EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fati nga dhembet e Ujkut

Shko poshtë

Fati nga dhembet e Ujkut Empty Fati nga dhembet e Ujkut

Mesazh  arbri1994 16.05.11 0:07


Fati nga dhembet e Ujkut

Ai ka fituar tufën e deleve falë një fotografie që ia ka bërë një kalimtar rasti. Objektivi i fotografisë kishte fokusuar lotët e një fëmije, i cili qante pranë tufës së deleve, e të cilat ia kishin copëtuar ujqit. Ajo kope delesh ishte e gjithë pasuria e tij, që ia kishin lënë prindërit e varfër atij dhe binjakut tjetër, i cili vdiq që kur ishte në djep.

Prindërit ishin përpjekur që dy fëmijët binjakë t’i rrisnin me mundimet më të mëdha shpirtërore, por fati s’kishte qenë në anën e tyre. Në shtëpinë e tyre kishte dominuar një skamje e paskajshme. Ndihmë e vetme ishte ajo e fshatit, kur edhe patën tubuar nga një kokë dele për ta ngjallur familjen e dy binjakëve.

Por, për fat të keq, pas një kohe, njëri nga binjakët vdes. Ndarja e binjakëve kishte pllakosur shpirtrat e prindërve dhe nga pikëllimi babai i tyre kishte gjetur vdekjen në krye të vitit. Vdekjet, e që ndodhnin çdo vit, kishin filluar të lënë frikë në nënën e tyre, e cila, edhe ajo, e priste në çdo moment që t’i vinte.

Jetonin në një shtëpi shumë të vjetër, e që i kishte vetëm dy dhoma. Në korridorin e saj ishin dy rrotë qerreje prej druri. Shtëpia ishte e lyer me baltë, përzier me kashtë. Pas një kohe, një stuhi e krijuar nga një erë e fuqishme, e kishte hedhur në zabel një pjesë të kulmit të shtëpisë. Binjaku, në ato momente të vështira, kishte qëlluar në oborr dhe era e kishte çuar disa metra larg, ku edhe kishte mbetur i varur në drurin e koshit të misrit.

Në krye të vitit kishte vdekur edhe e ëma e tij. Binjaku ishte vetëm katër vjeç kur kishte mbetur pa askënd. E tërë shtëpia kishte mbetur në kujdesin e tij, kurse pasuri të vetme i kishte gjashtë krerë delesh. Se kush do ta rriste fëmijën e mëshirës, ishte bërë debat në gjithë fshatin...

A ëndërroja të bëja shtëpinë time?

“Nuk e di as vetë si jam rritur te fqinjët e mi?! Nuk di kohën kur e braktisa shtëpinë time. Isha i vogël. Njerëzit kujdeseshin për mua, kudo që më shihnin. Nëna ime e dytë, gruaja e fqinjit që më rriste, e kishte një djalë, vetëm katër muaj më i ri se unë. Çdo gjë që ia jepte atij, ma jepte edhe mua.

E kishte një bindje se nëse më ndante mua nga djali i saj, Zoti nuk do ta linte të gëzohej me fëmijët e vet. Bashkë me mua ishin edhe gjashtë krerët e deleve. Deri në moshën tetë vjeçare nuk e ndjeja dallimin mes meje dhe fëmijës së fqinjit, që e kisha më të afërmin nga mosha ime.

Aty nga mosha tetë vjeçare fillova të bëhem i dëshiruar. Nuk di pse, por ashtu ndjehesha... Unë tashmë kisha dëgjuar se një hallë e imja jetonte në Turqi, por nuk kisha shpresa se do ta takoja, se do ta njihja më për së afërmi.

Edhe po ta takoja, unë isha një leckaman, sa kur më shihnin të tjerët, dukesha si fëmija më i gjorë në botë. Mendoja si ta bëja shtëpinë time, të paktën aq sa kishin prindërit e mi. Së paku, ajo shtëpi – kasolle po ta kishte kulmin, do të kthehesha për të jetuar aty.

Por, hapat e mi ishin të pamjaftueshëm që të bëja strehën time, sepse ende isha fëmijë. Natën mendoja si të bëhesha i rritur e të largohesha nga fqinji, ndërsa ditën më merrte gjumi, duke kullotur delet.

Kthimi i hallës

Një natë, meqë kisha fjetur vonë, më kishte ardhur në ëndërr një grua e gjakut të prindërve. Nuk kisha ide se kush ishte, vetëm e di se e doja shumë. E përqafoja dhe nuk i ndahesha dot nga përqafimi. Natën, në gjumë, tentova ta prekja atë grua, për ta përjetuar afërsinë e gjakut, por dora më mbeti e zgjatur. Ndjeva se kisha prekur dikë, por nuk kishte qenë halla, ajo ishte dora e djalit të fqinjave.

Kur më doli gjumi ishte errësirë. U zhgënjeva pse nuk zgjati ëndrra edhe pak, që ta përjetoja ngrohtësinë e dikujt që e dëshiroja. Mbeta pa gjumë atë natë dhe në mëngjesin e asaj dite, teksa po i lëshoja delet, një grua me një burrë u panë në prag të shtëpisë ku jetoja. Ajo, me lot në sy, m’u afrua afër, më shikoi gjatë, pastaj më përqafoi. Burri që ishte me të i tha se mos e kishte gabuar shtëpinë, por ajo bëri me kokë se çdo gjë është në rregull. Unë shtanga dhe nuk dija se çka po ndodhte.

Nuk kisha forcë t’i thosha kush jeni dhe kë po e kërkoni. Më në fund, ajo më pyeti se e kujt ishte shtëpia. I thashë se shtëpia ishte e F., i cili ka kohë që ka vdekur. Pastaj, i thashë se ka vdekur edhe gruaja e tij dhe një djalë i tyre. Prej tyre mbeti vetëm kjo kasolle, që po e shihni dhe një djalë i tyre.

“Ku është djali?”, më pyeti rrëmbyeshëm. “Unë jam ai, djali... Më morën fqinjat e u rrita te ta. Tash po i lëshoj delet”, i thashë. Më përqafoi aq fort, sa m’u bë sikur m’u ndal fryma. “Oh, të pastë halla! U bëfsh një katund…”, më tha, derisa i fshinte lotët që i rridhnin faqeve. Dhe, sa më shumë qante, aq më shumë më shtrëngonte... Dikur, kur u ngop së qari, më tha: “A e di kush jam unë? Jam motra e babait tënd. Po vij nga Turqia. Mos u kthefsha më atje po si paska pllakosur shtëpia jonë?!”, tha me zë të shterur.

Gëzimi i parë

Shkuam te fqinji dhe e njoha me “hallën” time. Të gjithë u gëzuan që ajo, më në fund, u kthye. Që atë ditë “halla” hapi derën e shtëpisë sonë, e cila nuk ishte hapur me vite... Hapja e derës së shtëpisë ishte gëzimi i parë pas daljes sime nga shtëpia, sepse përsëri do të isha në shtëpinë e lindjes, madje edhe me hallën time...

Në ditën e parë që lëshova shtëpinë e fqinjit, ai m’i dha të gjashtë krerët e deleve. Pas më erdhi edhe këlyshi, Bardhoshi, i cili nuk ndahej nga delet, kudo që shkonin ato. I tha hallës se aq krerë delesh kisha kur më morën për të më mbajtur. “Mos u brengos për dele, sepse kam për të blerë edhe të tjera”, më tha halla.

U gëzuan të gjithë, sa për faktin se u çliruan prej meje, po aq se isha takuar me motrën e babait tim. Pas tri ditësh, kur edhe isha me dele në zabel, si çdo herë, më kishte zënë gjumi. Këlyshi nuk më kishte “shkundur” për t’më zgjuar nga gjumi. Kur u zgjova, delet nuk ishin askund. Dola buzë rrugës që i lidhte tri kodrat, e që ishin më të bukurat në ato anë... Pak më larg pashë këlyshin të ngordhur, pranë tij delet ishin të shtrira në tokë dhe të përgjakura. Ishin të prera në fyt.

Të gjitha kishin përfunduar në gojë e ujkut. Fillova të qaja, të bërtas. U ndjeva i trishtuar. Zot, thashë me vete, çfarë paska ndodhur?! U trondita. Mbeta me lot në sy. Dhe, derisa qaja, erdhën disa njerëz me fotoaparat dhe më morën në objektiv.

Ata shprehën keqardhje për dhimbjen time. Shënuan në fletoren e tyre vendin se ku kishte ndodhur krimi mbi tufën. Pas pak shkuan, duke më lënë një puthje në ballë. Kur u ktheva në shtëpi i thashë hallës se i kisha humbur të gjitha delet. Halla nuk e bëri të madhe. Më tha se e kemi humbë gjithë familjen, e lëre më delet.

Pas dy muajsh, në derën tonë trokiti një njeri. Ishte po ai që më kishte fotografuar. Tha se kishte publikuar pamjen time në shumë revista dhe gazeta. Kishte hapur një fond humanitar, ku njerëzit do të ndihmonin që t’i blija prapë delet. Dhe, pa u hamendur, nxori nga çanta një tufë parash dhe m’i lëshoi në dorë. “Ja, tash ke para për të blerë edhe pesëdhjetë dele…”, më tha, me një të qeshur ai.

Pas pak ditësh në oborrin e shtëpisë sime, vërtet, kullosnin 50 dele...
arbri1994
arbri1994

18


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi