EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Psikologji

Shko poshtë

Psikologji Empty Psikologji

Mesazh  Neo 26.06.09 17:07

P S I K O L O GJ I

ÇKA ËSHTË PSIKOLOGJIA?

Psikologjia është shkenca mbi shpirtin.

Psikologjia studion proceset dhe sjelljet e vetëdijshme dhe të pavetëdijshme psikike
të individit.

Psikologjia studion në aspektin shkencor sjelljen dhe proceset psikike.

Objekti i interesimit të psikologëve përfshin sistemin nervor, ndjenjat dhe percepcionin, të mësuarit dhe kujtesën, intelegjencinë, gjuhën dhe të folurit, mendimin, rritën dhe zhvillimin, personalitetin, stresin dhe shëndetin, çrregullimet psikologjike, mënyrat e zbutjes dhe të mënjanimit të çrregullimeve psikologjike, sjelljen seksuale, si dhe sjelljen e njerëzve në rrethana sociale, d.m.th. në grupe të ndryshme dhe në organizata shoqërore.

PSIKOLOGJIA SI SHKENCË

Psikologjia, si edhe shkencat e tjera, përpiqet t'i përshkruajë, sqarojë, parashohë
dhe kontrollojë dukuritë që i studion. Pra, psikologjia përpiqet të përshkruajë, sqarojë,
parashohë dhe kontrollojë sjelljen dhe proceset psikike.

Kurdoherë që kjo është e mundur, emërtimet dhe nocionet përshkruese lidhen me
teorinë. Teoritë paraqesin formësimin e tërësishëm të raporteve të qarta midis dukurive
të vrojtuara. Teoritë psikologjike mbështeten në supozimet mbi sjelljen dhe proceset
psikike, përmbajnë pohime mbi parimet dhe ligjshmëritë që sundojnë midis tyre dhe na
bëjnë të mundshëm paraqitjen e sqarimeve dhe të parashikimeve.

Teoritë psikologjike mund t'i ndërlidhin pohimet mbi sjelljen (siç është të ushqyerit ose agresioni), proceset psikike (mentale) (siç janë qëndrimet ose parafytyrimet), si dhe mbi strukturat anatomike ose proceset biologjike.

Për shembull, shumë prej reaksioneve tona ndaj drogës sikurse ndaj alkoolit apo marihuanës, mund të maten kur manifestohen në sjellje, e supozohet se ajo sjellje shpreh veprimin biokimik të drogave si dhe parashikimet tona (mentale) mbi ndikimin e tyre.

Psikologët verifikojnë, gjithashtu, teoritë e veta të përpiluara me kujdes me anë të metodave hulumtuese, siç janë hulumtimet dhe eksperimentet në terren.

Teoria e kënaqshme psikologjike na i bën të mundshme parashikimet. Për shembull, teoria e kënaqshme mbi urinë do të na bëjë të mundshëm parashikimin kur do të hanë njerëzit e kur jo.

Mirëpo, në psikologji për shumë teori është konstatuar se nuk janë të afta të
sqarojnë ose parashikojnë atë që është vërejtur. Për këtë arsye, ato teori janë braktisur
ose janë ndryshuar.

Nocioni i kontrollimit të sjelljeve dhe të proceseve psikike është kontravers. Disa njerëz gabimisht mendojnë se psikologët kërkojnë mënyra që t'i shtyjnë njerëzit e tjerë ta bëjnë atë që u urdhërohet - sikurse kukullave në pe. Kjo nuk është ashtu.

Psikologët janë të prirur të besojnë në dinjitetin e qenieve njerëzore, kurse dinjiteti i njeriut kërkon që njerëzit të jenë të lirë të marrin vendime të veta dhe të zgjedhin sjelljen e vet. Tërë kohën psikologët mësojnë gjithnjë e më shumë për ndikimet në sjelljen e njeriut, por atë dijeni ata e aplikojnë vetëm në bazë të kërkesës dhe për t'u ndihmuar njerëzve në realizimin e
nevojave të tyre.
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Psikologji Empty Re: Psikologji

Mesazh  Neo 26.06.09 17:12

PSIKOLOGJIA E APLIKUAR

Psikologët kanë interesim të shprehur të përbashkët për sjelljen, por mund të
dallohen shumë mes veti.

Disa psikologë në radhë të parë janë të angazhuar në hulumtime themelore (që ndonjëherë quhen bazike ose teorike apo hulumtime të pastra).

Hulumtimet themelore nuk kanë aplikim të drejtpërdrejtë në problemet personale
ose shoqërore, prandaj për këtë arsye konsiderohen hulumtime që kanë vetveten për
qëllim.

Psikologët e tjerë merren me hulumtime aplikative, që i dedikohen kërkimit të zgjidhjeve për problemet specifike personale ose shoqërore. Megjithëse hulumtimet themelore nxiten nga kurreshtja dhe dëshira për dije dhe mirëkuptim, hulumtimet e sotme themelore shpeshherë përmirësojnë mënyrën e nesërme të jetesës.

Për shembull, hulumtimet themelore të të mësuarit dhe të motivimit të kryera ndaj kafshëve në fillim të këtij shekulli kanë gjetur një aplikim të gjerë në sistemet e sotme shkollore. Hulumtimet themelore të veprimit të sistemit nervor i kanë zgjeruar njohuritë mbi çrregullimet siç janë epilepsia, sëmundja e Parkinsonit, sëmundja e Alzheimerit.

Shumë psikologë nuk janë inkuadruar në kurrfarë hulumtimesh. Në vend të kësaj, ata aplikojnë njohuritë psikologjike që t'ju ndihmojnë njerëzve të ndryshojnë sjelljen e vet në mënyrë që të mund t'i arrijnë në mënyrë më të efektshme qëllimet e veta.

Psikologë të shumtë merren kryesisht me mësim. Ata i zgjerojnë njohuritë psikologjike
në klasë, seminare dhe punishte të ndryshme.

Mirëpo, të shumtë janë psikologët e inkuadruar në të gjitha këto aktivitete: hulumtim, këshillim dhe mësim. Për shembull, profesorët e psikologjisë zakonisht zbatojnë hulumtime të pastra ose të aplikuara, u japin këshilla klientëve individualë ose industrialë dhe i mësojnë.

Psikologët klinikë dhe psikologët këshillëdhënës

Psikologët klinikë u ndihmojnë njerëzve që kanë probleme psikologjike në
përshtatjen ndaj kërkesave jetësore. Problemet e klientëve mund të shkojnë nga ankthi
dhe depresioni, vështirësitë në jetën seksuale e deri te humbja e qëllimeve jetësore.
Psikologët klinikë i vlerësojnë problemet me anë të intervistave strukturore dhe të
testeve psikologjike. U ndihmojnë klientëve të vet në zgjidhjen e problemeve të tyre dhe
në ndryshimin e sjelljes së papërshtatshme me aplikimin e psikoterapisë dhe të
terapisë biheviorale.

Psikologët shkollorë dhe arsimorë

Psikologët shkollorë janë të punësuar në sistemin shkollor dhe u ndihmojnë
atyre që kanë të bëjnë me problemet që e pengojnë të mësuarit. Problemet e tilla
përfshijnë problemet sociale dhe familjare, problemet emocionale dhe vështërsitë
specifike të të mësuarit. Psikologu shkollor i konstaton problemet e nxënësve me anë të
intervistës me mësuesit, prindërit dhe vetë nxënësit.

Psikologët zhvillimor

Psikologët zhvillimor i studiojnë ndryshimet - trupore, emocionale, kognitive dhe
sociale - që ndodhin gjatë tërë jetës. Ata përpiqen të veçojnë ndikimin relativ të
trashëgimisë (natyrës) nga rrethina (edukimi) në zhvillim. Psikologët zhvillimor zbatojnë
hulumtime mbi ndikimin e përdorimit të drogës nga ana e nënës në embrion,
përfundimet e formave të ndryshme të edukimit të fëmijëve, njohuritë e fëmijëve mbi
hapësirën dhe kohën, konfliktet e adoleshentëve, përshtatjen e njerëzve më të moshuar.

Psikologët që merren me personalitetin dhe psikologët socialë

Psikologët që merren me personalitetin e njeriut përpiqen t'i caktojnë tiparet
njerëzore; të përcaktojnë se çka ndikon në proceset mendore të njeriut, ndjenjat dhe
sjelljet, si dhe t'i sqarojnë çrregullimet psikologjike. Ata merren sidomos me problemet e
njeriut sikur janë ankthi dhe agresioni, si dhe me çështjet e roleve gjinore.

Psikologët socialë në rend të parë orientohen në natyrën dhe në shkaqet e të menduarit dhe të ndjenjave të individëve dhe në sjelljen e tyre në situatat sociale. Psikologët që studiojnë personalitetin përpiqen që brenda personit t'i gjejnë disa interpretime të sjelljes, kurse psikologët socialë orientohen në ndikimet shoqërore ose të jashtme. Në sjellje veprojnë edhe ndikimet e brendshme dhe të jashtme.

Psikologët industrialë

Psikologët industrialë janë të orientuar në raportet midis njeriut dhe punës. Psikologët e organizatave studiojnë sjelljen e njerëzve në organizata siç janë ndërmarrjet e ndryshme. Mirëpo, shumë psikologë janë të arsimuar për të dy fushat.

Psikologët industrialë dhe ata të organizatave janë të punësuar në organizatat afariste me detyrë që t'i përmirësojnë kushtet e punës, të shtojnë produktivitetin dhe - nëse kanë arsimim për këshillime - punojnë me të punësuarit që kanë probleme në punë. Ndihmojnë gjatë punësimit, arsimimit dhe përparimit.
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Psikologji Empty Re: Psikologji

Mesazh  Neo 26.06.09 17:42

ZHVILLIMI HISTORIK I PSIKOLOGJISË

Psikologjia ka një të kaluar të gjatë, por një histori të shkurtër.

Megjithëse duket që rezultatet e hulumtimeve dhe zhvillimi teorik ndryshojnë pamjen e psikologjisë gjatë çdo disa viteve, projektin e këtij teksti mësimor ka mundur ta shkruajë filozofi grek Aristoteli (rreth viteve 384 -322 para Krishtit).

Një nga veprat e Aristotelit është quajtur Peri Psyches, që do të mund të përkthehej si "Mbi psikën". Peri Psyches, si edhe ky libër, fillon me historinë e psikologjisë së të menduarit dhe pikëpamjet historike mbi natyrën e psikikës dhe të sjelljes.

Aristoteli gjithashtu ka pohuar se njerëzit janë të motivuar në mënyrë bazike që të
kërkojnë kënaqësinë dhe t'i shmangen dhembjes, qëndrim ky që e ka shfrytëzuar teoria
moderne psikodinamike dhe teoritë e të mësuarit.

Ekzistojnë edhe kontribute të tjera të grekëve të vjetër. Demokriti (rreth viteve
460-370 para Krishtit), për shembull, ka theksuar se sjellja jonë është nën ndikimin e
ngacmimeve të jashtme. Ai ka qenë një nga të parët që ka parashtruar çështjen se a ekziston diçka e tillë siç është vullneti i lirë ose zgjedhja.

Platoni (rreth viteve 427-347 para Krishtit), nxënës i Sokratit (rreth viteve 470- 399 para Krishtit), ka shënuar këshillën e Sokratit "njihe vetveten". Që nga atëherë kjo është motoja e mendimit psikologjik. Sokrati ka konkluduar se ne nuk mund të arrijmë njohjen e plotë të vetvetes me anë të ndjenjave tona sepse ato nuk janë shprehje e saktë e realitetit.

Edhe sot dallojmë ngacmimet që veprojnë në receptorët tonë të ndijimit nga percepcionet dhe ndijimet tona shpeshherë të shtrembëruara. Pasi që ndijimet e bëjnë të mundshme njohjen e papërkryer, Sokrati ka propozuar që ta studiojmë vetveten me anë të të menduarit racional dhe të introspeksionit.

Mirëpo, le t'i kthehemi zhvillimit të psikologjisë si shkencë laboratorike në
gjysmën e dytë të shekullit 19. Disa historianë vejnë datën e fillimit në vitin 1860.
Atëherë Teodor Gustav Fechner (1801-1887) ka botuar librin që është gur kufitar në
psikologji: "Elementet e psikofizikës".

Ajo ka treguar se në çfarë raporti janë dukuritë fizike (siç janë drita dhe zëri) me dukuritë psikologjike të ndijimit dhe të percepcionit. Fechner gjithashtu ka treguar se si mund të masim shkencërisht efektet e atyre dukurive. Shumica e historianëve e vendos fillimin e psikologjisë moderne si shkencë laboratorike në vitin 1879. Atë vit Wilhelm Wund (1832-1920) ka themeluar laboratorin e parë psikologjik në Leipzig të Gjermanisë.

DREJTIMET MË TË RËNDËSISHME PSIKOLOGJIKE

Strukturalizmi

"Wilhelm Wundt, sikurse Aristoteli, ka konkluduar se psiqika është dukuri natyrore, që mund të studiohet shkencërisht si dhe drita, ngrohtësia dhe qarkullimi i gjakut. Wundt ka shfrytëzuar introspeksionin duke u përpjekur t'i zbulojë elementet themelore të përjetimit. I ballafaquar me drita dhe tinguj të ndryshëm, ai dhe kolegët e tij kanë vrojtuar vetveten se si do t'i përshkruanin ndijimet dhe ndjenjat e veta.

Wundi dhe nxënësit e tij e kanë themeluar shkollën psikologjike të njohur si
strukturalizëm. Strukturalizmi përpiqej të caktonte organizimin e përjetimeve të
vetëdijshme.

E ka zbërthyer përjetimin në ndijime objektive siç janë të parit ose të vullnetit dhe të shijimi dhe ndjenjat subjektive ose të vullnetit dhe të parafytyrimeve mentale (për shembull kujtimet ose ëndrrat).

Strukturalistët besonin se mendja funksionon me kombinimin kreativ të elementeve të përjetimit.

Një nga nxënësit amerikan të Wundtit ka qenë edhe G. Stanley Hall (1844-1924).

Interesimi kryesor i Hallit përfshinte zhvillimin psikologjik në fëmijëri, adoleshencë dhe në moshën më të shtyrë. Hallit zakonisht i atribuohet themelimi i fushës së psikologjisë së fëmijëve. Ai është edhe themelues i Shoqatës psikologjike amerikane(APA).

Funksionalizmi

Kam dëshiruar që, duke vepruar me psikologjinë si me shkencë natyrore, t'i ndihmoj të bëhet e tillë.

WILLIAM JAMES

Nga fundi i shekullit 19, William James (1842-1910), vëllai i shkrimtarit Henry
James, miraton një pikëpamje të gjerë mbi psikologjinë, duke u orientuar në raportet
midis përjetimit dhe sjelljes.

James pohon se ekziston një rrymë e pandërprerë e rrjedhës së vetëdijes. Introspeksioni e ka bindur se përjetimi nuk mund të zbërthehet në njësi, siç mendonin strukturalistët.

James ka themeluar shkollën e funksionalizmit që merret me sjelljen si dhe me vetëdijen. Funksionalizmi shqyrton mënyrat me të cilat përjetimet dhe përvoja na mundësojnë përshtatjen e sjelljes ndaj rrethinës në të cilën gjendemi.

Funksionalizmi shfrytëzon vrojtimet laboratorike si plotësim i introspeksionit. Strukturalistët praktikonin të pyetnin: "Cilat janë pjesët e proceseve psikike?", kurse funksionalistët ishin më të prirur të pyetnin: "Cili është qëllimi (funksioni) i sjelljes dhe i proceseve psikike? Cilat janë efektet e tyre?".

Funksionalistët mendojnë se ndërthurjet adaptative të sjelljes janë të mësuara dhe të pandryshueshme. Sjellja e papërshtatur anon kah zhdukja ose ndërprerja. Veprimi i përshtatur anon kah përsëritja dhe bëhet shprehi. James ka shkruar se "shprehia është një rrotë jashtëzakonisht balancuese e shoqërisë". Shprehia e mban shoqërinë nga dita në ditë.

Krijimi i shprehive pasqyrohet në veprimet siç janë futja e lugës në gojë ose shtypja e dorëzës së derës.

Së pari, ato veprime kërkojnë kujdes të plotë. Nëse jeni në dilemë, ndaluni me facoletën e letrës në dorë dhe vështroni pak fëmijën gjatë përpjekjes së tij që për herë të parë të ushqehet vetë. Me anë të përsëritjes, veprimi që paraqet të ushqyerit e pavarur bëhet automatik, d.m.th. bëhet shprehi. Veprimtaria e shumëfishtë e përfshirë në të mësuarit e drejtimit të automjetit me anë të përsëritjes bëhet gjithashtu rutinore. Pas kësaj mund ta realizojmë pa ndonjë kujdes të veçantë.

Atëherë lirisht mund të orientohemi në konverzim interesant ose në ndonjë radio emision. Ideja mbi të mësuarit me anë të përsëritjes është ide themelore edhe për traditën bihevioriste.
Neo
Neo

"Njëshmëria - mund të njihet vetëm duke u bashkuar me të."


1402


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Psikologji Empty Re: Psikologji

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi