EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ku fytyra, ku maska

3 posters

Shko poshtë

Ku fytyra, ku maska Empty Ku fytyra, ku maska

Mesazh  Neo 09.06.10 23:26

KU FYTYRA, KU MASKA

Ku fytyra, ku maska H-20-110

Nuk jam as i pari as i fundit që e vras mendjen për shkaqet e maskarallëkut që mbizotëron çdo sferë e çdo instancë të jetës shqiptare sot – private dhe publike, të elitave dhe të masës, të qytetit dhe të fshatit. Varfëria materiale, materializmi, parazitizmi, mungesa e një feje të konsoliduar, mendësia e ashtuquajtur “anadollake”, varfëria shpirtërore, lëvizjet e mëdha të popullsisë, paranoja e izolimit… është e lehtë të ngatërrohesh në këtë labirint shkaqesh që shpesh përfundojnë të reduktuar në pasoja shkaqesh të tjera.

Megjithatë, është e mundur ta konsolidosh diskutimin në pikat e mëposhtme, ose të debatosh nëse kriza e sotme morale dhe sociale në Shqipëri i ka shkaqet:

* në adoptimin e shpejtuar dhe artificial të ekonomisë së tregut, pluripartitizmit dhe demokracisë parlamentare perëndimore;
* në konfuzionin në lidhje me çështjen e pronës private;
* në shkatërrimin shpirtëror dhe etik që i bëri shqiptarit gjysmë shekulli totalitarizëm brutal;
* në traditën historike ose tribale të shqiptarit, si komb i paformuar, ose si bashkësi që nuk i gjen dot forcat të formojë dhe të mbajë shtetin.

Ky diskutim meriton t’i qasesh nga shumë anë: historike, ekonomike, etike, psikologjike, sociologjike. Natyrisht, analiza e shkaqeve të krizës nuk shpie vetvetiu në zgjidhje të krizës; madje as ka për qëllim zgjidhjen e krizës, e cila mund të arrihet vetëm me anë politikash precize, afatshkurtra dhe afatgjata, dhe përkushtim të gjithanshëm të shoqërisë civile. Analiza e shkaqeve të krizës vetëm ndihmon për të kuptuar krizën dhe mund t’u vlejë të gjithë atyre që i kanë mundësitë, aftësitë dhe mjetet e duhura për të ndërhyrë drejtpërdrejt në realitet.

Ka shumë të ngjarë që kriza e sotme morale të shpjegohet nëpërmjet një kombinimi të të gjitha atyre shkaqeve që u përmendën më sipër, të cilat nuk janë kurrsesi alternative dhe që, sa kohë që kanë natyrë etiologjike, mund të renditen në mënyrë të tillë që të formojnë një zinxhir shkakor i cili të fillojë nga ADN-ja biologjike e pellazgut, për t’u ndalur te Sali Berisha; për çka vështrimi historik i problemit duhet bërë gjithnjë i segmentuar, jo gjithëpërfshirës.

Nga ana tjetër, brezi që i jep tonin sot jetës shqiptare është brez i rritur dhe i formuar nga ana botëkuptimore në vitet më të shëmtuara të totalitarizmit, kur shteti shqiptar dhe institucionet i kishin prishur lidhjet me Lindjen Sovjetike, por pa i zëvendësuar dot me me lidhje të reja me Perëndimin, Jugun ose Veriun. Është brez i rritur në frikën e dhunës së verbër institucionale dhe në një atmosferë ku “një në tre veta ishte i Sigurimit”; brez i ekspozuar për vdekje ndaj propagandës autarkike dhe megalomaniake të regjimit, dhe ndaj mundësisë reale për të përfunduar në birucë për një fjalë goje. Me fjalë të tjera, është brez i rritur në një kohë kur liria e mendimit jo vetëm nuk ekzistonte, por edhe ndëshkohej penalisht.

Qëndrimin publik dhe privat të intelektualit në një shoqëri totalitare, ku mendimi i lirë dënohet penalisht, e ka përshkruar Czeslaw Milosz, në librin e tij “The Captive Mind”; nëpërmjet një koncepti me origjinë persiane, ketman-it, i cili në thelb emërton konformimin me autoritetin e kujt privatisht nuk pajtohet me këtë autoritet. Për shumëkënd në Shqipëri, duke u përfshirë këtu edhe unë vetë, ky dyzim i personalitetit për të mbijetuar në kushte të dhunës ideologjike ishte i detyrueshëm. Çështja është nëse dyzimi në fjalë, ose ketman-i, duhet trajtuar si virtyt ose virtuozitet i intelektualit, apo si gjymtim i tij mendor ose shpirtëror.

Këtë pyetje ia bëra vetes kur ndesha në një pasazh të esesë E vërteta dhe politika të Hanna Arendt (në librin e saj “Between Past and Future”, Penguin Books 1993, f. 234), ku autorja përmend, ndër të tjera dy filozofë të cilët shkruanin për këto çështje në një kohë kur totalitarizmin edhe vetë djalli nuk e kishte ëndërruar akoma.

Shkruan Arendt se Spinoza, i cili gjithnjë besonte në pagabueshmërinë e arsyes njerëzore, mbronte idenë se “çdo njeri është, nëpërmjet së drejtës natyrore të pakundërshtueshme, zot i mendimeve të veta”, dhe se ligjet që ndalonin mendimin e lirë nuk mund të çojnë veçse “në njerëz që mendojnë një gjë dhe thonë një gjë tjetër,” e që këtej “në korruptim të mirëbesimit” dhe në “nxitje të pabesisë” [theksimi im].

Kanti, nga ana e vet, thoshte se “ajo fuqi e jashtme që e privon njeriun nga liria për t’i komunikuar mendimet e veta publikisht, e privon njëkohësisht edhe nga liria për të menduar,” dhe se e vetmja garanci për të menduar “drejt” është që “të mendojmë sikur të ishim duke ua komunikuar mendimet tona të tjerëve, teksa këta të tjerë na i komunikonin neve mendimet e tyre.”

Mirëpo të thuash, me Spinozën, se ndalimi i mendimit të lirë çon vetvetiu në korruptim të mirëbesimit, do të thotë që shoqëria anëtarët e së cilës nuk lejohen të mendojnë lirisht është e dënuar të shthuret, sepse mirëbesimi është tutkalli që e shndërron shoqërinë njerëzore nga bashkësi individësh, në entitet të dallueshëm si diçka që ekziston përtej shumës së pjesëve që e përbëjnë.

Edhe më shqetësues është implikimi i idesë së Kantit më lart – se pamundësia, e imponuar së jashtmi, për t’i komunikuar idetë e tua në publik çon vetvetiu në pamundësi për të menduar lirisht; ose, me fjalë të tjera, që bindja e shumëve prej nesh se pavarësinë intelektuale mund ta ruanim duke e mbajtur të mbyllur në sferën private nuk ka qenë veçse një iluzion, sa kohë që idetë tona, prodhimet tona mendore, dyshimet tona dhe kureshtjen tonë intelektuale nuk e shprehnim dot publikisht.

A ka qenë vërtet kështu? Pohimet e Spinozës dhe të Kantit na vlejnë si katalizatorë për diskutimin, jo si prova të kësaj apo të asaj teze; sepse Kanti mund të ketë qenë ndër më të mëdhenjtë e filozofëve, por jemi ne që e kemi provuar totalitarizmin në shpinë. Prandaj ka interes të madh të krahasohet krye-teknika e ketman-it, që e përshkruan Milosz-i, me çka thonë dy filozofët klasikë, por edhe me përvojën individuale të intelektualit dhe të mendimtarit të lirë në Shqipëri.

Për fat të keq, dhe në vështrim të parë, realiteti i sotëm shqiptar duket se mbështet hipotezën sipas së cilës korruptimi i sferës publike vetvetiu çon në korruptim të mendimit, edhe të mendimit privat; dhe se klasa e sotme politike shqiptare është etikisht e gjymtuar thjesht ngaqë është formuar mendërisht, kulturorisht dhe shpirtërisht në kushte të dyzimit dhe të dyfytyrësisë së detyruar.
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ku fytyra, ku maska Empty Re: Ku fytyra, ku maska

Mesazh  Neo 09.06.10 23:29

Një mënyrë tjetër për t’iu afruar temës së dyzimit të personalitetit nën totalitarizëm do të ishte analiza e pritjes që i është bërë, në vite, shkrimtarit kombëtar Ismail Kadare nga lexuesi shqiptar.

Edhe këtu qasja ime do të jetë fund e krye spekulative, sepse Kadareja është jo vetëm ende aktiv si shkrimtar dhe shumë i pranishëm në jetën shqiptare; por edhe ka ndryshuar ai vetë në kohë së bashku me lexuesin e vet dhe me Shqipërinë vetë.

Për të kanë thënë se ka qenë disidenti më i rëndësishëm në vitet e totalitarizmit, sikurse kanë thënë që ka qenë bard i Enver Hoxhës dhe i terrorit të kuq; disa e kanë konsideruar ndoshta më të madhin shkrimtar bashkëkohor, ndërsa të tjerë shkëlqimin e tij ia kanë atribuar lojërave diplomatike midis regjimit të Tiranës dhe Francës, në vitet e Luftës së Ftohtë.

Një palë betohen me emrin e tij dhe besojnë se veç vepra e tij i ka shpëtuar nga shkretëtira kulturore e Shqipërisë komuniste; të tjerë, përkundrazi janë të mendimit se, me veprën e vet dhe me personazhin e vet si përjashtim që vërtetonte rregullën, ai e bëri regjimin më të tolerueshëm për ata që ndoshta ishin më të ekspozuar ndaj ndikimit subversiv të Perëndimit.

Megjithatë, nuk është qëllimi im këtu të gjykoj rolin e Kadaresë në kulturën shqiptare bashkëkohore, por vetëm të këqyr më nga afër arsyet e mundshme e luhatjeve që janë vënë re në produktin e tij letrar, pas vitit 1990 – shembjes së regjimit diktatorial në Shqipëri dhe arratisjes ose strehimit të vetë shkrimtarit në Francë.

1. Elipset e rrokullimës

Për një numër të madh lexuesish, të cilët janë rritur me Kadarenë dhe e kanë ndjekur në krijimtarinë e vet, madje e kanë pasur për një kohë të gjatë pikë referimi të eksperiencës së tyre letrare, vepra letrare e këtij autori pas vitit 1990 ka pësuar një rënie të dukshme në forcën artistike e dramatike dhe në stil. Dua ta sqaroj menjëherë se edhe unë vetë jam i këtij mendimi.

Është ende herët të thuhet nëse ky perceptim i përgjigjet së vërtetës, aq më tepër që një pyetje e tillë mund edhe të mos ketë kuptim fare. Për ta vazhduar dot këtë diskutim, do ta marr si të mirëqenë që një perceptim i tillë ekziston dhe është relativisht i përhapur; madje ndoshta edhe më i përhapur sesa perceptimi i kundërt, që Kadareja pas vitit 1990 është ndier më i lirë në krijimtarinë e vet dhe ia ka dhuruar publikut të gjitha ato kryevepra që regjimi komunist nuk do t’ia kish lejuar t’i botonte.

Gjithashtu, këtë argument do ta trajtoj brenda kufijve, sado artificialë, të atij brezi lexuesish që e kanë ndjekur Kadarenë që në fillimet e veta, ose që e kanë lexuar, së paku, që prej kohës kur u botuan për herë të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur”, në vitet 1960 dhe në fillimet e viteve 1970, e gjithsesi para romanit “Dimri i madh”.

Nuk jam në gjendje të them asgjë për pritjen e këtij autori nga lexuesi shqiptar i cili ia ka njohur veprën duke filluar nga vitet 1990, ose në kohën kur Kadareja vetë po trajtohej si mostro sacro i kulturës shqiptare dhe i krejt kombit shqiptar; dhe kur numri i atyre që e lëvdonin po vinte duke ia kaluar numrit të atyre që e lexonin; as për pritjen e këtij autori nga lexues që nuk e kanë përjetuar totalitarizmin në Shqipëri, me të cilët kam parasysh brezin e ri të shqiptarëve dhe lexuesin e huaj në Perëndim, i cili i qaset Kadaresë në mënyrë tjetër, e gjithsesi së jashtmi.

Me fjalë të tjera, diskutimin dua ta orientoj në luhatjet me të cilat është perceptuar Kadareja prej të gjithë atyre shqiptarëve të cilët e njohën dhe e adhuruan kur Shqipëria ishte ende totalitare dhe vepra e tij trupëzohej e tëra në kundërvënie, shpesh mortale, me censurën e regjimit.

Natyrisht, shkrimtarët kanë ulje dhe ngritje në krijimtarinë e tyre; dhe nuk është e pamundshme që Kadareja t’i ketë arritur majat e veta artistike me vepra të tilla si “Kronikë në gur”, “Dimri i madh”, “Ura me tri harqe” dhe “Pallati i ëndrrave”, pa pasur kjo kurrfarë lidhjeje me historinë politike dhe kulturore të Shqipërisë, as me klimën kur u botuan dhe u lexuan këto vepra, dhe të tjera artistikisht jo të këtij niveli.

Megjithatë, koincidenca e kësaj rënieje të perceptuar, dhe fundit të regjimit totalitar në Shqipëri ose strehimit politik të autorit në Francë nuk mund të shpërfillet.

Ç’lidhje mund të ketë pasur, atëherë, midis veprës së Kadaresë dhe totalitarizmit shqiptar? Vallë mund të thuhet se arti i Kadaresë i detyrohet tensionit midis dy personaliteteve të një figure publike, e cila detyrohej të ruante, në çdo çast, drejtpeshimin delikat midis disidencës dhe miratimit të regjimit, joshjes ndaj Perëndimit dhe autarkisë kombëtariste, europianizmit dhe unicitetit të shqiptarëve, traditës dhe modernitetit, komunizmit dhe fashizmit?

Thonë se sa më e lartë është diga, aq më i thellë është liqeni i formuar përbri. Një pengesë aq formidabël sa censura totalitare ndaj artit në Shqipëri, ishte përnjimend në gjendje të ndihmonte për të krijuar, në rrethana të favorshme, një letërsi të pashoqe jo vetëm për shqiptarët, por ndoshta edhe për botën mbarë.

Sipas këtij interpretimi, arti i Kadaresë është sublimim i dëshirës së autorit për të qenë i lirë; prandaj edhe, që nga momenti kur kjo dëshirë u realizua, vetë arti i krijuar rishtas u shndërrua në një hije të të mëparshmit.

2. Magjia e maskës

Shkruante Czeslaw Milosz dikur në fillim të viteve 1950:

Qytetarët e vendeve perëndimore nuk e kuptojnë dot se miliona njerëz pak a shumë të ngjashëm me ta, jetojnë në një botë aq fantastike sa edhe marsianët. Nuk janë të vetëdijshëm për perspektivat që ia hap Ketmani natyrës njerëzore. Të jetuarit në tension të brendshëm konstant zhvillon disa talente që përndryshe mbeten latente te njeriu.

Ky i fundit as mund ta përfytyrojë se çfarë zotësish mund të shfaqë e të kultivojë, në rrethana që e detyrojnë të gjejë rrugëdaljen, ose të humbasë. Mbijetesa e atyre që u përshtaten më mirë kësaj akrobatike mendore krijon një tip njeriu që ka qenë i rrallë deri më sot. Çka e shpie njeriun në Ketman, ia mpreh edhe intelektin [...]

Për ta thënë me pak fjalë, Ketmani është realizim i vetvetes duke iu kundërvënë diçkaje. Kush praktikon Ketmanin vuan, për shkak të pengesave që i dalin përpara; por sikur këto pengesa një ditë të zhdukeshin papritmas, ai do të shihte veten të zhytur në një zbrazëti që ndoshta mund të jetë shumë më e dhimbshme. Ndonjëherë revolta e brendshme ka rëndësi thelbësore për shëndetin shpirtëror, dhe mund të krijojë një formë të veçantë lumturie.

Çfarë mund të thuhet haptazi është shpesh shumë më pak interesante sesa magjia emocionale e të mbrojturit së tempullit privat. Për shumicën e njerëzve, nevoja për të jetuar në tension të vazhdueshëm dhe vigjilencë është torturë, por shumë intelektualë e pranojnë këtë me një farë kënaqësie mazohiste.

Kush praktikon Ketman-in, gënjen. Por a do të ishte vërtet më pak i pandershëm, sikur të fliste të vërtetën?

Për Ismail Kadarenë, kjo mund të formulohet kështu: ishte i madh, sa kohë letërsia e tij i kundërvihej, duke e sfiduar, forcës vdekjeprurëse të totalitarizmit – ose të paktën sa kohë që ne lexuesit gjenim në letërsinë e tij një sfidë ndaj forcës vdekjeprurëse të totalitarizmit. Sot, që një forcë e tillë ka përfunduar në arkivat e historisë, dhe diga ndaj lirisë së mendimit është shembur, veprës së Kadaresë i mungon dimensioni i tretë, që për disa materializohej si sfidë, për disa të tjerë si alegori.

3. Po pasqyrat?

Megjithatë – dhe kjo është një megjithatë themelore – ky interpretim, sado i nyjëtuar të jetë e sado të mbështetet në analiza të mirënjohura që i janë bërë kulturës dhe intelektualëve në regjimet totalitare, mbështetet në premisën e gabuar se ndryshimet në veprën e Kadaresë, ulje-ngritjet dhe rënia e pashmangshme, ose rrëgjimi artistik, kanë ndodhur përballë një lexuesi që ka mbetur i pandryshuar në kohë, konstant; si të ishte një madhësi e ftohtë aritmetike, jo produkt po aq historik sa edhe vepra vetë, ose autori i saj.

E them këtë, meqë është elementare të supozohet se ripërmasimi i veprës letrare të Kadaresë në vitet 1990 varet, në masë të madhe, nga ripërmasimi i vetë lexuesit tradicional të Kadaresë; i cili deri atëherë kishte vuajtur së bashku me shkrimtarin dhe ishte dyzuar së bashku me shkrimtarin; dhe kishte ëndërruar, së bashku me shkrimtarin, për ditën kur të gjithë shqiptarët do të çliroheshin nga hekurat e ndryshkura të totalitarizmit; por që pas 1990-ës, përsëri së bashku me shkrimtarin, pati rast të mësojë se ëndrra për liri, dhe përjetimi i vetë lirisë, nuk janë madhësi të bashkëmatshme.

Kadarenë shkrimtar e idolizuan intelektualët shqiptarë të viteve 1970-1980, ose të gjithë ata që e ndienin veten si “më të mirë” sesa kasta e pushtetarëve, ose profesionistët e dhunës totalitare në Shqipëri; pa qenë doemos kundërshtarë të regjimit vetë, as adhurues të Perëndimit dhe të Europës. Ky idolizim, i cili nuk kishte lidhje me suksesin e Kadaresë në Francë e gjetiu ku ishte përkthyer, ishte efekt anësor i tensionit të përftuar, në mendjet e intelektualëve, prej po atij Ketman-i që, pas gjase, e kishte ndihmuar Kadarenë vetë të krijonte kryevepra.

Nëse kjo është e vërtetë, atëherë krijimi dhe përvetësimi i veprës letrare të Kadaresë në Shqipëri ndodhën në kushte të tilla sociale dhe kulturore, të cilat pas 1990-ës nuk ekzistojnë më; as mund të rikrijohen. Brezi ynë është i dënuar të mos e shijojë dot më atë vepër siç e shijonte atëherë, në një kohë që nuk mund ta vlerësojë dot së jashtmi, ose si lexuesit në Perëndim dhe kritikët që e kanë propozuar për çmimin Nobel, e që ia kanë dhënë ndërkohë çmimin Booker International.

Njëlloj sikurse Kadareja vetë, ne jemi më shumë personazhe, sesa konsumatorë të asaj vepre, sa kohë që përpiqemi të vendosim ose së paku të rivendosim një marrëdhënie artistike normale me të.

Paradoksalisht, lexuesi më normal i veprës së Kadaresë ekziston sot në Perëndim; sepse brezat e rinj në Shqipëri janë shurdhuar prej përvetësimit që i është bërë shkrimtarit nga propaganda trashamane kombëtariste dhe lajkatarët gjithfarësh; ndërsa brezat më të vjetër kanë mbetur të ngecur brenda asaj vepre, dhe e kanë të vështirë të përjashtësohen.

4. Liria e lexuesit

Pavarësisht nga spekulimet e mësipërme, ndryshimi madje hendeku që ndan veprën letrare të Kadaresë të pas 1990-ës, me veprën e periudhës “klasike”, të viteve 1965-1985, nuk është çështje përshtypjeje; madje mund të qëmtohet në mënyrë objektive.

Krahasimi i prozës nxjerr në dukje një dobësim të theksuar të karakterizimeve dhe të ligjëratës së drejtë; fjalitë janë bërë më të shkurtra, ritmi i frazës është thjeshtuar, dhe një mani e çuditshme për të promovuar neologjizma në emër të pastrimit të gjuhës (p.sh. qiellzanë për “tavan”) e largon vëmendjen nga loja e tekstit me kuptimin dhe ia prish efektin estetik fjalës.

Gjithashtu, përshkrimet kanë ardhur duke e humbur sugjestivitetin pamor; dhe e ashtuquajtura mise en abîme, ose rrëfimi brenda rrëfimit, mungon ose nuk e ka zhdërvjelltësinë e dikurshme. Vende-vende të duket sikur shkrimtari lodhet e sfilitet për të fryrë një kamerdare tashmë të shpuar.

Nga ana tjetër, në vitet 1990 janë botuar edhe një numër veprash që Kadareja i ka pasë shkruar në kohë të tjera, e që i janë ndaluar, censuruar ose kthyer në karton nga regjimi; vepra që mua më janë dukur, në përgjithësi, të dobëta, madje aq të dobëta sa gati-gati jam tunduar të mendoj se censura, sado politike dhe sektare të ketë qenë, objektivisht i ka bërë mirë shkrimtarit, duke ia ruajtur veprën e vet më të mirë nga pranëvënia me vepra më të dobëta.

E theksoj se kjo ka qenë përshtypja ime, ndoshta edhe e shumë të tjerëve me të cilët komunikoj; e që mund të lidhet jo aq me cilësinë e veprave vetë, sesa me ndryshimin rrënjësor në raportet tona me lirinë e mendimit dhe subversionin e ideve; sikurse edhe me faktin që tani ne kemi rënë në kontakt me autorë ndoshta po aq të mëdhenj sa edhe Kadareja ynë – Calvino, Kundera, Borges-i, Cortázar-i, Marquez-i, Saramago, Koetzee, Eco, Wolfe, Roth, Amish, Pamuk… E që ndryshe nga Kadareja ynë na aviten rishtas, e na e gjejnë imagjinatën të virgjër.

Pasioni dhe kujdesi ynë për veprën e Kadaresë – dhe këtu e kam fjalën për brezin tim – i detyrohet edhe frikës, madje panikut, se mos ajo pjesë e jetës sonë e kaluar nën totalitarizëm është në të vërtetë diçka krejtësisht pa vlerë, mbeturinë që nuk e meriton as të çohet në kosh të plehrave, aksident i shëmtuar i historisë, ëndërr e keqe që duhet harruar.

Për ata intelektualë prej Shqipërie, që kanë nisur të mendojnë në 1945, janë plot dyzet e pesë vjet që duhen shpjeguar njëfarësoj, ri-renditur në raft të kujtimeve, rilexuar ose rikënduar sipas një partiture të re, të rifreskuar e të ripunuar.

Vepra e Kadaresë është njëfarësoj emri që ia vëmë asaj çka do të kishim dashur të shpëtonim me çdo kusht prej asaj kohe të sëmurë, përtej lumturive personale dhe kujtimeve imanente të fëminisë, familjes, natyrës, shtëpisë, qytetit, miqësisë dhe dashurisë; është konfirmimi që edhe ne rezistuam, jo sepse ajo vepër na mësoi të rezistonim, por sepse na siguroi që edhe të tjerë si ne, e të bashkuar me ne në vaskën e madhe të leximit, po rezistonin, në mënyrat e veta, disa edhe pa e kuptuar plotësisht.

Ndoshta edhe akti i fundit i besnikërisë prej lexuesi, që na ka mbetur të bëjmë, është të mësohemi me të vërtetën se ç’ka mbijetuar prej kuptimit të saj të vjetër është tanimë pjesë e muzeut tonë personal, të cilin edhe ne vetë ngurrojmë ta vizitojmë rregullisht.

Xha Xhai
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ku fytyra, ku maska Empty Re: Ku fytyra, ku maska

Mesazh  Neo 12.06.10 15:31

Koha e maskave


Të rrallë janë ata, që sot ecin pa maskë, flenë pa maskë, punojnë pa maskë... Ca vetëm jetojnë pa to! Madje maska sot është bërë identiteti i dytë i njeriut!

Vallë ç´është maska? Pse kaq e rëndësishme kjo fytyrë (e rreme) e dytë në kohën e sotme?

Megjithëse kjo dukuri nuk është edhe aq e re, në kohën tonë moderne është bërë, aq e rëndësishme, sa që njeriu ka filluar më shumë ta pëlqej fytyrën me maskë, sesa atë të vërtetën, realen, fytyrën e pastër njerëzore. Pamjet doplekse janë bërë pjesë përbërëse e mjedisit tonë. S´mbeti kush t´i kritikoj dhe t´i refuzoj. Ato sot luajnë rolin e ndërmjetësuesit për përparim, përfitim apo për ndonjë interes tjetër, që nëse me mundësitë reale nuk do të arrihej, ajo do të realizohej nëpërmjet rrugës tjetër – maskimit.

Ç´është maska

Ta definosh dhe ta përcaktosh se ç´është maska nuk është edhe aq e pamundur. Është fare lehtë dhe e mundshme... Vetëm duhet të kuptosh se ajo paraqitet atëherë kur ndërgjegjja dhe përgjegjësia largohen nga kurmi dhe shpirti i njeriut.

Me termin maskë nënkuptojmë: “të fshehurit e realitetit dhe mbi atë që është e njohur të vendoset diçka që do t´ia ndryshonte formën dhe përmasën reale.”

Pra, me përcaktime të këtilla të përafërta, “maskën” edhe fjalorët e gjuhëve e përcaktojnë dhe shpjegojnë në mënyrë të ngjashme. Sot, kur gjërat më shumë janë artificiale dhe të parregulluara mirë, sesa origjinale dhe me përbërje të plotë reale, e vetmja mënyrë është të gjendet rruga nëpërmjet të cilës do të fshihen të metat dhe “gjësendi” të duket OK dhe i përshtatshëm.

Realisht, në të shumtën e rasteve, sot maska luan rolin e plotësimit të të metave të “gjësendit” i cili ka dalë në “mejdan”.

Në qoftë se nuk e maskove (reklama në përgjithësi luan rolin e maskës, e cila lavdëron “gjësendin”) atëherë mbi “atë” do të bien sanksionet e natyrës, ku do të bëhet i papërshtatshëm, sepse askush nuk do t´ia hedhë syrin. (Sqarim për lexuesin: Këtu nuk bëhet fjalë për maskën e plastikës, e cila preket, por për maskën abstrakte, e cila nuk preket, nuk duket, por shihet dhe kuptohet nga vet objekti, i cili kundërshtohet me natyrën dhe përmasën reale që e ka si gjësend).

Përdorimi i maskës trendi i kohës sonë


Po njeriut, ç´i nevojitet të “shitet në mejdan”? Ç´i nevojitet atij të përdor maskën, kur në realitet lindi i pamaskuar, lindi me ndjenja dhe shpirt të pastër. Pse gjithë ky çrregullim shpirtëror mbizotëron tek ne?
S´ka dyshim se këtë e solli joprofesionalizmi.

Me shfaqjen e personit publik, në të cilin nuk janë të gërshetuara ndjenja e përgjegjësisë dhe ndërgjegjja e shëndoshë dhe e pastër njerëzore për shpirtin tij, shkaktoi paraqitjen e mënyrës joreale dhe të rreme, duke e përdorur maskën si mjet me anë të të cilit do t´i përmbush ato karakteristika që në realitet nuk i ka, por njëkohësisht edhe “spektatorit” t´ia mbush syrin.

Pra, përdorimi i maskës sot është forma më e mirë dhe më adekuate për të arritur deri te qëllimet. Sot, të rrallë mbetën ata që nuk u infektuan me këtë virus, që nuk u bënë dëm të pafajshmëve, që mbetën anësh “skenës së kohës”, pasi që ishin të vërtetët, të sinqertët...

Të rrallë, si duket, kanë mbetur ata që s´e dëshirojnë maskimin. Nuk mbeti politikanë, mësues, profesor, hoxhë, myfti, mjek, prind, fëmijë, student, etj, etj., pa mos u njollosur me këtë “pamje ndryshe” nga ajo që në të vërtetë është, nga ajo që në të vërtetë përfaqëson ose bart me vete. Rruga e vetme për t´u dukur sa më të përsosur për këta persona është maska.

Shumica fshihen pas saj, jetojnë nën hijen e saj, mbijetojnë me fuqinë e saj, shkelin me forcën e saj, vrasin dhe marrin të drejta nën arsyen e saj... Me fjalë të tjera: maska është bërë sikur masha për t´i ruajtur duart, për t´u mos u djegur nga përgjegjësia dhe drejtësia. Por, ata harrojnë se një ditë do të dalin para Drejtësisë së Madhe.

Në popull është krijuar bindja se çdo gjë që flet politikani, mësuesi, hoxha, media etj., është rrenë dhe nuk u besohet. Për çfarë arsye, pse të ndodh kjo, kur dihet se më parë, kur ka folur hoxha ose mësuesi predikimi i tyre është dëgjuar dhe është zbatuar pa kurrfarë dyshimi.

Humbja e besimit dhe sinqeritetit tek njerëzit shkaktoi lindjen e kësaj sëmundje shumë të rrezikshme për shoqërinë. Drejtësia e cila aplikohet në vend është e skrupullt, i pafajshmi dënohet, kurse krimineli dëfrehet duke bërë krime dhe përsëri vazhdon të jetoj në liri, ndërsa e gjithë kjo ndodhë nën hijen e maskës. E këtillë është sot gjendja e shoqërisë dhe popullit tim.

Por, kjo nuk do të thotë që ne jemi të vetëm në këtë drejtim. Edhe shoqëritë tjera më të integruara të globit janë të infektuar nga kjo sëmundje e maskimit, bile ne këtë e mësuam prej tyre, por te ata ka një dallim, janë më ekspertë në këtë drejtim, me ç´rast dinë të jenë me transparent në plotësimin e standardeve jetësore dhe nuk e zhgënjejnë shumë “spektatorin”.

Zgjidhje e mundshme...

Kemi arritur te fjala e fundit, megjithëse asnjëherë nuk mund të themi se kjo është përfundimtare, kur kemi parasysh se çdo ditë e më tepër ngarkohet bota dhe njerëzit për çdo ditë ballafaqohen me probleme të reja të natyrave të ndryshme, mund të japim një zgjidhje, e cila do të ishte sado pak e dobishme dhe e realizueshme. Së pari, si veprim parësor, njeriu duhet ta shoh vetveten kush dhe çka është, dhe pastaj, të vendos se është kompetent për të çuar procese përpara ose jo.

Të vepruarit në bazë të profesionit dhe kualitetit, besoj se duhet të jetë, ideali më i lart i kësaj kohe. Askush nuk do të bënte ndonjë punë kaq sublime dhe madhështore, përveç atij i cili vepron profesionalisht.

Së dyti, te shumica e njerëzve, e posaçërisht te personat publik, ka rënë ndërgjegjja dhe frika për llogari, prandaj gërshetimi i njeriut me këto vlera determinuese për një mirëqenie sa më të mirë do ishte më se i nevojshëm.

Nëse një intervenim dhe kurim i këtillë nuk do të bëhej, do të thosha edhe shpirtëror, atëherë shoqërisë sonë i imponohen dy alternativa: ose do të rebelohet ose do të shuhet nga skena e kohës, sepse maskat për detyrë kanë shfarosjen.

M. Alija
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ku fytyra, ku maska Empty BËJMË SIKUR

Mesazh  senat 08.01.11 10:24

Bëjmë sikur... Bëjmë sikur flasim. Bëjmë sikur heshtim. Bëjmë sikur punojmë. Bëjmë sikur mendojmë. Bëjmë sikur merremi me politikë. Bëjmë sikur dalim në zgjedhje. Bëjmë sikur fitojmë. Bëjmë sikur jemi zëri i qytetarëve. Bëjmë sikur jemi të lumtur. Bëjmë sikur protestojmë. Bëjmë sikur rebelohemi. Bëjmë sikur duam dialog. Bëjmë sikur shprehim pakënaqësi qytetare. Bëjmë sikur kemi pushtet.

Bëjmë sikur kemi opozitë. Bëjmë sikur shfaqemi me fytyrat tona në maskenballin e përditshëm. Bëjmë sikur jemi të ndershëm në një botë hipokrite. Bëjmë sikur jemi trima në një botë të frikshme. Bëjmë sikur jemi të besës në një botë hienash. Bëjmë sikur jetojmë në kohë mbijetese. Bëjmë sikur... Kjo është mënyrë jetese, identitet, kryefjalë jetësore. Jetojmë në shoqëri frike apo shoqëri të frikshme. Kemi frikë të flasim, sepse na dëgjojnë muret. Kemi frikë të heshtim kur s’kemi asgjë për të thënë, sepse heshtja nuk pëlqehet. Kemi frikë të kërkojmë, sepse kërkesat shkaktojnë kokëçarje.

Kemi frikë të shoqërohemi, sepse i njohuri ynë mund të jetë i padëshirueshëm. Kemi frikë të rrimë vetëm, sepse na tmerron zëri i ndërgjegjes. Kemi frikë të mbyllim veshët, atëherë kur fliten marrëzira. Jemi anëtarët e korit të madh. Përsëritësh refrenesh. Nuk flet gjuha, por gjuhëreja. Flet gjuhëreja që nuk thotë asgjë dhe përsërit të përsëriturën. Flet gjuhëreja që nuk hap dritare mendimi, por mbyll sokaket e mendjes.

Bëjmë sikur e duam lirinë, por nuk e durojmë barrën e saj të rëndë mbi supet tona; sepse liria është e vështirë, është gjendje aktive, kërkon përgjegjësi, vetiniciativë, guxim, qytetari, personalitet, kurse robëria është e lehtë, është gjendje pasive, përkulje, pajtim me nëpërkëmbjen; të mjafton vetëm buka e përditshme tokësore dhe nuk mendon për bukën qiellore. Jemi bijtë e tranzicionit të përhershëm. Jemi bijtë e gjeneratës së udhëkryqit. Duam të vemi diku, por nuk kemi adresë. Themi se atje, diku, matanë na presin, por dielli alegorik na verbon.

Këneta na duket vend i rehatisë, ku mund të jetohet jeta e shkurtër. Ata që nuk na ngjajnë i përqeshim. Ata që duan të jenë ndryshe i përbuzim. Krenaria është më e madhe se sa mjerimi. Nata e mendjes na ka përgjumur. Skamja na ka bërë të pabesë. Bëjmë sikur besojmë në Zot dhe fshehurazi përvidhemi kurvëtoreve. Vishemi si shenjtorë dhe shohim ëndrra hamshorësh. Flasim për punë dhe kotemi nga përtacia. Flasim për disiplinë, por nuk kemi metodë pune e veprimi. Flasim për heronj dhe numërojmë beteja të humbura.

Jemi bij të tranzicionit të përhershëm, të kohës kalimtare, të udhëkryqit. Majtas mund të jetë keq, ashtu siç mund të jetë keq edhe djathtas. Më mirë na del të ngulitemi në një vend dhe të presim... Ashtu sikurse priste Godoja. Ashtu sikurse prisnin njerëzit në agora që të shfaqeshin barbarët, që ishin njëfarë zgjidhjeje. Ashtu sikurse priste eprori në Shkretëtirë të Tartarëve. Indiferenca është shpëtim, na mbron lëkurën personale. Edhe heshtja është shpëtim.

Heshtim kur fytyrëvrenjturit na pyesin kërcënueshëm: “A e di kush jam?”. Kjo është pyetje sfinksi që duhet të mos i përgjigjesh. Askush nuk pyet se kush je, çfarë ke bërë. “A e di kush jam?”. Nuk ja kemi dëgjuar askund emrin, as veprat nuk ia dimë, por ai duhet të jetë Dikush. Një Dikush që pyet kërcënueshëm dhe fytyrëvrenjtur. Një Dikush që nuk mund t’i themi se është Askushi, sepse jetojmë në shoqëri të frikës, si dikur kur këmbët dridheshin nga një poreznik i thjeshtë; si tani, në këtë kohë kalimtare, kur këmbët dridhen nga një valëvitës flamujsh melankolikë...

Nuk mund të dalim nga kjo shoqëri, ku hipokrizia të shpëton nga hallet, por jo edhe nga vetvetja, sepse vetë e kemi ndërtuar si të tillë. Bashkërisht. Ngadalë dhe me vite të tëra. Brenda saj ndjehemi rehatshëm, sepse askush nuk kërkon të jemi qenie aktive. Askush nuk të kërkon llogari nëse respekton kodet e saj... Jemi bij të kohës kalimtare, që na mjafton e sotmja, sepse e nesërmja është e largët...

Nga Salajdin SALIHU
senat
senat

2


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ku fytyra, ku maska Empty Re: Ku fytyra, ku maska

Mesazh  Idlir 08.01.11 12:24

Sapo lexova nje poeme Migjeniane, poemen tone te mjerimit, me nje ligjerim shume te bukur e mbreselenes! Gjeta njeheresh, logjike, vertetesi, poezi, dashuri! Ju ftoj ta lexoni me vemendje e respekt; e, le te reagojme qofte edhe me veten tone!
Idlir
Idlir

71


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Ku fytyra, ku maska Empty Re: Ku fytyra, ku maska

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi