EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Toleranca dhe transcendenca

Shko poshtë

Toleranca dhe transcendenca Empty Toleranca dhe transcendenca

Mesazh  Neo 24.09.09 23:53

Toleranca dhe transcendenca

Ka shumë rrugë që të çojnë te Zoti.

Këtë shqiptarët e dinë më mirë se shumë popuj tjerë.

Me tolerancën e tyre legjendare mund të japin një shembull të mirëkuptimit dhe pasurimit të ndërsjelltë, në një botë së cilës i është ngjitur epiteti "Lufta e kulturave".

Hapi përfundimtar, megjithatë, nuk është toleranca, por transcendenca. Dallimi mes tyre është i njëjtë si ai mes "ndërkombëtar" ose "internacional" dhe "tejkombëtar" ose "transnacional". Në konceptin ndërkombëtar kapërcehen kufijtë ndarëse mes kombeve. Në konceptin tejkombëtar, ata zhduken. Në konceptin ndërkombëtar, baza është kombi. Në konceptin tejkombëtar, baza është vetë njeriu.

Në konceptin e tolerancës, në qendër është feja. Në konceptin e transcendencës, në qendër është vetë Zoti.

Mund ta përdor imazhin e rrotës, me anë të të cilit ia kam shpjeguar një miku gjerman gazetar konceptin e paganizmit, në një mëngjes në Frankfurt me djathë dhe proshutë të mirë. Në të vërtetë, monoteizmi dhe politeizmi nuk janë koncepte aq rigoroze sa mund të duket në shikim të parë ose për disa dogmatikë.

Sepse edhe në monoteizmat më në mëdha, "energjia e adhurimit religjioz" u drejtohet figurave të shenjta përveç Zotit, qofshin Hyseni dhe Aliu, qoftë Shën Maria. Dhe, siç del nga disa shkrime antike dhe siç e di mirë lëvizja neopagane, hyjtë dhe hyjneshat nuk janë asgjë përveç konkretizimeve të një fuqie ose energjie (ose qenieje, nëse është e personalizuar) të njëjtë.

Kjo është qendra e të gjitha feve, një burim i papërshkrueshëm, diçka jashtë të gjitha fjalëve, sepse nuk kapet dot nga mendja e kufizuar e njeriut. Ajo kupton vetëm format që janë më afër realitetit njerëzor. Por ky realitet është i shumëfishtë, i larmishëm sa dukuritë që e përbëjnë, dhe prandaj edhe pikëtakimet e njeriut me të Shenjtën janë të shumëfishta.

Ndryshojnë sipas kohërave dhe kulturave dhe nga njeriu në njeri. Edhe energjia e së Shenjtës mund të përjetohet në mënyrë të ndryshme dhe mund të shkaktojë reagime dhe pasoja të ndryshme. Pra këto aspekte janë sikur spilcat e rrotës, që u takojnë vendeve të ndryshme në qarkun e madh të përvojës njerëzore, ndërsa në qendër gjithçka është njësh, dhe qarku shkrihet në një pikë të vetme.

Spilcat e rrotës, në shembullin e politeizmit, janë hyjtë dhe hyjneshat e ndryshme, fytyra a faseta të ndryshme të një të vetmit realitet hyjnor. Në shembullin e tolerancës dhe transcendencës, spilcat janë fetë, format e ndryshme tradicionale të adhurimit të Zotit (dhe këtë fjalë e përdor për shkak të konvencionit, përndryshe nuk ka asnjë implikim gjinor), për njerëzit në jetën e tyre të përditshme, që gjenden në vijën e jashtme rrethore.

Për mistikët e të gjitha kohërave, që kanë qenë në kërkim të një përjetimi personal të Zotit, të një afrimi të sferës njerëzore me atë hyjnore, feja nuk eshtë një formë statike, por një rrugë dinamike. Është pikërisht rruga nga periferia në qendër. Atyre mistikëve, spilcat, si udhërrëfyes të sprovuar nga tradita kolektive mistike të feve të ndryshme, ua tregojnë rrugën nga qarku i dukurive të larmishme deri në pikën e bashkimit me Zotin, të njësisë së Zotit.

Këto rrugë janë të ndryshme si rrugë. Ajo që ka bërë që janë të ndryshme është pikënisja e ndryshme. Mirëpo, qëllimi është i njëjtë: "Ai i pafjalë" (siç shkruaj në poezinë time "Rrafshi i tetë").

Në këtë kuptim, toleranca është respekti i ndërsjelltë mes zonave të ndryshme në rrotë ose mes spilcave. Ndërsa transcendenca është kapërcimi i këtyre dallimeve për të arritur drejt në qendër, ku ndodhet Zoti i zhveshur nga të gjitha atributet të cilat ia ka dhënë mendja njerëzore.

Po ashtu është një botëkuptim gjithëpërfshirës, që nuk e sheh vetëm spilcën e vet duke e ngatërruar me gjithë botën, por që e sheh gjithë rrotën. Atëherë kupton që të gjitha fetë janë vetëm mënyrat e ndryshme të komunikimit dhe takimit të sferës njerëzore dhe asaj hyjnore, dhe që kryesorja është qendra, dhe në qendër ndodhet një Dritë e Madhe. Dhe secila spilcë ka vlerën e vet, nëse ia afron njeriun Zotit dhe nëse, siç thotë Carlos Castaneda, është një rrugë me zemër.

Silke Liria Blumbach
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi