EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vezhgimi

2 posters

Shko poshtë

Vezhgimi Empty Vezhgimi

Mesazh  Admin 02.10.08 15:54

Vezhgimi

Vezhgimi Fa259f10

Ne shumicen e kohes sone ne nuk i shohim por kamerat e vezhgimit jane instaluar ne perditeshmerine tone.

Si pasoje e shume atentateve te ndodhura viteve te fundit (New-York, Madrid, Londer), puna e politikave e ka pasur me te lehte per ta bere qe te pranohet perdorimi i tyre.

Ne Britanine e Madhe llogariten mbi 5 milion kamera te vezhgimit.

Sidoqofte numri i sakte i tyre nuk dihet.

Keto mjete mund te gjejme ne cdo vend ku ka shume frekuence te madhe publike: stacione, metro, rruge, parqe, ndertesa me shume ...

Ky mjet eshte persosur ende me shume keto vitet e fundit i lidhur me programin e njohjes se fytyres.

Teknologjia rrezikon te zhvillohet edhe me shume me kerkimet e lansuara njekohesisht ne SHBA dhe Evrope.

Behet fjale per nje program i cili eshte i afte te detektoj sjelljen e dyshimte te nje individi ne nje turme njerzish.

Kujdes per ata qe nuk do te ecin drejt.

© Explorerunivers
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Vezhgimi Empty Re: Vezhgimi

Mesazh  Jon 11.02.10 0:30

BUZËQESHINI KAMERAS!

Kujt nuk i kanë rënë në sy videokamerat e montuara në vetrinat e dyqaneve të elektronikës, falë të cilave fytyra jote, prej kalimtari tuhaf, shfaqet me bujë në dhjetëra ekrane televizorësh ofruar për shitje?

Të shohësh apo të shihesh – kjo është forma e dilemës hamletiane, të përkthyer në epokën e videoregjistrimit dhe videotransmetimit total.

Njeriu e ka mbjellë tashmë botën e vet me gjithfarë sysh elektronikë: kamera televizive, kamera mbikëqyrëse të rrugëve e të dyqaneve, live cams që transmetojnë 24-orë në ditë për sajte në Internet, web-cams, kamera telefonash celularë, kamera të trafikut e të shpejtësisë, kamera të Google që fotografojnë qytetet poshtë, kamera që filmojnë pyllin e virgjër tropikal, folenë e urithit, hapësirën kozmike, thellësitë e nënujshme, gurët në tëmth, ose botën mikroskopike deri në nivel të molekulave dhe atomeve; kamera që ruajnë kamerat, nga sulmet e vandalëve ose ludditëve anti-teknologji.

Thuhet se çdo banor i Londrës del në kamera mesatarisht 300 herë në ditë.

Programe kompjuterike për analiza imazhesh analizojnë rregullsitë e sjelljeve në rrugë për të dalluar vjedhësit, të ikurit, të kërkuarit, keqbërësit, të dyshimtët, terroristët; ose na identifikojnë nëpërmjet tipareve të fytyrës.

Përparimi teknologjik e ka ulur në mënyrë dramatike koston e kapjes, manipulimit dhe ruajtjes së imazheve. Thuhet, përsëri, se në Londër – që është metropoli teknologjikisht në pararojë të mbikëqyrjes video – gjen afërsisht një videokamera për çdo 14 qytetarë.

Forcat e ruajtjes së rendit, madje ndonjëherë edhe shoqatat e komuniteteve të shpjegojnë se prania e kameras në rrugë ndihmon për të frenuar impulset kriminale, e për t’i bërë qytetarët të ndihen më të qetë e më të mbrojtur. Të tjerë protestojnë për dhunimin e privatësisë, nga syri voyeur dhe i padëshiruar i një aparati policor që ashtu imponon praninë dhe autoritetin e vet në publik.

Në Shoreditch, që është një mëhallë e Londrës, rrjeti i televizionit komunitar Digital Bridge ka eksperimentuar me transmetimin, drejtpërdrejt në televizorët privatë të banorëve, të pamjeve çfarëdo nga rruga – njerëz që parkojnë veturën, takojnë tezet, psonisin, nxjerrin qenin shëtitje, luajnë domino në lulishte.

Imagjinoni sikur kamerat t’ju ndjekin ditë e natë, në shtëpi dhe përjashta, për ta përjetësuar ekzistencën tuaj përndryshe anonime.

Madje as që ka nevojë ta imagjinoni – tashmë në metropolet e përditshmja e mërzitshme e të gjithëve regjistrohet dhe ruhet në miliona dosje dixhitale, dyfish të mërzitshme.

Kjo edhe pse cilido prej nesh, madje edhe ai më i turpshmi e më i fshehti, e ka një dell ekzibicionisti në gjenet; ose një dëshirë, sado të fshehtë, për t’u parë, në mos admiruar prej publikut përtej.

Përmirësimet në teknologjinë e editimit të videove (i ashtuquajturi non-linear editing system) mundësuan realizimin, me kosto të arsyeshme, të spektakleve televizive të tipit Big Brother, ose të televizionit realitet, i cili tashmë i ka mposhtur të gjitha formulat e tjera të produksionit televiziv. Tani kushdo, edhe më anonimi mes anonimëve, mund të shpresojë jo vetëm se jeta që çon i motivohet tërthorazi, si mundësi dëfrimi për publikun shumëmilionësh; por edhe se gjendet gjithsesi në candid camera, madje edhe kur nuk e merr vesh kurrë.

Televizioni komercial por edhe televizioni publik, po priren t’i lënë gjithnjë e më hapësirë transmetimeve të paskriptuara – që nga ngjarjet sportive, ceremonitë, liturgjitë, festat popullore, mitingjet, kongreset, seancat parlamentare, koncertet e garat mes artistëve amatorë dhe konkurset me çmime. Deri edhe intelektualët materializohen në televizion nëpërmjet debatit publik, ku protagonistët rreken të përfaqësojnë vetveten.

Dekada e parë e shekullit XXI mund të përkufizohet edhe si koha kur teknologjia e elektronikës së konsumit arriti ta shndërrojë telefonin celular në pajisje multimediale universale – me të cilën mund të komunikojmë me të tjerët, por edhe të shfletojmë Internetin, të shohim TV, të luajmë lojëra elektronike, të blejmë tesha, të gjejmë vendndodhjen në një hartë satelitare, të nxjerrim fotografi ose videoklipe dhe t’i afishojmë këto menjëherë në faqet tona në Web.

Njëkohësisht, mjedise si MySpace, Facebook, Flickr, YouTube dhe Twitter kanë mundësuar tashmë që materialet video të qarkullojnë në mënyrë kapilare dhe virale, duke i shndërruar komunitetet virtuale në sisteme që riprodhohen nëpërmjet voyeurismit të ndërsjellë.

Nëse e përditshmja na zbrazet nga kuptimi, së paku mund të ngushëllohemi me idenë se po e përjetojmë sikur të ishim celebrities, ose protagonistë absolutë të historisë, çka do t’i jepte edhe një përmasë papritmazi filozofike statusit tonë, përndryshe aspak dinjitoz, prej qytetarësh të tejdukshëm.

Mediat tradicionale ose të organizuara në mënyrë hierarkike nuk i kanë kursyer përpjekjet për ta shfrytëzuar këtë harlisje kamerash dhe sysh regjistrues anembanë botës, duke pompuar konceptin miklues të gazetarisë qytetare (citizen journalism). Përdoruesve të telefonave celularë u është shpjeguar se gjithkundshmërinë e tyre mund ta shtien në punë për të fiksuar, në vendin dhe në kohën e duhur, klipin e ndonjë incidenti madhor ose sensacional, që do të qarkullojë pastaj anembanë planetit, në edicionet globale të lajmeve.

Shërbime si Scoopt dje (i cili tashmë ka falimentuar), ose Demotix sot (http://www.demotix.com) shembëllzojnë përpjekjet për ta sistematizuar voyeurismin e sotëm në kontekstin e ekonomisë së tregut, duke u ofruar të paguajnë për fotot ose videot e nxjerra prej qytetarëve si ju dhe unë.

Roli i Twitter-it në përhapjen e informacionit gjatë fushatës elektorale në SHBA ose për të njoftuar rreth protestave publike pas zgjedhjeve të fundit në Iran është analizuar nga shumë aspekte; nëse entuziastët e kanë përshëndetur si shembull dhe provë se çfarë mund të arrihet nëpërmjet të ashtuquajturit “demokratizim” të mediave, skeptikët kanë vënë në dukje rrezikun e manipulimit të anonimitetit prej shërbimeve sekrete ose grupeve të interesave.

Më anë tjetër, duket sikur etja për informacion dhe nevoja për siguri publike mund të adresohen njëhershëm, nëpërmjet të njëjtëve mekanizmave të kontrollit vizual – thuase qytetari gazetar dhe qytetari i tejdukshëm qenkëshin dy anë të së njëjtës medalje.

Kamerat mbikëqyrëse në një numër qytetesh të Britanisë së Madhe pajisen ndonjëherë me altoparlante, nga ku oficerë policie nga qendrat e monitorimit mund t’u “bërtasin” qytetarëve që kapen me presh në duar duke shkelur rendin publik – p.sh. duke ndotur mjedisin, ose parkuar makinat në vende të papërshtatshme.

Përkundrazi, në shtetin amerikan të Texas-it, qytetarët e përkushtuar ndaj rendit publik mund të ndjekin pamjet e përcjella drejtpërdrejt në Internet nga kamerat e instaluara në kufirin me Meksikën, dhe të lajmërojnë policinë me telefon sapo të shquajnë gjësend të dyshimtë. Nëpërmjet një sajti të posaçëm (http://www.blueservo.net/), kushdo që ka kohë të lirë dhe vullnet të mirë, mund të shndërrohet për pak minuta në kufitar syshqiponjë.

Facefile (http://myfacefile.com), një shërbim sigurie privat, i fton klientët e vet t’u nxjerrin foto dixhitale, me anë të celularit, të gjithë atyre që takojnë gjatë ditës, sidomos të panjohurve; këto foto i dërgohen pastaj një serveri automatikisht dhe ruhen atje për t’u përdorur nga policia, në rast se autori i tyre bie viktimë e një krimi çfarëdo (ngucje seksuale, përdhunim, rrahje, rrëmbim).

¡Si ves algo, di algo!

Më në fund, miliona përdoruesit e përditshëm të metrosë së New York-ut jo vetëm filmohen anonimisht e verbërisht nga dhjetëra-mijëra videokamerat e sigurisë, por edhe porositen, nëpërmjet mbishkrimeve murale, mesazheve në ekranet e automatëve biletashitës dhe lajmërimeve të para-regjistruara në altoparlantët e stacioneve dhe të vagonave, që t’i mbajtur sytë hapur ndaj rrezikut terrorist: if you see something, say something (“po të shohësh diçka, thuaj diçka”).

Ky duet jo gjithnjë i pafajshëm mes sigurisë publike dhe kuriozitetit tonë të sëmurë për të parë se çfarë po ndodh mishërohet në mënyrë të përkryer sa herë që publikut i jepet mundësia ta ndjekë shkeljen, krimin, ose katastrofën drejtpërdrejt në ekran. Imazhe të gjalla rrahjesh, përleshjesh mes tifozëve, vandalizmi, ekzekutimesh publike, ndjekjesh nga policia në autostradë dhe incidentesh terrorizmi, por edhe gjëmash natyrore dhe industriale vijnë me sukses të garantuar në publik – mjaft të kujtojmë përplasjen e avionit të dytë me kullat binjake në Manhattan, në 11 shtator 2001; por edhe videon e shpërthimit të municioneve në Gërdec.

Megjithë përpjekjet tona për ta mbajtur veç realen nga virtualja, dhe për të gënjyer veten se jeta e mirëfilltë nis kur e mbyllim televizorin e kur e fikim kompjuterin, tashmë është tepër vonë për t’i penguar teknologjitë e elektronikës së konsumit, por edhe mediat që ushqehen prej tyre, që ta shndërrojnë krejt realitetin rreth nesh në reality show.

AKT
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi