EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Iliret paraardhesit e Shqiptareve!

Shko poshtë

Iliret paraardhesit e Shqiptareve! Empty Iliret paraardhesit e Shqiptareve!

Mesazh  Meridiani 0 (zero) 26.02.12 14:28

Iliret paraardhesit e Shqiptareve!

Iliret paraardhesit e Shqiptareve! Rome_a10

Duke pare qe ne forum kishte nje material te bollshem per Pellazget do te doja te tregoja edhe ate detaj qe e kan pasuar historian te shteteve te huaj sa ne nje dore ne nje tjeter: ILIRET!


Etnogjeneza e popullit shqiptar, prej shekujsh, ka joshur dhe ka tërhequr vëmendjen e dhjetra e dhjetra dijetarëve nga më të shquarit, shqiptarë apo të huaj. Janë të shumtë historianët e gjuhëtarët, arkeologët këmbëngulës dhe studiues të tjerë që kanë shtruar tezat e hipotezat e tyre për këtë çështje. Nuk kanë munguar të shprehin mendime edhe njerëz pa njohuri të thelluara shkencore.Të gjithë duan të dinë kush ishin stërgjyshërit e shqiptarëve, ç’lidhje kishin me arbërit, me ilirët dhe më lashtë me parailirët (pellazgët).

Problemi nuk është një kuriozitet i thjeshtë shkencor. Ndriçimi i tij ndihmon të kuptohen rrënjët historike që kanë ushqyer këtë popull, të ndodhur midis perandorive e qytetërimeve më të mëdha të kohrave, helene, romake, bizantine dhe sllave, e megjithatë nuk u asimilua.Por kërkimet çonin në gjurmë të lashta, në mijëvjeçarët p. e. sonë. Shenjat kishin humbur, ishin fshehur ose ishin errësuar nga koha e gjatë që na ndan.

Prandaj puna për të zbuluar dhe ndriçuar ato gjurmë dhe shenja është e vështirë ndersa vëllimi, kolosal. U shkruan qindra e mijra faqe libri, të mbushura herë me të dhëna shkencore e herë me fantazi e teza të hamendësuara. Arkeologët bënë gërmime aq të shumta, saqë u zbuluan qytete të tëra. Por ata donin të ringjallnin një histori të stërlashtë. Iu drejtuan dijetarëve, historianëve e poetëve të lashtë, duke u nisur nga Homeri, Hesiodi, e deri te studiuesit bashkëkohorë.

Me studime këmbëngulëse u ndriçuan anë të veçanta të historisë, që shkallë shkallë, u bashkuan duke ndriçuar shumë çështje të etnogjenezës. Por nuk munguan as hipotezat romantike, pa baza shkencore, apo të tjera të frymëzuara nga motive politike.

Gjatë 50 vjetëve të fundit, në arkeologjinë shqiptare, janë bërë gërmime e studime të shumta dhe janë ndriçuar një tërësi problemesh mbi bazën e të cilave është shkruar “Historia e Lashtë e Shqipërisë”, janë hedhur bazat për studime edhe më të thelluara në shumë drejtime.

Por këto arritje njihen në një shkallë krejt të pamjaftueshme nga shoqëria civile dhe nga një masë më e gjërë njerëzish të interesuar. Ndaj lind nevoja që përfundimet më themelore duhet që t’u jepen lexuesve në mënyrë të kuptueshme, në përputhje me mundësitë dhe interesat e tyre kulturore.

Duke vlerësuar interesin dhe rëndësinë e problemeve etnogjenetike, gjatë veprimtarisë sime kërkimore u kam kushtuar atyre një vëmendje të posaçme, veçanërisht çështjeve të origjinës së ilirëve dhe të problemit të popullsisë para ilire. Është kjo arsyeja që këto arritje të studimeve të mia , dua t’i parashtroj në një formë të përmbledhur e natyrisht sa më të kuptueshme, për aq sa e lejon trajtimi i tyre. Për ta bërë më të plotë këtë kuadër të problemeve etnogjenetike, i cili mund të përmblidhet në trinomin parailirë-ilirë-arbër , kam parashtruar edhe problemin e arbërve, d.m.th. të origjinës së shqiptarëve të hershëm.

Për të sqaruar këtë komponent të trinomit që lidhet me arbërit dhe origjinën e tyre, jam mbështetur tërësisht në studimet arkeologjike shumë të rëndësishme të prof. Skënder Anamalit, të cilit i takon një meritë e veçantë për ndriçimin e lidhjeve të ilirëve me shqiptarët në dritën e të dhënave arkeologjike. Kështu kam vepruar edhe në fushën e gjuhësisë, duke paraqitur në mënyrë të përmbledhur rezultatet e punës shkencore të gjuhëtarit të shquar, prof. Eqerem Çabejt dhe të gjuhëtarëve të tjerë.

Parailirët, ilirët dhe arbërit janë tri nyje të zinxhirit të gjenezës së popullit shqiptar, që çdo njera prej tyre mund e duhet trajtuar më vete. Unë parapëlqeva t’i trajtoj këto çështje së bashku e në vijimësinë historike të ecurisë së tyre, mbasi kështu krijohet mundësia për kuptimin tërësor të lashtësisë së popullit shqiptar. Besoj se kësaj ideje i shërben edhe tabloja kronologjike e përdorimit të emrave të banorëve të vendit tonë, gjatë tërë kohërave, të cilën duhet ta njohë dhe ta dijë çdo bashkatdhetar. Përdorimi i emrave parailirë, ilirë, arbër e shqiptar nuk duhet të mënjanohet nga që për disa prej tyre duhen kërkuar mbështetje e fakte të reja, që shkencat albanologjike duhet t’i pasurojnë në të ardhmen.

Burimet e shkruara antike e ato të hershme mesjetare përbëjnë një bazë të rëndësishme për rindërtimin e historisë së ilirëve. Por fakti që ato janë të fragmentuara , i bëjnë ato të pamjaftueshme për të rindërtuar plotësisht zhvillimin historik në territorin e Shqipërisë në kohën antike. Gjithsesi, shfrytëzimi i tyre bashkë me të dhënat e shumta arkeologjike, mundësojnë sot rindërtimin e shumë çështjeve të historisë dhe të kulturës së ilirëve.

Prandaj në këtë trajtim të shkurtër qe une e perzgjodha si temen e studimit tim eseistik , vendosa të jap një sintezë të përfundimeve në të cilat ka arritur shkenca albanologjike për këtë problem. Njëkohësisht e quajta një detyrë shkencore dhe atdhetare t’i bëj të njohur shumices prej nesh , atë që historia mijravjeçare e kishte ruajtur të fshehur për të dëshmuar zinxhirin lidhës midis paraardhesve shqiptare... per te deshmuar ate qe kerkojne te na mohojne, qe Iliret jane paraardhesit e drejtperdrejte te Shqipetareve.

Shtrirja e Ilireve dhe organizimet e tyre shteterore:

Ilirët jetonin në një territor të gjërë, kufiri verior i të cilëve shkonte deri tek degët e lumit Danub (Sava e Drava), kurse në jug, duke përfshirë edhe territorin e Epirit prehistorik, kufiri shkonte deri në gjirin e Ambrakisë (të Prevezës). Në lindje, si kufi natyror, ishin lumenjtë Morava e Vardar (rrjedha e sipërme dhe e mesme) dhe në perëndim brigjet e Adriatikut e të Jonit. Grupe të veçanta fisesh ilire u vendosën edhe në Italinë e Jugut (Mesapët e Japygët).

Në shek.VI-V p.e.sonë në Ilirinë e Jugut lindin formacionet e para shtetërore. Nga forma politike ato ishin monarki të trashëguara, ku sundonin përfaqësuesit e aristokracisë skllavopronare. Ndarja administrative e shtetit kishte në qendër qytetin kryesor, ku qëndronte dinastia e caktuar nga mbreti. Brenda kuadrit monarkik të shtetit ilir, qytetet dhe krahinat rreth tyre kishin një vetqeverisje në formën e Bashkësive, me në krye një këshill ekzekutiv nëpunësish të zgjedhur çdo vit. Në shek. V-IV p.e.sonë shteti ilir formohet plotësisht.

Mbreti më aktiv ishte Bardhyli, që theu maqedonët, i vuri në vartësi dhe në vitin 359 p.e.sonë guxoi të ndeshet me Filipin e II të Maqedonisë për rivendosjen e kufirit në lindje . Nën sundimin e mbretit Glaukia, shteti ilir u forcua më tej. Më 355 p.e.sonë bëhen përpjekje për çlirimin e tokave lindore në luftë kundër Aleksandrit të Maqedonisë dhe u sigurua aleanca me Epirin, duke vendosur në fron Pirron (në vitin 309).

Gjithashtu, u bashkua Dyrrahu me shtetin ilir dhe u çlirua Apolonia nga pushtimi maqedon. Në kohën e pasardhësve të tij, Monunit dhe Mytilit shteti forcohet ekonomikisht, duke prerë monedha argjendi dhe bronzi. Pas mesit të shek.III p.e.sonë nën mbretërinë e Pleuratit dhe Agronit nis përsëri periudha e lulëzimit të shtetit ilir.

Në vitin 231 p.e.sonë ilirët thyen në Etolët dhe lidhën aleancë me Epirin dhe Akarnaninë. Kështu ilirët dalin si forca më e madhe politike në Ballkan, e për rrjedhojë bien ndesh me synimet hegjemoniste të Romës në detin Adriatik. Në dy luftrat e para me Romën (229 e 218 p.e.sonë) shteti ilir i udhëhequr nga Teuta, thyhet.

Më pas nën sundimin e mbretit Gent (186-168 p.e.sonë) shteti ilir filloi përsëri politikën antiromake dhe u fut në aleancë me Maqedoninë e Dardaninë. Në betejën e Shkodrës (168 p.e.sonë) ushtria ilire u thye dhe shteti ilir u shkatërrua.

Periudhën qytetare ilire, shek.IV-I p.e.sonë, prof. N. Ceka e ka cilësuar si periudha që qëndron midis dy momenteve kyçe në procesin shumëshekullor të formimit të etnosit ilir dhe të ngjizjes prej tij të kombësisë arbërore, si një nga periudhat më të shkurtërat të historisë ilire, por edhe nga më të ngjeshurat, për thellësinë e ndryshimeve ekonomike e shoqërore dhe të pasqyrimit të tyre në sferën e kulturës, apo në dendësinë e ngjarjeve politike .

E quaj të nevojshme të jap sqarimet e mundëshme lidhur me lindjen dhe përdorimin e emrit ilir. Termin ilir (Illyris, Hyllirus), për herë të parë, e ndeshim në burimet e shkruara tek Herodoti (Herodoti VIII, 137), por që ka mjaft të ngjarë të jetë përdorur më herët. Në fillim ai ka patur një kuptim të ngushtë gjeografik me të cilin quheshin nga grekët një a më shumë fise që banonin në veri të tyre gjatë bregut të detit Adriatik.

Ndoshta edhe ata e kanë thirrur vehten e tyre ilir. Më vonë, me zgjerimin e lidhjeve tregëtare, grekët e shtrinë përdorimin e këtij emri për një numër shumë më të madh fise ilirësh që banonin në veri të tyre. Në këtë mënyrë, gradualisht, emri ilir mori një kuptim të gjërë etnik duke përfshirë të gjitha fiset që ishin të njëjta ose shumë të afërta për nga origjina, nga kultura dhe nga gjuha.

Origjina e ilirëve, procesi historik i formimit të tyre, ka qenë e vazhdon të jetë një nga problemet themelore të historisë së lashtë të Shqipërisë, e në të njëjtën kohë edhe një problem për prehistorinë ballkanike, sepse zgjidhja e tij ishte e lidhur me origjinën e popujve të tjerë të lashtë të Ballkanit. Ndaj për një kohë të gjatë me këtë problem janë marrë linguistë, historianë, arkeologë, antropologë e etnografë, të cilët me studimet e tyre, nga një periudhë në tjetrën, kanë çuar më tej zgjidhjen e tij. Dhe në këtë rrugë të gjatë të kërkimit të së vërtetës shkencore e vlen të njihemi me historinë e tij.

Problemi i origjinës së ilirëve lindi në një fazë parashkencore nga pyetja që kishin shtruar humanistët europian në shek. XV-XVI; lidhur me popullsitë e lashta të Ballkanit dhe me fatin e mëtejshëm historik të ilirëve, trakëve e maqedonëve. Pyetja që u shtrua se kush ishin stërgjyshërit e shqiptarëve, çonte në kërkim të origjinës së ilirëve. Kërkimet e para shkencore për këtë problem u bënë në shekullin e XIX kur studjues të huaj si Thunman, Hahn etj., bënë përpjekjet e para për zgjidhjen e problemit të origjinës së popullit shqiptar, duke u mbështetur tërësisht në analizën e materialit gjuhësor, që gjëndej në burimet e autorëve antikë.

[size=18]Pikëpamjet kryesore për autoktoninë e ilirëve[/size]

a) Pikpamje rreth origjines veriore te Ilireve
.
Për origjinën veriore të ilirëve janë shprehur arkeologë, historianë, linguistë e studjues të tjerë, pikëpamjet e disave prej tyre, në formë të përmbledhur, po i parashtrojmë më poshtë.
Sipas pikëpamjes së arkeologut G.Kossina (Gjermani) origjinën e ilirëve duhet ta kërkojmë në lumin Oder, në krahinën Luzhic (Gjermania Lindore ) ku ilirët u formuan si popullsi, që në epokën neolitike dhe më pas u shtrinë në jug.

Autori bazohet në ngjasime formale të kulturës materiale të Luzhicës dhe Panonisë, e cila duket se lidhet me kulturën e njëjtë ilire si edhe në disa emra gjeografikë të spjeguar si ilir. Por siç kanë treguar faktet arkeologjike kjo rrugë e ardhjes së tyre në jug nuk mund të provohet nga të dhënat arkeologjike, madje edhe të dhënat etimologjike nuk janë të sigurta.

Përafërsisht këtë pikëpamje mbron edhe R.Pittioni, i cili kulturën e vjetër të Lauzicës dhe kulturën e Fushave me Urna e quan grup kulturor protoilir, kurse kulturën e Halshtatit (Austri) dhe kulturën e zhvilluar të Lauzicës e quan si produkt të qytetërimit të pjekur.

Tezën e origjinës veriore e të panilirizmit e përkrahën edhe disa linguistë.

Sipas pikëpamjes së një linguisti tjetër H.Krahe, ilirët kanë banuar në tokat alpine, në Panoni e Çeki e ka shumë të ngjarë në një zonë të gjërë të Gjermanisë Perëndimore dhe se ilirët kanë patur rëndësi të madhe në popullimin e Evropës parahistorike. Në këtë mënyrë kjo pikëpamje bashkohet me përkrahësit e teorisë së nordizmit, e cila u pasua nga shumë shkencëtarë gjermanë.

Idetë që parashtruam nxjerrin në sheh disa nga mangësitë thelbësore të teorisë për prejardhien veriore të ilirëve, të cilat, sipas mendimit tim, cënojnë dhe përfundimet e arritura prej tyre. Ndaj e quajta të panevojshme e të tepërt të hyja në hollësira te këtyre tezave. Do të ndjek një rrugë tjetër që me duket më bindëse, do të parashtroj tezën për autoktoninë e ilirëve dhe me fakte e argumente do të provoj pikëpamjen time e të studiuesve të tjerë shqiptar e te huaj.

b)Pikëpamjet e studjuesve të huaj

J.G.Hahn, një shekull e gjysmë (1854) më parë është i pari që ka parashtruar tezën e tij se shqiptarët janë paraardhës të ilirëve dhe këta të fundit janë pasardhës të pellazgëve. Sipas tij ilirishtja është një gjuhë pellazgjike, në një kuptim më të gjërë Illyrian-pellazge. Në tezën e tij Hahni përfshin tek ilirët edhe Epirotët e Maqedonët;

Njëqind vjet më vonë, më 1952, linguisti M.Budimir, duke analizuar të dhënat gjuhësore për ilirët dhe parailirët, midis të tjerash arrin në përfundimin se indoevropianët më të vjetër të zonës së pellgut të Mesdheut kanë qenë të ashtuquajturit pelastë, të cilët kanë banuar në truallin e Ballkanit dhe të Italisë, shumë kohë më parë se të vinin këtu indoevropianët klasikë, fiset greke e italike. Sipas tij, pelastëve u përkasin edhe ilirët që kanë lënë mjaft gjurmë linguistike.

c) Pikëpamjet e studiuesve shqiptarë

Etnogjeneza e ilirëve, si një nga problemet parësore të Historisë së Lashtë të Shqipërisë, ka qenë objekt kërkimesh e studimesh për arkeologjinë shqiptare dhe kjo dëshmohet që në hapat e para të gërmimeve të viteve, 50 (shek. XX) që u bënë në tumat e Matit. Kështu historia e mendimit arkeologjik shqiptar për origjinën e ilirëve nis me fillimin e gërmimeve sistematike në vitet 1952-56, kur u zbuluan tumat e Matit, të Vajzës së Vlorës e të Dropullit. Kjo nismë e mirë u bë bazë për gjithë punën e mëvonshme, për ndriçimin dhe sqarimin e origjinës së ilirëve.

*Më 1955, S.Islami, H.Ceka, F. Prendi, S.Anamali, pasi shqyrtuan materialet e zbuluara në tumat e Matit, vunë re se një varg objektesh të epokës së hekurit kishin lidhje me objektet e epokës së bronzit.

*Më 1957 F.Prendi, duke interpretuar materialin arkeologjik të zbuluar në tumat e Vajzës, shkruan: “Duke pranuar se bartësit e kulturës së Vajzës kanë qenë ilirë, duhet të mendohet njëkohësisht se ky element etnik krijoi jo vetëm kulturën e hekurit, por edhe atë të bronzit në vendin tonë”

*Më 1972, në Kuvendin I të Studimeve Ilir, prof. A.Buda, shkruan se “koncepteve të një vatre jashtëballkanike të formimit të etnosit ilir dhe të dyndjes së tij në një kohë më të vonë, bashkë me kulturën e hekurit nga Evropa e Mesme e Veriore, mund t’u kundërvihen argumente që flasin për formimin autokton të etnosit ilir në Ballkan e në trevën shqiptare qysh nga koha e bronzit, mbi bazën e një kompleksi kulturor ballkano-anatolik.

Baza arkeologjike e autoktonisë së ilirëve


Per te kuptuar se cila teori eshte e drejta dhe e pranueshmja duhen pare edhe elemente te tjere pervec gjuhes.Vazhdimësia e banimit në një trevë të caktuar përbën një nga premisat bazë edhe për formimin dhe konsolidimin e një kulture, të një etnosi a të një gjuhe, ndaj edhe studimi i vazhdimësisë kulturore përbën kushtin e parë dhe mbështetjen themelore të trajtimit të problemit të etnogjenezës së ilirëve. Megjithatë, jam e mendimit se të mjaftohesh vetëm me provat që sillen në të mirë të vijimësisë kulturore, do të thotë ta shikosh ngushtë e në mënyrë të pamjaftueshme procesin e gjatë e të ndërlikuar të formimit të etnosit ilir.

Këto tipare të formimit të individualitetit etnik ilir në një etapë të caktuar kanë qenë të kushtëzuara, para së gjithash, nga shkalla e zhvillimit ekonomik e shoqëror dhe janë zhvilluar në bazë të tri parimeve të përgjithëshme, tanimë të njohura: të diferencimit, të integrimit dhe të asimilimit.

Diferencimi, ngjizja dhe konvergimi janë procese të ndërlikuara evolutive, me shtrirje të gjatë kohore, që gërshetohen e bashkëveprojnë por në çdo etapë të procesit të etnogjenezës ilire njëri fiton gjithmonë përparësi. Kështu, në territorin e Ballkanit Perëndimor, gjatë periudhës së bronzit të hershëm, ka mbizotëruar procesi i diferencimit. Dhe kjo është e kuptueshme.

Kulturat e kësaj periudhe, të formuara si pasojë e gërshetimit të kulturave anase neo-eneolitike me dyndjet e popujve indoevropianë, kanë një karakter më të përgjithshëm ballkanik e nuk mund të kërkojmë në to veçori dalluese etnike. Gjatë periudhës së bronzit të mesëm vazhdon të thellohet më tej procesi i diferencimit, po njëkohësisht fillon të veprojë edhe procesi i integrimit. Këto procese, të cilat u kushtëzuan nga autoktonia relative dhe nga një sërë përparimesh që u bënë në disa degë të ekonomisë, siç e kemi vënë në dukje edhe më lart, çuan në lindjen e etnosit ilir.

Në periudhën e bronzit të vonë, si rrjedhoje e perparimeve te shumeaneshme u krijua një bashkësi e gjërë ilire me tipare të përbashkëta kulturore, kultike dhe gjuhësore. Duhet theksuar se jo të gjitha dukuritë që karakterizojnë bashkësinë etnike ilire u zhvilluan krahas dhe arritën të njëjtën shkallë njësimi, sepse siç dihet, njësimi i kulturës materiale të popullsisë së një territori të caktuar bëhet më lehtë e më përpara se sa njësimi i gjuhës, e cila zhvillohet me ritme shumë më të ngadalta. I pari prin të dytin dhe është bazë për njësimin gjuhësor dhe të dy bashkë çojnë në formimin përfundimtar të bashkësisë etnike.

Kështu, gjatë periudhës së bronzit të vonë, në trevën ilire ngjizja gjuhësore duhet të ketë qenë më mbrapa, kurse krejt ndryshe ishte gjendja në zhvillimin e zejtarisë dhe sidomos punimi i bronzit, të cilat kishin çuar në marrëdhënie intensive ndërfisnore dhe madje në marrëdhënie të ngushta me botën mikene. Si rrjedhim, edhe shkalla e zhvillimit të njësisë kulturore në trevën ilire, gjatë epokës së bronzit të vonë, është më e lartë sesa shkalla e zhvillimit të njësisë gjuhësore.

Gjatë epokës së hekurit, d.m.th. në shek.XI-V p.e.sonë, filloi të luajë një rol shumë më të madh dhe të marrë përparësi procesi i asimilimit. Bashkësitë me zhvilllim më të madh kulturor dhe nivel më të lartë ekonomik, si , bashkonin ose asimilonin pjesërisht ose tërësisht, shumë herë me dhunë, bashkësitë e tjera.

Kështu gjatë epokës së hekurit, mbi bazën autoktone, ilirët zhvillojnë dhe konsolidojnë më tej kulturën dhe gjuhën e tyre, të cilat tani po kristalizoheshin përfundimisht. Kjo etapë përfaqëson stadin e lulëzimit më të madh e të përgjithshëm kulturor e etnik të ilirëve në epokën e hekurit, kohë kur në shtrirjen territoriale ata zënë të gjithë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, duke pasur grekët në jug e trakët në lindje dhe bëhen një nga tre popujt më të mëdhej të gadishullit.


Gjuha shqipe , themelim i teorise se autoktonizmit te Ilirve.

Gjuha ka qenë e mbetet një nga treguesit më parësor në formimin dhe natyrisht edhe në përcaktimin e karakterit etnik të një populli. Rrjedhimisht edhe në përcaktimin e origjinës së tinomit perkufizues qe dash per shqipetaret, të dhënat gjuhësore përbëjnë themelin e tezës së autoktonisë së tyre, ndaj nuk është rastësi që studiuesit e parë që u morën me origjinën e ilireve, janë gjuhëtarët.

Duke qenë se një paraqitje e plotë e pikpamjeve të gjuhëtarëve rreth origjinës së gjuhës shqipe, del jashtë kuadrit të kësaj trajtese si edhe jashtë mundësive te mia shkencore, do të mjaftohem të jap disa nga pikëpamjet më kryesore të studiuesve të ndryshëm, të cilat të krahasuara me të dhënat e shkencave të tjera qëndrojnë më fuqishëm në mbështetje të autoktonisë së popullit shqiptar.
I takon merita albanologut G.Hahn, i cili qysh në mesin e shek. XIX formuloi tezën e lidhjeve: pellazgë-ilirë-shqiptarë.

“Me sa duket, - shkruan ai, - shumë më e natyrshme është të pranohet që stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, qysh në kohën e romakëve dhe të grekëve, zinin vendbanimin e sotëm të tyre dhe që zakonet e tyre të përbashkëta me popujt fqinjë janë ruajtur në mënyrë më të pastërt dhe më besnike se sa te fqinjët e tyre”. Fakti që autori i kësaj pikpamjeje e kërkon lidhjen e shqipes me pellazgjishten, pra shumë më herët në kohë , e bëri tezën e autoktonisë së shqiptarëve shumë pak të besueshme.

Me krijimin e Institutit të Shkencave në Tiranë, më 1946, e më pas të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë me shumë sektorë shkencorë, në fushën e studimit të historisë së gjuhës shqipe u shënuan arritje cilësore, të cilat janë pasqyruar në mënyrë të plotë në veprën e prof. Eqerem Çabejt . Ato janë pasuruar dhe çuar më tej edhe nga gjuhëtarë të tjerë shqiptarë si prof. Mahir Domi , prof. Shaban Demiraj , (prof. Seit Mansaku, etj. Kështu, në sajë të përpjekjeve dhe studimeve të disa brezave historianësh e gjuhëtarësh për historinë e gjuhës shqipe, është arritur të provohet shkencërisht prejardhia ilire e kësaj gjuhe.

Në rrugën e zgjidhjes së prejardhjes së gjuhës shqipe të gjithë studiuesit kanë hasur në dy vështirësi objekt.

Së pari, në krahasimin që bëhet midis ilirishtes e shqipes, njihet vetëm njëra-shqipia si gjuhë e shkruar; rrjedhimisht për ilirishten mungojnë të dhënat e mjaftueshme si për leksikun, strukturën gramatikore, fonetikën e saj, etj.

Së dyti, edhe për shqipen dokumenti i parë i shkruar, formula e pagëzimit e vitit 1462, e cila është një fjali e vogël në shqip, në mes të një shkrimi latinisht, është e një kohe shumë të largët me kohën kur është folur për herë të fundit ilirishtja.

Ja disa nga konkluzionet e gjuhëtarëve më në zë që janë marrë me këtë problem:

J.Thunman: “..Nuk kam gjetur asnjë gjurmë të ndonjë shtegtimi të mëvonshëm dhe nuk mund të mos njoh faktin se fqinjët e stërmotshëm të ilirëve kanë qenë grekët dhe romakët. Rrjedhimisht dhe ilirët janë të vjetër” .
V.I.Georgiev: “Ilirishtja është pasardhësja e gjuhës shqipe, domethënë ilirishtja është baza , gjuha nënë e shqipes”.

R.Katičić: “Shqipja qysh në kohën e lashtë është folur pak a shumë në viset, në të cilat flitet sot. Është normale dhe e natyrshme që shqipja të konsiderohet si një pasardhëse e ilirishtes.
Nga gjuhëtarët shqiptarë është E.Çabej që me veprat e tij “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, “Fonetika historike e shqipes”, “Studime etimologjike në fushën e shqipes” si edhe me disa artikuj, referate e kumtesa ka mbështetur dhe provuar në mënyrë më të plotë tezën se gjuha shqipe është bijë e ilirishtes.

Në mbështetje të këtij konkluzioni autori analizon dëshmitë gjuhësore që trashëgojmë nga ilirishtja, të cilat duke u mbështetur në një metodë rigorozisht shkencore, i krahason me të dhënat e gjuhës shqipe.

Edhe pse gjatë gjysmës së parë të shek. XX u bënë kërkime e studime të shumta rreth kulturës së Komanit, problemet themelore të saj mbeten të pazgjidhura. Gërmimet jo të rregullta, të bëra më tepër për të marrë inventarin e varreve dhe sidomos njohja e pamjaftueshme e kulturës së Mesjetës së Hershme shqiptare, bënë të shfaqeshin mendime dhe pikëpamje shumë të ndryshme për tri probleme bazë:
a) për përbërësit e kulturës materiale të Komanit b) për moshën e varrezës c) për përkatësinë etnike të bartësve të kulturës së Komanit.


Trashëgimia ilire

Në përcaktimin e objekteve me origjinë ilire është e nevojshme të shikohet evolucioni tipologjik që ato kanë pësuar nga koha në kohë. Midis tyre, një ndër objektet më karakteristike, që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë studiuesve është fibula me këmbë të përthyer. Kjo lloj fibule ngjason mjaft me fibulat e shekujve të parë të e.sonë të zbuluara në Finiq e në Apoloni. Për vazhdimësinë e traditës në përgatitjen e objekteve të zbukurimit flasin edhe byzylykët prej teli me prerje të rrumbullaktë që mbyllen me dy sytha spiralikë.

Në vazhdën e traditës artizanale vendëse të objekteve të zbukurimit flasin edhe rrathët e vegjël të tëmthave me një bisht prej teli të përdredhur; origjina e këtyre të fundit duhet kërkuar tek rrathët e gjetur në varrezat e shekujve të parë të e.sonë. Gjithashtu, vlen të përmenden grupi me shumë variante i varësve, që kanë për bazë një rreth, i cili mund të jetë me ose pa rreze, lidhur me kultin e diellit.

Ndikime të traditës së largët ilire për mënyrën e zbukurimit të objekteve metalike të epokës së hekurit duket se vijnë edhe në zbukurimin e stolive arbërore. Thuajse i gjithë thesari i motiveve të zbukurimit të kulturës ilire përsëritet në objektet e kulturës së Komanit; kështu në fibulat, në byzylykët, varëset e mëdha të rrypave e deri tek unazat shihen të ngulitura motive të njëjta me ato të zbukurimeve ilire të Matit e Glasinacit (Bosnjë).

Rreth përkatësisë etnike të banorëve eneolitikë

A mund të flitet për përkatësi etnike në një kohë të tejlashtë si epoka e bakrit dhe në se po, mbi ç’bazë? Kur guxojmë të flasim për etni në fillesat e saj duhet ta veçojmë e ta dallojmë atë nga etnitë në epokën historike, të cilat karakterizohen nga tipare të tjera themelore. Sigurisht, problemet që kërkojnë përgjigje janë të shumta dhe të ndërvarura nga përfundimet e studimeve ndërdisiplinore. Në trinomin e problemeve parailire-ilire-arbër, problemi i parë mbetet më i vështiri,sepse të dhënat gjuhësore e antropologjike janë të pamjaftueshme.

Fjala e arkeologjisë, si rrjedhim, ka një peshë të veçantë meqënëse për këtë periudhë të hershme koncepti kulturë, në kuptimin arkeologjik, në vija të përgjithëshme, është i njëjtë me kategorinë etnos*. Kjo përbën edhe bazën mbi të cilën mbështetet argumentimi i pikpamjes sonë për fillimet e formimit të etnosit prandaj do të ndalemi në kuptimin dhe vlerën që kanë burimet arkeologjike për epokën prehistorike.

Më qarte problemi shtrohet në këtë mënyrë: në ç’raporte qëndronte kultura me etnosin në epokën prehistorike, a ka përputhje midis tyre dhe në rast se ka, në çfarë shkalle është kjo?

Ja disa mendime të studjuesve të ndryshëm për këtë çështje .

Kultura dhe etnosi nuk përputhen gjithmonë. Po në shumicën e rasteve kultura përputhet me etnosin. Qeramika dhe zakonet fetare (kulti) janë elemente që tek popujt primitiv u janë nënshtruar më pak ndikimeve dhe se qëndrueshmëria e këtyre elementeve provon vazhdimësinë etnike tek grupet prehistorike. Fiset me kulturë të njëjtë ose të ngjashme mund të flasin gjuhë të ndryshme.Do të ishte vështirë të pretendohej se vetëm gjuha paraqet tiparin etnik të një grupi.

Për këtë substrat të tejlashtë, për këtë popullsi indoevropiane të Ballkanit Perëndimor të epokës së eneolitit a mund të përdoret një emër i përveçëm?

Të dhënat e para për emërtimin e kësaj popullsie do t’i gjejmë tek autorët më të vjetër të Greqisë së Lashtë, tek Homeri, Hesiodi, Herodoti dhe tek mbi 100 autorë të tjerë grekë e latinë, të cilët flasin për pellazgët si një popullsi jo greke. (Në mënyrë të plotë këto të dhëna gjenden në veprën e Fr.Lochner-Hüttenboch, Die Pelasger). Homeri i përmend pellazgët si banorë të Thesalisë e të Kretës; shkrimtarë më të rinj si Hesiodi, Herodoti, Hekateu, Tuqididi, na japin njoftime të tjera, duke i vendosur pellazgët herë në Peloponez, herë në Azi të Vogël e herë në Itali, ndërsa gjuhën e tyre, pellazgjishten, e quajnë gjuhë barbare d.m.th. jo greke.

Ky përbërës është edhe nyja lidhëse midis banorëve ilirë të epokës së bronzit dhe të banorëve të tejlashtë të epokës eneolitike të para-ilirëve, të cilët i quajtëm konvencionalisht pellazgë. Këto përfundime na japin të drejtën të shprehemi se ilirët janë një nga popujt më të vjetër të gadishullit.

Ky studim mbi Iliret , eshte shprehimisht nje pune qe duhet ta ndjeke cdo shqiptar pa u ndjere i detyruar , pasi ne kete menyre vertetojme se kush eshte rrjedha jone , qe askush me pas te mos na e mohoje ate, qe argumentet e tyre te duken te dobta para atyre qe gezon teoria e paraardhesve tone, sepse ka ardhur momenti te pohojme me plot goje qe ne shqiptaret jemi pasardhes te drejtperdrejte te Ilireve.
Meridiani 0 (zero)
Meridiani 0 (zero)

209


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi