EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Gjithësia në Gjithçka

Shko poshtë

Gjithësia në Gjithçka Empty Gjithësia në Gjithçka

Mesazh  Jon 05.12.12 23:29

Gjithësia në Gjithçka

“Në të njëjtën mënyrë në të cilën Gjithçka përfshihet brenda GJITHËSISË, ashtu edhe GJITHËSIA përfshihet brenda Gjithçkaje. Ai i cili e ka kuptuar këtë të vërtetë në thelb, ka përfituar dituri të vyer.” – Kybalioni

Sa e sa herë e kanë dëgjuar njerëzit të përsëritin shprehje sipas së cilave Hyji i tyre (i njohur me emra të ndryshëm) ishte “Gjithçka në çdo gjë”, e sa pak kanë dyshuar ata mbi të vërtetën e brendshme okulte të trupëzuar në këto fjalë të shqiptuara në mënyrë të shkujdesur?

Kjo shprehje e përdorur rëndom është trashëguar nga Parimi i lashtë Hermetik i cituar më lart. Kybalioni thotë : “Ai i cili ka kuptuar këtë të vërtetë në thelb, ka përfituar dituri të vyer”. Për këtë arsye, le ta shqyrtojmë këtë të vërtetë përqafimi i së cilës mbartka një domethënie kaq të madhe. Në fjalët e sinqerta të kësaj Thënieje Hermetike, fshihet një nga të vërtetat më të rëndësishme filozofike, shkencore dhe fetare.

Ne ju përcollëm Mësimin Hermetik mbi Natyrën Mendore të Universit, faktin që “Universi është Mendor, i përfshirë në Mendjen e GJITHËSISË”. Kybalioni në fragmentin e cituar më sipër thotë: “Gjithçka përfshihet brenda GJITHËSISË”.

Por mos anashkaloni pjesën tjetër të pohimit e cila thotë: “GJITHËSIA përfshihet Brenda Gjithçkaje”. Kjo deklaratë në dukje kontradiktore është e pajtueshme nën Ligjin e Paradoksit. Për më tepër, ajo përbën një shprehje të saktë të marrëdhënieve që ekzistojnë midis GJITHËSISË dhe Universit të saj Mendor. Se në ç’mënyrë “Gjithçka ndodhet brenda GJITHËSISË” e kemi shqyrtuar më parë; tani le të sqarojmë aspektin tjetër të çështjes.

Doktrina Hermetike na mëson se GJITHËSIA është gjithmonë e pranishme, e pandarë, e përbrendshme dhe e qenësishme në Univers, në çdo pjesë, grimcë, njësi apo kombinim brenda Universit. Mësuesit e ilustrojnë shpesh këtë pohim duke iu adresuar Parimit të Përkimit.

Mësuesi e udhëzon nxënësin të formojë një Imazh Mendor të diçkaje, qoftë person, ide ose diçka që ka formë mendore, ku shembulli i preferuar do të ishte një autor a dramaturg që krijon një ide mbi personazhet e tij, ose një piktor apo skulptor që krijon imazhin e idealit të cilin dëshiron të shprehë nëpërmjet artit të tij.

Në secilin nga rastet, nxënësi do të zbulojë se megjithëse imazhi ekziston vetëm brenda mendjes së tij, përsëri ai, nxënësi, autori, dramaturgu, piktori apo skulptori, në një farë mënyre është imanent, i qenësishëm, i pranishëm në mënyrë të pandashme në imazhin mendor. Me fjalë të tjera, i gjithë virtyti, jeta dhe shpirti i realitetit të imazhit mendor, përftohet nga “mendja imanente” e mendimtarit. Ndaluni mbi këtë ide për disa çaste derisa ta keni kuptuar.

Për të marrë një shembull bashkëkohor, le të themi se personazhe si Otello, Jago, Hamleti, Liri apo Rikardi i III-të, ekzistonin vetëm në mendjen e Shekspirit në kohën e ngjizjes apo të krijimit të tyre. E megjithatë, Shekspiri ekzistonte njëkohësisht brenda secilit prej këtyre personazheve, duke u dhënë atyre gjallëri, shpirt dhe veprim. I kujt është shpirti brenda personazheve të njohur si Mikober, Oliver Tuist apo Uriah Hip? Është vallë i Dikensit, apo secili nga këta personazhe zotëron një shpirt të veçantë të pavarur nga krijuesi i tyre? A kanë shpirt dhe realitet të tyrin Afërdita de’ Mediçi, Madona Sistine dhe Apollo i Belvederes, apo janë thjeshtë përfaqësues të forces shpirtërore e mendore të krijuesve të tyre?

Ligji i Paradoksit sqaron se të para në këndvështrimin e duhur, të dyja këto pohime qëndrojnë. Mikoberi është njëkohësisht Mikoberi por dhe Dikensi. Por ndërsa për Mikoberin mund të themi se është Dikensi, prapëseprapë Dikensi nuk është identik me Mikoberin. Njeriu, ashtu si Mikoberi, mund të thërrasë: “Shpirti i Krijuesit tim është i qenësishëm brenda meje, e megjithatë unë nuk jam AI!”.

Sa shumë dallojnë nga kjo shprehje, gjysmë të vërtetat e trumbetuara zhurmshëm nga disa gjysmë të mençur, të cilët me britma të çjerra drejtuar qiellit thërrasin: “Unë jam Zoti!”. Imagjinoni Mikoberin e gjorë apo tinëzarin Uriah Hip ndërsa thërret: “Unë jam Dikensi!”, apo qoftë edhe ndonjë nga tarallakët e rëndomtë në ndonjë dramë Shekspiriane që deklaron bujshëm: “Unë jam Shekspiri!”. GJITHËSIA ndodhet brenda krimbit të tokës, e megjithatë krimbi i tokës është larg nga të qenit GJITHËSIA.

Sidoqoftë mrekullia mbetet; krimbi i tokës si një krijesë e rëndomtë, është krijuar dhe ekziston vetëm në Mendjen e GJITHËSISË, e në të njëjtën kohë GJITHËSIA është imanente brenda krimbit, ashtu si edhe në vetë grimcat të cilat përbëjnë këtë krimb toke. “Gjithçka ndodhet brenda GJITHËSISË dhe GJITHËSIA ndodhet brenda Gjithçkaje”; a ka vallë mister më të mrekullueshëm se ky?

Natyrisht që nxënësit e kanë të qartë se shembujt e mësipërm, doemos nuk janë të përkryer e plotësisht të përshtatshëm, për arsyen e thjeshtë se ata përfaqësojnë krijimin e imazheve mendore në mendje të fundme, ndërkohë që Universi është krijim i një Mendjeje të Pafundme; dallimi qëndron në diferencën midis dy poleve. Gjithsesi kjo diferencë është thjeshtë në gradë ku mbetet në fuqi i njëjti Parim, ai i Përkimit, i cili manifestohet në secilin nga polet; “Si lart, ashtu edhe poshtë; si poshtë ashtu edhe lart”.

Njeriu lartësohet në shkallën shpirtërore të jetës, në përpjesëtim të drejtë me gradën e botëkuptimit që zotëron mbi ekzistencën e Shpirtit që qëndron në thelb të qenies së tij. Kjo është edhe domethënia e zhvillimit shpirtëror; njohja, përqafimi dhe shfaqja e Shpirtit Brenda nesh. Përpiquni ta mbani mend përkufizimin e mësipërm që i përket zhvillimit shpirtëror. Përmban Esencën e Fesë së Vërtetë.

Ka rrafshe e gradë të shumta Ekzistence në Univers, nënrrafshe të panumërta të Jetës. Gjithçka varet nga avancimi i qenieve përgjatë shkallës në fundin e së cilës qëndrojnë format më bruto materiale, e kryet e së cilës vetëm një hap i ndan nga Shpirti i GJITHËSISË. Gjithçka lëviz përpara dhe lart përgjatë kësaj shkalle të jetës. Gjithçka ndodhet në një Udhë, në fundin e së cilës ndodhet GJITHËSIA. I gjithë progresi është një Kthim në Shtëpi. Çdo gjë ecën me kah Lart dhe Përpara, pavarësisht nga paraqitjet në dukje kontradiktore. I tillë është Mesazhi i të Përndriturve.

Mësimet Hermetike që kanë të bëjnë me procesin e Krijimit Mendor të Universit, thonë se në fillim të Ciklit Krijues, GJITHËSIA, nga aspekti i saj i “të Qenit” ushtron Vullnetin mbi aspektin e saj të “të Bërit”, e në këtë mënyrë nis procesi i krijimit. Thuhet se procesi konsiston në uljen e Lëkundjes derisa arrihet një nivel shumë i ulët i energjisë lëkundëse, pikë kjo në të cilën manifestohet forma më e thjeshtë e Materies.

Ky proces quhet stadi i Involucionit (Përfshirjes), në të cilën GJITHËSIA “përfshihet” apo “plekset” në krijimin e saj. Hermetistët besojnë se ky proces Përkon me procesin mendor të një artisti, shkrimtari apo shpikësi, i cili është aq i pleksur në krijimin e tij mendor, saqë pothuajse harron ekzistencën e vetjake në kohën reale dhe “jeton brenda krijimit të tij”. Ndoshta mund të japim një ide më të mirë të asaj që dëshirojmë të përçojmë, nëse fjalën “pleksur” e zëvendësojmë me fjalën “zhytur”.

Ky stad Involucionar i Krijimit quhet rëndom edhe “Vërshimi” i Energjisë Hyjnore, në të njëjtën mënyrë në të cilën stadi Evolucionar quhet “Tërheqja”. Poli më i skajshëm i procesit Krijues konsiderohet si pika më e largët nga GJITHËSIA, ndërkohë që fillimi i stadit Evolucionar trajtohet si pikënisja e kthimit pas të lavjerrësit të Ritmit; një koncept ky i “rikthimit në shtëpi” i cili gjendet në të gjitha Doktrinat Hermetike.

Mësimet sqarojnë se gjatë “Vërshimit”, lëkundjet bëhen gjithmonë e më të ulëta derisa më në fund shtytja merr fund dhe nis ngadalë kthimi pas. Por ekziston një dallim; ndërkohë që gjatë “Vërshimit” forca krijuese shfaqet kompakte dhe sillet si një e vetme, në fillim të stadit Evolucionar apo “Tërheqës”, shfaqet Ligji i Individualizimit, që është prirja për t’u ndarë në Njësi Force. Kështu në përfundim, ajo çka la GJITHËSINË si një energji pa individualizëm, kthehet te burimi i saj në formën e Njësive të zhvilluara e të panumërta të Jetës, të cilat janë lartësuar në shkallë nëpërmjet Evolucionit Fizik, Mendor she Shpirtëror.

Hermetistët e lashtë përdornin fjalën “Meditim” për të përshkruar procesin e krijimit mendor të Universit në Mendjen e GJITHËSISË, duke përdorur jo rrallë në vend të saj edhe fjalën “Përsiatje”. Ideja që nënkuptohet, me sa duket ka të bëjë me Vëmendjen Hyjnore, ku fjala “Vëmendje” (“Attention” në tekstin origjinal) i gjen rrënjët e saj në gjuhën Latine dhe do të thotë “zgjatje/shtrirje”. Kështu, veprimi i të treguarit Vëmendje në këtë rast nënkupton “shtrirje/zgjerim/ përhapje” të energjisë mendore.

Për sa i përket procesit të Evolucionit, Doktrina Hermetike thotë se GJITHËSIA pasi ka medituar mbi procesin e Krijimit, duke hedhur në këtë mënyrë themelet materiale të Universit e duke bërë që ky i fundit të ekzistojë nëpërmjet mendimit, nis të zgjohet gradualisht nga Meditimi duke bërë që të manifestohet procesi i Evolucionit në rrafshin material, mendor e shpirtëror, sipas radhës së njëpasnjëshme.

Në këtë mënyrë fillon lëvizja me kah lart, në drejtim të Shpirtit. Materia nis të bëhet më pak bruto, Njësitë lulëzojnë në qenie, nisin të shfaqen ndërthurjet, Jeta manifestohet në forma gjithmonë e më të larta dhe Mendja del gjithmonë e më shumë në pah; lëkundjet sa vijnë e rriten. Shkurtimisht, i gjithë procesi i Evolucionit, në të gjitha fazat e tij, nis dhe zhvillohet në përputhje me Ligjet e procesit të “Tërheqjes”.

E gjitha kjo kërkon epoka të tëra kohe Njerëzore, ku secila epokë përbëhet prej miliona e miliona vitesh të panumërta, por megjithatë, të Përndriturit na mësojnë se i tërë krijimi, përfshirë Involucionin dhe Evolucionin e një Universi, për GJITHËSINË nuk është veçse një pulitje qepallash. Në fund të cikleve të panumërta të epokave kohore, GJITHËSIA e shuan Vëmendjen, Përsiatjen dhe Meditimin e saj mbi Universin, duke qenë se Vepra e Madhe ka përfunduar; Gjithçka tërhiqet brenda GJITHËSISË prej nga edhe lindi. Por Mister mbi Misteret, Fryma e shpirtrave nuk asgjësohet por zgjerohet pafundësisht; Krijesa dhe Krijuesi shkrihen në një. I tillë është kumtimi i të Përndriturve.

Shembulli i mësipërm i “meditimit” dhe “zgjimit nga meditimi” që pason, natyrisht nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e Mësuesve për të ilustruar procesin e Pafund nëpërmjet një shembulli të fundëm. Gjithsesi “Si poshtë, ashtu edhe lart”. Dallimi qëndron vetëm në gradë. Në të njëjtën mënyrë në të cilën GJITHËSIA zgjon vetveten nga meditimi mbi Universin, ashtu edhe Njeriu (përgjatë kohës) ndalet së manifestuari në Rrafshin Material dhe e tërheq veten gjithmonë e më shumë drejt Shpirtit të Përbrendshëm, i cili është pikërisht “Ego Hyjnore”.

Ekziston edhe një çështje e fundit mbi të cilën dëshirojmë të ndalemi në këtë kapitull, e cila pothuajse futet në fushën spekulative të Metafizikës, megjithëse qëllimi ynë është pikërisht të dëshmojmë kotësinë e këtyre spekulimeve. Po aludojmë për pyetjen e cila lind pashmangshmërisht në mendjen e cilitdo mendimtari që ka kuturisur të kërkojë të Vërtetën. Kjo pyetje është: “PËRSE krijon GJITHËSIA Universe?”. Pyetja mund të shtrohet në forma të ndryshme, por formulimi i mësipërm përbën thelbin e vërtetë.

Njerëzit janë rrekur gjatë t’i përgjigjen kësaj pyetje, por ende nuk ekziston ndonjë përgjigje e denjë për t’u quajtur e tillë. Disa kanë hamendësuar se GJITHËSIA synon të përfitojë diçka në këtë mes, por kjo është absurde pasi GJITHËSIA ka gjithçka e nuk ka asgjë që ajo të mund të përfitojë. Të tjerë e kanë kërkuar përgjigjen në idenë që GJITHËSIA “kërkonte diçka së cilës t’i dhuronte dashuri”, e të tjerë akoma në idetë që ajo krijonte për kënaqësi, për dëfrim, ngaqë “ndihej e vetmuar” apo për të manifestuar forcën e saj; të gjitha këto janë shpjegime dhe koncepte foshnjore të cilat i përkasin periudhës së mendimit të papjekur.

Disa të tjerë janë përpjekur ta shpjegojnë misterin duke propozuar se GJITHËSIA ndihet “e shtrënguar” të krijojë për shkak të vetë “natyrës së brendshme” të saj, apo “instinktit krijues” që zotëron. Kjo ide është më e përparuar se të tjerat, por pika e dobët e saj qëndron në konceptin e GJITHËSISË që ndihet “e shtrënguar” apo “e detyruar” nga çfarëdolloj gjëje, qoftë kjo e brendshme apo e jashtme. Nëse “natyra e brendshme” apo “instinkti krijues” e shtrëngojnë atë të bëjë diçka, atëherë “natyra e brendshme” apo “instinkt krijues” do të ishin Absoluti dhe jo GJITHËSIA, kështu rrjedhimisht kjo pjesë e këtij propozimi bie.

Gjithsesi, mbetet fakti që GJITHËSIA krijon dhe manifeston, e në pamje të parë duket sikur gjen njëfarë kënaqësie duke vepruar në këtë mënyrë. Është e vështirë të shmanget konkluzioni se në një farë niveli të pafundmë, GJITHËSIA duhet të ketë diçka që ngjason me “natyrën e brendshme” apo “instinktin krijues” njerëzor, përkatësisht me Dëshirë e Vullnet të pafundmë. Ajo nuk do të vepronte nëse nuk do të kishte Vullnetin për të Vepruar, nuk do të kishte Vullnetin për të Vepruar nëse nuk do të ndjente Dëshirën për të Vepruar, dhe nuk do të ndjente Dëshirën për të Vepruar nëse nuk do përftonte njëfarë Kënaqësie nga e gjitha kjo.

Kështu gjithçka do t’I përkiste një “Natyre të Brendshme” e do të ekzistonte në formë postulati në përputhje me Ligjin e Përkimit. E megjithatë, ne preferojmë të mendojmë për GJITHËSINË që ajo vepron krejtësisht E LIRË nga çdo ndikim, si i brendshëm ashtu edhe i jashtëm. Ky është problemi që qëndron në rrënjët e vështirësisë, dhe vështirësia që qëndron në rrënjët e problemit.

Për t’u treguar rreptësisht të saktë, nuk mund të thuhet se ekziston ndonjë “Arsye”, e çfarëdo lloji qoftë ajo, e cila shtyn GJITHËSINË të veprojë, pasi “arsyeja” do të nënkuptonte “shkak”, e GJITHËSIA qëndron mbi Shkakun dhe Pasojën, përveç rastit kur ajo Vullnetin e saj për t’u kthyer në Shkak, kohë kjo në të cilën vihet në lëvizje Parimi. Pra siç e shihni, çështja është po aq e Pamendueshme, sa ç’është edhe GJITHËSIA e Panjohshme. Nuk kemi rrugë tjetër veçse të themi që “GJITHËSIA VEPRON, SEPSE VEPRON”, në të njëjtën mënyrë në të cilën themi që GJITHËSIA thjesht “EKZISTON”.

Në fund të fundit, GJITHËSIA në vetvete përbën të gjitha Arsyet, të gjitha Ligjet, të gjitha Veprimet, e mund të thuhet me të drejtë se GJITHËSIA është Arsyeja e Vetvetes, Ligji i Vetvetes, Veprimi i Vetvetes; e më tutje akoma, GJITHËSIA, Arsyeja e Saj, Veprimi i Saj dhe Ligji i Saj janë NJË, të gjithë emra për të njëjtën gjë. Opinioni i atyre që po shkruajnë këto mësime për ju, është se përgjigjja ndodhet e kyçur BRENDA VETË GJITHËSISË, së bashku me të Fshehtën e Ekzistencës së saj.

Për mendimin tonë, Ligji i Përkimit mund të arrijë deri në aspektin e GJITHËSISË të cilin e njohim si “Aspekti i të Bërit”. Pas këtij Aspekti qëndron “Aspekti i të QENIT”, në të cilin të gjithë Ligjet shkrihen në LIGJ, të gjithë Parimet shkrihen në PARIM, dhe GJITHËSIA, PARIMI dhe QENËSIA janë IDENTIKË, TË NJËJTA DHE NJË E VETME. Rrjedhimisht spekulimi Metafizik në këtë pikë është pa dobi. U ndalëm mbi këtë çështje thjesht për të treguar se ne e njohim si pyetjen, ashtu edhe absurditetin e përgjigjeve të rëndomta metafizike e teologjike.

Në përfundim, mendojmë se do të shfaqte interes për nxënësit tanë të mësonin se megjithëse disa Mësues Hermetikë të lashtë apo bashkëkohorë kanë anuar në drejtim të zbatimit të Parimit të Përkimit për pyetjen, duke mbërritur në rezultatin e “Natyrës së Brendshme”, përsëri legjenda thotë se kur Hermesit, të Madhit, iu drejtua kjo pyetje nga nxënësit e tij të përparuar, ai u përgjigj duke PUTHITUR BUZËT FORT ME NJËRA-TJETRËN e duke mos nxjerrë asnjë fjalë, duke dëshmuar kështu se NUK KISHTE PËRGJIGJE.

Ndoshta qëllimi i Hermesit mund të ketë qenë zbatimi i aksiomës së filozofisë së tij: “Buzët e Urtësisë janë të kyçura, përveçse për veshët e Arsyes”, për të treguar se as nxënësit e tij më të përparuar nuk zotëronin forcë Arsyetuese të mjaftueshme për të qenë të denjë për këtë Mësim. Sidoqoftë, edhe nëse Hermesi e zotëronte Sekretin ai nuk e bëri të ditur, e për aq sa i përket botës, BUZËT E HERMESIT JANË TË MBYLLURA mbi këtë çështje. E aty ku Hermesi i Madh ngurroi të fliste, cili i vdekshëm do të guxonte të jepte mësim?

Mos harroni se cilado qoftë përgjigjja e këtij problemi, nëse vërtetë ekziston një e tillë, mbetet i vërtetë fakti që “Në të njëjtën mënyrë në të cilën Gjithçka përfshihet brenda GJITHËSISË, ashtu edhe GJITHËSIA përfshihet brenda Gjithçkaje”. Doktrina në këtë pike është e prerë. Tani mund t’i shtojmë edhe fjalët përmbyllëse citatit : “Ai i cili e ka kuptuar këtë të vërtetë në thelb, ka përfituar dituri të vyer”.

Përktheu: Adrian Kosturi
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi