EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ritmi

Shko poshtë

Ritmi Empty Ritmi

Mesazh  Jon 26.08.12 23:49

RITMI

“Gjithçka rrjedh në mënyrë qarkulluese; gjithçka ka baticën e zbaticën e saj; çdo gjë ngrihet e bie; luhatja e lavjerrësit shfaqet në gjithçka; masa e luhatjes në të majtë është e barabartë me masën e luhatjes në të djathtë; ritmi kompenson.” – Kybalioni

Parimi i Pestë i madh Hermetik, Parimi i Ritmit, trupëzon vërtetës inë që pohon se gjithçka manifeston një lëvizje të matshme, një lëvizje prej saj e drejt saj, një rrjedhë qarkulluese, një lëkundje para e një lëkundje pas, një luhatje si ajo e lavjerrësit, një baticë e një zbaticë, një ngritje e një rënie midis dy poleve që shfaqen në rrafshet fizike, mendore apo shpirtërore. Parimi i Ritmit është i lidhur ngushtë me Parimin e Polaritetit të cilin e shqyrtuam në kapitullin paraardhës.

Ritmi shfaqet midis dy poleve të përcaktuara pikërisht nga Parimi i Polaritetit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se lavjerrësi i Ritmit luhatet detyrimisht deri në skajet fundore të poleve, pasi kjo ndodh rrallëherë; faktikisht, në shumicën e rasteve, është e vështirë të përcaktohen saktësisht skajet e kundërta polare. Sidoqoftë, lavjerrësi luhatet e lëviz një herë “drejt” një poli, e më pas drejt tjetrit.

Ka gjithmonë një veprim e një kundërveprim, një përparim e një tërheqje, një lartësim e një fundosje që manifestohet gjithkund në Univers e në dukuritë e tij. Diejt, botët, njerëzit, kafshët, bimët, mineralet, forcat, energjitë, mendja e materia, madje edhe vetë Shpirti, i nënshtrohen këtij Parimi. Parimi manifestohet në krijimin dhe shkatërrimin e botëve, në ngritjen e rënien e kombeve, në historinë jetësore të të gjitha gjërave, e në fund, edhe në gjendjet mendore të Njeriut.

Duke nisur që nga manifestimi i Shpirtit të GJITHËSISË, vihet re se ka gjithmonë një Vërshim e një Tërheqje, ose siç shprehen Brahmanët, një “Frymëmarrje e Frymënxjerrje të Brahmanit”. Universet krijohen, arrijnë pikën e skajshme më të ulët të materializmit, e më pas nis luhatja me drejtim lart. Diejt lindin, arrijnë kulmin e forcës së tyre e më pas nis procesi i prapakthimit, i cili pas epokash të tëra i kthen në masa të vdekura materieje, në pritje të një impulsi tjetër që do të riaktivizojë energjitë e tyre për të nisur një cikël të ri.

Kështu ndodh me të gjitha botët; ato lindin, rriten e vdesin, vetëm për të rilindur sërish. E njëjta gjë ndodh me gjithçka që ka trajtë e formë; ato luhaten nga veprimi te kundërveprimi, nga lindja në vdekje, nga aktiviteti në pasivitet e sërish nga e para. Parimi vlen njësoj për gjërat e gjalla; ato lindin, rriten e vdesin, e sërish rilindin. Vlen njësoj edhe për lëvizjet, filozofitë, besimet, modat, qeveritë, kombet e gjithçka tjetër; lindje, rritje, pjekuri, rënie, vdekje, e më pas sërish rilindje. Luhatja e lavjerrësit është gjithmonë e dukshme.

Netët pasojnë ditët e ditët netët. Lavjerrësi luhatet nga Vera në Dimër dhe anasjelltas. Grimcat, atomet, molekulat e çdo masë materieje luhatet përqark rrethit të natyrës së saj. Nuk ekziston diçka si prehja absolute apo ndalja e lëvizjes; çdo lëvizje bëhet pjesë e Ritmit. Parimi është i zbatueshëm në mënyrë universale. Zbatimi i tij gjen vend në çdo pyetje apo dukuri të rrafsheve të shumta të jetës. Ai gjen zbatim përgjatë të gjitha fazave të veprimtarisë njerëzore. Ekziston ngahera një luhatje Ritmike nga njëri pol te tjetri. Lavjerrësi Universal është në lëvizje të pandërprerë. Baticat e Zbaticat e Jetës ulen e ngrihen në përputhje me Ligjin.

Parimi i Ritmit njihet mirë nga shkenca bashkëkohore dhe konsiderohet si ligj universal i aplikueshëm ndaj gjithçkaje materiale. Por Hermetistët e shtyjnë akoma më tutje parimin duke e ditur se manifestimet e ndikimi i tij shtrihen deri tek veprimtaritë mendore të Njeriut, dhe se parimi është përgjegjës për këmbimet e papritura të humorit, ndjenjave dhe çrregullime të tjera të bezdisshme dhe të pashpjegueshme që na prekin. Hermetistët, nëpërmjet studimit të mënyrave të veprimit të këtij Parimi, kanë mësuar t’i shmangen disa prej pasojave të tij përmes Shndërrimit (Transmutacionit).

Mjeshtrit Hermetikë, që kur zbuluan se Parimi i Ritmit ishte i pandryshueshëm dhe gjithmonë i pranishëm në dukuritë mendore, zbuluan gjithashtu se në lidhje me këto dukuri, ekzistonin dy rrafshe të manifestimit të tij. Ata zbuluan se ekzistonin dy rrafshe të Ndërgjegjes, i Poshtmi dhe i Sipërmi, fakt ky që u mundësoi të ngriheshin në rrafshin e sipërm, duke i shpëtuar në këtë mënyrë luhatjes së lavjerrësit Ritmik që shfaqej në rrafshin e poshtëm.

E thënë ndryshe, luhatja e lavjerrësit ndodhte në rrafshin e Pavetëdijes, ndërkohë që rrafshi i Vetëdijes mbetej i paprekur.

Mjeshtrit e quajnë këtë dukuri me emrin “Ligji i Asnjanësimit”. Parimi i tij i punës konsiston në ngritjen e Egos mbi lëkundjet e Rrafshit të Pavetëdijes së aktivitetit mendor, në mënyrë që luhatja negative e lavjerrësit të mos manifestohet në vetëdije, e rrjedhimisht të mos prekë personin. Është njësoj sikur të ngrihesh mbi diçka e ta lësh të kalojë poshtë teje. Mjeshtri Hermetik ose nxënësi i përparuar, e polarizon vetveten në polin e dëshiruar dhe përmes një procesi të ngjashëm me “refuzimin” për të marrë pjesë në luhatjen praptazi, apo nëse preferoni përmes “mohimit” të ndikimit të luhatjes mbi të, ai qëndron i patundur në pozicionin e tij të polarizuar dhe lejon lavjerrësin mendor të luhatet praptazi përgjatë rrafshit të pavetëdijshëm.

Të gjithë individët që zotërojnë njëfarë vetëkontrolli, me ose pa vetëdije, janë të aftë ta bëjë këtë gjë, e duke mos lejuar që të preken nga luhatjet e humorit apo gjendjet negative mendore, ata zbatojnë pikërisht Ligjin e Asnjanësimit. Sidoqoftë, Mjeshtri i vërtetë e shtyn këtë më tutje, në një gradë shumë më të lartë aftësie, e përdor Vullnetin e tij për të arritur një nivel Drejtpeshimi e Patundshmërie Mendore, pothuajse të pamundur për t’u besuar nga ata të cilët i lejojnë vetes të tërhiqen para e pas nga lavjerrësi mendor i gjendjeve shpirtërore dhe ndjenjave.

Rëndësia e kësaj çështjeje do të pranohet dhe vlerësohet menjëherë nga cilido që vë në punë mendjen dhe njëmendëson se ç’krijesa të varura nga humori, ndjenjat e emocionet janë njerëzit, e sa pak vetëkontroll zotërojnë apo shfaqin. Nëse ndaleni një çast për t’u menduar, do të kuptoni menjëherë se deri në ç’masë e kanë ndikuar jetën tuaj këto luhatje të Ritmit, dhe se si një periudhë Entuziazmi është pasuar në mënyrë të pashmangshme nga një ndjenjë e kundërt e gjendje Depresioni. Në të njëjtën mënyrë, periudhat tuaja të Guximit janë pasuar doemos nga periudha Frike.

Kështu ka ndodhur gjithmonë me shumicën dërrmuese të njerëzve, të cilët janë përfshirë nga batica e zbatica ndjenjash, pa dyshuar kurrë mbi shkakun apo arsyen e kësaj dukurie mendore. Të kuptosh në thelb mënyrën e funksionimit të këtij Parimi, do të thotë të përftosh çelësin e Kontrollit mbi këto luhatje ritmike të ndjesive, si edhe të njohësh më mirë vetveten e të mos mbetesh në mëshirën e këtyre baticave e zbaticave. Vullneti e dominon manifestimin e vetëdijshëm të këtij Parimi, pavarësisht se vetë Parimi nuk mund të shkatërrohet kurrë. Ne mund t’u shpëtojmë pasojave të tij, por Parimi sidoqoftë mbetet në veprim. Megjithëse mund t’i shmangemi mbartjes para e pas, lavjerrësi gjithsesi luhatet pa ndërprerje.

Ekzistojnë të tjera veçori të veprimtarisë së Parimit të Ritmit mbi të cilat do të dëshironim të flisnim në këtë pikë. Pjesë e veprimtarisë së këtij parimi është edhe dukuria që njihet më emrin Ligji i Kompensimit. Një nga kuptimet apo përkufizimet e fjalës “Kompensim” është edhe “kundërpeshimi”, çka përbën edhe kuptimin e vërtetë në të cilin Hermetistët e përdorin fjalën. Pikërisht Ligjit të Kompensimit i referohet edhe Kybalioni kur shprehet: “masa e luhatjes në të majtë është e barabartë me masën e luhatjes në të djathtë; ritmi kompenson”.

Ligji i Kompensimit sqaron se luhatja në njërin drejtim, përcakton edhe luhatjen në drejtimin tjetër apo drejt polit të kundërt; njëra luhatje baraspeshon apo kundërpeshon tjetrën. Në Rrafshin Fizik mund të vërejmë shumë shembuj të këtij Ligji. Lavjerrësi i orës luhatet deri në njëfarë distance djathtas, e më pas përshkon një distancë të njëjtë majtas. Stinët baraspeshojnë njëra-tjetrën në të njëjtën mënyrë.

Baticat i nënshtrohen të njëjtit Ligj. Dhe po i njëjti Ligj manifestohet në të gjitha dukuritë e Ritmit. Lavjerrësi që luhatet vetëm pak në njërin drejtim, do të luhatet gjithashtu pak edhe në drejtimin tjetër, ndërkohë që një luhatje e gjatë në të djathtë do të thotë doemos edhe një lëkundje e gjatë në të majtë. Një objekt i flakur lart deri në njëfarë lartësie, do të përshkojë po të njëjtën distancë gjatë kthimit. Forca me të cilën një predhë dërgohet një kilometër lart, riprodhohet përgjatë udhës që ajo përshkon drejt kthimit në tokë. Ashtu siç do t’u dëshmojnë edhe adresimet ndaj autoriteteve përkatëse, ky Ligj mbetet i pandryshueshëm në Rrafshin Fizik.

Por, Hermetistët shtyhen edhe më tej. Ata sqarojnë se edhe gjendjet mendore të njeriut i nënshtrohen të njëjtit Ligj. Njeriu që gëzon me gjithë shpirt i nënshtrohet gjithashtu edhe vuajtjes së thellë, ndërsa ai që e përjeton të pakët dhembjen, nuk është i aftë të përjetojë veçse po aq pak gëzim. Derri vuan fare pak mendërisht, e po aq pak edhe gëzon; ai kompensohet. Nga ana tjetër ekzistojnë kafshë të cilat shijojnë thellësisht, por organizmi dhe temperamenti nervoz që kanë bëhen shkas që ato të përjetojnë nivele dhembjeje të papërshkrueshme.

Po e njëjta gjë ndodh edhe me njeriun. Ka temperamente që nuk lejojnë veçse një gradë të ulët lumturie, e në mënyrë të ngjashme, një gradë të ulët vuajtjeje, ndërkohë që temperamente të afta të përjetojnë lumturi sipërore, lejojnë gjithashtu përjetimin e vuajtjeve më therëse. Në përputhje me rregullin, në çdo individ, kapaciteti i ndjeshmërisë ndaj vuajtjes dhe kënaqësisë është i baraspeshuar. Në këtë pikë, Ligji i Kompensimit vepron me fuqi të plotë.

Hermetistët shtyhen akoma edhe më tutje. Ata na mësojnë se, që dikush të jetë i aftë të përjetojë njëfarë kënaqësie të caktuar, duhet që më parë të jetë luhatur proporcionalisht në të njëjtën distancë, në drejtim të polit të kundërt të ndjesisë. Sidoqoftë, ata pohojnë se Negativja është pararendëse ndaj Pozitives në këtë çështje, çka nënkupton se përjetimi i njëfarë kënaqësie të caktuar, nuk duhet “shpaguar” doemos me të njëjtin nivel vuajtjeje; përkundrazi, vetë kënaqësia është luhatja Ritmike që vepron në përputhje me Ligjin e Kompensimit për një gradë të caktuar vuajtjeje të përjetuar në këtë jetë, apo në një mishërim të mëparshëm. Kjo hedh një dritë të re mbi Problemin e Vuajtjes.

Hermetistët i trajtojnë vargonjtë e cikleve jetësore si të pandara dhe si pjesë përbërëse të një jete të individit, duke e bërë në këtë mënyrë të kuptueshme luhatjen ritmike, e cila do të shfaqej e pakuptimtë nëse e vërteta mbi rimishërimin nuk do të pranohej.

Hermetistët deklarojnë gjithashtu se Mjeshtri apo studenti i përparuar mund të jetë i aftë t’i shmanget deri në njëfarë grade luhatjes drejt Vuajtjes nëpërmjet procesit të sipërpërmendur të Asnjanësimit. Duke u ngritur në një rrafsh më të lartë të Egos, mund të shmangen e mënjanohen shumica e përjetimeve me të cilat përballen ata që qëndrojnë në rrafshin e poshtëm.

Ligji i Kompensimit luan një rol të rëndësishëm në jetët e meshkujve dhe femrave. Në përgjithësi bie në sy fakti se gjithkush “paguan një çmim” për zotërimet apo mangësitë që ka. Nëse zotëron diçka, i mungon diçka tjetër dhe kështu baraspesha ruhet. Kurrkush nuk mund “të hajë ëmbëlsirën pa e paguar atë”. Gjithçka ka anën e saj të këndshme e anën e pakëndshme. Gjërat që fitohen gjithmonë shlyhen përmes gjërave që humben.

Të pasurit zotërojnë shumë gjëra që të varfrit nuk i kanë, ndërkohë që shpesh të varfrit zotërojnë gjëra të cilat qëndrojnë përtej mundësive të të pasurve e pasurisë së tyre. Një milioner mund të jetë i dhënë pas gostive dhe me kamjen që zotëron, të jetë i aftë të sigurojë çdo gjellë të zgjedhur e salltanet të tavolinës, e prapëseprapë ti mungojë pikërisht oreksi për t’i shijuar gjithë këto të mira.

Ai lakmon oreksin e urinë e punëtorit, i cili megjithëse nuk ka as mirëqenien e as lakminë e milionerit, përsëri merr më shumë kënaqësi nga ushqimi i tij modest nga sa do të mund të merrte ndonjëherë milioneri, edhe po të mos e kishte oreksin të prishur; e gjitha kjo për arsye se nevojat, zakonet dhe prirjet dallojnë. Kështu ndodh edhe gjatë jetës.

Ligji i Kompensimit vepron pareshtur duke u përpjekur të baraspeshojë e kundërpeshojë, gjithmonë duke ia dalë në kohë, megjithëse ndonjëherë mund të nevojiten disa jetë të njëpasnjëshme për luhatjen kthyese të Lavjerrësit të Ritmit.

Përktheu: Adrian Kosturi
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi