EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Të ''mundurit'' e tjerë

Shko poshtë

Të ''mundurit'' e tjerë Empty Të ''mundurit'' e tjerë

Mesazh  Equinox 05.11.10 20:46

Të ''mundurit'' e tjerë

Një intervistë me Giampaolo Pansa: ''Duhet pasur kurajoja që të thuhet se ka shumë faqe të ndyra në ngjarjet e Luftës Civile italiane, të shkruajtura për komoditet politik. Ashtu si dhe shumë faqe të bardha, shumë histori të pashkruara ndonjëherë''

Vërtetësi dhe sinqeritet: ja se çfarë lypset". Giampaolo Pansa, shkrimtar dhe gazetar ndër më të afirmuarit në Itali, na flet për librin e tij të fundit, të titulluar "I vinti non dimenticano" (Të mundurit nuk harrojnë), (shtëpia botuese Rizzoli, 462 fq.), që është pjesë e një cikli veprash në të cilat autori ka rishqyrtuar periudhën e Rezistencës, duke na treguar një histori deri më tani e mbetur e panjohur.

-Edhe një herë akoma janë ata protagonistët tuaj. Kush janë të mundurit për të cilët flisni në këtë dhe në veprat e mëparshme tuajat?


Tek "Il Sangue dei vinti", libri që e fillon të gjithë këtë cikël veprash, të mundurit janë fashistët- humbësa. Në Itali ka pasur Luftë Civile, e filluar në vitin 1943 dhe e mbaruar në vitin 1948, kini mendjen, jo në vitin 1945 me zgjedhjet e 18 prillit të atij viti të fituara nga Democrazia Cristiana e De Gasperi në frontin popullor. "Il sangue dei vinti" (Gjaku i të mundurve, shënimi im) përshkruan dy vitet pas mbarimit të Luftës Civile.

Për atë që u kish ndodhur fashistëve-humbësa praktikisht nuk ishte shkruar asgjë, megjithatë janë vrarë 20000 vetë prej tyre, një shifër që e konsideroj bile nën atë reale. Kurse në këtë libër të fundit e kam zgjeruar shumë konceptin e të mundurve.

Sa për të filluar, kam folur për viktimat e bombardimeve aleate, për të cilët gjithmonë është folur shumë pak. Është e vërtetë se amerikanët dhe anglezët kanë ardhur për të na çliruar nga nazifashizmi, por kanë bombarduar pakursim dhe kanë shkaktuar mijëra të vdekur, më shumë respektivisht atyre të shkaktuara nga raprezaljet gjermane.

Pastaj, të mundurit janë edhe antifashistët që kishin guxuar të kundërshtonin dominimin e komunistëve dhe që, pas mbarimit të luftës, në rastin më të mirë janë injoruar, mendoj këtu për rastin e liberalit Pizzoni, i cili kishte qenë për shumë kohë Presidenti i Komitetit të Çlirimit Kombëtar (CLN) të Italisë së Sipërme, ndërsa në rastet më të këqija kanë rrezikuar lëkurën apo deri edhe janë vrarë, në çastet e fundit të luftës apo menjëherë pas saj.

-Viktima të historisë për të cilat vetë historia deri më tani nuk ka folur asnjëherë, ama edhe viktima të një strategjie të saktë, asaj të Partisë Komuniste italiane që synonte në vendosjen e një diktature të kuqe në Itali. Mund të na e shpjegoni më mirë se në çfarë konsistonte kjo strategji për të cilën flisni ju?


Bëhet fjalë për një temë të cilën e kisha trajtuar në librat e mëparshëm, por që tek "I vinti non dimenticano" e shpjegoj në mënyrë më të thelluar. Fronti i rezistencës ishte i përçarë dhe fraksioni më i rëndësishëm i tij, fraksioni komuniste, nuk kishte aspak si objektiv përfundimtar në Italinë që fatmirësisht kemi pasur pas mbarimit të luftës, domethënë një demokraci parlamentare me ligjet elektorale pak a shumë korrekte dhe me qytetarët që zgjedhin se cila është mazhoranca që duhet të qeverisë.

Komunistët synonin në një gjë krejtësisht tjetër. Me përfundimin e luftës objektivi i tyre ishte i qartë dhe i deklaruar: donin t'i jepnin një të shtyrë, të kapnin pushtetin dhe të themelonin atë që ata e quanin një demokraci "progresive".

Përtej termit "progresive", në dukje jo ofendues, do të bëhej fjalë për paradhomën e diktaturës së proletariatit, që nga ana e saj do të shpërthente në një Itali të transformuar në shtet-satelit të Bashkimit Sovjetik, barabar me vendet e pushtuara nga Ushtria e Kuqe si Hungaria, Polonia, Çekosllovakia dhe Gjermania Lindore.

-Kush e ka shkaktuar dështimin e kësaj strategjie?


Prania e trupave angleze dhe amerikane. Komunistët italianë qenë të vetëdijshëm, pasi i tillë ishte edhe Stalini, për pamundësinë e vendosjes së një diktature të kuqe në Itali, pas Marrëveshjes së Jaltës që fatmirësisht e kish futur vendin tonë në orbitën Perëndimore dhe jo Lindore - Sovjetike.

-Megjithatë a pati tentativa nga ana komuniste edhe pas vitit 1948?


Partizanët tanë i kishin ruajtur armët dhe qenë përgatitur për këtë shtytje. Dispononin një rrjet organizativ që mbeti i paprekur për disa vjet, edhe nëpërmjet Pragës kishin lidhje shumë të forta me Bashkimin Sovjetik.

Libri i tregon këto fakte jo vetëm me fjalët e mia dhe me gjykimet e mia, por edhe nëpërmjet rrëfimit të disa ndodhive domethënëse personale. Për shembull, mjafton të lexohet historia e komandantit partizan Anton Ukmar në kapitulli Falce, martello e fucile (Drapër, çekan dhe pushkë, shënimi im).

-Si është e mundur që për të gjithë këto gjëra nuk është folur kurrë?


Kishte interesa kulturore dhe politike shumë të sakta. Kur flasim për hegjemoni kulturore të Partisë Komuniste italiane, nuk flasim për një fantazëm, por flasim për një pushtim real. Partia Komuniste ishte shumë e fortë dhe Togliatti e dinte sesa ngulja kulturore në universitete, në shtëpi botuese, në gazeta, në shkolla dhe në sindikata ishte e nevojshme për të përcaktuar atë vend të parë që Demokracia Kristiane nuk do të arrinte kurrë që t'ia hiqte. Për këtë nuk është folur kurrë.

-Po pse akoma sot vazhdohet që të mos dëshirohet të flitet?

Sikur e majta e markës komuniste, që pastaj është akoma sot ajo mazhoritare, do ta pranonte këtë të vërtetë, duke pranuar edhe se ka treguar gënjeshtra për vite të tëra, atëhere pasoja do të ishte një humbje votash e mëtejshme pasi e gjitha trupa e ultrave të kuq nuk do ta pranonte.

Kam folur shumë herë me liderë të shumtë të Partisë Komuniste italiane të vjetër, të shndërruar më pas në Parti të Demokratëve të majtë, Demokratë të majtë dhe tani Parti Demokratike. Vetë ata, dhe unë jam aq i moshuar sa t'i kem njohur personalisht të gjithë, duke folur vetëm për vetëm me mua, më thoshnin: "Sigurisht që ke të drejtë, por nuk mund t'ua themi, pasi votuesit tanë nuk do të na e jepnin votën. Do të ishte një katastrofë elektorale".

-Jemi duke folur për "gënjeshtrën e madhe" të cilës ju, veç të tjerash, i keni kushtuar një prej librave tuaj. Dhe nga ajo që thoni, do të vazhdoni të ecni përpara...

Eci përpara, por kam gjithnjë e më pak forcë. E thotë edhe suksesi i këtij libri tim të fundit, që pas as edhe një muaji, duke qenë se ka dalë me 6 tetor, është libri i dytë më i shitur në Itali dhe i pari në sektorin e eseistikës.

Numrat flasin qartë: një tirazh që për momentin është prej 120 mijë kopjesh, shenjë që nuk janë vetëm lexuesit e djathtë e të qendrës së djathtë ata që e kanë vlerësuar, por që libri ka lënë shenjë edhe në një publik më të gjerë, me opinione të ndryshme. E shikoj edhe nga kërkesat jashtëzakonisht të shumta që më drejtohen për të shkuar e prezantuar.

-Është e vërtetë në fakt se nuk do ta prezantoni, pasi u keni frikën kontestimeve të reja?


Është e vërtetë dhe ka qenë një vendim që unë dhe Adele, shoqja ime prej më shumë se 20 vjetësh, që ma ndihmuar gjithmonë në shkrimin e librave të mi, e kemi maturuar pas një konsultimi me botuesit dhe në mënyrë të veçantë, me njerëz të aparatit shtetëror, ekspertë në këto gjëra.

Çdo herë do të krijoheshin tensione të mëdha për atë që na fton, do të ishim të detyruar që të mobilizonim Policinë, Karabinierët, Digosin. Imagjinoni sikur një bombë tymi të lëshohej në një librari ku Pansa prezanton librin e tij. E kemi konsideruar oportune që të shmangnim verifikimin e situatave të kësaj natyre.

-Megjithatë, pas kërcënimeve dhe kontestimeve që keni pësuar në vitin 2006 në Reggio Emilia me rastin e prezantimit të librit "La grande bugia" (Gënjeshtra e madhe, shënimi im), theksuat "rëndësinë", dhe po iu citoj tekstualisht, "e të qëndruarit të qetë, e mos frikësimit nga të tjerët dhe bërjes së çdo njeriu për ta shprehur lirisht opinionin e tij". Mos ndoshta keni ndryshuar ide?


Absolutisht jo. Në fakt, mbetem i qetë dhe vazhdoj që t'i botoj librat e mi revizionistë.

-Nuk e konsideroni paksa si humbje?

Jo, nuk ndjehem aspak i mundur. Thjesht jam ndërgjegjësuar nga një realitet dhe nuk më dukej oportune që t'i shkëpusja forcat e rendit nga detyra shumë më të rëndësishme që u duhet të kryejnë. Pastaj për çfarë? Për t'u marrë me ruajtjen e sigurisë në prezantimet e librit të Pansa?

-Le të kthehemi tek libri. Më parë po flisnit për një lexim ideologjik të historisë nga i cili të majtat nuk mund të heqin dorë. Por ajo që jetojmë tani është një epokë post - ideologjike, e filluar me mbarimin e Luftës së Ftohtë dhe me rënien e Murit të Berlinit. Ka diçka që nuk shkon...

Realiteti është një tjetër: mbeturinat e ideologjive të vjetra të Nëntëqindës janë akoma të pranishme. Nuk jemi aspak në një epokë post - ideologjike. Të paktën i referohem së majtës, pasi situata nga e djathta është akoma më e padallueshme dhe konfuze.

-Krimet që ju tregoni u kryen në pjesë të ndryshme të Italisë, midis të cilave në Toscana. Në librin tuaj flisni për gjuetinë ndaj fashistit dhe për ekzekutimet masive të kryera në Firenze, Pisa, Prato, Carrara, Arezzo. Për kampin e përqëndrimit të Coltano, ku përfunduan fashistë të çdo lloji. Një brutalitet vrastar që nuk bëri dallime në shfarosje, duke përfshirë shumë të pafajshëm dhe shumë fashistë që qenë të tillë më shumë me emër sesa me fakte. Shumë histori për t'i kujtuar të gjitha. Zgjidhni një...

Historia toskane që më ka magjepsur më shumë është ajo e snajperave fashistë në Firenze, shumë prej të cilëve kanë vdekur. Janë njerëz që janë prej besimit politik dhe prej besimit të tyre që kishin tek ideologjia.

-Midis historive të shumta të të pafajshëmve pikërisht ata, "të këqinjtë"?

Të këqinjtë për kë? Ndoshta në tregimet e rezistencës të shkruar nga autorë komunistë. Në një Luftë Civile, si ajo që ka ndodhur në Itali, është e pamundur që të bëhen dallime midis të mirëve dhe të këqinjve, midis të mirës dhe të keqes.

Pjesa mazhoritare e Rezistencës do të zëvendësonte diktaturën e zezë me diktaturën e kuqe. Qenë të mirë apo të këqinj? Të flasësh me këto terma ka pak kuptim. Snajperat qenë vetëm fashistë që donin të demonstronin me një gjest ekstrem se ekzistonte dikush në Firenze që i kundërvihej pushtimit, ata e quanin kështu, ndryshe nga sa kishte ndodhur në Romë dhe në Siena, ku amerikanë dhe anglezë kishin hyrë pa ndeshur rezistencë.

Bëhej fjalë për djem e vajza, shumë midis nëntëmbëdhjetë dhe njëzet vjeçëve, që besonin tek fashizmi dhe e kanë mbrojtur atë deri në fund, duke pasur rrezikun që të vriteshin. Dhe shumë prej tyre e kanë humbur jetën.

-Për çfarë ka nevojë që të tejkalohen rezistencat dhe të bëhen përfundimisht llogaritë me të kaluarën?

Ka nevojë për të vërtetë. Por nëqoftëse ndiqet gjithmonë interesi i famullisë politikë të cilës i përkitet, atëhere të vërtetën nuk do ta gjejmë kurrë. Pastaj ka nevojë për sinqeritet, kurajoja e sinqeritetit. Kurajoja për të thënë se ka shumë faqe të ndyra në ngjarjet e Luftës Civile italiane, të shkruara për komoditet politik dhe shumë faqe të bardha, shumë histori asnjëherë të shkruara.

-Si i përgjigjeni njeriut që iu quan revizionist?

I përgjigjem: "Sigurisht dhe do të doja të isha akoma më shumë". Bile kam shkruar një libër prej 500 faqesh, pjesërisht autobiografik, të titulluar "Il revisionista" (Revizionisti, shënimi im). Por ndjehem në mënyrë të veçantë një "kompletist", një njeri që do historinë e plotë. Historia nuk bëhet nga ndodhi që vjen për mbarë të tregohen dhe të tjera që është më mirë të heshtet, pasi nuk i vijnë për mbarë palës tonë politike.

-Pse në Itali revizionizmi nuk pëlqehet?

Po kush e thotë se nuk pëlqehet?

-Për shembull, ju thoni faktin se kush iu quan revizionist e përmend atë për më tepër në kuptimin përçmues...

Po atëherë si shpjegohet që librat e së majtës lidhur me luftën partizane nuk shesin as edhe një kopje, kurse librat e Pansa shesin shumë të tilla? Pse "I vinti non dimenticano" e ka këtë sukses? Ua them unë: sepse Pansa pa qenë i djathtë ka shkruar një libër historie të ndershëm të djathtë. Një qëndrim i kundërt me atë të historianëve komunistë që kanë katedra, dalin në televizion, por që nuk e shesin as edhe një kopje.

-Domethënë, sipas jush bëhet fjalë më shumë për një problem oferte sesa problem kërkese?

Kërkesa dhe oferta nuk janë asnjëherë të shkëputura nga njëra-tjetra. Në këtë moment ka një kërkesë më të madhe ndaj ofertës dhe një autor si Pansa në mënyrë të dukshme e mbush një boshllëk. Besoj se jam vlerësuar pasi transmetoj një mesazh të qartë dhe nuk i trukoj letrat.

-Thuhet se studimi i së kaluarës shërben për të kuptuar të tashmen dhe për të projektuar të ardhmen. Cila është këshilla që u jepni brezave të rinj?

Të rinjve do të doja t'u thoja se pjata nuk mbushet falas, por gjithmonë duhet paguar gjella që kërkohet të hahet. Nuk duhet krijuar iluzioni se mjafton një diplomë, ndoshta e marrë në moshën 30-vjeçare, duke shkuar jashtë rrjedhe, për të pasur një vend të mirë me kohë të papërcaktuar.

Të rinjtë duhet të mësojnë se gjithçka që do të mund të kenë duhet ta fitojnë.

Të mos besojnë se janë në borxh ndaj shoqërisë së të rriturve apo të moshuarve, pasi nëqoftëse e kanë këtë ide të çmendur në kokë se gjithçka u detyrohet atyre, atëhere nuk do të kenë kurrë asgjë. Duhet të punojnë, të sakrifikohen dhe të pranojnë kushtet që u imponon sot shoqëria e sotme. Me mundim të madh dhe me durim të madh.

Armin Tirana

Equinox
Equinox

207


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi