EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mitologjia e Jonës

Shko poshtë

Mitologjia e Jonës Empty Mitologjia e Jonës

Mesazh  Luli 07.06.11 11:50

Mitologjia e Jonës mështjerrë me viçin, hyun-dem Epafi dhe e Nymfeut të Epirit, në numizmatikën iliro-epirote

Fama dhe lavdia mesdhetare e gjedhëve të “Kopeve të Gerionit, kopeve të Herakliut, kopeve Pirrike, kopeve të Kaonit të Malit Pergam, kopeve të Mëzisë” etj

Duke iu referuar burimeve të shkruara antike, qysh nga Hesiodi, Homeri, Aristoteli etj, e deri te S. Bizantini, mundemi të krijojmë një përfytyrim e sintezë për rritjen dhe shfrytëzimin e gjësë së gjallë nga paraardhësit tanë në trojet ilire e epirote, kryesisht për ato kafshë të cilat hyjnë në grupin e atyre që gjuha jonë e lashtë popullore i kishte klasifikuar si “bagëti, gjâ e gjallë e trashë, gjeri, gjedhë”.

Ne mundemi të vërejmë se kemi disa ish-pronarë të lashtë barbarë kopesh, emrat e të cilëve lidhen edhe si bazileusa mitologjikë edhe si emërtime toponimie, oronimie, hidronimie etj, me trashëgimtarë me pemë gjenealogjikë, me shndërrime/metamorfoza, me ndërhyrje të perëndive politeiste etj.

Të gjitha këto pasqyrohen edhe në objektet e pikturuara qeramike, në basorelievet e skulpturat, siç edhe në monedhat. Me këtë rast mitologjia që reflektohet në monedhat, sigurisht shkon shumë më lashtë se vetë kronologjia e monedhave.

Hesiodi, i cili kishte shkruar edhe veprën ‘Teogonia’ (Mbi prejardhjen e Perëndive) shkruante për gjallorët frymorë të vdekshëm tokësorë të Epirit:
“Është një fushë, Hellopia, shumë pjellore dhe me luadhe të mira,
e pasur në dele dhe në qe këmbëharkuar;
këtu banojnë burra me shumë kope gjedhësh
dhe një sasi e panumër fise mortarësh;
këtu, në pjesën e fundit është ndërtuar Dodona;
këtë Zeusi e deshi që të jetë një faltore
e vyer për njerëzit…
[“Carmina”, Fragment 134 (156); “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, 1965, f 14]
S. Bizantini, shek VI, citonte Hekateun (shek VI-V p.e.r.) dhe shënonte: “ABROI, fis pranë Adrias së Taulantëve, fqinj të Helidonëve sipas Hekateut”; po aty ai shënonte: “ADRIA, qytet dhe pranë tij gjiri Adrias, si dhe lum, sipas Hekateut.

Krahina është e pasur me kullota, prodhon dy herë në vit, lindin binjakë, shpesh tre dhe katër keca në vit, gjithashtu në disa raste edhe pesë e më tepër; edhe pulat pjellin dy herë në ditë dhe nga madhësia janë më të vogla se të gjitha pulat e tjera. Qytetari dhe banori; adrianos, sipas Asianit. U thonë edhe adriates dhe detit – Adriatik. …BERENTION, fshat pranë Adrias. Theopompi, XLII, emri etnik Baretinos. …TEGESTRA/Tergestron… nga Tergestre e deri te gjiri i Adrias janë 5029 stade… (S. Bizantini, “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, 1965, f 416, f 421;)

Konstatohet se origjina e emërtimit të detit Adria/Adriatik dhe origjina e emërtimit të lumit, të gjirit, të krahinës, të malit dhe fisit Adrian, lidhen etimologjikisht me gjuhën ilirishte dhe me banorët ilirë të anëdetit tonë.

Identifikimi i kësaj qyteze e krahine si, Adria në anëdetin tonë të Ilirisë ishte vërtetuar katërcipërisht nga Aristoteli (shek IV-III p.e.r.), i cili bazohej në të njëjtën temë dhe material të cituar nga Hekateu dhe Theopompi të shek VI-V p.e.r.. (De Mirabilibus Auscultationibus, 842 b, 128) Gjerësisht ne e kemi trajtuar gjetiu.

Aristoteli, bazuar në autorë më të vjetër kishte dhënë mjaft përshkrime, sidomos për “kopetë pirrike” me lopë, me dhen, për metodat e rritjes dhe ushqimit etj. Kjo traditë e lashtë dhe ky emërtim zanafillonte, sipas mitologjisë, qysh nga koha e mbretit të lashtë epirot Pirro, i biri i Neoptolemit, nga fisi i Akilit.

Këtu lidheshin edhe fijet me kaonët, trojanë e kaonët pellazgjikë epirotë me pirridët epirotë dhe me kopetë pirrike. Nuk i kishte shpëtuar vëmendjes as Bonasi, një lloj bizoni në rritje të lirë i mbuluar me lesh, i cili gjuhej vazhdimisht për mishin e shijshëm, dhe për këtë arsye u shfaros. (Aristoteli, “De Animalium Historia”, “Ilirët…”, cit., f 40-41)

Në lidhje me “pronarin Gerionin ose vëllezërit trinjakë TreGerionët e Epirit”, me të cilët ishte ndeshur me një duel edhe Herakliu, na rezulton se në antikitet kishte ekzistuar një debat midis disa shkrimtarëve antikë.

Arriani (shek I-II), duke cituar Hekateun e shek VI-V p.e.r. kishte nënvizuar: “Logografi Hekateu thotë se Herakliu, prej Argosi, i dërguar nga Erystheu për të grabitur dhe për t’i dërguar lopët e Geryonit në Mykenë, nuk zbriti as te Iberët (këtu, Spanja afër Gjibraltarit. A.L), dhe as mbi një ishull të quajtur Erythi, të vendosur në oqean (oqeani Atlantik. A.L); Hekateu thotë se, Geryoni ishte një mbret i kontinentit që jetonte midis Ambrakisë e Amfilohisë dhe se ishte pikërisht ky vend ku Herakliu i grabiti gjedhët, duke i dhënë fund ndërmarrjes së tij të vështirë. Unë di dhe që kjo krahinë, Epiri është e pasur në kullota dhe ushqen lopë shumë të bukura.

Lavdia e lopëve të Epirit rrjedh ndoshta nga një kohë shumë më e vjetër se Erystheu dhe nuk është aspak e paarsyeshme të besohet se mbreti i Epirit quhej Geryon”. (Alexandri Anabasis”, Lib. II, 5, 16)

Në po këtë temë mitologjike, edhe Skylaksi i shek V p.e.r. kishte shkruar: “…në viset e brendshme janë atintantët, sipër Orikisë dhe Kaonisë, deri në Dodonë. Në krahinën e Kastidias (në Iliroi) thuhet se ndodhet një fushë që quhet Erytheia. Këtu thuhet se kishte ardhur Gerioni dhe kishte kullotur qetë. Në këto vise janë malet Keraune, në Epir dhe aty afër është edhe një ishull që quhet Sason”. (Scylakis, “Periplus, Illyroi”, 26)

Bazuar mbi këto debatime e burime antike, del se realisht paskemi pasur mitologji të lashta autoktone pellazge epirote e ilire, me grabitje kopesh etj. Herakliu i famshëm, eksploratori tokësor, detar e qiellor, i njohur edhe si murerrethues e ndërtues qytetesh, si seleksionues e mbarështues kopesh, siç e shohim, ia paska grabitur ato kopetë me lopë, viça e dema, me buaj, buaca e kotorrë, TreGerionëve në territorin e Epirit, ndërsa grekët e degdisën atë “në fundin e botës”.

Kështu, mendoj se në këtë temë duhet diskutuar pak edhe autoriteti i sotëm europian i interpretimeve mitologjike, P. Grimal, i cili duke i dhënë prioritetin kryesor variantit të “Bëmave të Herakliut”, shkruan: “Një variant traditë tjetër e sjell fushën Eritheia në Epir, në krahinën e Ambrakisë”. (P. Grimal, “Enciclopedia dei Miti”, 1988, f 303, zëri Gerione)

Grimal, me sa duket nuk e vuri re se, “Gerioni atlantik, në Perëndimin e Diellit në Fundin e Botës”; Gerioni si rojtar i faraonit egjiptian Busiridi etj, ishte një deformim-variant i ndërtuar mbi një bazament më të lashtë epirot.

Mitorregulluesit e përvetësuesit helenë e paraqitën Gerionin/Gerionin e Trefishte epirot me tendencë fyese, si një simbol i një barbarie primitive, pak a shumë si ajo legjenda e fisit/popullit të Ilirit, vëlla me Keltin e Galin, si tre bijtë e Ciklopit Polifem. Këtë tendencë poshtëruese, përveç edhe një diference në fazën e zhvillimit, e kishte theksuar e interpretuar autoriteti dr. prof. M. Korkuti.

Si “barbarë”, të aristokratizuarit e fisnikët helenë quanin jo vetëm Euromedontin e legjendës së Feakisë edhe Epidamnin e Ilirisë, por deri vonë edhe Filipin e Maqedonisë etj.

Ndoshta i influencuar nga ky ndikim helen, Dante Aligheri e përzgjodhi dhe e dënoi Gerionin si një rojtar-guardian besnik në rrethin e tetë të ‘Ferrit’! Por, a e meritonte këtë TreGerioni?! (D. Aligheri, ‘Ferri’, 1960, K. XVII-XVIII, bisha Gerion f. 195. Ish-vigan mitologjik me tri koka e tre trupa në ishullin Erife etj.)

Ndërkaq, shumë shekuj më përpara, shkrimtari antik i shek II, Lukiani nga Samosta e kishte interpretuar Gerionin e Trefishtë ashtu siç kishte qenë realisht, si simboli i miqësisë vëllazërore dhe humane, të cilin e kishte parë edhe me sytë e tij në pikturat e ndryshme të qeramikës etj. (“Vep. të Zgj.”, bot. 1979, f 413)

Duke e trajtuar mbi këtë lloj pikëpamjeje realiste, bëhet e kuptueshme përse në “rrjetën e merimangës mitologjike” përzihen edhe albanët e gadishullit tonë me Malin Alban, me kullota të pasura;
përse na del bazileusi mitologjik ilir Adria; përse do të kemi, përveç disa emërtimeve të njëjta, madje edhe emërtime si Japigjia, andej e këndej detit Jon; përse kemi dy Jonë mitologjikë ilirë, një Jon italik e një Jon hy kokëdem/Ios, me fytyrë demi/kau në gadishullin Gaza;
përse Hellopi na del si biri i Jonit: përse mështjerra Jona e Bardhë hidhet në detin Jon dhe përshkon Ilirinë; përse me flijimin e kaut e me Kaonin themelohet Buthrotos (demi/kau i flijuar), ku kemi edhe kopetë dhe barinjtë e Malit Pergam si kopje homologëve trojanë; përse na del EpriDemi/Epidamnos, nimfa Melisa dhe kulti i Jonës mështjerrë me viçin gjipirës, kulti i Demetrës, kulti i Izidës egjiptiane;
përse na del Herakliu edhe në legjendën e Epidamnit e Dyrrahut; përse na del Kadmi fenikas duke ndjekur një lopë që mban midis brirëve një sferë, në kërkim të motrës së humbur Evropa/Europa e metamorfizuar si mështjerrë dhe e mbarsur nga demi/mzati Zeus etj.

Monedha e famshme prej argjendi e “lopës me viçin duke pirë qumësht” në Epir dhe në Iliri

Në Shkodër ka një shprehje të urtë popullore: “Na ka tretë lopa me gjith viç”, dhe po kështu edhe një tjetër: “Na ka tretë bulli me gjith bullicën”. Kishte pasur ndonjë lidhje ose jo kjo shprehje relikte me një mitologji të lashtë ose me disa variante të saj, gjithsesi ne e përdorëm, sepse i shkon mjaft mirë temës.

Duke shkruar më 1939 për këtë monedhë argjendi, e emërtuar thjeshtë shqip: “lopa/mështjerra me viçin gjipirës”, shumë e njohur dhe e përhapur në tërë pellgun Adriatik dhe në të dy gadishujt, medievisti e numizmati G. Valentini e mendonte futjen e saj fillimisht nga modelet e punishteve nga Korinti, e sidomos nga Korkyra.

Pak më vonë kjo monedhë argjendi do të qarkullonte masivisht nga prerjet e Durrësit dhe Apollonisë. Simbolika në faqen e “lopës me viçin” nuk interpretohej, ndërsa ana e pasme komentohej si “Kopshtet e Alkinout në Korkyrë”.

Qysh herët, në një katalog e manual monedhash, “Monete Greche”, specifikisht për këtë prerje/stampim ishte hedhur hipoteza se, stampat lidheshin me ndonjë lloj mitologjie e besimi politeist, ndërsa në monedhat e kolonive autonome kishte pasur edhe disa shtesa e përshtatje në lidhje edhe me kulte lokale.

Mbi legjendën mitologjike të Epidamnit e Dyrrahut, ndër autorët tanë shkroi i pari M. Barleti, pastaj studiuesi autoritet Marin Sirdani dhe duke vazhduar nga ku e la ai, shkruan më pas edhe H. Ceka, S. Anamali, N. Ceka etj.

Historia e Shqipërisë (bot. 1959 e 1967), pa komente, paraqiti disa interpretime dhe gjetje arkeologjike, ku veçoheshin dy drahme të Dyrrahut dhe një e Lidhjes Epirote.

Me një paraqitje më të zgjeruar e prezantuan këtë monedhë njeri mbas tjetrit, dy arkeologët akademikë, Hasan dhe Neritan Ceka. Dr. prof. N. Ceka e thekson se prerja e këtyre monedhave autonome të Dyrrahut e Apollonisë, statere me vlerë katër drahmesh, duhet të ketë filluar aty nga gjysma e dytë e shek V p.e.r., edhe si një lloj imitimi e imponimi nga korkyrasit etj.

N. Ceka mendon se, “katrori me ornamente” paraqet “kopshtet e lulëzuara” të bazileusit të Korkyrës, Alkinou, sipas përshkrimit të Homerit. Ai botoi edhe disa monedha të bazileusit Monun, rreth 280 p.e.r., ku interpretonte edhe një “nofull derri”, si një flije e preferuar e Poseidonit, por nuk ishte shprehur për interpretimin e mitologjisë së ‘lopës me viçin gjipirës’.

Studiuesi H. Ulqini, duke shkruar më 1980 për objektet e grabitura arkeologjike, paraqet edhe kokën e një demi/kau të lauruar në Dyrrah, flet për objekte me kultin e Demetrës, “Nënës së Madhe” etj.

Për paraqitjen e relievit të Durrësit si një kokë, rrashtë demi dhe lidhjen e etimologjisë si Epidamnos/Mbi, Epir, EpirDemi, pra me një etimon me Dem, unë, sipas edhe kumtimit të një skede nga albanologu Kol Luka, kam shkruar qysh më 1968 e 1972. Këtë shkrim e kishte miratuar edhe prof. V. Toçi. (Për etimologjinë me bazë “dem”, shih E. Çabej, “St. Etim. Në fushë të shqipes”, III, 1987, f 190)

Interpretime dhe diskutime të reja

Herodoti e kishte shprehur idenë se mitologjitë e lashta autoktone pellazge ishin futur në bashkëpunime, me marrje-dhënie, me krahasime, identifikime e integrime të mitologjive pellazge me mitologjitë mesdhetare, më veçanërisht me ato fenikase e egjiptiane.

Kështu, Herodoti sillte shembullin se si tempulli i Amonit në Teba të Egjiptit dhe ai i Zeusit në Dodona, profetizonin njëlloj, se si helenët i huazuan dhe i sofistikuan perënditë pellazge etj.

Kohët e fundit nga arkeologjia italiane janë raportuar disa gjetje të monedhës së Durrësit dhe Apollonisë, “Vacca/giovenca con vitello”, shoqëruar edhe me interpretime të reja. Ne do t’i krahasojmë këto edhe me disa monedha, gjetje në vendin tonë, dhe do të zhvillojmë ndonjë diskutim.

Sipas vlerësimit të specialistëve italianë, kjo monedhë e Durrësit (fig. 9), paraqet kokën e Isidës “me mistere të shumta”, nga miti egjiptian i Isidës, e lidhur me kultin e Osiris, e hyut kokëdem Apis. Ky kult direkt kishte hyrë edhe në Itali. Kulti i Isidës lidhej me ngjizjen, pjellorinë etj.

Kandili i ndezur lidhet me festimet për “Isidën Ndriçuese”, në fillim të korrikut, porsa perëndonte dielli. Disa autorë kanë parë lidhje imitime më vonë edhe nga kulti i Maries me birin Jezus/Isa. Nën kandil ka edhe një objekt të paidentifikueshëm. Monedha ka edhe emrat e dy magjistratëve, KTHTOΣ dhe ΦANIΣKOY.

Ana tjetër, edhe sipas komentatorit italian, paraqet një katërkëndësh të ndarë në dy pjesë me ornamente.

Për interpretimin direkt të Isidës egjiptiane, unë kam një mendim diskutues disi më ndryshe. Mbas ndonjë hyrje si “Kult i Isidës dhe Apisit” fillimisht, mendoj se gradualisht duket se kemi të bëjmë me mitologjinë e Ios/Jonës e Epafit. Herodoti e krahasonte dhe e identifikonte Isidën si të ngjashme me Demetrën.

Autorë të tjerë kanë parë ngjasime edhe me Nënën e Madhe, me Gjean etj. Ndërkaq, shumica e autorëve kanë parë identifikime, madje edhe një përzierje dhe një zëvendësim me mitologjinë e Ios/Hios/Jonës/Hyjneshës. (Shih, Io e Epafo.mht Wikipedia)

Jonën, bijën e Inakut, një priftëreshë e virgjër e një tempulli të Herës, e ka pikasur dhe e ka vënë në shënjestër Kryezoti e kryeepshori tekanjoz Zeusi. KryeZoti Zeus e gjen rastin dhe me përdhunë e lë shtatzënë Jonën.

“Sekreti” zbulohet, dhe kjo zgjon xhelozinë e tmerrshme dhe hakmarrëse të Herës. Për ta ruajtur, Zeusi e metamorfizon Jonën si një mështjerrë të bardhë.

Por Hera e tërbuar i dërgon mështjerrës një zekth, që dihet se pickon e thith gjak në organet gjenitale. Duke mos i duruar dot dhembjet, Io/Jona hidhet në det.
Në variantin helen të Herodotit, Io hidhet nga porti Argos, nga Jonia e Egjeut. (Historia II, 153) Edhe vetë Herodoti e identifikonte Epafin me Apisin Por, sipas variantit të Apollodorit [Bibliotheca, Lib. II, 7, (1, 3, 5)] e ndonjë autori tjetër, Jona ishte hedhur nga deti Jon, duke përshkuar bregdetin e Ilirisë dhe ngushticën midis dy qyteteve Japigjia, njëri në Itali dhe tjetri në Iliri.

Deti Jon një farë kohe kishte përfshirë një pjesë të madhe të Adriatikut. Jona, nga Jon-Adriatiku, kishte kaluar tërë Egjeun, kishte kaluar edhe Ngushticën e Bosforit/ Bόσπορος = Kalimi i Lopës, kishte përshkuar Detin e Zi dhe kishte shkuar për konsultime në Kaukaz, te Prometeu.

E këshilluar nga Prometeu, ajo kthehet mbrapsht dhe shkon në Gaza të Egjiptit, për të lindur hyun kokëdem Epafin, të cilin e krahasojnë dhe identifikojnë me Apisin.

Epafi bëhet edhe mbret i Egjiptit etj. Sipas Lukianit, kjo mitologji e Ios dhe Epafit, ishte e parathënë se, mështjerra do të lindte në Egjipt një hyjni dem, se Io/Jona do të shndërrohej përsëri si femër e bukur, se e ëma dhe i biri do të bëheshin hyjni/perëndi qiellore, se Epafi do të bëhej mbreti i Egjiptit etj. (shih Lukiani, “Vep. të Zgj.”, Noti dhe Zefiri, f 203-204 etj)

Sot është mjaft e vështirë të interpretohen shtresat më të thella, se si mundej të kishte qenë kjo mitologji në kohën e Kronit, pa kaluar në fantazi, por duhet të vërejmë se gjuha jonë ende ruan disa relikte të magazinuara nga lashtësia.

Vetë mitologjia antike e territoreve tona kishte edhe nja dy Ilirë të ndriçuar, njeri i biri i Kadmit e tjetri i biri i Herakliut, të njohur edhe si qyteteformues me emrin e tyre. Ndërsa emërtimi i madh, Illiria/Illyria, sipas S. Bizantinit, jepte edhe një rrjedhim si folja illyrizon. (Cit. f 419, ILLYRIA)

Por, kush mundet të illyrizojë-shndrisë, përveçse Ylli/Illi/Hylli?! Këndej ne mundemi ndoshta të dalim edhe te etimologjia, ku Io/Hiona/Jona është hyjnesha mështjerra/gjiovenka e lashtë pellazge, siç është edhe hyji si Io i afrueshëm me Apisin e Epafin si Japigjia etj.

S. Bizantini, bazuar në autorë të hershëm, jep këtë sintezë shumë interesante: “JONION, det pranë Italisë. Eskili në ‘Prometeu i lidhur’. Disa thonë se rrjedh prej ilirit të quajtur Jon, të tjerë prej italikut Jon. Edhe Adriatiku quhet gjiri i Jonit. Jone quhej edhe që nga Gaza deri në Egjipt, prej Iu-t, që kishte fytyrën si të demit/kaut”. (Cit. f 419; po aty zëri Japygia)

Ishte koha kur dora–dorës kishte dominuar hegjemonia e akejve dhe helenëve, e cila më pas do kompletohej me pushtimet e Aleksandrit të Madh, me nënshtrimin e Egjiptit etj. Krahas disa imitimeve, identifikimeve e përzierjeve si procese nga poshtë, aso kohe ndodhën edhe një seri manipulimesh nga lart, siç ishin reflektuar edhe në Bibla etj.

Sipas interpretimit tonë, ky “katrori me ornamente” nuk ka lidhje me “Kopshtet e Alkinout”, por paraqet ndoshta “Portën/Pragun e Bronztë të Feakisë/Korfuzit”, në lidhje me pozitën-çelës si bazë detare e shkëlqyer. Në rastin tonë përsëritet kjo simbolikë me “Portën e Epidamnit/Dyrrahit, si Porta/Taverna e Adriatikut”, me dy porte, siç kishim dy porte edhe në Feaki, siç kishim edhe Treportin tonë etj.

Nga krahasimi i legjendave të Feakisë dhe të Durrësit tonë, vërehet se dalja nga barbaria e Euromedontit dhe Epidamnit kryhet nga vija femërore e bijave të bukura Perribe e Melisa, përmes fisnikërimit “me farë/spermë e gjak” nga Hyu i Detit Poseidoni, ku Dyrrahu dhe Nausiti, përveç si ndërtues portesh e orakulltoresh të Poseidonit, na paraqiten edhe si reformatorë agrarë që ndajnë toka.

Pra, “katrori me ornamente” duket se paraqet një lloj porte si një simbolikë, ku në një monedhë të Apollonisë përdoret edhe si një heraldikë me zjarrin e Nymfeut të Epirit.

Në disa monedha të Korintit unë e gjej edhe si vel të një anijeje karava etj.
Nymfeu i Epirit mendohej si dy kroje të nëndheshëm, ku ka pasur edhe ndonjë përpjekje për ta identifikuar diku aty te Mbrakulla ose te Zharrëza etj.

Disa interpretime të paraqitjes së “Nymfateumit të Epirit” si një ndezje natyrore nafte, gazi apo sere, në monedhat e Apollonisë edhe të Durrësit, na bën të reflektojmë edhe për mendimin e shprehur nga M. Barleti: “Durrësi, i cili më parë quhej Epidamn… është kryeqyteti detar i Epirit, kryeqyteti i taulantëvet, pyrejve e parthinëve… i rindërtuar nga korkyrasit dhe po t’u besojmë shkrimtarëve shumë të vjetër dhe legjendës, ai numërohet ndërmjet qyteteve të tjerë më të vjetër”. (M. Barleti, H.S., përkth. shqip S. Prifti, bot. i parë 1964, f 482; bot. i dytë 1967, L. XIII, f 486)

Kjo duhet të jetë një arsye shpjeguese pse këtë “zjarr” e kanë edhe monedhat e Dyrrahut. Mbase, mbase, Kryedemi i lashtë ishte vetë Kroni, siç na paraqiten edhe perënditë e lashta asiro-babilone me brirë.

Vërejmë se edhe në Shkodër ka një sasi të madhe nga ky tip. Shkodra ka pasur një faltore të Apolonit, “ΑΠΟΛΟΝ ΣΚΟΔΡΙΗ”, e madje ky kult me sa duket ka kaluar edhe në paleokristianizëm e deri vonë në Mesjetë, me kishën e Shën Apollonales.
Luli
Luli

"Duhet bredhur shumë në errësirë derisa të preket drita"

861


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi