EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kur letërsia-realiteti i kalonte kufijtë

Shko poshtë

Kur letërsia-realiteti i kalonte kufijtë Empty Kur letërsia-realiteti i kalonte kufijtë

Mesazh  Admin 28.06.10 12:04

Kur përleshja letërsi-realitet i kalonte kufijtë

Kur letërsia-realiteti i kalonte kufijtë E9932110
Homazh për Saramagon (16 Nëntor 1922 – 18 Qershor 2010)

Më 18 qershor të këtij viti u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare nobelisti portugez, Jose Saramago, një nga shkrimtarët më të sulmuar nga bota reale.

Pata fatin të ndiqja para pak kohe një intervistë të tij live në TVE, ku me një spanjishte të përzier me portugalishten, Saramago shpalli pesimizmin për shoqërinë e sotme, duke thënë se ne njerëzit, diku në histori apo parahistori kemi gabuar udhë, dhe për këtë jeta e sotme nuk është aspak e lumtur dhe bota është një “desastre” (mynxyrë).

Për krizën që ka përfshirë botën u shpreh se kanë për të fituar ata që gjithmonë fitojnë dhe do të humbasin si përherë, të humburit e gjithkohshëm.

Pyetjes klasike dhe triviale se përse shkruan, nobelisti, që pohoi se çmimi i madh nuk e kishte ndryshuar aspak, iu përgjigj se shkruante për të kuptuar botën, porse kjo nuk pat ndodhur dhe e përfundoi mendimin me fjalët: “Pak mund ta njohësh botën, pak mund ta mbrosh atë”.

Sa për vdekjen, u shpreh se ishte i sigurt se do ta ndiente çapin e saj kur të afrohej, njëlloj siç e pat ndier gjyshi i tij, dhe para se të ndahej nga jeta, kish shkuar në kopsht dhe kish përqafuar me radhë tërë pemët e tij.

“Do të doja edhe unë shumë ta bëja një gjest të tillë”, u shpreh Saramago, “porse kam frikë se me këtë përsëritje fyej kujtimin e tim gjyshi”. Po le t’i kthehemi edhe një herë realitetit të shkrimësisë dhe realitetit të botës së vërtetë, dhe përleshjes midis tyre, ku Saramago ka qenë shpesh viktimë.

Më 23 tetor të këtij viti, në Oviedo të Spanjës, me rastin e marrjes së Çmimit Princi i Asturias për letërsinë, shkrimtari Ismail Kadare, në fjalën e tij, midis të tjerash, tha: “...Në qoftë se e pranojmë botën e letërsisë dhe arteve si botë paralele, referenciale, kemi pranuar se ajo është një botë rivale.

Si rrjedhojë e kësaj, meqenëse rivaliteti çon zakonisht në konflikt, duam apo s’duam do të pranojmë se midis këtyre dy botëve, jetës dhe artit, do të ketë konflikt. Dhe konflikt ka. Herë të shpallur, herë të pashpallur. Në këtë përballje, bota reale ka armët e saj kundër artit: censurën, doktrinat, burgjet. Arti gjithashtu ka mjetet e tij, fortesat, veglat, së fundi, armët e tij, shumica të fshehta.

Bota reale qëllon të jetë e pamëshirshme, mizore. Arti gjithashtu nuk është një engjëll dhe mund të jetë i pamëshirshëm, mizor. Një poet romantik gjerman i përfytyronte tercinat e Dante Aligerit herë si heshta kërcënuese e herë si vegla torture për ndërgjegjet e rënduara nga krimi”.

Dhe më tej: “Ka shumë dallime midis tyre, por ka një dallim kolosal, që qëndron mbi gjithë të tjerat. Dallimi është ky: ndërsa në konfliktin e saj me artin bota reale qëllon që acarohet aq fort saqë turret ta shkatërrojë artin, në asnjë rast, e përsëris, në asnjë rast letërsia dhe arti nuk e sulmojnë jetën reale, për ta dëmtuar, por përkundrazi, luftojnë që ta bëjnë më të bukur, më të jetueshme…”

Pothuaj një javë përpara kësaj fjale, që, me sa duket, nga ç’do të parashtrojmë më poshtë, ishte e shenjuar edhe të yshtte “të keqen” që bota reale do të përpiqej t’i bënte botës së artit, më 15 tetor doli në treg në Portugali nga shtëpia botuese “Caminho”, dhe në Spanjë dhe Amerikën Latine nën shenjën e Alfaguara-s, romani më i fundit i nobelistit (1998) portugez José Saramago, “Kaini”.

Nobelisti 87-vjeçar kishte zgjedhur Panairin e Librit në Frankfurt për t’i dhënë “flatra” Kainit të tij, - rrëfeu se kishte shumë vite që mendonte për të, porse ishte ulur që ta shkruante veç në dhjetor 2008: shkrimi i pati marrë vetëm 4 muaj. “Qe si një lloj transi” shpjegon ai, “nuk më pati ndodhur kurrë, të paktën jo me këtë lloj intensiteti, me këtë forcë”.

Sipas autorit, ky është libri më me humor që ka shkruar ndonjëherë, porse, jo për të gjithë është i tillë. Në të vërtetë, romani “Kaini” është një rishkrim, ala Saramago, ironik dhe provokativ i një kapitulli të Biblës, - çka ka shkaktuar në vendin e tij një polemikë të ngjashme me atë që e detyroi autorin të shkonte syrgjyn në Canaries më 1991, pas botimit të romanit të tij “Ungjilli sipas Jezu Krishtit”.

Asokohe, kisha dhe një pjesë e mirë e shoqërisë portugeze u shokuan nga ky Krisht, të cili shkrimtari i vishte një aventurë dashurore me Maria Magdalenën. “Kësaj here”, thotë Jean-Jacques Bozonnet në një shkrim të tij në “Le Monde”, “Saramago e ka ngjyer penën në Dhiatën e Vjetër, për të rivizituar vëllavrasësin e famshëm.

Shkrimtari nuk e shpëlan nga faji, por i gjen shumë rrethana lehtësuese. Kështu, për shembull, meqenëse Zoti shfaq padrejtësisht preferencën e tij për Abelin, i bie të ketë goxha përgjegjësi në këtë çështje, vlerëson shkrimtari: “Kaini ndihet i poshtëruar nga Zoti dhe ai vret të vëllain ngaqë nuk ka mundësi të vrasë Zotin”.

Saramago rrëfen në roman për një Bibël të dominuar nga dhuna dhe seksi, dhe nuk mënon të kthejë në qesharakë pasazhe të tëra, si ai i engjëllit të dërguar prej Zotit në minutën e fundit për të ndalur dorën e Abrahamit, por që mbërrin shumë vonë për të shpëtuar birin… për shkak të një defekti në flatrën e djathtë.

Asgjë nga këto nuk mundte, sigurisht, t’i pëlqente hierarkisë katolike dhe vlerëmohuesve të tij të përhershëm, porse “rizgjimi i vërtetë i mllefeve të vjetra” ndodhi pikërisht kur shkrimtari, i ftuar nderi në Festivalin e Librit në Penfiel, pranë Porto-s, pohoi se Bibla është “një përmbledhje zakonesh të këqija” dhe “një katalog mizorish”.

Zëdhënësi i Konfederatës episkopale portugeze, Manuel Morujao, e akuzoi se kishte fyer katolikët vetëm e vetëm për të bërë publicitet. Rabini i Lizbonës, Eliezer di Martino, ka vënë në shënjestër interpretimin që i bën Jose Saramago-ja Dhiatës së Vjetër. Nga ana e tij, teologu katolik, Joaquim Carreira de Neves, ka shprehur keqardhjen që një “gjeni i letërsisë” nuk di ta lexojë Biblën si një “libër kulture”, porse i merr disa pasazhe fjalëpërfjalshëm.

“Kisha katolike do të dëshironte të vendoste nga një teolog pas çdo lexuesi të Biblës për të shpjeguar se gjithçka që ai po lexon duhet interpretuar në mënyrë simbolike”, u është përgjigjur këtyre sulmeve shkrimtari në një konferencë shtypi.

“Në Bibël ka mizori, incest, dhunë të të gjitha llojeve, kasaphanë. Kjo është e pakundërshtueshme, por mjafton që të dalë prej gojës sime, që të ndizet polemika”. Dhe duke i hedhur pothuaj benzinë zjarrit, ka shtuar se Zoti i Biblës “nuk është i denjë për besim”.

E më pas, në një intervistë në të përditshmen spanjolle “La Vanguardia” ka shtuar: “Njerëzit e ndërtuan Zotin sipas imazhit dhe shëmbëlltyrës së tyre, andaj edhe ai është kaq mizor, i lig dhe hakmarrës.” Shkrimtari 87-vjeçar nuk lodhet duke lëshuar kunja ndaj zgjimit të mërive të vjetra kundër tij: “Jam një person që provokoj antikorpe te shumë njerëz, por nuk e vras mendjen për këtë.”

Botuesi i tij, Caminho, i dëshpëruar që polemika ka shkuar kaq larg, shprehet se Saramago nuk ka nevojë për publicitet.

Ndërsa një eurodeputet portugez konservator, Mario David, i ka kërkuar nobelistit të heqë dorë nga kombësia portugeze “përpara një turpi të tillë.” “Ka edhe nga ata që më quajnë kurajoz”, thotë Saramago. “Por kjo ndodh sepse nuk ekzistojnë më turrat e druve të Inkuizicionit dhe mund të mbështetem në lirinë e shprehjes”.

Asgjë nuk ia mbyll gojën intelektualit Saramago, që ka opinione radikale: një ditë thërret për rrezikun e “rishfaqjes së fashizmit në Europë”, një ditë tjetër armatoset kundër “neomesjetarizmit universal” të Benediktit XVI.

Prej muajsh ka vënë në shënjestër Berlusconi-n, Kryeministrin e Italisë; ka shkruar një sërë artikujsh në “El Pais”, si “Berlusconi është fashizmi me kravatë Armani”, Berlusconi & Cía, apo “Gjësendi Berlusconi”, ku pasi e quan delicuente Il Cavaliere-n, thotë se ai është “një virus që kërcënon të jetë vdekja morale e vendit të Verdit”.

Këto kohë, shtëpia botuese “Einaudi” në Itali, pronë e Berlusconi-t, nuk ka pranuar të botojë librin e Saramagos “El Cuaderno” (Fletorja) ku janë përmbledhur esetë e muajve të fundit të hedhura në Blog-un e tij dhe ku gjenden edhe shkrimet kundër Berlusconi-t.

Së fundmi, Saramago-ja u ka thënë një fjalë të “mirë” atyre që janë skandalizuar nga Kaini i tij; njëlloj si dikur Borges-i, ai është shprehur: “Bibla ka diçka të admirueshme, nga këndvështrimi letrar”.

Dy botët për të cilat flet Kadareja, bota reale dhe bota e artit janë botë rivale dhe në konflikt të vazhdueshëm me njëra-tjetrën, porse, që ky konflikt të mos shpjerë në përleshje të rënda dhe me pasoja të paparashikuara, është më se e rëndësishme të kuptohet se letërsia mbart gjithnjë një përmasë të mirëfilltë kozmologjike; pavarësisht se elementët kozmologjikë mund të përftohen apo të huazohen nga bota e përditshme, bota që del në dritë nga krijimi letrar është krejt tjetër nga ajo e përditshmja; mund të jetë, me fort gjasa, porse jo gjithmonë, një botë paralele, çka mund të konsiderohet si lidhja më e madhe që mund të ekzistojë mes dy botëve; por edhe në këtë rast, ligjësitë nga të cilat udhëhiqet si njëra, ashtu edhe tjetra, janë të ndryshme, dhe u përkasin dy sistemeve krejt të ndryshme.

Prej këtu, nëse në botën reale ka ekzistuar një Budë apo një Krisht, apo një Hitler, kush na siguron se nuk mund të gjejmë syresh edhe në këtë botën “paralele” të botës reale, në botën e krijimit letrar?

Nëse ekzistojnë edhe në këtë botë, kjo nuk duhet të na shtyjë që t’i shohim Budën, Krishtin apo Hitlerin e saj të njëjtë dhe të interpretueshëm sipas të njëjta ligjësive të botës së përditshme; në kahje të kundërta, me të njëjtën logjikë, duhet të interpretonim kësisoj edhe Bagdadin e qilimit fluturues, apo të kalit fluturues me parametrat dhe ligjësitë interpretative të realitetit tonë të përditshëm, të botës reale, më konkretisht, të Bagdadit të sotëm...
/gazetashqip/
avatar
Admin

1132


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi