EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Parashikimi i së ardhmes në 50 vitet e ardhshme

2 posters

Shko poshtë

Parashikimi i së ardhmes në 50 vitet e ardhshme Empty Parashikimi i së ardhmes në 50 vitet e ardhshme

Mesazh  Zattoo 14.12.10 9:22

Parashikimi i së ardhmes në 50 vitet e ardhshme

Parashikimi i së ardhmes në 50 vitet e ardhshme 38085110

Ray Kurzweil parashikon evolucion rrënjësor të llojit njerëzor në 50 vitet e ardhshme. Shkrirja e njeriut me makinën, së bashku me shpërthimin e menjëhershëm në inteligjencën mekanike do të sjellin një botë jonjerëzore

Ç'është Singulariteti?


Singulariteti është një periudhë në të ardhmen kur ritmi i ndryshimeve teknologjike do të jetë aq i shpejtë dhe me ndikim aq të gjerë saqë ekzistenca njerëzore në këtë planet do të ndryshojë në mënyrë të pakthyeshme. Do ta kombinojmë fuqinë e trurit tonë - dijen, aftësitë dhe veçoritë e personalitetit tonë që na bëjnë njerëzor - me fuqinë e kompjuterëve për të menduar, për të arsyetuar, për të komunikuar dhe për të krijuar në mënyra që tani s'mundemi t'i përfytyrojmë.

Ky bashkim i njeriut me makinën, si dhe shpërthimi i menjëhershëm në inteligjencën e makinave dhe i novatorizmave në fushat e kërkimeve gjenetike dhe në nanoteknologji, do të sjellë një botë ku nuk ekziston asnjë dallim ndërmjet biologjikes dhe mekanikes, ose ndërmjet realiteteve fizike dhe virtuale. Këto revolucione teknologjike do të na e bëjnë të mundshme t'i kapërcejmë limitet e trupit tonë të brishtë.

Sëmundjet, ato që i njohim sot, do të çrrënjosen

Duke përdorur nanoteknologjinë do të jemi në gjendje të prodhojmë pothuajse me të dëshiruar çdo produkt; urisë dhe varfërisë në botë do t'u vijë fundi, edhe ndotja do të zhduket. Ekzistenca njerëzore do të pësojë përparim të madh në evolucionin e saj. Do të jemi në gjendje të jetojmë aq sa duam. Lindja e një bote të tillë është, në thelb, Singulariteti.

Si është e mundshme të jemi aq afër këtij ndryshimi të jashtëzakonshëm dhe të mos e shohim? Arsyeja është karakteri përshpejtues i ndryshimeve novatore teknologjike. Kur mendojnë për të ardhmen, pak njerëz e marrin parasysh faktin që progresi shkencor njerëzor është eksponencial. Ai zhvilohet duke u shumëzuar në mënyrë të përsëritur me një konstante të pandryshueshme (10 herë 10 herë 10 dhe kështu me radhë) dhe jo në mënyrë lineare (10 plus 10 plus 10 dhe kështu me radhë).

Stërgjyshërit tanë kanë jetuar në pritje se në të ardhmen e tyre gjërat do të jenë të ngjashme me përjetimet e tyre të kaluara, me disa përjashtime. Duke jetuar në një kohë kur ritmi i zbulimeve teknologjike ishte aq i ngadaltë saqë të mos vihej re, shpresat e tyre për një të ardhme ndryshe mbeteshin vazhdimisht të paplotësuara.

Sot ne jemi dëshmitarë të përshpejtimit të kurbës. Sot, ne parashikojmë përparim të vazhdueshëm teknologjik dhe pasojat e tyre shoqërore. Ne e shohim të ardhmen të ndryshme nga e sotmja. Por e ardhmja do të jetë më befasuese nga se do ta mendonin shumica e njerëzve, sepse janë të paktë ata vëzhgues që vërtet i kanë absorbuar rrjedhojat e faktit që edhe vetë shpejtësia e ndryshimeve po përshpejton.

Rritja eksponenciale fillon ngadalë dhe gati pa u vënë re, por kur e kalon gjurin e kurbës bëhet shpërthyese dhe thellësisht transformuese. Modelet tregojnë se jemi duke dyfishuar shpejtësinë e ndërrimeve paradigmatike për novacione teknologjike për çdo dhjetëvjeçar. Me fjalë të tjera, shekulli XX gradualisht ka shpejtuar deri në ritmin e tanishëm të progresit; prandaj arritjet e tij ishin baras me 20 vjet progresi me shpejtësi të vitit 2000.

Si do ta dimë që Singulariteti është afër?

Gjysmën e parë të shekullit XXI do ta karakterizojnë tre revolucione të ndërthurura - në gjenetikë, nanoteknologji dhe robotikë. Këto do të shpallin fillimin e kësaj epoke të ndryshimeve të jashtëzakonshme që quhet Singularitet. Tani jemi në fazat e hershme të revolucionit gjenetik. Duke i kuptuar proceset informacionale që janë në themel të jetës, ne po mësojmë të riprogramojmë biologjinë tonë për të realizuar eliminimin e sëmundjeve, zgjerimin dramatik të potencialit njerëzor dhe zgjatjen rrënjësore të jetës.

Megjithatë, Hans Moravec nga Instituti i Robotikës pranë Universitetit Carnegie Mellon, vë në dukje faktin se sado të suksesshëm të tregohemi në kurdisjen e biologjisë sonë të bazuar në ADN, biologjia kurrë nuk do të mundet të barazojë atë që do të arrijmë të ndërtojmë nëpërmjet inxhinierisë atëherë kur t'i kemi kuptuar në tërësi parimet e funksionimit të jetës. Me të tjera fjalë, gjithmonë do të mbesim "robotë të klasës së dytë".

Revolucioni nanoteknologjik do të na japë fuqi të rimodelojmë dhe të rindërtojmë - molekulë pas molekule - trupat dhe trutë tanë dhe botën me të cilën ndërveprojmë, duke shkuar kështu përtej kufizimeve të biologjisë.

Por revolucioni më i fuqishëm në të ardhmen e afërme është revolucioni robotik. Termi "robotik" nuk u referohet vetëm robotëve me pamje humanoide që zënë një hapësirë fizike, por më shumë inteligjencës artificiale me të gjitha variacionet e saj.

Revolucioni gjenetik

Shkencat gjenetike dhe molekulare do ta zgjerojnë fushën e biologjisë dhe do t'i korrektojnë të metat e saj të qarta (si prekshmëria jonë nga sëmundjet). Deri në vitin 2020 efektet e plota të revolucionit gjenetik do të ndihen në tërë shoqërinë. Me shpejtësi të madhe jemi duke fituar njohuritë dhe instrumentet për të zgjatur vrullshëm përdorshmërinë e "shtëpisë" sonë: trupit dhe trurit tonë.

Kërkuesi në lëmin e nanomjekësisë, Robert Freitas, llogarit se me eliminimin e 50% të problemeve të parandalueshme mjekësore jeta njerëzore do të zgjatej për 150 vjet. Nëse do të arrinim të parandalonim 90% të problemeve mjekësore të natyrshme, do të jetonim më shumë se 1000 vjet. Fillimet e këtij revolucioni mbresëlënës mund t'i shohim sot. Fusha e bioteknologjisë gjenetike po pasurohet me gjithnjë e më shumë instrumente.

Në të kaluarën zbulimi i ilaçeve ishte çështje e gjetjes së substancave (kimikateve) që prodhojnë rezultate të dobishme pa efekte të tepruara anësore, metodë kërkimi kjo e ngjashme me orvatjet e njerëzve të hershëm për të gjetur gurë dhe vegla të tjera natyrore që do të përdoreshin për qëllime të dobishme. Sot po zbulojmë rrugët e sakta biokimike që janë në bazë të sëmundjeve dhe procesit të plakjes. Tani kemi aftësi të bëjmë ilaçe që do të kryenin misione të sakta në nivel molekular.

Me teknologjitë gjenetike të zbuluara kohët e fundit jemi buzë aftësisë për të zbukuar mënyrën se si gjenet shprehin vetveten. Shprehja e gjeneve është procesi nëpërmjet të cilit komponentët qelizorë (ARN-ja dhe ribozomet) prodhojnë proteina sipas një plani të saktë gjenetik. Shprehja e gjeneve është e drejtuar nga peptidet (molekula që përmbajnë deri në 100 aminoacide) dhe fijet e shkurtra të ARN-së.

Tani kemi filluar të mësojmë si funksionojnë këto procese. Shumë terapi të reja që janë në zhvillim e sipër dhe në fazën e provave bazohen në manipulimin e peptideve për të bllokuar shprehjen e gjeneve që shkaktojnë sëmundje ose për të aktivizuar gjene të dëshirueshme që përndryshe janë të pashprehura në një tip qelizash.

Një teknikë e re e quajtur interferenca e ARN-së është në gjendje të shkatërrojë ARN-në mesenxher që shpreh një gjen duke e çaktivizuar me efektshmëri atë. Përparimi i përshpejtuar në bioteknologji do të na japë fuqi të riprogramojmë gjenet tona dhe proceset metabolike, dhe do të shtyjë përpara fushat e gjenomikës (të ndikuarit mbi gjene), të proteomikës (të kuptuarit dhe të ndikuarit në rolin e proteinave), të terapisë së gjeneve (ndrydhja e shprehjes së gjeneve, si dhe shtimi i informacionit të ri gjenetik), të prodhimit racional të barnave (shpikja e ilaçeve që për objektiv kanë ndryshimet e caktuara në proceset e sëmundjes ose plakjes), si dhe klonimin terapeutik të qelizave, indeve dhe organeve të ripërtërira.

Revolucioni robotik

Prej tre revolucioneve teknologjike (gjenetik, nanomekanik dhe robotik) që përbëjnë Singularitetin, me ndikim më të thellë është ai robotik ose, siç quhet zakonisht, revolucioni i inteligjencës artificiale të fortë. Kjo i referohet krijimit të aftësisë së të menduarit kompjuterik që i kalon aftësitë e të menduarit të njeriut.

Tani jemi shumë afër ditës kur njerëzit plotësisht biologjik (si i njohim ne sot) nuk do të jenë më inteligjenca mbizotëruese në planet.

Nga fundi i këtij shekulli inteligjenca kompjuterike ose mekanike do të jetë triliona herë më e fuqishme se inteligjenca e papërforcuar biologjike e njeriut. Inteligjenca kompjuterike, ose siç quhet ndryshe inteligjenca jobiologjike, duhet të konsiderohet si njerëzore meqenëse ajo rrjedh plotësisht nga qytetërimi njerëzor-mekanik dhe do të bazohet, së paku pjesërisht, në versionin e prodhuar nga njeriu të një truri funksional njerëzor.

Bashkimi i këtyre dy botëve të inteligjencës nuk është vetëm shkrirje e mediumeve biologjike dhe mekanike të të menduarit, por çka është më kryesorja, shkrirje e metodave dhe organizimeve të të menduarit që do t'i forcojnë mendjet tona gati në çdo mënyrë të mundshme.

Të menduarit njerëzor biologjik është i kufizuar në 1016 (10 në fuqinë e 16-të) kalkulime në sekondë (cps-calculation per second) për një tru njerëzor (bazuar në modelimin neuromorfik të zonave të trurit) dhe në rreth 1026 cps për të gjithë trutë njerëzorë. Këto figura nuk do të pësojnë ndryshim të ndjeshëm edhe me përshtatjet bioinxhinierike të gjenomit tonë.

Në anën tjetër, fuqia procesuese e inteligjencës jobiologjike ose e AI-së së fortë (strong artificial intelligence) po rritet me shpejtësi eksponenciale (pra, vetë shpejtësia po rritet) gjë që dëshmon se ajo do ta kalojë ndjeshëm inteligjencën biologjike nga mesi i viteve '40 të këtij shekulli.

Inteligjenca artificiale do t'ia kalojë domosdo inteligjencës njerëzore për disa arsye.

Së pari, makinat mund t'i ndajnë informacionet me njëra-tjetrën dhe të komunikojnë mes tyre me efektshmëri shumë më të madhe se njerëzit. Si njerëz ne nuk kemi mjete për të këmbyer modelet e panumërta të lidhjeve ndërmjet neuroneve dhe nivelet e përqendrimit të neurotransmetuesve që përbëjnë të mësuarit, dijet dhe shkathtësitë tona të tjera, përveçse nëpërmjet komunikimit të bazuar në të folur.

Së dyti, shkathtësitë intelektuale të njerëzimit janë zhvilluar në përshtatje me shtysat e evolucionit në ambientet natyrore. Ato shkathtësi, që janë para së gjithash të bazuara në aftësitë tona për të njohur dhe për të nxjerrë kuptime nga trajtat dhe rregullsitë që i kapim nëpërmjet shqisave, na mundësojnë të jemi shumë të aftë në disa detyra si p.sh. për të dalluar fytyrat, për të identifikuar objekte dhe për të njohur tingujt gjatë të folurit.

Për fat të keq, truri ynë nuk është aq i përshtatshëm kur kemi të bëjmë me rregullsi më të ndërlikuara, si ato që ekzistojnë në të dhënat financiare, shkencore ose të produkteve. Zbatimi i teknikave të bazuara në kompjuter do të na japë liri të zotërojmë plotësisht modelet e identifikimit të rregullsive (pattern recognition).

Dhe në fund, ndërsa dija njerëzore të shpërngulet në internet, makinat do të tregojnë gjithnjë e më shumë mjeshtëri në leximin, të kuptuarit dhe në sintetizimin e informacionit njerëzor-mekanik.
Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Parashikimi i së ardhmes në 50 vitet e ardhshme Empty Re: Parashikimi i së ardhmes në 50 vitet e ardhshme

Mesazh  Idlir 17.12.10 14:36

Fantastike. Pjesa qe arrij te kuptoj se eshte e mire, ne fakt fantastike, eshte manipulimi apo alkimia gjenetike, qe shfaros semundjet, te cilat sipas meje jane nje turp i madh per jeten, nje shemti e perversion qe sjell dhimbje te te gjitha natyrave.
Idlir
Idlir

71


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi