EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Apokrifet - Ungjilli i Bartolemeut

Shko poshtë

Apokrifet - Ungjilli i Bartolemeut Empty Apokrifet - Ungjilli i Bartolemeut

Mesazh  Zattoo 11.07.14 15:55

Apokrifet - Ungjilli i Bartolemeut 270px-Gospel_of_Mary

Rreth pyetjeve që Bartolemeu i Lumë dhe apostujt e tjerë i bëjnë Zotit Jezu Krisht

Në atë kohë, përpara vuajtjeve të Zotit Jezu Krisht, qenë tubuar së bashku të gjithë dishepujt, të cilët po e pyesnin, duke i thënë: “Zot, na i rrëfe të fshehtat e qiellit“. Jezui u përgjigj: “Nuk mund t’ju flas për këto, deri në ditën kur ta kem lënë trupin tim prej mishi“.

Por, mbasi vuajti dhe u ringjall, të gjithë… apostujt e vështronin pa guxuar ta pyesnin, meqenëse fytyra e tij nuk ishte më ajo e para, sadoqë shpërfaqte virtyte të përndritshme.

Por Bartolomeu iu afrua e i tha: “Zot, kam gjëra për të të thënë“. Jezui iu përgjigj: “Shumë i dashur Bartoleme, e di se ç’dëshiron të më thuash. Pyetmë, pra, dhe unë do të të përgjigjem rreth gjërave që dëshiron, e do të t’i kujtoj unë vetë nëse ti nuk i mban mend më.“

Bartolemeu pyeti: “Zot, kur ti gjendeshe i mbërthyer në kryq, unë të kam ndjekur që nga larg; ndërsa të gjithë apostujt qenë tërhequr mbrapa, unë të kam ndjekur. Të kam parë të varur në kryq dhe engjëjt që vinin aty për të të adhuruar. Dhe, kur u bë natë, unë të vështroja dhe vura re se ti ishe bërë i padukshëm në kryq. Dëgjoja vetëm zërat në ferr dhe, papritmas, më zunë të dridhurat nga frika. Thuamë, Zot, ku ke shkuar prej kryqit?”



Jezui në mbretërinë e të vdekurve

Jezui iu përgjigj: “Bartolemeu im i Lumë, që e ke parë këtë mister, tashti ty do të të flas për gjithë çka më pyete. Kur u bëra i padukshëm në kryq, zbrita në mbretërinë e të vdekurve për të çliruar Adamin, Isakun e Jakobin, simbas kërkesës së kryeengjëllit Mikael.“

Atëherë Bartolemeu e pyeti: “Zot, çfarë zëri ishte ai që u dëgjua?“. Zoti iu përgjigj: “Kur zbrita në mbretërinë e të vdekurve bashkë me engjëjt për të këputur zinxhirët e hekurt dhe portat e Skëterrës, Skëterra thërriste: “O Belzebul2, o Satana3, për shkakun tënd Zoti zbriti në tokë.“ Dhe engjëjt thërrisnin: “Mohues, hapini portat e të parit tuaj, sepse mbreti i lavdisë po zbret në tokë.“

Skëterra u tha atyre: “Kush është ky mbret i lavdisë që po zbret këtu tek ne?“ Mandej Skëterra zbriti pesëqind këmbë; u drodh fort e tha: “Mendoj se Zoti ka zbritur në tokë. Dëgjoj zërin e të Madhërueshmit. Në të vërtetë erdhi me një aromë të të fortë dhe unë nuk mund t’i bëj dot ballë“. Belzebuli tha: “Mos beso, Skëterrë, kij guxim! Në të vërtetë, Zoti nuk zbriti në tokë“.

Por mbasiqë zbriti sërish edhe pesëqind këmbë të tjera, engjëjt e virtytit thërritën: “Hapuni porta të princit tonë, ndahuni nga njëra-tjetra, sepse prej qiellit po zbret vetë mbreti i lavdisë“. Skëterra tha: “Mjerë unë! Ndjej kundërmimin e Zotit, ndërsa ti thua se Zoti nuk zbret në tokë?“

Belzebuli u përgjigj: “Nga se ke frikë? Ai është profet e ti thua se është Zot? Ke ngatërruar Zotin me një profet e një të drejtë. Unë do ta mbërthej e mandej do ta hedhim menjëherë (poshtë). Kush mendon se është ngritur në qiell?“

Skëterra iu përgjigj: “Cili nga profetët? Thuajmë, mos vallë është skribi i drejtësisë? Por Zoti nuk lejon që të vijë në tokë, veç kur të kenë kaluar shtatë mijë vjet“. Kështu më tha vëllai i drejtë: “Në ditët e fundit Zoti do të vijë“. Me të vërtetë, nuk do të zbresë në tokë Biri i Zotit? Mjerë unë! Ç’do të bëj? Në të vërtetë, Zoti vjen dhe me paudhësinë tonë nuk kemi mbërritur ende në ndërhyrjen e fundit të Zotit dhe unë nuk do të jem mes qengjave.

Belzebuli e kuptoi që gjithçka kishte të bënte me Fjalën e Atit që po zbriste. Skëterra i tha: “Nga mund të iki, ku mund të fshihem nga prania e fuqisë së mbretit të madh? Lejomë të hyj brenda teje, meqenëse prej teje kam qenë mbrujtur.“

Atëherë u copëtuan portat prej bronxi dhe shulat e hekurt. Zoti hyri, e mbërtheu, e goditi, urdhëroi që ta kopanisnin, e lidhi me zinxhirë të pazgjidhshëm dhe i çliroi të gjithë patriarkët, të gjithë që qenë ngujuar aty; mandej u ktheva sërish mbi kryq.“

Bartolomeu i tha: “Unë të shquajta sërish të varur në kryq dhe i pashë të gjithë të vdekurit që ringjalleshin: të adhuronin e mandej futeshin sërish në varr. Thuajmë, Zot, kush ishte ai njeri që mbartej në duar prej engjëjve; ishte një burrë i bukur; dhe çfarë i the që psherëtiu për së thelli?“ Jezui u përgjigj: “Ai ishte Adami, i pari njeri që qe krijuar, dhe pikërisht për të unë kam zbritur nga qielli në tokë. Unë i thashë Adamit: “Pikërisht për ty e për bijtë e tu jam mbërthyer në kryq“. Ai psherëtiu dhe qau.“

Bartolomeu tha: “Zot, i pashë të gjithë engjëjt që po i prinin Adamit në qiell dhe po i këndonin himne. Njëri nga ata engjëj, i stolisur me çdolloj bukurie, nuk donte të ngjitej me ta; në duar kishte një shpatë prej zjarri dhe po rrinte në pritje; por të gjithë engjëjt këmbëngulnin që ai të ngjitej së bashku me ta. Kur ishte gati për t‘u ngjitur me ta, unë shquajta një flakë që vërshonte nga duart e tij dhe mbërrinte deri matanë Qytetit.“

Jezui u përgjigj: “Është shpata flakëruese që goditi ndërtesën e sinagogës duke e ndarë më dysh, si dëshmi e kryqëzimit tim“.

Kush lindet e kush vdes. Me të thënë këtë iu drejtua apostujve: “Më prisni në këtë vend, sepse sot në parajsë më është paraqitur një blatim dhe po shkoj ta marr.“ Por Bartolomeu e pyeti: “Zot, çfarë është ky blatim në parajsë?“

Jezui u përgjigj: “Shpirtërat e të drejtëve dalin sot nga trupi dhe hyjnë në parajsë“. Bartolomeu e pyeti: “Zot, kur ti na mësoje ne, more ndonjë blatim në parajsë?“ Jezui u përgjigj: “Nuk mora“.

Bartolomeu e pyeti: “Sa shpirtëra dalin çdo ditë nga trupi?“ Jezui u përgjigj: “Shumë i dashuri Bartoleme, në të vërtetë po të them se çdo ditë dalin nga trupi gjashtë mijë e shtatëdhjetë e katër shpirtëra“. Bartolomeu pyeti: “Zot, sa shpirtëra hyjnë çdo ditë në parajsë?“

Jezui u përgjigj: “Me të vërtetë vetëm tre“. Bartolomeu pyeti: “Zot, përse hyjnë në parajsë vetëm tre?“ Jezui u përgjigj: “Në parajsë hyjnë pesëdhjetë e tre, por vetëm tre pushojnë në prehërin e Abrahamit4. Gjithë të tjerët shkojnë në vendin e pushimit, duke mos qenë me këta shpirtëra të drejtë“. Bartolomeu e pyeti: “Sa shpirtëra lindin çdo ditë në botë?“. Jezui u përgjigj: “Përditë është një shpirt i tepërt që del për të lindur në botë“. E me të thënë këto fjalë, u dha paqë atyre e u bë i padukshëm.



Maria u flet apostujve

Apostujt ishin së bashku me Marien dhe duke iu afruar, Bartolomeu i tha Maries së Lume: “O Marie e Lume, si ke gjetur kaq forcë në vete dhe si ke mundur të mbahesh me një lavdi kaq të madhe?“ Dhe kishin frikë ta pyesnin më tej.

Bartolomeu i tha Pjetrit: “Ti je i pari i ne të gjithëve, ndaj afrohu dhe pyete“. Pjetri i tha Gjonit: “Ti je një i virgjër i papërlyer, e kësisoj të takon ty ta pyesësh“.

Ndërsa ata bisedonin midis tyre, Bartolomeu u afrua me fytyrë të hareshme e i tha: “Ngazëllehu, o virgjëresha e papërlyer Mari! Të gjithë apostujt më kanë dërguar për të të pyetur. Si ke mundur të mbartje atë që ishte i pambartshëm? Si ke mundur të lindësh një madhështi të tillë?“

Maria e lume u përgjigj: “Përse më pyet rreth këtyre mistereve? Nëse do filloja të flisja, nga goja ime do të teptiste një flakë që do ta shkrumbonte gjithë botën.“

Por ai këmbënguli duke iu përgjëruar dhe ajo nuk deshi të refuzonte më tej; por tha: “Le të rrimë të gjithë në lutje!“

E çilembyll sytë u venduan pas Maries. Por ajo i tha Pjetrit: “Ti, Pjetër, je i pari i të gjithë apostujve, rri pra mbas meje. A nuk e ke dëgjuar Zotin që thotë: “Ashtu siç Krishti është prijës i burrit, ashtu edhe burri është prijës i gruas?“ Rrini pra të gjithë e lutuni“.

Por ata i thanë: “Krishti ka skalitur në ty figurën e vet dhe ka zgjedhur të qëndrojë në ty; pra, në lutje të takon ty të drejtosh lutjen.“ Ajo u përgjigj: “Ju jeni dielli që shndrit, siç dëshmon profeti, kur thotë: “Çova vështrimin kah malet, prej nga do të më vijë ndihma“. Pra, ju jeni malet dhe juve ju takon të luteni“.

Apostujt i thanë: “Ty të takon të lutesh, o nënë e mbretërisë së qiejve“. Maria tha prapë: “Ju kam formësuar sipas pamjes së tij dhe ju kam çuar drejt katër skajeve të tokës.“. Ata u përgjigjën: “Ai që mezi është nxënë nga qielli i shtatë, ka denjuar të banojë në ty“.

Mandej, Maria, duke vështruar kah qielli e duke ngritur duart, nisi të thoshte në gjuhën hebraike: helfoit, alaritha, arbar, neuiotho, melito, tarasunt, chanebonos, umia, theirura, marado, seliso, heliphomar, mabon, saruth, gefutha, enunnas, sacinos, thatis, etelelam, tetheo, abocia, rusar.

Që në latinisht do të thotë: Zot i madh dhe plot me dije, mbret i parrëfyeshëm dhe i paçmueshëm i qiejve, ti që me fjalën tënde mban themelet e qiellit, ti që rri ulur në fronin tënd të qiellit të shtatë, që me pluhurin e tokës ke mbruajtur njeriun dhe e ke bërë të ngjashëm me veten, që ke ndarë dritën nga errësira, që ke përforcuar themelet e ujërave, që renë e ke bërë lajmëtare e në errësirë je shfaqur si frikë, që ke mbrujtur tokën dhe kurrë nuk e ke braktisur, që e ke mbushur tokën me ngushëllim për ne, ti e paçmueshmja Fjalë e Atit që me një fjalë ke krijuar kerubinët5, që mezi të ka nxënë qielli i shtatët e që ke denjuar të banosh në mua, e në të cilin gjithçka është e përkryer, përlëvdoje emrin tënd dhe lejomë që t’i shpërfaq këto mistere përpara apostujve.

Me të mbaruar lutjen, nisi të fliste kësisoj: “Ulemi përtokë. Së pari eja ti, Pjetër, në anën e djathtë, vendose supin tënd nën sqetullën time; ti Andrea bëj të njejtën gjë në anën e majtë; ti Gjon shtërngomi shpatullat, me qëllim që të mos lëshohen“.

Kur ata bënë siç i porositi, ajo nisi të thoshte: “Kur ndodhesha në tempullin e Zotit, e merrja ushqimin nga dora e një engjëlli. Një ditë m’u shpërfaq vegimi i engjëllit: fytyra e tij ishte e pakrahasueshme, në duar nuk kishte bukë e kupë simbas zakonit të përditshëm; papritmas tempulli u ça, pllakosi një tmerr i madh dhe unë rashë përmbys pa vegimin e engjëllit.

Por ai ndehu dorën e tij dhe më ngriti; vështrova kah qielli e mbi fytyrë më zbriti një re prej vese, më spërkati nga koka te këmbët, më mbuloi me petkat e veta e më tha: “Ngazëllehu, o banesë e lume e bekimit!“

Teksa thoshte këto, shkundi anën e djathtë të petkut të vet dhe u mbush me bukë të çdo hiri: e vendosi mbi altarin e tempullit, hëngri vetë e më dha edhe mua. Shkundi mandej anën e majtë dhe u shfaq një kupë e madhe vere. Piu ai më në fillim e pastaj më dha edhe mua, duke më thënë: “Prit pak dhe do të shohësh sërish një bukë të tërë dhe kupën“.

E më tha sërish: “Mbas tri vitesh do të të përcjell Fjalën time dhe do të ngjizësh birin tim. Dhe nëpërmjet tij do të shpëtojë e tërë bota. Ti mandej ji shpëtimi i tërë botës. Paqë ty, e dashura ime“. E mandej u vdar para syve të mi dhe tempulli u bë sërish si më parë“.

E ndërsa Maria e Lume fliste kështu, nga goja e saj doli një flakë që mund të digjte tërë botën si të ishte dita e fundme. Dhe papritmas përballë saj vegoi Jezui, i cili vuri duart para gojës së saj, i bëri një shenjë e i tha: “Mos e bëj të ditur këtë mister, o Marie, se përndryshe do të shuhet tërë bota“. Flaka në gojën e saj reshti, apostujt nisën të dridheshin dhe pamja e tyre ndryshoi me qëllim që Jezui të mos zemërohej me ta.



Apostujt dhe ferri

Shkoi me ta në malin Mambre dhe u ul midis tyre. Por ata nuk guxonin t’i bënin pyetje.

Jezui u tha atyre: “Pyesni çfarë dëshironi t’iu tregoj. Në të vërtetë, mbas shtatë ditësh do të ngjitem tek Ati dhe nuk do të më shihni më në këtë vegim“. Apostujt i thanë: “Zot, na trego gjithçka, siç na premtove“.

Jezui iu përgjigj: “Do të qe mirë për ju të shihnit ferrin që ju kam premtuar; ejani dhe do të shihni“. Dhe i çoi në atë vend. U dha urdhër engjëjve të ferrit, kështu që toka u hap (si faqet) e një kodiku dhe ferri u shfaq. Përpara një pamjeje të tillë apostujt ranë përmbys. Por Jezui i ngriti sërish e u tha: “Vallë, a nuk ju pata thënë se do të qe më mirë për ju të mos e shihnit ferrin?“ U dha menjëherë urdhër engjëjve dhe u bë si më parë.



Maria dhe Pjetri

Dhe shkoi me ata në malin e Ullinjve. Pjetri i tha Maries: “O vazo e bekimit, lutju Zotit me qëllim që të na mundësojë të njohim gjërat që janë në qiell“. Maria iu përgjigj Pjetrit: “Zoti ka urdhëruar që mbi ty të ndërtohet Kisha; afrohu pra ti vetë“. Por Pjetri iu lut sërish: “Pyete ti, meqenëse ti je bërë banesa e Zotit të lartë“. Maria u përgjigj: “Simbas ligjit të gjinisë njerëzore ti je krijuar më përpara, Eva qe formuar më pas. Vështro diellin, vezullimi i të cilit është si ai i Adamit, shiko hënën e mjegulluar për shkak të shkeljeve të urdhërave që ka bërë Eva. Vuri Adamin kah lindja dhe i urdhëroi të dy që të shndrisnin: dielli kah lindja me rreze flakëruese, hëna kah perëndimi me një pamje qumështore. Eva ka shkelur urdhërat e Zotit, prandaj hëna është e mjegulluar dhe drita e saj nuk rrezëllon. Pra, pyete ti që e ke prejardhjen nga Adami. Nga britma e dëlirësisë femërore ai denjoi të qëndronte në mua, kur u ngjitën në majë të malit dhe vogëlushi Jezu Krisht u largua prej tyre“. Pjetri tha: “Ti je ndreqëse e kujtimit të shkeljes së urdhërit. Ke sjellë Evën nga pikëllimi në ngazëllim. Ti mund të kërkosh gjithçka“.

Bartolomeu don të shikojë armikun

Me të ardhur Jezui, Bartolomeu tha: “Mundësona që ta shohim atë armik të njerëzve, që të dallojmë kush është, çfarë bën, prej nga ka zbritur dhe çfarë fuqie ka ai që nuk të ka kursyer as ty, por ka urdhëruar të varesh në dru“.

Duke u kthyer nga ai, Jezui tha: “O sypatrembur, përse pyet për atë që s’mund ta shohësh?“ Bartolomeu mbeti shumë i turbulluar dhe u hodh tek këmbët e Zotit duke thënë:

“O Krisht, o dritë e botës,

shpëtimtar që nuk mpakesh kurrë,

që hir ke përhapur në çdo epokë,

që na ke dhënë dritë të pareshtur e t’amëshuar,

që ke zbritur në këtë botë,

që na ke ripohuar fjalën e përjetshme të Atit,

që ke ndërkallur trishtimin në hare,

që e ke gëzuar turbullimin e Evës dhe e ke ndrequr,

duke denjuar, kësisoj, të hysh në një mitër,

o çlirues i botës, dëftema lëndën e pyetjes sime“.

Ndërsa fliste kështu, Jezui e ngushëlloi duke i thënë: “Pra, dëshiron ta shohësh atë armik të njerëzve. E di mirë që don ta shohësh, e jo vetëm ti, por të gjithë apostujt dhe Maria. Por kur ta shihni, keni për të rënë përmbys dhe do të jeni si të vdekur“. Apostujt thanë: “Le ta shohim, o Zot!“ E uli nga mali i Ullinjve dhe i tha i zemëruar engjëllit tartarik6 që të vinte tek ai.

Mandej urdhëroi Mikaelin t’u binte trombave në lartësinë e fuqisë së tij. Sapo tromba kumboi në qiell, toka u drodh dhe çilembyll sytë erdhi antikrishti. Mbërthyer nga zinxhirët e zjarrtë të gjashtë mijë e gjashtëdhjetë engjëjve. Gjatësia e tij ishte njëmijë e nëntëqind kut, gjerësia shtatëqind kut, ndërsa një flatër e tij ishte tetëdhjetë kut. Fytyra e tij digjej si zjarri, sytë e tij ishin të terratisur dhe nga flegrat i dilte tymi i ligësisë së tij. Goja e tij ngjante si një shpellë e gurtë.

Me ta parë, apostujt ranë përmbys si të vdekur. Por Jezui iu afrua apostujve, i rimëkëmbi dhe mandej i tha Bartolemeut: “Shko e shtypja kokën me këmbët tua“. E i dha forcë. Bartolomeu iu afrua antikrishtit për t’ia shtypur kokën dhe e pyeti se cila ishte fuqia e tij, çfarë bënte dhe nga ishte.

Bartolomeu i tha sërish Krishtit: “Zot, vërë kraharorin tënd nën shpatullën time, dhe unë do të shkoj; në të vërtetë, ky armik, është i patrembur përballë meje“. Zoti i tha Bartolemeut: “Nuk do mund ta mbash kraharorin me petkat e mia. Unë jam me ty, ky është urdhër: shko, pyete rreth asaj që bën prej dhe nga është“.

Apostulli iu afrua antikrishtit. Teksa Bartolemeu ia shkelte kokën me këmbë, veshi i djallit zhytej në fytyrën e tij. Atëherë, apostulli e pyeti: “Thuajmë kush je, ç’emër ke dhe çfarë bën për tërë (tokën). Përgjigjmu menjëherë“. Djalli iu përgjigj: “Liromë paksa, hiqe thembrën tënde nga koka ime dhe do të të them kush jam, si kam ardhur këtu, çfarë bëj, ç’emër kam“.



Bartolomeu flet me armikun

Atëherë ai e liroi paksa. Mandej apostulli Bartolomé i tha: “O mashtrues i lig i shpirtërave, a e pranon atë që ke bërë dhe po bën kundër popullit të Zotit të gjallë?“

Djalli u përgjigj: “Nëse do ta dish, më përpara emri im ishte Atanaul, që do të thotë engjëll, po kur bëra vepra bindëse kundër Krishtit, më qe dhënë emri Satana, domethënë engjëll i ferrit, prijës i demonëve, princ i mendjemadhësisë, mjeshtër i rremë për cmirë, shpirtligësi, mllef. Në të vërtetë, mendjemadhësia qe futur në këtë botë prej meje. Unë jam mjeshtër i shpërbetimit dhe i mbrapështisë për mllef, mashtrim, mendjemadhësi e lakmi. Zoti përgatit përherë çdo gjë të mirë, kurse unë me mashtrime dhe padrejtësi të rrezikshme i vë të lëvizin njerëzit në një mënyrë të tillë, që të mos ngjiten atje prej nga mua më kanë dëbuar. Ndihmësi im është shpirti i lig, i cili i tërheq drejt meje ata të që kanë për t‘u shuar së bashku me mua.“

Apostulli i tha: “Tregomë gjithçka, shpirthumbur, mos më fshih kurrgjë“. Dhe ai iu përgjigj: “Përse më shtrëngon me të djathtën e Zotit, shenjë e Kryqëzimit? Përse më shtrëngon? Edhe po të doja të fshihesha, nuk do të mundja; nëse do mundesha do të kisha luftuar kundër tyre; por me të vërtetë nuk mundem. Nëse do të kisha mundur t’ju çoja të gjithëve në humbje, ashtu siç bëra me njërin prej jush, me emrin Juda, i cili gjendet nën sundimin tim! Në të vërtetë, edhe unë qeshë krijuar si një prej engjëjve, atëherë kur Zoti bëri qiellin e tokën. Zoti mori një flakërimë të zjarrtë dhe pikësëpari më krijoi mua; më pas krijoi kryeengjëllin Mikael, të cilit më pas iu dha pushteti.

Birin e vet, në të vërtetë, e pati lindur përpara se të hidhte themelet e qiellit e tokës. Dhe kur deshi të ndërtonte gjithçka, u shndërrua në fjalë për birin e tij. Ne jemi krijuar nga dashja e birit të tij, ai na ka mbruajtur simbas pëlqimit të Atit.

Unë kam qenë i pari nga ata që u krijuan. Mandej qe krijuar Mikaeli të cilin Zoti e quajti të denjë për çdo virtyt dhe ai, meqenëse ishte i bindur, mbeti besnik ndaj urdhëresave hyjnore. I treti që u krijua ishte Rafaeli, i katërti Gabrieli, i pesti Urieli, i gjashti Zataeli e mandej gjashtë të tjerë, të cilët nuk mund t’i përmend. Janë këta, pra, ata që mbrojnë fronin e Zotit.

Më ndëshkojnë shtatë herë gjatë ditës dhe natën më çojnë shtatë herë në shkatërrim, duke ma këputur tërë fuqinë. Këta janë dymbëdhjetë engjëj mbrojtës që rrijnë përpara fronit të Zotit: këta janë engjëjt e krijuar më së pari; më pas vjen e gjithë moria e engjëjve të tjerë. Në qiellin e parë, mijëra e mijëra e dhjetëra mijë, kështu edhe në të dytin e në të tretin, gjithashtu në të katërtin e të pestin, poashtu në qiellin e gjashtë dhe të shtatë. Mbas qiellit të shtatë ndodhet një tryezë ku janë autoritetet që pengojnë hyrjen e atyre që veprojnë në mënyrë të pakujdesshme.

Janë edhe katër engjëj të tjerë të cilët drejtojnë frymën e erërave dhe i pengojnë ato të bëjnë si të duan. Manku është engjëlli që drejton tramundanën, ndërsa Etalfata drejton erën e veriut: në duar mbajnë vishkulla të zjarrta dhe vravashka flakëruese për t’u mbrojtur nga të ftohtët, me qëllim që toka të mos thahet dhe bota të mos vdesë. Çedori drejton jugën, me qëllim që dielli të mos e trazojë tokën, zbut nxehtësinë e tij, që të mos e përzhisë tokën dhe shuan flakën që del nga goja e tij. Një tjetër engjëll gjendet mbi det për të thyejë fuqinë e dallgëve. Gjërat e tjera nuk t’i them“.



Dredhitë e armikut

Apostulli Bartolome i tha: “Thuajmë, o keqbërës e rrenacak, ti hajn qysh prej zanafillës, mbushur me hidhëri e mashtrim, me cmirë e skuthëri, ti gjarpër dinak dhe i lashtë, ujk grabitqar, ti që bën vepra të cilat synojnë t‘i bindin njerëzit për t’u larguar nga Zoti i vërtetë, krijuesi i Gjithçkasë që bëri qiellin, tokën, detin me tërë çfarë gjendet në të, meqenëse ti je gjithnjë armik i gjinisë njerëzore“.

Satanai iu përgjigj: “Nëse vërtetë dëshiron t’i dish, unë do të të rrëfej dredhitë e veçanta me të cilat i mashtroj njerëzit. Bëj punë bindëse për vrasjen, idhujtarinë, dëmin, që të besojnë në fantazitë që unë u fus në mendjen e tyre. Ata që i bëjnë këto gjëra, ata që i miratojnë dhe ata që i mësojnë, zhduken bashkë me mua.“

Bartolomeu i tha: “Thuajmë menjëherë, në ç’mënyrë i bind njerëzit që të mos ndjekin Zotin, por dredhitë e liga, epshore dhe të errëta, duke braktisur udhët e drejta dhe të përndritura të Zotit“. Antikrishti iu përgjigj: “Do të ta them. Nga ferri u ngjit një rrotë, e cila kishte shtatë thika të zjarrta. Thika e parë ka dymbëdhjetë ullukë“. Bartolomeu pyeti: “Kush janë ata që ndodhen në thika?“ Antikrishti iu përgjigj: “Në ullukun e zjarrtë të thikës së parë gjenden ata që hedhin short, falltarët, magjistarët, ata që besuan tek këta dhe ata që i kërkuan: me mbrapështinë e zemrës së tyre ata gjetën parashikime të rreme.

Në ullukun e dytë të zjarrtë janë vendosur të pëtenzonët, ata që nëmin Zotin dhe të afërmin e tyre, ata që mallkojnë Shkrimet; këtu janë vendosur edhe yshtësit, ata që i kërkuan dhe ata që besuan në ta. Ai vend është caktuar për ata që vetëvriten ose i dorëzohen vdekjes, ata që mbyten, që hidhen në ndonjë pus, që varen në litar, që goditen me armë.

Në ullukun e tretë janë vendosur vrasësit, idhujtarët, ata që ndjekin koprracinë dhe smirën, për shkak të së cilës mua më kanë dëbuar prej qiejve në tokë.

Në ulluqet e tjerë janë vendosur bèrrejshmit, hajnat, mëndjemëdhenjtë, lakmiqarët, fajdexhinjtë, ata që mallkojnë shpirtërat, që nuk tregohen mikpritës me shtegtarët, që nuk japin lëmoshë, që nuk ndihmojnë të burgosurit, që i shërbejnë në mënyrë të vakët Kishës dhe janë përgojues; ata që nuk e duan të afërmin e tyre dhe të gjithë mëkatarët që nuk e kërkojnë Zotin apo që e nderojnë në mënyrë të vakët: unë do t’i shkundulloj ata simbas dëshirës sime“. Bartolomeu e pyeti: “Thuajmë, djall rrenacak dhe i pavërtetë, këto gjëra i bën vetë ti, apo nëpërmjet ndihmësve e të ngjashmëve të tu?“ Antikrishti iu përgjigj: “Oh, sikur unë të mund të arrija t’i bëja këto gjëra vetë! Më ndihmojnë disa nga ata që janë flakur këtu me mua.

Por këtu kemi disa ndihmës të dorës së dytë, që nga ana e tyre kanë zënë shokë ndihmës, të cilëve u kemi dhënë urdhërat tanë, mbi ta kemi vendosur petrahilët7 tanë dhe i kemi dërguar për gjueti, me qëllim që t’i zënë rob me shumë ëmbëlsi shpirtërat e njerëzve, duke i nxitur të ndjekin dehjen, koprracinë, mallkimin, duke iu prirë kah kurvërimi dhe herezia, kah idhujtaria, shmangia nga Kisha, apo nënçmimi i kryqit të Kryqëzimit, thënia e dëshmive të rreme: pra, ne bëjmë gjithçka që Zoti e urren.

Disa i shtyjmë të bien në zjarr, të tjerë i hedhim prej ndonjë peme poshtë, disave u thyejmë duart apo këmbët dhe të tjerëve u nxjerrim sytë, por bëjmë edhe plot gjëra të këtij lloji. U dhurojmë atyre ar, argjend dhe (realizimin e) çdo dëshire të botës, e ata që s’mund t’i nxisim në mëkat ditën, i bëjmë të mëkatojnë në ëndërr.

Armiku paraqet pushtimet dhe humbjet e veta

Por për ndokë që do të heqë dorë nga ligësitë e sipërpërmendura e dëshiron të kthehet kah Jezui, që dëshiron t’i ndajë mirë pasuritë e botës dhe do të pendohet, Zoti do të drejtohet nga ai dhe do ta dëlirë enën e tij, meqë ai vetë e ka mbrujtur, dhe e bën të veten shtëpinë e tij.

Kur mandej arrijnë ndihmësit e mi, e gjejnë të zënë atë shtëpi dhe nuk mund t’i qasen as së largu, duke qenë se ajo banohet nga mbreti qiellor dhe në çdo anë ndodhet vula e tij. Atëherë lëshojnë një vrumbullimë dhe kthehen tek ne me lot në sy, për të na lajmëruar: “Ia patëm dalë ta pushtonim me punën e më shumë se një viti, dhe ja tek e humbëm sërish; tashmë donte deri edhe të na lidhte e të na çonte në ferr“.

Por unë i fshikulloj, sepse janë sjellë në mënyrë të pakujdesshme, i dërgoj atje ku mund të gjejnë një shpirt për ta joshur, me qëllim që ta ndjekin e të na e japin neve; ne u japim atyre edhe aftësinë për t’iu fanitur njerëzve me çfarëdo pamje që të dëshirojnë.

Do të të them edhe emrat e engjëjve të Zotit që janë kundër nesh: Njëri quhet Mermot dhe ka gjithnjë në dorë stuhitë; ndihmësit e mi i përgjërohen dhe ai i lejon të banojnë ku të duan, por në kthim ata digjen. Pesëdhjetë të tjerë janë engjëjt vetëtitës dhe kur shpirti don të dalë nga ne nëpër det a përmbi tokë, këta engjëj, që nga retë, vërvisin kundër tyre gurë dhe zjarr që thyejnë shëkmbinj e pemë, dhe na djegin.

E kudo që të na gjejnë na përndjekin simbas urdhërit të atij që më ka syrgjynosur; meqenëse edhe ti je duke më sunduar sipas urdhërit të tij, e sadoqë unë nuk mendoj të flas fare, prapëseprapë po i rrëfej të fshehtat e mia në mënyrë të pavullnetshme.

Apostulli Bartoleme e pyeti sërish: “Thuamë, çfarë ke bërë dhe çfarë bën.“ Satanai iu përgjigj: “Mendoja të mos ta rrëfeja tërë sekretin tim, po prej atij që urdhëron, kryqi i të cilit më detyron, nuk mund të të fsheh asgjë. Unë e nxita mbretin Jeroboam8 të prodhonte dy viça të artë, të kurvëronin në emër të tyre dhe ta detyronte popullin t’i shkonte pas; e akoma më përpara isha po unë që i bëra këto altare dhe këto shtylla, duke e detyruar popullin të kurvëronte në emër të tyre.

Jam unë që e kam tunduar Jobin9 dhe ia kam zhvatur bijtë dhe pasurinë, mua më është dhënë pushteti për ta mbuluar Jobin me plagë, nga koka te këmbët. Nëpërmjet gruas së tij u përpoqa t’i marr edhe shpirtin, por nuk ia dola mbanë: duke qenë se ai ishte i drejtë dhe i përkryer para Zotit, Zoti e mbrojti. Jam unë që, përmes grave, mashtrova bijtë e priftit Eli, me të cilët qenë vrarë më shumë se tridhjetë mijë njerëz.

Jam unë ai që e ka bërë të pëshpëritë popullin e Zotit në shkretëtirë; i bëra të kurvëronin në emër të shtyllave të shenjta e të altarëve dhe në emër të viçave të artë. Jam unë që i kam joshur duke hyrë në zemrën e popullit, me qëllim që t’i thonin Aronit10: “Bëj për ne ca zota që të na prijnë“ e mandej hodhën valle rrotull viçit dhe e adhuruan. Kur erdhi Moisiu, ai u lut për ta dhe, meqenëse ata u penduan, shpëtuan, sepse kudo që gjendet një njeri i drejtë dhe besnik, i cili i rri larg së keqes dhe druhet nga Ai që e ka krijuar, nëpërmjet veprës së tij shpëtojnë shumë njerëz.

Por, kudo që gjendet një njeri që nuk i druhet Atij prej të cilit është krijuar, por i shërben Atij në mënyrë të vakët, ai nuk shpëton dot as veten e as të tjerët. Dhe unë do ta shkandulloj, me qëllim që ai të mos rifillojë të lutet për mëkatet e tij dhe të mos bëjë vepra të mira.

Megjithatë, unë nuk i mposht dot të gjithë, por vetëm ata gjë i gjej të zbrazët. Ata që i gjej të mbushulluar me Shpirtin e Shenjtë dhe shenjën e kryqit, ata që këmbëngulin në zbatimin e urdhëresave të Zotit dhe mbajnë shqytin e besimit, pra kryqin mbi të cilin ai qe varur, sigurisht përpiqem t’i tundoj, por mbetem i pështjelluar. Por unë arrij të hyj dhe të qëndroj tek ata të cilët i gjej të zbrazët, pa shenjën e Kryqëzimit, ata që janë këmbëngulës në gjërat e këqija ose që nuk besojnë fare në Zot.

Të siguroj që unë i urrej veprat e mira, por i dëshiroj veprat e këqija. Jam unë që kam bërë dhe bën martirë, duke hyrë në zemrën e parisë, me qëllim që t’i përndjekin. Jam unë që kam nxitur tre fëmijë të hyjnë në furrën e ndezur. Por ai që më ka mbërthyer me zinxhirë të zjarrtë, ishte me ta në mes të furrës dhe i freskonte.

Jam unë që kam bërë të përndiqen makabejtë meqenëse ishin të përkryer në ligjin e Zotit. Jam unë që ka bërë të zhuriten nga pasioni për Suzanën dy pleqtë, dhe i nxita të shpallnin kundër saj një dëshmi të rreme. Jam unë që nxita të mbruhet shëmbëlltyra e urdhëruar nga Nabukodonozori dhe banova mbi të.

Priftërinjtë e idhujve, si në Babiloni ashtu dhe në krahinat e tjera të botës, të adhuruar nga gjithë njerëzit, janë streha ime, unë banoj me ta dhe ata janë vëllezërit e mi.

Jam unë që, duke hyrë në gojën e tërë profetëve, mashtrova mbretin Akam me një ndihmë të rreme. Kur njerëzit duan të japin lëmoshë, të ndihmojnë të burgosurit, të vizitojnë të sëmurët, të përkujdesen për veten, të veshin një njeri lakuriq, t’i japin bukë e ujë të uriturve, të dëgjojnë zërin e skamnorëve dhe të shlyejnë kësisoj mëkatet e veta, atëherë unë hyj në zemrat e tyre duke i mashtruar në një mënyrë të atillë sa ata të mos bëjnë atë që është e mirë, por atë që është e keqe.

I shtyrë nga smira, unë punoj asisoji që asnjë i krishterë të mos ngjitet atje prej nga mua më kanë dëbuar. E, për t’i thënë të gjitha, unë ia jap të pijë tërë botës pijet e mia. Jam unë që i nxis njerëzit të adhurojnë idhujt e të përnderojnë fushat.

Jam unë që ngjall epshin në vend të dëlirësisë, zvetënimin në vend të virgjërisë, dashurinë për këtë botë në vend të dashurisë për Zotin, dashurinë për fëlligështinë në vend të dashurisë për pastërtinë. Jam unë që ngjall mendjemadhësinë në vend të bindjes, dehjen në vend të përkorjes. Jam unë që i nxis herezitë e ndryshme, me qëllim që njerëzit të kurvërojnë nëpërmjet idhujve dhe të ndahen nga Kisha katolike.

E, ashtu sikundër Mësuesi juaj ju dha juve apostujve të tij tagrin që, me predikimet tuaja, t’i përgatisni tërë njerëzit e botës për Kishën e tij të shpirtërave besnikë, poashtu edhe unë, për të fituar dishepuj, i dërgoj ndihmësit e mi në çdo vend ku gjenden njerëz të pabesë, të cilët nuk besojnë tek Mësuesi i njëmendtë, por tek një mashtrues si unë.

Pra, unë bëj të ëmbël atë që është e hidhur, bëj të duket e mirë atë që është e përbuzshme, turbulloj atë që është e qetë, bëj të duket mirëdashëse atë që është zemërake, të virgjër atë që është e flligësht, të keqe atë që është e mirë, të padrejtë atë që është e drejtë, fyese atë që është nderuese, të pikëlluar atë që është e ngazëllyer, lakmi atë që është lëmoshë, të patenzonë atë që është i devotshëm, grykësi atë që është përkorje, të rreme atë që është dëshmi e vërtetë.

Nëpërmjet miqve të mi, ndihmësve dhe dishepujve, unë tërheq kah vetja këdo që mundem, me qëllim që ata të humbin së bashku me mua. Në të vërtetë, nëse do të isha i lirë, do të ngrehja aq shumë kurthe midis njerëzve, sa askush më nuk do mund të hynte në vendin prej nga më kanë dëbuar mua dhe, nëse do mundesha, do t’ju tundoja edhe juve e do t’ju vrisja, ashtu siç kam bërë tashmë me Judën tuaj, e do nxisja hasmëri mes jush e etërve tuaj që ishin përpara jush.

Por, kur të niseni për të predikuar, do të dërgoj mbas jush ndihmësit e mi, me qëllim që njerëzit e tërë botës të mos ju besojnë, por të bien në ujdi midis tyre për t’ju vrarë, për t’ju mbytur me gurë, për t’ju kryqëzuar ashtu si dhe mësuesin tuaj.

Jam unë që, përmes veprimit të një gruaje11, kam bërë t’i pritet koka nga Herodi edhe Gjon Pagëzorit. Jeta ime është vdekja juaj, lumturia ime është mjerimi juaj, hareja ime është vuajtja juaj. Mjaftojnë këto që të rrëfeva! Nëse do të të rrëfeja më shumë nuk do të gjeja më prehje“.
Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Apokrifet - Ungjilli i Bartolemeut Empty Re: Apokrifet - Ungjilli i Bartolemeut

Mesazh  Zattoo 11.07.14 15:56

Dredhitë e tashme dhe të ardhme të armikut

Perëndia Jezu i tha apostullit Bartoleme: “Largohu prej tij dhe urdhëroje që të rikthehet në vendin e vet deri në ardhjen e Perëndisë. Unë do të të tregoj se sa ka mbetur ende; në të vërtetë, është e domosdoshme të rilindim ndryshe; kësisoj, ata që janë vënë në provë dhe kanë fituar, do të gjenden në mbretërinë e qiejve, prej nga ky armik është rrëzuar së bashku me këshilltarët e tij“.

Atëherë apostulli Bartolemé i tha antikrishtit: “Rikthehu në mbretërinë tënde të ferrit, o armik i nëmur i njerëzve, deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht i cili do të vijë t‘i gjykojë nëpërmjet zjarrit të gjallët, të vdekurit dhe epokën, e të të dënojë së bashku me të ngjashmit e tu, me qëllim që ti të mos pandehësh se do t’i përmbushësh ato që the“.

Me një zë të përvajshëm që i ngjante ulërimës së luanit, Satanai tha: “Mjerë unë! Kam mashtruar shumë njerëz përmes gruas, e edhe unë vetë jam mashtruar prej një virgjëreshe, i mbërthyer dhe i lidhur prej zinxhirësh të zjarrtë prej birit të virgjëreshës, po përzhitem në mënyrë të tmerrshme. O virgjëri që përherë më ke qenë kundër! Duhet të kalojnë akoma edhe shtatë mijë vjet, si vallë u mashtrova dhe rrëfeva gjithë sa thashë!

Megjithatë, përpara ardhjes së tij, unë do t’i vërvis sërish shigjetat e mia aty ku të mundem, qoftë unë vetë qoftë nëpërmjet ndihmësve dhe dishepujve të mi. Por e gjithë kjo, mua dhe këshilltarëve të mi, na ka ndodhur për shkak të mendjemadhësisë dhe mosbindjes. Jam unë ai i cili ka bërë të mundur që vëllezërit e tij ta urrenin Jozefin12, i nxita unë kundër tij me qëllim që ta vrisnin, ashtu siç e vrau Kaini vëllain e tij Abelin, desha ta mashtroj nëpërmjet një gruaje por nuk ia dola mbanë.

Në të vërtetë, aty ku ekziston dashuria e Zotit, aty është edhe druajtja; ashtu sikundër se aty ku gjendet urtësia dhe dëlirësia, aty është edhe përunjësia e dashuria e përkryer, dhe kundër tyre unë nuk mund të bëj asgjë. Jam unë që e kam ngashnjyer mbretin Saul13 që të mos i bindej zërit të profetit Samuel14.

Saturni, Apolloni, Jupiteri dhe Mërkuri janë vëllezërit e mi, dhe të gjithë zotat e adhuruar nga gjithë njerëzit janë pjesë e imja, meqenëse jam unë ai që thirret përmes emrit të tyre. Simon Magu15, Zaroes e Arfaxir, Jamne e Mambre janë vëllezërit e mi, e kësisoj edhe ata që i kanë grishur; Sodoma dhe Gomorra kanë ndjekur veprat e mia, derisa Zoti u zemërua kundër tyre dhe lëshoi nga qielli shi prej zjarri dhe squfuri duke i asgjësuar të gjithë.

Enoku16 dhe Noe qenë armiqtë e mi, prejse ata ishin të drejtë përpara Zotit. Unë nxita Ezaun17 kundër Jakobit18 dhe bëra që Zakaria të vritej në tempull. Isha unë që ndërfuta në zemrën e Judës tradhëtinë ndaj Krishtit, ndaj judejve, dhe jam unë që kam vepruar në zemrën e hebrenjve që ata ta kryqëzonin Krishtin dhe ta godisnin me shtizë. Jam unë që e kam tunduar atë, siç kam bërë me njeriun e parë, jam unë që i kam ofruar në shkretëtirë bukë e ujë për të parë nëse mund ta ngashnjeja ashtu si njeriun e parë, e madje i ofrova edhe mbretëritë e botës.

Por ai që ka krijuar engjëjt, botën dhe të gjitha gjërat që gjenden në botë, nga urdhërat e të cilit dridhet gjithçka, ai që ka sajuar detin dhe ia ka hedhur themelet në të thatë, ai përmes të cilit është bërë çdo gjë, më ka lidhur me zinxhirë prej zjarri, prej tij jam mposhtur; kryqi i tij më torturon shumë dhe nuk më lejon të bëj gjithsa dëshiroj, pa lejen e tij.

E nuk ta fsheh as këtë, sado që po e rrëfej pa dëshirë. Kur të krishterët duan të jetojnë simbas urdhëresave të Zotit dhe duan të ngarendin drejt kishës për të dëgjuar mësimet dhe fjalët e Zotit, apo kur duan të luten mirësisht, unë hyj në zemrat e tyre, u ndërfus në to tundime të ndryshme dhe u bëj shumë gjëra. Ne që nuk kemi tjetër përpos së keqes, si vallë mund të bëjmë të mira?“



Bartolomeu falenderon Jezuin

Apostulli i Lumë Bartolemé i tha Jezuit: “Ti je i mirë, Zot Jezu Krisht, nga ardhja jote e vërtetë dhe e lavdishme ne jemi bërë të mirë, meqenëse ti je përdëllyes ndaj atyre që kthehen kah ti; je një Zot mirëdashës, ti ke denjuar të vish nga mitra e një virgjëreshe, e kësisoj, mishi që ish prishur nga mashtrimi i armikut, u përtëri nga vepra e një virgjëreshe të mirë e të dëlirë përmes së cilës ti ke denjuar të vish e që me të drejtë është quajtur nënë e mbretëreshë; me ardhjen tënd të lavdishme e të mrekullueshme ke shëlbyer në emër të Atit Perëndi të gjithfuqishëm; për shkak të Evës qemë përhumbur dhe ndarë nga mbretëria e qiejve, e tash pëmes veprës së një virgjëreshe gjithçka është çuar në vend e nëpërmjet ardhjes sate të shenjtë dhe misterit tënd famëmadh ua ke hapur mbretërinë tënde të qiejve atyre që besojnë në ty; teksa më përpara gjinia njerëzore kishte rënë në mëkat nga shkaku i mendjemadhësisë dhe i këshillave të armikut. Po të kërkojmë, Zot, që të kesh zemërdhembshuri ndaj shërbëtorëve të tu të cilët shpresojnë në ty, meqenëse ti je i njejti Zot që i ke dhënë fuqi shërbëtorit tënd Moisi kundër Amalekut19 të cilin e ke mposhtur përmes krahut tënd të shenjtë e të jashtëzakonshëm, siç ke dërrmuar faraonin dhe ushtrinë e tij, teksa ke shpëtuar popullin duke i dhënë fitoren shërbëtorëve të tu. Dhe sërish je ti që i ke shpartalluar armiqtë mes këtyre breznive të këqija në sy të popullit të Izraelit, dhe në themelin e fuqisë sate ke vendosur që fitorja t’i buzëqeshte përherë shërbëtorit tënd David, je ti që ke folur në kohën e tij dhe ia ke fuqizuar krahët kundër armiqve të vet.“



Arsyeja e rënies së armikut

Mbas kësaj, Bartolemeut iu fanit përsëri djalli, i cili i tha: “Të lutem, o apostull i Zotit të gjallë, të mos ia tregosh askujt ato që të rrëfeva në mënyrë të pavullnetshme“. Apostulli Bartolome, duke vërejtur guximin e armikut e duke u mbështetur në fuqine e Shpëtimtarit, iu përgjigj Satanait: “Djall i fëlliqur, rrëfe arsyen për të cilën je dëbuar nga lartësia e qiejve, meqenëse m’u betove se do të m’i thoje të gjitha“.

Djalli u përgjigj: “Kur Zoti bëri atin Adam simbas shëmbëlltyrës së tij, u tha katër engjëjve që të merrnin dhé nga katër skajet e tokës dhe ujë nga katër lumenj të parajsës. Në botë unë ndodhesha tek katër skajet e tokës. Atje ku unë nuk isha u krijua njeriu si qenie e gjallë e (Zoti) e bekoi, sepse ishte sipas shëmbëlltyrës së tij. Më pas, Mikaeli20, Gabrieli21 dhe Urieli e adhuruan.

Kur unë u ktheva nga bota, kryeengjëlli Mikael më tha: “Adhuroje figurën që Zoti e ka krijuar simbas dëshirës së vet“. Unë e pashë që ishte krijuar me pluhurin e tokës, dhe i thashë: “Unë jam prej uji e zjarri dhe jam krijuar më përpara. Nuk e adhuroj baltën e tokës“. Mikaeli më tha prapë: “Adhuroje! S‘duhet të ndodhë që Zoti të zemërohet kundër teje“. Unë iu përgjigja sërish: “Zoti nuk zemërohet kundër meje. Përkundrazi, do ta vë pushtetin tim kundër pushtetit të tij“. Atëherë Zoti u zemërua kundër meje; urdhëroi të hapeshin ujëvarat e qiellit dhe më vërviti në tokë.

Mbasi u flaka poshtë, Zoti pyeti disa engjëj që ndodheshin nën pushtetin tim, nëse donin ta adhuronin veprën e duarve të tij. Dhe ata iu përgjigjën: “E pamë që prijësi ynë nuk e adhuroi, kësisoj as ne nuk e adhurojmë atë që është më i dobët se ne“. Atëherë edhe ata u flakën në tokë me mua, ku fjetëm për dyzetë vjet rresht. Kur u zgjova, vura re se ata po flinin poshtë meje; i zgjova simbas vullnetit tim dhe u këshillova me ta rreth mënyrës se si ta kandisnim njeriun, për shkakun e të cilit qemë flakur poshtë nga qiejtë.

Mbasi u këshillova me ta, e kuptova se si do mund ta ngashnjeja. Kësisoj, mora në duart e mia gjethe fiku, thava me to djersën e gjoksit tim dhe flatrave të mia e mandej i hodha në rrjedhën e ujit: Kur Eva piu nga ai ujë, ndjeu dëshirën e mishit; i dha edhe të shoqit; e atyre iu duk i ëmbël, paçka se ishte i hidhur. Për shkak të shpërdorimit që kishin bërë, nuk e kuptuan se kishin bërë shkelje. Nëse nuk do të kishin pirë nga ai ujë, nuk do kisha mundur t’i ngashnjeja kurrë e as unë nuk do t‘ia kisha dalë mbanë t’i mposhtja me ndonjë mënyrë tjetër.

Por mjerë unë sepse, nëse nëpërmjet Evës kam dalë fitimtar, nëpërmjet Maries së virgjër jam mposhtur. Prej birit të saj jam burgosur dhe tashti po digjem në mënyrë të tmerrshme. Mjerë unë, sepse nëpërmjet një virgjëreshe është zbuluar qëllimi im, forca ime është shpërbërë dhe unë po përzhitem tepër shumë. Por të lutem, o apostull i Zotit të gjallë, të mos i rrëfesh të gjitha fjalët që unë të kam thënë, kështu i mposhtur, i lidhur dhe i detyruar, meqenëse nuk di se ku të prehem“.

         

Lamtumirë armikut

Bartolomeu iu përgjigj: “Mos qofsh kurrë mirë, o armik dinak dhe i mallkuar i njerëzve, ti dragua shumë i lashtë. Ti do që unë t’ia fsheh popullit të Zotit hilet tua të liga, dinake dhe të këqija? Udhët e tua të mbrapshta dhe mashtruese, terratisëse e të fëlliqura që, ty dhe ata si ti, i çojnë në rrënim, në skëterrën e zjarrit dhe në ndëshkim të përjetshëm? Nuk do t’i mbaj të fshehta, po përkundrazi mjeshtrin e tyre do t‘ia shpall njerëzve që besojnë në Zotin tim Jezu Krisht.

Unë do të shpall udhën e drejtësisë, të së vërtetës e të dashurisë, që çon në jetën e pafundme dhe në prehjen e amëshuar, me qëllim që ata të cilët e ndjekin dhe i shkojnë deri në fund, të rrojnë përjetësisht e të jenë pjesëmarrës në jetën e amëshuar prej nga ku ti, o i mjerë,  ke rënë për shkak të mendjemadhësisë.“

E, duke u lutur, apostulli Bartoleme tha: “Zot Jezu Krisht, jep urdhër që ai të hyjë në ferr, meqenëse ky djall qëndron sypatrembur para meje“. Zoti Jezu Krisht i tha Satanait: “Largohu, zbrit në ferr dhe qëndro aty deri në ardhjen time!“ Dhe në çast djalli u zhduk për të mos u shfaqur më.

         

Lutja e Bartolemeut

Atëherë Bartolomeu, duke i rënë në gjunjë Zotit tonë Jezu Krisht, nisi të thoshte mes lotëve: “Abba22, Atë, i vetmi që je prorë i lavdishëm, Fjalë e Atit nëpërmjet së cilës është krijuar gjithçka! Ai që me vështirësi e përmbanin qiejtë dhe prapëseprapë pranoi të banonte në mitrën e një gruaje; ai që një virgjëreshë e mbarti dhe e lindi pa ndjerë kurrfarë dhembjeje. E virgjër ishte përpara lindjes dhe e virgjër mbeti sërish pas lindjes.

Ti, Zot, e ke zgjedhur dhe e ke quajtur nënë të vërtetë, virgjëreshë dhe shërbëtore. Nënë sepse përmes saj ti ke denjuar të zbresësh aty ky je veshur me mish. Mbretëreshë, sepse ti e ke bërë atë mbretëreshë të virgjëreshave. Ti mandej, Zot, ke krijuar gjithçka simbas gjykimit tënd duke bërë që, qysh më përpara se të lutemi, ti të na japësh gjithçka simbas shpirtmirësisë sate, Zot.

Ti që ke mbajtur një kurorë prej ferrash, për të na dhënë neve që të lutemi një kurorë të paçmuar e për të na liruar nga ferrat e mëkatit. Ti vetë je varur në një dru, për të larguar prej nesh drurin e lakmisë dhe të epshit; dhe me qëllim që edhe ne besimtarët, falë veprës së drurit të ri në kryqin e shpëtimtarit, Zotit Jezu Krisht, përmes të cilit ke mposhtur botën dhe atë që e ngashnjente përherë botën, të mund t‘i mposhtim fuqitë e kundërshtarit, duke e ndjekur dhe mbrojtur gjithmonë në zemrën tonë.

Të përgjërohemi, Zot, që për këtë gjurmë të kryqit të shenjtë, për ardhjen tënde të lavdishme e për emrin tënd të lavdishëm, ata të cilët besojnë në ty të mund t’i mposhtin fuqitë e pathemelta. Meqenëse ti je forca e lavdia jonë dhe na ke siguruar duke na thënë: “Pa mua, ju nuk do mund të bëni asgjë.““



Lutja e apostujve

Mbas tërë kësaj, të gjithë apostujt ranë përmbys në këmbët e Zotit, duke thënë: “I bekuar, Zot, krijues i madh dhe i jashtëzakonshëm, prej veprës së të cilit është bërë gjithçka, në qiell e në tokë, që ke denjuar t’ua shpërfaqësh shërbëtorëve të tu këtë mister, me qëllim që njerëzit dhe breznitë njerëzore ta dinë se ti ke krijuar gjithçka dhe i shpëton të gjithë ata që besojnë në ty. Na ke zbuluar armikun tonë me qëllim që njerëzit të mësojnë të ruhen nga tundimet e gjarpërit të lashtë që ka ngashnjyer njeriun e parë, me qëllim që njerëzit të mos i besojnë kur ai me dredhitë e tij të liga të hyjë në altarët dhe në statujat e bronxta, për të joshur shpirtërat e njerëzve, që mandej t’i çojë në rrënim ashtu si edhe veten. Ai tërheq në gabimin e rrenës ata që besojnë tek e vërteta dhe tek emri yt i madh e i jashtëzakonshëm, ata të cilët besojnë që ti je Zoti një dhe i trefishtë, dhe të pohojnë si një brenda në trini.

Të lëvdojnë qiejtë e qiejve.

Të lëvdojnë kerubinë e serafinë23.

Të lëvdojnë profetët.

Të lëvdojnë engjëjt e kryeengjëjt.

Të lëvdojnë të drejtët.

Të lëvdojnë martirët.

Të lëvdojnë rrëfyesit.

Të lëvdojnë virgjëreshat.

Dhe ne, shërbëtorët e tu, të lëvdojmë dhe bekojmë emrin tënd.

O mbret i qiejve, që i vetëm bën gjëra të mëdha e të mrekullueshme, ashtu siç ke bërë edhe me etërit tanë Abraham, Isak e Jakob, siç ke bërë me Moisiun, Aronin e Jezu Navën, e me të gjithë besnikët e tu të cilët qenë mirëpritur si Davidi e Solomoni.

Jotja forca e lavdia.

Jotja fuqia.

Yti pushteti.

Yti sundimi.

Jotja mbretëria.

Jotja madhështia.

Yti lartësimi.

Jotja fitorja, sepse ke mposhtur ngashnjyesin e botës.

Jotja përjetësia me Atin e Shpirtin e Shenjtë.

Ti je fillesa e ti je fundi.

Je ti që ke shëlbyer botën me gjakun tënd dhe sërish je mirëpritur si gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve. Të përgjërohemi, Zot, që të denjosh të jesh përherë me ne. Mos na braktis! Ji gjithmonë pranë besnikëve të tu, o Zot!

Je ti që në zanafillë ke mbruajtur tokën, dhe qiejtë janë vepër e duarve tua. Je ti që ke ndarë dritën nga errësira, dhe të gjitha gjërat janë bërë në praninë tënde.

Ti je i fuqishëm dhe i vërtetë në fjalët e tua, o Zot, dhe je besnik në ligjet e tua, me të cilat na ke folur nëpërmjet shërbëtorëve të tu profetë, e me të cilat ke premtuar që do të na kushtoheshe ne.

Ti ke ardhur nga vepra e mitrës së lavdishme dhe të dëlirë të virgjëreshës së shenjtë Mari.

Ti ke lejuar që një heshtë t‘a përshkonte kraharorin tënd për të na shmangur nga shpata e djallit, të ngopësh me trupin e me gjakun tënd dhe të çlirosh përgjithmonë nga grackat e armikut ata që marrin këto gjëra dhe besojnë në Kishën tënde të shenjtë katolike.

Ti, nëpërmjet një kallami, ke ngjëruar një sfungjer plot me vrer e uthull, për të na mbajtur larg nga goja e djallit dhe për të na çliruar nga uthulla e hidhërimit.

Ti na ke dhënë kupën e verës së dëlirë të besëlidhjes së re si ushqim i shpirtit dhe i trupit, si shëlbim i jetës së amëshuar.

Ti u ke thirrur katër lumenjve, dhe simbas urdhërit ata rendën të bindur e u vunë nën shërbimin tënd. Lumi i parë është Filosofon për unitetin e Kishës dhe syleshësinë e shfaqur në këtë botë. Lumi i dytë është Geon sepse është bërë prej toke, ose edhe për dy besëlidhjet24. Lumi i tretë është Tigri, sepse në qiej na është shpërfaqur triniteti i amëshuar: ne besojmë në Atin, në Birin, e në Shpirtin e Shenjtë, por vetëm një është Zoti prej të cilit janë bërë gjërat në qiell e në tokë.

Ti ke ngopur përgjithmonë çdo shpirt të gjallë me dlirësinë e ringjalljes, e cila ishte shëmbëlltyrë e ungjijve që rrjedhin përgjatë tërë rruzullin tokësor që ti ke denjuar ta ungjillizosh përmes veprës së shërbëtorëve të tu, ashtuqë gjithësa besojnë dhe rrëfehen të shpëtojnë duke u mbështetur në emrin tënd të madh e të frikshëm, si dhe në ungjijtë e tu të shenjtë, për të mbërritur kësisoj atë jetë që nuk e kanë“.

         

Përlëvdimet e Bartolomeut

Atëherë apostulli Bartoleme i tha Jezuit: “Zot, Atë, mbret i jetës së amëshuar, mbret i qiejve, mbret i kryeengjëjve, mbret i profetëve, mbret i të drejtëve, mbret i besnikëve, mbret i tërë atyre që besojnë në ty, mbret i jetimëve, mbret i të burgosurve, mbret i të vegjëlve, mbret i epokave, mbret i botës. Ngushëllues i të munduarve, çlirues i gjithë atyre që besojnë në ty, mjek i atyre që ndjejnë dhimbje, ushqyes i jetimëve e i vejushave, shëlbyes i atyre që qenë humbur, je ti që me gjakun tënd ke shpëtuar tërë rruzullin tokësor prej armikut që gulçonte nga dëshira për ta gllabëruar popullin tënd. Shpëtim i mëkatarëve, mos e braktis krijesën e mbruajtur prej teje“.

         

Detyra e Jezuit në botë

Jezui u përgjigj: “Bartolome, Ati im më ka quajtur Krisht pikërisht për këtë, me qëllim që unë të zbrisja në tokë për të mirosur me vajin e jetës çdo njeri që vjen tek unë; e kushdo që do të jetë mirosur do të rrojë në përjetësi. Dhe më ka quajtur Jezu me qëllim që unë t’ua shlyej mëkatet pendestarëve, atyre që pendohen për veprat e tyre të këqija, atyre që largohen nga jeta e errët që të ndjekin udhën e drejtësisë për të marrë kështu pagëzimin me thirrje dhe me shpallje të gjerë, atyre që u përmbahen urdhëresave të mia, të cilat janë të shkruara këtu, në profeci e në ligje dhe nuk ndjekin udhën e mbrapështisë në të cilën armiku ka mbjellë të këqija.

Në të vërtetë, unë ia kam dhuruar të gjithëve të vërtetën e Zotit, meqenëse unë jam udha, e vërteta dhe jeta. Udha, sepse askush nuk mund të vijë tek Ati përveçse nëpërmjet meje; jeta, sepse unë i jap jetën e amëshuar të drejtëve, besimtarëve që besojnë tek unë me zemër të pastër e atyre që më druhen: këta do të jenë si engjëjt e Zotit dhe do të quhen bij të të Madhërueshmit; unë jam e vërteta, sepse në mua u përmbush gjithë çfarë patën parathënë profetët për mua dhe gjithë sa është shkruar për mua nëpër psalme; në të vërtetë jam unë që i kam dërguar. Unë jam jeta, sepse iu kam treguar besimtarëve udhën, domethënë pagëzimin e shenjtërimit.

Unë u jam nënshtruar me dashje fshikullimeve, mora pështyrje në fytyrë, u shitova nga një heshtë dhe piva vrer e uthull; prej hebrejsh të pabesë u vara në një kryq. Pranova t’i vuaj të gjitha këto gjëra prej kryepriftërinjve hebrej, që të shpëtoja botën, ta liroja nga zemërimi i armikut të mallkuar, i cili donte ta çonte në humbje gjininë njerëzore, ashtu siç pati humbur edhe ai vetë.

Sa shumë gjëra të mrekullueshme kam kryer përpara tyre e prapë nuk më besuan, përkundrazi i mbyllën veshët dhe më kthyen krahët, duke më thënë: “Dëbon djajtë me fuqinë e Belzebulit, prijësit të djajve“ e duke thërritur: “Ne nuk kemi kurrfarë mbreti!“ Nuk donin ta kuptonin se sa shumë vuajtje kisha përballuar unë për t’i çliruar nga toka e Egjiptit, nga shtëpia e robërisë e për t’i ndihmuar të kalonin përmes Detit të Kuq si përmes tokës së thatë.

Për dyzetë vite ushqeva me manë25 etërit e tyre në shkretëtirë; bëra që uji të teptiste nga një shkëmb shumë i fortë; ndërsa ata ma shpaguan të mirën me të keqe. Nuk deshën të më njohin si Zotin që i ka krijuar. Përballë tyre i thyva të gjithë njerëzit, por nuk pranuan të ecnin simbas urdhëresave të mia. Përkundrazi, u bënë në një mendje dhe më dënuan me vdekje.

Jini dishepujt e mij dhe ndiqni rrugën time. Për shkak të emrit tim do gjendeni përballë mbretërish dhe guvernatorësh, princërish e pushtetarësh. Tregoni pak durim për hir të dashurisë sime dhe do të mbretëroni me mua në përjetësi, do të qëndroni pranë meje në mbretërinë e Atit tim e do rrini pranë meje në gjyq, për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Meqenëse unë nuk ju them më (shërbëtorë), por miq, prejse ju kam shpërfaqur çdo gjë: shërbëtori nuk di atë që bën zotëria i tij, ndërsa unë ju kam shpërfaqur çdo gjë.

Mos ua keni frikën atyre që mund të vrasin trupin tuaj, sepse shpirtin nuk do të mund ta vrasin. Mos mendoni se si e çfarë do të flisni, sepse në ju banon shpirti i Atit tim, e ai do t’ju japë dëshminë e hakmarrjes ndaj botës dhe atij që ngashnjehet nga bota.

Në të vërtetë, tashti do të shkatërrohet urtësia e botës dhe do të lartësohet ajo e Zotit. Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju kam dashur unë dhe qëndroni në mua ashtu sikundër unë në ju. Ashtu siç unë kam dhënë frymën për botën e për ju, ashtu edhe ju jepini frymët tuaja për vëllezërit.“

Bartolomeu i tha: “Zot, a është e lejueshme t’u zbulohen këto gjëra të gjithë njerëzve?“ Jezui iu përgjigj: “Është e lejueshme t’u zbulohen të gjithë atyre që janë besimtarë dhe e shqyrtojnë këtë të fshehtë që unë ju kam treguar. Në të vërtetë, mes paganëve ka nga ata që adhurojnë idhujt, që janë pijanecë, kurvërues, bérrejshëm, blasfemues, prozhmues të Kishës katolike, smirëzinj, të rrezikshëm, yshtës, të zvetënuar, zbatues të dredhive të armikut, urrejtës të të afërmve të tyre: të gjithë këta nuk janë të denjë ta dëgjojnë këtë të fshehtë.

Por, nga ana tjetër, janë të denjë ata që zbatojnë urdhëresat e mia, që i kuptojnë fjalët e shpëtimit të jetës së amëshuar që s’ka mbarim: dhe në qiell, në mbretërinë e Atit tim, do jenë pjesë e të shenjtëve, të drejtëve, besnikëve. Ai që do të jetë ndarë nga gabimi i paudhësisë dhe do të ketë ndjekur udhën e së drejtës, është e nevojshme ta dëgjojë këtë të fshehtë. Ti Bartoleme i Lumë dhe breznia jote e Lume.“

Atëherë, Bartolomeu, duke i shkruar në zemrën e vet të gjitha gjërat e dëgjuara nga goja e Zotit tonë Jezu Krisht, me fytyrë të hareshme bekoi Atin, Birin e Shpirtin e Shenjtë duke thënë: “Lavdi ty, o Zot, shpëtimtar, çlirues i mëkatarëve, jetë e të drejtëve, fé për besimtarët, ringjallje e të vdekurve, dritë e botës, dashurues i dëlirësisë“.

Atëherë Jezui, duke ngjeshur gjoksoren, tha: “Unë jam i mirë, zemërbutë dhe mirëdashës, përdëllyes dhe i mëshirshëm, i fortë dhe i drejtë, i mrekullueshëm, i shenjtë dhe shërues, mbrojtës i jetimëve dhe i vejushave; ai që kurorëzon të drejtët dhe besimtarët; gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve; dritë e dritës dhe e vezullim i flakës; ngushëllues i të vuajturve dhe ndihmesë e të vegjëlve. Gëzoni me mua, miqtë e mi, dhe merreni dhuratën (time): unë do t’ju jap dhuratën qiellore.“

Kur Jezui përfundoi së thëni këto fjalë, të gjithë apostujt e puthën e i dëshiruan paqë; e bekuan dhe e lëvduan njëzëri, duke i thënë: “Amen!“
Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Apokrifet - Ungjilli i Bartolemeut Empty Re: Apokrifet - Ungjilli i Bartolemeut

Mesazh  Zattoo 11.07.14 15:57

Lloje mëkatesh e mëkatarësh

Dhe dishepujt e pyetën: “Zot, na thuaj: cili është mëkati më i madh se çdo tjetër mëkat, Zot?“ Jezui iu përgjigj atyre: “Mëkat i rëndë është kurvërimi, zemërimi, mallkimi, pabesimi, mashtrimi, dashuria e rreme, veprimet e liga. Për ata që veprojnë kësisoj, profeti tha: “Të patenzonët nuk do të ringjallen në gjykim dhe as mëkatarët në këshillin e të drejtëve“. Amen, amen, unë ju them që njerëzve do t’u falet çdo mëkat e çdolloj veprimi i lig, mjaft që të pendohen. Po për atë që blasfemon kundër Shpirtit të Shenjtë nuk ka falje as në këtë epokë e as në gjykimin e ardhshëm“.

Bartolomeu i tha: “Zot, çfarë do të thotë të mëkatosh kundër Shpirtit të Shenjtë?“ Jezui iu përgjigj: “Kushdo që blasfemon kundër një njeriu i cili i shërben besnikërisht Zotit Atë, apo braktis Kishën e tij katolike për të ndjekur herezinë, ai blasfemon kundër Shpirtit të Shenjtë; për këtë njeri nuk do të ketë falje.

Kush nuk adhuron Zotin krijues të Gjithçkasë, që bëri qiellin e tokën, por adhuron drunj dhe gurë pa ndjenja e shpirt, pa frymëmarrje, pa aftësinë e të parit, të të dëgjuarit, nuk do të jetë i falur nga mëkatet.

Kush nuk kërkon shpëtimin e Shpërblimtarit, kryen mëkat të rëndë. Ata që besojnë tek njerëzit e vdekshëm, ata që nuk rendin kah Kisha katolike, por rendin kah shëmbëlltyrat e djajve, nuk do të kenë falje të mëkateve.

Kush nuk kërkon Zotin sundues të të gjithëve, nuk do të përjetojë falje të mëkateve. Kush kërkon yshtësit, falltarët, prozhmuesit, do të qe më mirë sikur të mos kishte lindur fare.

Kush nuk beson se unë kam zbritur nga qielli në tokë për të shëlbyer botën, kush nuk beson se unë, dhe pse erdha në këtë botë, kam mbretëruar ngahera në shekuj të shekujve me Atin tim, nuk do të përjetojë falje.

Kush nuk beson se unë kam vuajtur dhe jam ringjallur; kush nuk beson në ringjalljen e të vdekurve, të parathënë prej meje, nuk do të gëzojë falje të mëkateve.

Dhe prapë. Kush nuk beson se unë do të rikthehem si gjykatës i të gjallëve dhe i të vdekurve, kur të vegoj i përlëvduar, ai nuk do ta ketë faljen as në këtë epokë e as në atë gjykim.

Ata që nuk adhuron Zotin e gjallë krijues, prej të cilit janë bërë të gjitha gjërat, por adhurojnë një krijesë, ata kryejnë një mëkat të rëndë!

Kush nuk beson në Atin, në Birin e në Shpirtin e Shenjtë, ai blasfemon kundër Shpirtit të Shenjtë, kësisoj për të nuk do të ketë falje as këtu e as në gjykimin e ardhshëm.

Kush nuk beson që Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë nuk janë një Zot i vetëm, nuk do të ketë falje të mëkateve.

Ata që për shkak të ndonjë mllefi vrasin veten, ose hidhen në lumë, nuk do të përjetojnë falje të mëkateve.

Kush nuk do të mendojë për shpirtin e tij, por do të ndjekë mashtrimet e armikut, nuk do ta ketë faljen e mëkateve.

Por kush e  do Zotin me zemër të pastër, ndjek urdhëresat e tij dhe zbaton atë që është shkruar këtu, përmes urdhëresave dhe profetëve, nuk do të mposhtet prej armikut dhe nuk do të cënohet prej kurrfarë të keqeje.

Shkoni e predikoni! Shkoni pra dhe mësojini të gjithë njerëzit që të mos mëtojnë të betohen as për qiellin e as për tokën; askush të mos betohet as për kokën e tij, meqenëse nuk është në gjendje të rikthejë as edhe një fije floku të bardhë apo të zezë. Mes tyre ata duhet të thonë “po po“, “jo jo“.

Shkoni dhe predikoni në tërë botën dhe mes të gjithë njerëzve një fjalë vërtetësie dhe paqeje, me qëllim që çdokush të shfaqë vërtetësi dhe dashuri kundrejt vëllait, kundrejt të afërmit apo mikut dhe të thotë të vërtetën.

Kështu çdo njeri të flasë mirë me fqinjin e vet dhe çdo mike me miken e vet, dhe jo me mashtrime. Unë them gjëra të vërteta e dua që edhe ju të thoni gjëra të vërteta. Unë i pikas mendimet e të gjithëve qysh prej së largu, përpara se ato të trajtësohen dhe e gjykoj dashurinë e rreme. Por ti, Bartoleme, shko dhe predikoji fjalët e shpëtimit në veshët e atij që ka dëshirë të kuptojë.

E të gjithë apostujt (e tjerë) të zgjedhur prej meje, shkoni dhe predikoni! Ata që do t’ju besojnë, do të pagëzohen dhe do t’u besojnë urdhëresave që ju predikoni, do të fitojnë jetën e amëshuar dhe kurorën e përjetshme. Ndërsa ata që nuk do të dëgjojnë, nuk do të zbatojnë e nuk do të pagëzohen, do të dënohen në ditën e gjykimit dhe do të pësojnë ndëshkimin e zjarrit“.

Martesë dhe dëlirësi

Bartolemeu i tha sërish: “Zot, çfarë pjese do ketë në gjykim ai që kryen një mëkat të mishit?“ Jezui u përgjigj: “Është mirë që ai i cili është i pagëzuar ta respektojë pagëzimin e tij, ta mbrojë dëlirësinë dhe të mbetet i tillë.

Por, nëse i lind dëshira e mishit, ai duhet të bëhet burri i një gruaje të vetme. Sepse, ashtu sikundër gruaja nuk duhet të njohë burrë tjetër, poashtu edhe burri duhet të qëndrojë larg çdo gruaje tjetër.

Nëse ruajnë dëlirësinë, respektojnë urdhëresat e mia dhe ia japin të dhjetën Kishës, ashtu si shërbëtori Abraham që i mbrojti urdhëresat e mia, atyre do t’u jap qindfishin dhe bashkimi i tyre do të jetë pa mëkate.

Marrjen e një tjetër bashkëshorti mund ta bëjnë veç nëse shkojnë në kishë, falin lëmoshë, veshin të zhveshurit, u japin ushqim dhe pije të uriturit e të eturit, u japin mikëpritje shtegtarëve dhe nuk na përbuzin neve, përkujdesen për të sëmurët, ndihmojnë të burgosurit, bëjnë dëshmi të vërteta, presin me të gjitha nderimet një prift dhe i druhen Zotit; e, sikundër ju thashë, i japin të dhjetën Kishës dhe bëjnë gjëra të drejta që i pëlqejnë Zotit.

Por nëse dikush merr grua të tretë, ai ka për t’u konsideruar në mbretërinë e qiejve i padenjë dhe mëkatar së bashku me atë.

Nga ana tjetër, ai që ruan dëlirësinë dhe virgjërinë e tij, qoftë burrë apo grua dhe është i përkryer në Kishën katolike, ai do të konsiderohet i përkryer edhe në mbretërinë e qiejve.

Shkoni, ju, dhe predikojuani këto gjëra të gjithë njerëzve: t’u përmbahen urdhëresave që unë ju kam thënë, që të mund të shpëtohen e të mbërrijnë jetën e amëshuar.

Unë jam Zoti juaj Jezu Krisht dhe Mësuesi. Unë jam fillesa dhe fundi, i pari dhe i mbrami, aleluja. Mbret i fuqishëm dhe shumë i tmerrshëm, që ua jap kurorën juve besnikëve të mi që shpresoni në mua. Jam unë ai që ka ndarë dritën nga errësira. Aleluja“.

         

Përlëvdimet e apostujve

E të gjithë apostujt u përgjigjën njëzëri duke e lartësuar, madhështuar e përlëvduar, me fjalët: “Je ti, Zot, që në zanafillë ke hedhur themelet e tokës, e qiejt janë vepër e duarve tua.

Je ti që në zanafillë ke mbruajtur Adamin e Evën dhe nuk i ke braktisur ata; e ndonëse mashtrimi i armikut i joshi, mëshira jote prapë nuk i braktisi, por i shelbove me gjakun tënd të shenjtë.

Ne që për shkak të Evës patëm dalë nga parajsa e galdimit, tashti prej ardhjes sate të shenjtë dhe prej Marisë virgjëreshë e mbretëreshë, ti na ke rikthyer në mbretëritë e qiellit, pra në Kishën tënde katolike, e cila është trupi yt dhe që e ke quajtur bashkëshorten tënde. Ti je gjykatësi i të gjallëve dhe i të vdekurve. Aleluja, aleluja.“



Ngjitja e Jezuit në qiell

Jezui u përgjigj sërish e u tha: “Unë do t’ju përgatis mbretërinë e qiejve dhe që prej fronit të lavdisë sime do t’ju dërgoj Shpirtin e Shenjtë që do t’ju bëjë të shfaqeni më vezullues, të vërtetë dhe të fortë përballë prijësve dhe të pushtetshmëve. Aleluja.

E do të rikthehem përsëri për ta shpërblyer secilin simbas veprave të tij: të drejtëve, besnikëve, e të gjithëve që besojnë në mua dhe zbatojnë urdhëresat e mia, kurorën e jetës së amëshuar; atyre që përbuzin urdhëresat, vuajtjet e përjetshme dhe ferrin e zjarrit, ku do të ketë vajtime dhe kërcëllima dhëmbësh.

Paqë për ju! Juve jua jap paqën time, juve jua lë paqën time. Përjetojeni paqën time të gjithë ju që besoni në mua, predikojani mbretërinë e Zotit dhe mbretërinë e tij të qiejve të gjithë botës dhe të gjithë njerëzve, ashtu siç unë jua predikova juve“.

E teksa fliste kështu, u mbart në qiell, nëpër re. Dhe atyre, ashtu të mrekulluar siç ishin, u veguan dy engjëj me petka vezullore që iu thanë: “Burra galileas, pse rrini dhe sodisni Zotin që ngjitet në qiell? Ai do të vijë, ashtu siç e patë të ngjitet në qiell. Ai është gjykatësi i të gjallëve e i të vdekurve; ai është shëlbyesi i gjithë atyre që shpresojnë në të, ai që është paralajmëruar nga profetët dhe psalmistët, siç thuhet në psalmin e shtatë: “Prandaj rikthehu lart, Zot“. Pra, deri kur të jetë plotësuar numri i besimtarëve.

Mandej do të rikthehet me lavdi të madhe e, në plotfuqinë e tij, mëndjemëdhenjve do t’u japë ndëshkimin, ndërsa zemërbutëve dhe të përvuajturve mbretërinë e qiejve“.

Atëherë Bartolomeu dhe të gjithë apostujt e tjerë përlëvduan Zotin Jezu Krisht, duke thënë:

“Lavdi ty, o Atë i qiejve,

mbret i jetës së amëshuar,

kandil me dritë të pashuar,

diell i shndritshëm e kthjelltësi

e dritës vizlluese të amëshuar.

Mbret i mbretërve e zot i zotave,

Jotja lavdia e madhështia,

Sundimi e mbretëria, nderi e pushteti

Me Atin dhe me Shpirtin e Shenjtë.

Bekuar Zoti, Perëndia e Izraelit,

që vizitoi e çliroi popullin e vet nga dorë e armikut,

dhe bëri për neve përdëllesë e gjykim.

Ju të gjithë njerëzit,

Lëvdojeni Zotin tonë Jezu Krisht dhe besojini

se është gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve,

Shëlbyesi i besimtarëve.

Ai që me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë

Jeton e mbretëron në gjithë kohët. Amen“.

Këtu mbarojnë pyetjet që apostulli Bartolemeu i Lumë dhe apostujt e tjerë i bënë Zotit Jezu Krisht.

1 Ungjilli që i mvishet Bartolomeut (Rreth pyetjeve që Bartolemeu i Lumë dhe apostujt e tjerë i bëjnë Zotit Jezu Krisht) është shkruar nga një autor anonim i shek. III. Ungjilli parashtron një varg zbulesash të Jezuit pas ringjalljes së tij, si dhe legjenda të ndryshme që qarkullonin në atë kohë për vuajtjet, vdekjen dhe ringjalljen e tij. Shën Bartolomeu (?-?) ishte një nga të dymëdhjetët. Emri Bartolome rrjedh nga aramaishtja bar Tôlmay, që do të thotë ‘biri i brazdave’, sepse, me gjasë, ishte pendar. Dendur identifikohet me Natanaelin e Gjon ungjillorit. Në ungjijt sinoptikë të Mateut, Markut dhe Lukës, Filipi dhe Bartolomeu përmenden gjithnjë bashkë, kurse Nanataeli nuk përmendet asnjë herë. Nga ana tjetër, në Ungjillin sipas Gjonit, përmenden Filipi dhe Natanaeli, por nuk thuhet asnjë fjalë për Bartolomeun. Sipas traditës siriane, emri i vërtetë i Bartolomeut ishte Jezu. Sipas Besëlidhjes së Re, Bartolomeu ishte njëri prej dishepujve të cilëve iu shfaq Jezui pas ringjalljes në Detin e Tiberit (Gjn 21: 2). Ai dëshmon edhe për Ngjitjen e Jezuit (Vap 1: 4, 12, 13). Thuhet se pas Ngjitjes, Bartolomeu filloi udhëtimin misionar në Indi, ku la edhe një kopje të Ungjillit të Mateut. Në veprat e artit ai dendur paraqitet me një thikë të gjatë, apo si në “Gjyqin e Fundit” të Mikelangjelos, me lëkurën që i varet mbi krah. Sipas traditës, në Armeni ai u rrop përsëgjali dhe pasandaj u kryqëzua kokëposhtë. Për këtë arësye u zgjodh shenjti mbrojtës i lëkurpunuesve. Mendohet se bashkë me Shën Judë Tadeun ai përhapi në shek. I Krishtërimin në Armeni. Prandaj kisha armene quhet Kisha Apostolike Armene, kurse të dy shenjtët pajtorë të kësaj kishe. Dita e festës: 24 gushti.

2 Belzebuli: Baal Zebul, një emërtim i princit të djajve, që do të thotë “Zoti-Princ”. Shkrimtari i Librit të dytë të mbretërve e quan edhe Beelzebub, pra, “Zoti i mizave”.

3 Satanai: djalli, kundërshtari i Perëndisë dhe ngashënjyesi i njerëzimit: herë-herë identifikohet me Luciferin (Lk 4: 5–8). Nga hebraishtja satan përbetues, armik, kundërshtar.

4 Prehëri i Abrahamit: të qenët në Prehrin (Gjirin) e Abrahamit (Lk 16: 22, 23) do të thotë të gëzosh lumturi dhe prehje (Mt 8: 11; Lk 16: 23) në gostinë e Parajsës. Prehri i Abrahamit është vendqëndrimi i shpirtërave që vdesin pa faje dhe pa merita, i atyre që kanë jetuar në purputhje me besimin në Jahvehun, por që kanë vdekur përpara ardhjes së Jezu Krishtit; gjatë tre ditëve midis kryqëzimit të Jezuit dhe ringjalljes së tij, Jezui zbriti në mbretërinë e të vdekurve dhe çliroi ata që banonin në prehrin e Abrahamit. Besohej se përpara ringjalljes së Jezuit ishte një pjesë e “hadit”, afër Ferrit (apo vendit të mundimeve).

5 Kerubini (k’ruv), që përmendet në shumë vende të Besëlidhjes së Vjetër, është një qenie mitologjike, të cilën hebrejtë e huajtën nga tradita mesapotame. Sot pranohet botërisht mendimi se, me gjasë, ky emër është huajtur nga gjuha akade, sado që emri kâribu (apo xxxâbu) – ‘gju’, nuk thotë dhe aq për kuptimin e vërtetë të fjalës burimore. Ashtu si në Torë, edhe sot figura e kerubinit përshkruhet në mënyra të ndryshme. Sipas disave, kerubinët ishin qenie me flatra, me kokë njeriu (djali a vajze), sipas disa të tjerëve, kishin kokë njeriu, flatra shqiponje dhe trup luani, për ca të tretë – trup demi. Pas mendimit të një pale, pezullojnë, sipas palës tjetër ecin mbi dy këmbë.

6 Engjëllit tartarik: engjëlli i Tartarit, pra, i Nëntokës, Ferrit. Në mitologjinë greke Tartari ishte një humnerë ndën Had, ku qenë burgosur titanët; me këtë emër njihej edhe një pjesë e Hadit, ku mbylleshin keqbërësit; emri Tartar përdoret edhe për të shenjuar Hadin si të tillë. Ky ishte edhe emri i një prej zotave nistorë, që bijoi përbindëshin Tifon.

7 petrahil: veshje që zbret gjer në gju, që e veshin priftërinjtë ortodoksë gjatë shërbesave fetare, stolë.

8 Jeroboami (në Besëlidhjen e Vjetër): mbreti i parë i mbretërisë veriore të Izraelit (?922–?901 përpara K.). Pas vdekjes se Salomonit, dhjetë viset veriore u rebeluan dhe formuan një mbretëri të veçuar të Izraelit, të sunduar prej Jeroboamit, me kryeqytetin në Shekem dhe qendra adhurimi në Dan dhe Bethel. Pasardhësit e Davidit vazhduan të sundonin mbi bretërinë jugore të Judës prej kryeqytetit, Jeruzalemit. Kjo ndarje ishte e përhershme. Me këtë emër njihet edhe një tjetër mbret i po kësaj mbretërie, që sundoi rreth 150 vjet më vonë (?786 – ?746 përpara K.). Këtu bëhet fjalë për Jeroboamin e parë, që sundoi fill pas vdekjes së Salomonit.

9 Jobi (në Besëlidhjen e Vjetër): duhet të ketë qenë person historik, sado që historia nuk jep të dhëna për të. Nuk ka qenë izraelit. Ndoshta qe nga Edomi.

10 Aaroni (në Besëlidhjen e Vjetër): kryeprifti i parë i Izraelit, vëllai i Moisiut (Dalja 4: 14).

11 Nga Salomeja, vajza e Herodias (në Besëlidhjen e Re).

12 Jozefi (në Besëlidhjen e Vjetër): djali i njëmbëdhjetë i Jakobit dhe një nga dymbëdhjetë patriarkët e Izraelit (Zan 30: 2–24).

13 Sauli (në Besëlidhjen e Vjetër): mbreti i parë i Izraelit (?1020–1000 përpara K.). Ai e udhëhoqi me sukses Izraelin kundër filistinëve, por u godit nga çmenduria dhe vrau veten. U pasua në fron nga Davidi, psalmisti.

14 Samueli (në Besëlidhjen e Vjetër): profet dhe Gjyqtari i fundit i Izraelit, që mirosi dy mbretërit e parë të Izraelit (1 Sam 1–3; 8–15).

15 Simon Magu (në Besëlidhjen e Re), samaritani i shekullit të parë, është magjistari më i rëndësishëm gnostik. Lindi me gjasë nga qyteti Gitta. Shkrimtarët e krishterë të kohëve të para e konsideronin si një prej armiqve më të rrezikshëm të kishës dhe si at të herezisë. Falë fuqive të tij mrekullibërëse samaritanët e përnderonin si të ishte bash perëndi: “Ky njeri është Fuqia hyjnore, ajo që quhet e ‘Madhe’” (Vap, 8: 10).  Fillimisht iu bashkua kishës, por u përjashtua shpejt prej saj, sepse deshi të blente me para prej apostujve fuqinë e Shpirtit të Shenjtë (Vap 8:9-24). Prej këndej ‘simoni’ bëri tregti me gjërat e shenjta. Thonë se paskëtaj vajti në Romë, ku kreu shumë mrekulli. Magjinë e mësoi në Egjipt; shëronte të sëmurët, bëhej i padukshëm, grishte shpirtërat. Mbrunte njerëz nga ajri, gjë që konsiderohej një gjë shumë më e rëndë se sa mbrujtja e njeriut nga dheu. Mund të shndërrohej në kafshë dhe në çdo trajtë që t’ia kishte ënda. Pohonte se nuk mund të plagosej, se nuk e digjte zjarri, se ishte në gjendje  të flatronte, të kthente gurin në bukë etj. Sipas të krishterëve, pas këtyre punëve fshihej djalli. Vetë Simoni pohonte se ishte mishërim i Trinisë së shenjtë. Thoshte pasandaj se e dashura e tij, një prostitutë nga Tiri, ishte rimishërim i Helenës së Trojës.

16 Enoku: në Besëlidhjen e Vjetër përmenden dy njerëz me këtë emër dhe që të dy te Zanafilla (njëri 4: 17 dhe tjetri 5: 24). Këtu bëhet fjalë për këtë të dytin, babain e Metuzalemit, për të cilin thuhet se eci me Zotin dhe se në fund të jetës së tij tokësore u mor nga Zoti.

17 Ezau (në Besëlidhjen e Vjetër): djali i Isakut e Rebekës dhe vëllai binjak i Jakobit, të cilit i shiti të drejtën e parëlindësisë (Zan 25: 29–34).

18 Jakobi (në Besëlidhjen e Vjetër): djali i Isakut, vëllai binjak i Ezaut dhe ati i dymbëdhjetë patriarkëve të Izraelit.

19 Amaleku (në Besëlidhjen e Vjetër): emër kolektiv, sikundër janë Izraeli, Edomi: amalekitët, izraelitët, edomitët etj. Amalekitët janë një popull shumë i vjetër. Ka shumë të ngjarë që në kohën e Moisiut të kenë kontrolluar rrugët që shpinin nga Egjipti në Arabi dhe anasjelltas (Zan 17: 8–16).

20 Mikaeli apo Shën Mëhilli: njw nga kryeengjëjt. Dita e festës: 29 shtatori, apo 8 nëntori.

21 Gabrieli: një nga kryeengjëjt, kumtari i lajmeve të mira (Dan 8: 16–26; Lk 1: 11–20, 26–38).

22 Abba është një formë e fjalës aramaike “baba”. Në Besëlidhjen e Re kjo fjalë del tri herë (Marku 14:36; Romakëve 8:15; Galatasve 4:6). Në çdo rast ajo ka si shtojcë gjegjësen e saj në greqisht abba, pater në tekstin grek; abba, pater në Vulgatën latine. Fjalën abba Jezui e përdorte kur i drejtohej Perëndisë. Orlando Paterson mendon se përdorimi i kësaj fjale ka qenë “krejt i ri dhe fyes për bashkëvendasit e tij hebrenj”. Sepse ajo “shpreh afërsi dhe familjaritet dhe asnjë jude i kohës së Jezuit nuk do të guxonte t’i drejtohej Perëndisë me një fjalë të tillë”. Shën Pjetri në predikimin e tij i shtoi fjalës edhe përkthimin grek; të njëjtën gjë bënë edhe ungjillorët.

23 Seraf, në shumës: serafim. Për të emëruar këta engjëj, thuajse në të gjitha gjuhët evropiane është pranuar emri në shumës, në trajtën e aramaizuar serafin. Disa studijues, duke e përqasur këtë emër, – që në tërë Besëlidhjen e Vjetër del vetëm në dy vende (Is, 6: 2 dhe 6: 6), – me emrin saraf – që në Besëlidhjen e Vjetër del në pesë vende dhe do të thotë ‘gjarpër helmues’ (folja saraf – ‘me djegë’, prej këndej – ‘gjarpër’, kafshimi i të cilit djeg!) mëtojnë se engjëlli gjashtëkrahësh seraf kishte trajtë gjarpëri. Ka të ngjarë që edhe kjo paraqitje ishte pleksje e figurës së njeriut, kafshës dhe zogut, siç mund të shihet ende në tabelat nga Tel Halafa në Mesapotami, ku një figurë e tillë gjashtëkrahëshe ka edhe një kurorë në kokë.

24 Dy Besëlidhjet, me anë të Fjalës apo Frymës dhe me anë të Mishit, të lidhura nga Jehovahu me Abrahamin (Zan 27). Besëlidhja e Rrethprerjes u krye për të qenë një shenjë e jashtme dhe e dukshme e dorëzanisë Hyjnore kundrejt Abrahamit dhe pinjollëve të tij. Fjala për rrethprerjen në hebraisht është Mulah, MULH: vër re se MLH është, gjithashtu, sinonim i DBR, debar – verbum apo fjalë.

25 Sipas Besëlidhjes së Vjetër (Dal 16: 14-15) mana është ushqimi me të cilin u ushqyen hebrenjtë për dyzet vjetë në shkretëtirë: “Atëherë u duk mbi tokë kokrrizë e hollë porsi brymë” (Dal 16: 14). Historiani hebre Jozef Flavi dëshmon se edhe në kohën e tij në atë pjesë të shkretëtirës binte një lloj bryme, e cila ishte e ngrënshme (Hebrenjtë e lashtë 3, 1, 6). Të njëjtën gjë pohon edhe Origjeni (Selecta in Numeros).

Përktheu: Shpëtim Kelmendi
Redaktoi dhe pajisi me shënime: Azem Qazimi
Zattoo
Zattoo

600


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Apokrifet - Ungjilli i Bartolemeut Empty Re: Apokrifet - Ungjilli i Bartolemeut

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi