën e tij dialektike vërtetoi se jeta etike, përpjekja e pandaluar e njeriut për përmirsimin e tij etik, dhe se pjesmarrja e tij tek gjithcka e mirë dhe e bukur është e vetmja mënyrë për të arritur dikush Fatmirësinë (evdemonia – demon/fat i mirë) e vazhdueshme.

Sokrati përputhi Fatmirësinë si një pasojë e nevjshme e virtytit. Njeriu mund të arrijë dijen që udhëheq tek Fatmirësia, vetëm me Filozofinë, domethënë me testimin e vazhdueshëm të vetvetes, të të tjerëve, ashtu si edhe të kushteve të jetës njerëzore. Nuk theksonte asnjë virtyt tjetër si atë të Vetëpërmbajtjes, duke e shprehur me vetë jetën e tij. Me të drejtë konsiderohet si themeluesi i Shkencës Etike.

Metoda e mësimdhënies së Sokratit bazohej tek dialogu, shkëmbimi i reflektimeve me qëllim për të gjetur rrugën drejt Arsyes, drejt së Vërtetës. Sokrati ishte i gatshëm të fillonte dialogun me cdonjeri që dëshironte të bisedonte me të.

Paraqitej si dikush që dëshironte të mësonte dhe me pyetjet e duhura merrte opinionin e bashkëbiseduesit të tij dhe në këtë mënyrë arrinte të zbulonte pikat e dobta të tij. Përfundimisht udhëhiqte bashkëbiseduesin e tij të ndërgjegjësohej mbi paditurinë e tij, hap ky që është fillimi i cdo dijeje, ‘’një gjë di që sdi asgjë’’.

Për Sokratin diferenca midis njeriut të ditur dhe atij injorant , ndodhet se i dituri njeh mangësinë e dijes së tij dhe dëshiron të mësojë, ndërsa ai injorant kujton se di dhe konsideron vetveten të aftë të japë opinionin e tij për gjithcka.

Në vazhdim udhëhiqte bashkëbiseduesin e tij, hap pas hapi, nëpërmes një sistemi zingjir pyetjesh-përgjigjjesh, që të mund të zbulojë atë që ndodhet brënda tij në një gjëndje latente. Dialogu kishte si qëllim të heqë mantelet e paditurisë, por ky ‘’pastrim mendor’’ nuk ishte i mundur pa një qëndrim modestie shpirtërore, për të braktisur dikush bindjet e tij të rreme përpara saktësisë të së vërtetës.

Këtë art të ‘’lindjes’’ së shpirtrave, Sokrati e quante obstetrikë, pasi nëpërmes kësaj dijeje, përgaditet esenca që njeriu fsheh brënda tij. Përgaditja me të cilën fillonte obstetrikën, ishte ironia.

Sokrati besonte se ekzistojnë situata ku dija, vetëm, nuk shtë e mjaftueshme për të na udhëhequr në vendimet e drejta. Në këto situate Sokrati degjonte ‘’demonin’’ që ndodhej brënda tij, një zë këshillues, që shumicën e rasteve e frenonte.

Pavarësisht se ai edukoi historianë, filozofë, politikanë, dhe konsideronte se pjesmarrja e tij në këto sektorë ishte shumë larg ambicjeve të tija shpirtërore, dhe një gjë e tillë do ti merrte shumë kohë nga vepra e tij. Kështu ai bëhet një udhëheqës i një aristokracie të shpirtit, dicka që i krijonte përplasje me demokratët që ishin në atë kohë në pushtet.

Rivaliteti personal në kombinim më shtrembërimin e mësimdhënies së tij e udhëhoqën në gjyq. Ligjshmëria e tij e rreptë e bëri që të përcmojë dhe të vazhdojë jetën e tij duke kaluar nga një vendim gjyqësor i padrejtë. Mësimdhënia e tij thonte se është më mirë të të bëhen padrejtësi se sa të bësh padrejtsi ti vetë.

Pavarësisht se kishte mundësinë për tu arratisur , zgjodhi vdekjen, duke pirë helmin. Kështu akrediton, si me jetën ashtu edhe me vdekjen e tij, mësimdhënien e tij etike, se përmbajtja e vërtetë e jetës konsiston në veprimin pozitiv, domethënë në kryerjen e pandalueshme të veprimeve te drejta. U dënua me vdekje por megjithatë kjo gjë ndihmoi jashtë mase në lavdinë e tij të madhe. Madhështia e Sokratit ndodhet se dhe jeta dhe mësimdhënia e tij ishin e njëjta gjë.

Pavarësisht se Sokrati nuk themeloi ndonjë shkollë, filozofia e tij u zhvillua nga nxënësit e tij drejt drejtimeve të ndryshme, dhe doktrina e tij etike ishte rrënja që ushqeu shume sisteme filozofike të rëndësishme të historisë së Filozofisë. Sokrati la shenjën e tij jo vetëm në filozofinë greke por edhe në të gjithë Filozofinë Perëndimore, pasi ishte ai që vuri bazën e Etikës dhe Dialektikës.

Të mos harrojmë se si Platoni, njëri nga nxënësit më të rëndësishëm të Sokratit, u influencua shumë nga mësuesi i tij, të cilin e kishte si model dhe e bëri të pavdekshëm nëpërmes veprave të tij, duke e vënë të fliste për një botë të tërë diturie.

/dituri.wordpress/
Luli
Luli

"Duhet bredhur shumë në errësirë derisa të preket drita"

861


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi