EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Një lloj i ri profeti

Shko poshtë

Një lloj i ri profeti Empty Një lloj i ri profeti

Mesazh  Zattoo 06.11.10 19:38

Një lloj i ri profeti

Quhet Bruce Bueno de Mesquita dhe falë një modeli matematikor të bazuar në teorinë e lojës nuk gabon asnjëherë, asnjë parashikim. Për paqe e për luftë

Për të nuk kishte fare dyshime. Analiza e tij jepte vetëm një rezultat pas bombave të vendosura në metronë e Madridit: Nuk do të kishte atentate në Amerikë dhe Al Zavahiri, mjeku egjiptian që vjen menjëherë pas Osama bin Ladenit, nuk do të dëgjohej më për muaj të tërë, por do të shfaqej menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2004 dhe para Krishtlindjeve.

Kështu ndodhi. The Predictioneer, profeti, kish goditur në shenjë. The Predictioneer ka një emër, një mbiemër dhe një profesion: Bruce Bueno de Mesquita, 63 vjeç, profesor i shkencave politike në Universitetin e Nju Jorkut, pjesëtar i Hoover Institution të Universitetit të Stanfordit.

Prej 30 vitesh, Bueno de Mesquita punon me parashikimet politike duke përdorur një model matematikor të nxjerrë nga teoria e lojës, një formë disi ezoterike për të parashikuar sjelljet njerëzore dhe që bazohet në interesin personal të individit në bërjen e zgjedhjeve që i konsideron si më të mira për vetveten.

Profesori i lindur në Amerikë nga prindër belgë dhe holandez, ka marrë kërkesa për parashikim të ngjarjeve politike nga Departamenti i Shtetit, nga Pentagoni, nga CIA. Jashtë SHBA, nga Bashkimi Evropian, si dhe nga agjenci private.

CIA, në një dokument të deklasifikuar kohët e fundit, ka pranuar një saktësi 90 për qind në parashikimet e bërë përmes modelit të tij matematikor që e ka origjinën tek studimet e Fituesit të çmimit “Nobel” John Nash, matematicieni për të cilin flet filmi “The Beautiful Mind”. Profesori ka botuar historinë e tij tek “The Predictioneer’s Game”. E takuam në zyrën e tij në Universitetin e Nju Jorkut.

Profesor, ju e quani veten më shumë një shkencëtar i politikës apo matematicien?

Shkencëtar i politikës.

Përse? Në fund të fundit ju punoni me numra dhe këta janë korniza pa të cilën ju nuk do të mund të bënit parashikime...

Unë përdor matematikën sepse gjuha e saj funksionon më mirë kur përpiqem që të parashikoj sjelljet njerëzore. Matematika është më pak e paqartë.

Kur dhe përse nisët të mendoni që teoria e lojës mund të jetë instrumenti më i mirë për të parashikuar sjelljet politike?

Ishte viti 1967, sapo kisha nisur Doktoraturën në Universitetin e Miçiganit dhe rastisi të lexoj “Teorinë e Koalicioneve Politikë”, një ndër të parët libra ku analiza politika bazohej në teorinë e lojës dhe zbulova se të paktën tre rezultate ishin të gabuara të paktën nga pikëpamja e logjikës matematike. Arrita ta vërtetoj dhe nga ai moment fillova të punojë për ndërtimin e një modeli matematikor që mund të më siguronte parashikime më të saktë. Zbatimi i parë erdhi me tezën e doktoraturës mbi strategjitë e partive opozitare në Indi.

Në libër ju rrëfeni se pikërisht një parashikim i saktë i politikës indiane ngjalli vëmendje ndaj punës tuaj. Si ndodhi?


Ishte 1972, mora një telefonatë nga Departamenti i Shtetit. Më kërkuan të formuloj një opinion mbi krizën e qeverisë që kish paralizuar ekzekutivin në Indi dhe më shpjeguan se kishin ardhur tek unë sepse kishin lexuar tezën e doktoraturës.

Isha i kënaqur sepse kjo detyrë më krijonte shansin për të provuar disa modifikime që i kisha bërë programit që përdorja. Futa në model kandidatët e mundshëm, forcat politike dhe gjithë të dhënat e tjera të nevojshme. Emri që doli si kandidati më i mundshëm për tu bërë Kryeministër nuk ishte ai që mendoja duke arsyetuar në mënyrën klasike.

Parashikimi im thoshte edhe që ajo qeveri do të ishte jetëshkurtër. Natyrisht, lashë mënjanë parashikimet personale dhe shkrova një raport që reflektonte panoramën e modelit matematik.

Si u prit profecia juaj në Departamentin e Shtetit?


Kur lexuan rezultatin më pyetën se si kisha mbërritur tek ai emër. U shpjegova se kisha përdorur një model të nxjerrë nga teoria e lojës dhe një kompjuter. Filluan të qeshin dhe më thanë që të mos flisja më për një gjë të tillë, kjo në të mirë të karrierës sime.

Shtuan që parashikimet e tjerë kishin qenë krejt të ndryshëm. Por vetëm pak javë më vonë, politikani që u kisha folur u zgjodh Kryeministër dhe pas pak muajsh Indira Gandhi rrëzoi qeverinë.

Dhe ju u bëtë profeti. Më tregoni parashikimin më të gabuar të jetës suaj dhe rastin për të cilin jeni krenar?

Fillojmë me një gabim. Në vitin 1993, Bill Klinton president bëri një parashikim sipas të cilit reforma shëndetësore do të miratohej me shpejtësi.

Gabim 100 për qind sepse skenari parashikonte që një deputet demokrat, Dan Rostenkoëski ishte deus ex machina i rrugës legjislative. U fut në mes FBI-ja si dhe një hetim që çoi fillimisht drejt dorëheqjes dhe më pas në burg politikanin. Reforma në shëndetësi mbeti vetëm një dëshirë e Presidentit.

Dhe cili është parashikimi që ju ka dhënë më shumë kënaqësi?


Ai që mban emrin “Tryeza për paqen” dhe që janë këta që shihni në tryezën e punës, me letra të mbushura me numra të shkruar me dorë. Kështu mori formë parashikimi që u botua në 1980 dhe sipas të cilit do të krijohej në Palestinë një autoritet qeverisës gjysmëautonom. Dhe më pas ndodhi, dhe e gjithë kjo është e shkruar në një studim të publikuar shumë vite më herët, ndërkohë që gjithë të tjerët mendonin të kundërtën.

Puna juaj ka qenë në shënjestër të kritikave edhe të ashpra nga ana e komunitetit të shkencëtarëve dhe politikës.

Ka dy lloje kritikash ndaj punës sime, ato inteligjente dhe ato ideologjike. Të parat vijnë nga ata që nuk e kontestojnë teorinë e lojës dhe përdorimin e saj në parashikimin e sjelljeve politike dhe vë në diskutim rezultatin dhe mënyrën me anë të së cilës, mbërrihet tek një parashikim.

Të tjerat mohojnë parimisht që matematike dhe statistika mund të jenë instrumente të shkencave politike. Këtyre unë u përgjigjem me listën e punëve që kam publikuar, si dhe përmbajtjen e parashikimeve duke ua vënë këto përballë ngjarjeve si këto kanë ndodhur realisht.

Çfarë ka ndryshuar në shkencën politike me futjen e teorisë së lojës dhe modelet matematikorë që u besohen analizave të kompjuterëve?

Në fillim ishin kombet dhe përreth tyre lindte analiza e shkencës politike: India, Amerika, Italia ishin në vetvete shpjegime të sjelljeve politike, mbi të gjitha në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Me modelet matematikorë analiza ka ndezur sjelljet në lidhje me interesin personal në një zgjedhje politike. Dhe e njëjta gjë ndodh nëse kalon në fushën e sigurisë kombëtare apo biznesit.

Pika e kthesës në punën tuaj ishte parashikimi i saktë për krizën në Indi?

Pa dyshim. U thirra në Pentagon, i cili financoi një studim dhe fillova të marrë kërkesa për parashikime.

Na tregoni më interesantët.

Janë disa që nuk janë publikuar dhe që i kam bërë për llogari të qeverisë së SHBA. Për shembull, çfarë duhet bërë për të mbajtur Tajvanin brenda Bankës Aziatike për Zhvillim kur edhe Kina na kërkonte të hiqeshim mënjanë. Apo ai për një qeveri mike të SHBA, presidenti i të cilës rrezikonte të ishte viktimë e një grushti shteti dhe të vritej. Paraqita parashikimin tim dhe kjo ndihmoi për të shpëtuar politikanin.

Ku ndodhi dhe kush e kërkoi parashikimin?

Nuk mund ta them, të gjithë detajet e studimit janë të klasifikuar. Ma kërkoi CIA. Edhe në raste të tjerë kam parashikuar mundësinë për grusht shteti që më pas janë parandaluar. Ashtu sikurse kam dhënë ndihmën për të hartuar llojin e marrëveshjes që u firmos në 1991 në Kamboxhia mes Hun Sen, Pol Pot dhe OKB, e cila i çoi Khmerët e kuq që të dorëzonin armët dhe drejt zgjedhjeve të reja.

Edhe kjo u kërkua nga CIA?

Jo, nga Departamenti i Shtetit. Por ka studime të tjera për të cilët nuk flas dot sepse janë ende sekretë.

Sa për qind e punës suaj kërkohet nga CIA, nga Pentagoni apo nga Departamenti i Shtetit?

Pak, shumë pak. Puna ime ka të bëjë me mësimdhënien dhe më pëlqen shumë ta bëj, si dhe të shkruaj artikuj të mërzitshëm në revista të specializuara. Ndonjëherë ndodh që të argëtohem me një libër. Nëse më duhet të bëj një llogaritje, i kushtoj një orë në javë shoqërisë së konsulencës ku jam ortak. Jo më shumë.

Ju punoni ende për CIA-n?


Në dy vitet e fundit nuk e kam bërë sepse jam në komitetin e Akademisë Kombëtare të Shkencave që ka detyrën të përcaktojë në mënyrë rigoroze raportin mes komunitetit shkencor dhe atij të shërbimeve të fshehtë. Dua të shmang çdo lloj konflikti interesi deri kur kjo punë të ketë përfunduar.

Ju ka ndodhur ndonjëherë të merrni ndonjë detyrë apo porosi nga një qeveri apo kompani e huaj dhe më pas të keni marrë urdhër apo këshillë nga qeveria e SHBA që të hiqni dorë?


Unë refuzoj çdo gjë që më duket se bie ndesh me interesin dhe sigurinë e vendit tim. Sigurisht, ndonjëherë ka ndodhur ndonjë gjë e çuditshme.

Disa vite më parë, një amerikan më kërkoi nëse mund të bëja një studim mbi mënyrën e ndryshimit të Kushtetutës së Afganistanit për tu dhënë më shumë fuqi zotërinjve të luftës dhe këshillit të tribuve.

Unë kërkova të më sillte një letër të Sekretarit të Shtetit, apo Mbrojtjes, ose kreut të CIA-s për të ditur që ishte në një linjë me përpjekjet e SHBA në atë vend. Ai premtoi që do të rikthehej, por nuk e pashë më. E njëjta gjë ndodhi me një shkencëtar të njohur, drejtor i një laboratori të rëndësishëm të fizikës, i cili më kërkoi të studioja në çfarë mënyre ta bëja publik zbulimin e tij se jashtëtokësorët vizitojnë rregullisht Tokën.

Ju kanë kërkuar ndonjëherë analiza elektorale?

Nuk merrem me këtë temë sepse nuk dua të ndërhyj në formimin e bindjeve demokratike.

Profesor de Mesquita, modeli matematik që përdorni njihet vetëm prej jush?

Absolutisht jo, është praktikisht i hapur për publikun. Dhe kompjuteri që përdor është laptopi që shihni mbi tryezën time të punës.

Antonio Carlucci
Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi