EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Foo Fighters - Të mistershmit

Shko poshtë

Foo Fighters - Të mistershmit Empty Foo Fighters - Të mistershmit

Mesazh  Jon 30.08.09 23:36

Foo Fighters - Të mistershmit


Foo Fighters - Të mistershmit B0d7-i10

Foo-Fighters është emri i një grupi amerikan rroku që drejtohet nga ish-pjesëtari i Nirvana-ve, Dave Grohl; por veç kësaj, është edhe emri i një termi aeronautik që u bë i njohur në vitet dyzetë të shekullit që kaloi, por që në gjuhën angleze nuk ka shumë kuptim.

"Gjuajtësit Foo", po çfarë do të thotë? Ndoshta një variacion i fjalës frënge Fou, i çmendur? Ndoshta një derivim prej Fire, që do të thotë zjarr, duke parë që edhe një libërth humoristik i vitit 1938 e ka nxjerrë këtë neologjizëm? Apo e ka burimin nga nofka që amerikanët u kishin vënë pilotëve japonezë gjatë Luftës së Dytë Botërore?

Japonezët thirreshin Foo sepse kështu shkruhej në anglisht Kung-Fu (Koong-Foo). Pra, avionët gjuajtës që bëjnë kung fu... E lezetshme, qoftë edhe sepse pilotët japonezë ishin vërtetë shumë të aftë dhe të shpejtë në manovrime.

Cilado qoftë origjina e emrit, gjatë Luftës së Dytë Botërore ky term bënte t'u ngriheshin qimet përpjetë jo pak aviatorëve dhe pas afro shtatëdhjetë vjetësh shumëkush beson se Foo Fighters ishin në realitet UFO.

Alienë, fenomene natyrorë? Ne nuk e dimë dhe përtej gjithë asaj që është thënë, mundemi vetëm të pohojmë që po, ekziston diçka dhe po, ndoshta shfaq një lloj sjelljeje inteligjente, por asgjë më konkrete. Le të themi që është shumë e mundshme dhe logjike që ato objekte fluturuese të paidentifikuara janë anije kozmike jashtëtokësore apo të dimensioneve të tjerë, duke patur parasysh që në thelb ky shpjegim është i vetmi i mundshëm.

Por në vitin 1943, kur nisën të shfaqen sfera të shndritshme në qiejt e luftës në Evropë dhe Paqësor, mendohej për armë të fshehta të armikut. Sot, shumë ufologë, me sy mbyllur i lidhin këto fenomene me atë të UFO-ve, e megjithatë ekzistojnë dallime thelbësore.

E enjte, 14 tetor 1943. Në qiejt mbi Schweinfurth, në Gjermani, ekuipazhi amerikan i Boing B-17, Fortesa Fluturuese, shkoi drejt një kasapane. Avionët gjuajtës gjermanë, Bf-109 dhe FW-190 bënin kërdinë në bombardues, ndërkohë që gjuajtësit amerikanë i afroheshin objektivit të tyre, një fabrike kuzhinetash me sfera.

Në fund të misionit do të ishin plot 77 avionë B-17 të shkatërruar dhe më shumë se 500 aviatorë amerikanë të vdekur në luftime, në atë që më vonë do të mbahej mend si "E enjtja e Zezë".

Ndërsa pilotët që u shpëtuan plumbave të gjuajtësve gjermanë u bënë dëshmitarë të një ngjarjeje të pabesueshme. Në një distancë të shkurtër nga objektivi, nga lart binin mbi formacionin e bombarduesve një breshëri sferash metalike, disqe me diametër nga 3 në 7 centimetra. Ishin dhjetëra të tilla që fluturonin në formacion kompakt.

Formacioni u gjend kaq pranë sferave, saqë ndonjëri prej pilotëve nuk arriti të shmangte përplasjen. Dhe ja befasia: krahët, hunda dhe timoni nuk pësonin dëme nga përplasja!

Vetëm një zhurmë metalike pas të cilës nuk ndodhte asnjë shpërthim... gjëja më shqetësuese ishte se bashkë me grupin e sferave pilotët shihnin edhe disqe fluturues, që luhateshin në ajër me të njëjtën shpejtësi e që dukej se ndiqnin pas sferat.

Në kthim, rrëfimet e betejës u ngatërruan me ato për këto shfaqje të çuditshme. Por në ditarët personalë, pilotët kujtonin atë që panë, siç rrëfen edhe Martin Caidin në librin e tij "Qielli është një ferr", botuar në vitin 1969.

Por shfaqja e çuditshme në Schweinfurth është po aq e qartë se edhe trazuese. Bëhej fjalë për rastin e Foo Fighters-ave, mu në mes të ditës. Në dukje sfera drite me diametër që varionte nga disa centimetra në një metër, të vetmuara ose në grup, më shumë natën, por që ashtu si në këtë rast shfaqeshin edhe ditën me diell: por, siç e pamë, në këto raste ato konsistonin në sfera metalike opake.

U panë gjatë gjithë luftës, pra nga viti 1939 deri në vitin 1945, por fenomeni u intensifikua duke filluar që nga viti 1944. Protagonistët që i panë ishin pilotë të të gjithë palëve, sa nga aleatët aq edhe nga Boshti: secili prej tyre mendonte se bëhej fjalë për armë të fshehta të kundërshtarit, ndërkohë që me përfundimin e luftës u mor vesh se asnjë prej forcave në luftë nuk kishte në dispozicion armë dhe teknologji të tilla.

Shpejtësia e trye ishte e ndryshme, ndonjëherë e njëjtë me atë të avionëve që ndiqnin ose pranë të cilëve fluturonin, herë të tjera më e lartë. Shpesh herë ndiqte shpejtësinë relativisht të ulët të bombarduesve të mëdhenj anglezë dhe amerikanë; herë të tjera, Foo Fighters tregonin se mund të kishin shpejtësi të mëdha, identike me ato të avionëve gjuajtës.

Një pilot i një P-51 pohoi se kishte kryer një pikiatë me shpejtësi 360 milje në orë dhe se gjatë të gjithë zbritjes kishte patur një sferë ngjyrë të kuqe në krahun e majtë. Në momentin kur avioni do të ngjitej pas pikiatës, sfera u largua dhe vazhdoi në rrugë të vet!

Një tjetër e vërtetë është se Foo Fighters janë parë si nga pilotët në fluturim, ashtu edhe nga marinarët dhe ushtarët në det dhe në tokë. Në shumë raste janë vënë re tek ndiqnin kamionë, apo tanke. Shpjegimet shkencore nuk vonuan të dalin në sipërfaqe dhe janë interesantë, ndonëse edhe sot e kësaj dite nuk kanë arritur që ta sqarojnë misterin.

Nëse sot, kur flasin për UFO-t, studiuesit që merren me këtë fenomen nuk janë në gjendje as të pohojnë me siguri ekzistencën, ndryshon puna me rastin e Foo Fighters. Këtu kemi dhjetëra, qindra, mijëra dëshmi të personave që janë ekspertë dhe të stërvitur për të njohur avionët armiq që kanë analizuar me saktësi çdo aspekt të këtyre objekteve fluturues.

Frika ishte se mos nazistët, ose sovjetikët, apo anglezët më shumë se sa japonezët apo të përhershmit Yankee kishin zhvilluar armë teknologjikisht moderne në gjendje të fitonin luftën. Në fakt, konflikti i dytë botëror pa një zhvillim të jashtëzakonshëm të progresit teknik.

Lufta nisi në Poloni në vitin 1939 me biplanë dhe përfundoi në 1945 me avionë-raketë, reaktivë, predha balistike dhe bomba atomike...

Sigurisht, askush nuk harron se avioni i parë reaktiv, l'Heinkel He-178 fluturoi për herë të parë në vitin 1938; apo që bomba bërthamore ishte hedhur në letër teorikisht nga fizikanë me famë si Fermi, Oppenheimer, Teller... E megjithatë armët inovative që u vunë në shërbim, veçanërisht prej gjermanëve, goditën më shumë armiqtë e tyre.

Një shembull është avioni Me-163 Komet, me një konceptim shumë modern që vihej në punë nga një raketë me ndezje kimike shumë e paqëndrueshme, e rrezikshme për vetë pilotët që e komandonin: e megjithatë, performanca ishte fantastike, Komet arrinte shpejtësi 1000 km në orë dhe ngjitej deri në lartësinë dhjetë mijë metra brenda tre minutave.

Mëkat që kishte vetëm 10 minuta autonomi dhe që kur i mbaronte karburanti, avioni duhej të ulej drejt tokës si një avion pa motor.

Kur bëri debutimin e tij në vitin 1944, për pilotët amerikanë ishte një tronditje dhe paniku u përhap shumë shpejt mes bombarduesve. Por kur u analizuan fotografitë, kur u vunë përballë dëshmitë e pilotëve, u mësua se si duhej t'i kundërviheshin dhe disa ditë pas debutimit, i pari avion Komet që doli në luftim u rrëzua prej goditjes së tre avionëve gjuajtës amerikanë.

Dhe këtu është ideja: Komet ishte sigurisht një projekt fantashkence për epokën, që inxhinierët e Messerschmitt ishin në gjendje ta hidhnin në teatrin e luftës. Ndërsa Foo Fighters mbeteshin një mister i papenetrueshëm dhe kjo i bënte të dridheshin pilotët.

Ndër hipotezat e para pseudoshkencore në lidhje me Foo ishte teoria e një koloneli të USAAF amerikane, sipas të cilit dritat misterioze ishin shkarkime pikërisht të Komet, të lëshuara gjatë natës.

Por sot dihet shumë mirë se Me-163 nuk ishte absolutisht një avion gjuajtës që fluturonte natën: nuk kishte radar dhe vetë instrumentet ishin të thjeshtë. As nuk bëhej fjalë që një pilot të mund të ulte nga dhjetë mijë metra në mes të natës një avion të tillë.

Këto mendime nuk u dëgjuan gjatë luftës dhe të paktën në radhët e aleatëve po projektohej si Foo Fighters çdo lloj arme e re gjermane, që nga gjuajtësit reaktivë Me-262, tek raketat me telekomandë V-1 e deri tek ato balistike V-2, duke kaluar në një seri projektesh inovativë që u vunë në shërbim në një sasi të kufizuar.

Ndoshta e vetmja tezë që mund të mbështesë këtë ide mund të ketë lidhje me çështjen e disqeve fluturues nazistë, me emrin Haunebu, që u bënë të njohur në internet falë një serie rindërtimesh, pjellë e fantazisë.

Në thelb, sipas atyre që i besojnë kësaj teorie, Hitleri dhe të tijtë kanë patur një aleancë të ngushtë me të huaj të tipit nordik, bjondë dhe me sy të kaltër, në emër të një origjine të përbashkët ariane.

Fruti i një aleance të tillë erdhi me motorët "me energji Vril" në gjendje të vinin në lëvizje mjete diskoidalë. Është shumë interesante të lexosh pseudo-kronikën e UFO naziste, qoftë edhe sepse është e mbushur me kaq shumë legjenda, disa prej tyre të besueshme apo të paktën të mundshme (si baza naziste në antarktidë), të tjerë pjellë e fantazisë ndonëse mbresëlënëse (si për shembull udhëtimi i astronautëve nazistë në Mars në kërkim të ndihmës, gjatë muajve të fundit të luftës).

Thuhet se një pjesë e këtyre zërave qarkullonin që në muajt e parë të vitit 1945, ndoshta të lindur prej bisedave pesimiste të ushtarëve; dokumentacioni në lidhje me këtë është megjithatë i pakët dhe jo i besueshëm.

Ajo që duket e sigurtë është se nazistët nuk e kanë fituar luftën: e humbën dhe keqas madje, dhe nëse kanë patur ndihmë aliene, kjo ka qenë e varfër!

Në të vërtetë, projektet gjermane të aeronautikës kanë elementë të një gjenialiteti absolut, që kanë revolucionarizuar aviacionin për dekada. Por ka prova që të gjitha ishin vepër e inxhinierisë së pabesueshme teutonike.

Dhe nuk mund të mos ishte kështu, duke parë që Foo Fighters janë vërejtur në mënyrë të përsëritur edhe nga vetë gjermanët. Për këtë qëllim, në vitin 1944 USAAF ngriti një komision special hetimor për të larguar dyshimet e shumtë mbi fenomenin.

Komisioni Robertson hetoi për qindra raste të tillë, i analizoi deri në detaje dhe arriti në një konkluzion befasues: prania e tyre ishte e ngjashme me atë të një ngjarjeje natyrore. E gjithë kjo u vërtetua shkencërisht dhe zyrtarisht si dhe u arkivua në vitin 1949.

Atëherë, për se bëhej fjalë? Në pamje të parë, vjen të mendosh për rrufe globulare apo për sfera plazme të njohura si "zjarre të Sant'Elmos".

Të parat janë një fenomen natyror, forma rrethore e një rrufeje normale. Janë shumë të rralla, shumë të nxehta, shumë të rrëshkitëshme dhe ndonëse janë parë disa herë në afërsi të avionëve, rrallëherë arrijnë shpejtësi të konsiderueshme. Ndërsa Foo Fighters fluturonin me 500 km në orë në heshtje totale...

Eshtë e qartë që mundësia që të bëhet fjalë për shkarkime elektromagnetikë, të ashtuquajturit zjarre të Sant'Elmos, është më konkrete. Problemi është se këto sfera fluturonin mes formacioneve të bombarduesve si të kërcenin mes tyre; i ndiqnin, ktheheshin, rrotulloheshin...

Jo tamam ajo që bën një shkarkim normal elektromagnetik.

Dhe këtu hyjnë në lojë të famshmet Dritat e Tokës, sferat e dritës që janë parë dhe studiuar për herë të parë në Hessdalen në Norvegji dhe që më vonë janë parë dhe analizuar në vende të tjerë të botës, mes të cilëve Sassalbo në Itali.

Këto drita janë të ngjashme me dritat që thuhet se krijojnë mikrovalët e rrathëve në grurë, apo edhe UFO-t që shfaqen periodikisht në shumë vende magjikë, si për shembull tempulli i Madonës së Zezë të Montserrat në Spanjë.

Drita tokësore që prej disave lidhen me Orbs-ët, që megjithatë janë të padukshme për syrin dhe të dokumentueshme vetëm falë aparatit fotografik; dritat tokësore janë në fakt të dukshme nga kushdo. Në Sassalbo, në provincën e Massa-Carrara në Itali, në vitin 2001 u shfaq një objekt fluturues cilindrik mbi lumin që ndodhet në atë vend.

Ishin dhjetëra persona që panë me sytë e tyre për shumë minuta këtë objekt, përpara se të zhdukej papritur.

Që atëherë, janë me mijëra dritat e mëdha apo të vogla që duken prej majave të Monte Alto mbi këtë krahinë. Drita me ngjyra si ato të Foo Fighters...

Prej këtu lind hipoteza: që bëhet fjalë për objekte natyrorë, ndoshta ekzistues edhe në dimensione të tjerë, që kryejnë një aktivitet të dukshëm në atmosferën tokësore.

E kushedi, ndoshta Foo Fighters nuk janë zhdukur pas Luftës së Dytë Botërore, por që ata përbëjnë ndoshta formën dhe thelbin e vërtetë të disqeve fluturues...
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi