EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dije të imagjinuara

Shko poshtë

Dije të imagjinuara Empty Dije të imagjinuara

Mesazh  Jon 22.02.10 20:01

DIJE TE IMAGJINUARA

E kam ndjekur me kërshëri pritjen që u ka bërë opinioni publik lajmeve për përshpejtuesin LHC (Large Hadron Collider, ose Goditësi i Madh i Hadroneve), afër Gjenevës, në Zvicër.

Ky përshpejtues është, në thelb, një tunel në trajtë kamerdareje biçiklete, me gjerësi prej 3.8 metrash dhe perimetër prej 27 km, i gërmuar në një zonë shkëmbore midis Zvicrës dhe Francës. Tuneli shërben për të përshpejtuar protone deri në shpejtësi të afërta me shpejtësinë e dritës, dhe pastaj për t’i përplasur këto protone të përshpejtuara me njëri-tjetrin. Qëllimi i këtyre eksperimenteve me përplasje është që të verifikohen disa hipoteza në lëmin e fizikës së grimcave subatomike, si dhe të tjera hipoteza dhe teori të fizikës kuantike.

Artan Boriçi, një fizikant shqiptar që është përfshirë në projekt, e përshkruan kështu qëllimin e eksperimenteve që do të kryhen me përshpejtuesin LHC:

Eksperimenti është i rëndësishëm sepse do të testojë teoritë fizike mbi ndërtimin e lëndës dhe forcat në natyrë në përgjithësi, si edhe përllogaritjet e kryera me anë të këtyre teorive. Një nga këto teori është teoria kuantike e kuarkeve dhe gluoneve, ose kromodinamika kuantike. Nëse do ta përfytyronim protonin si një top të rrumbullakët, teoria përshkruan brendësinë e këtij topi me anë të kuarkeve dhe gluoneve. Eksperimenti do të testojë për herë të parë ekzistencën e kuarkeve dhe gluoneve në gjendjen plazmore të temperaturës së lartë. Kjo gjendje është parashikuar tashmë me anë të simulimeve të teorisë në superkompjuter të tipit Blue Gene, në bashkëpunime të ndryshme në Perëndim.

Kostoja e përgjithshme e projektit lëkundet midis 3.2 dhe 6.4 miliard euro.

Megjithë entuziazmin e fizikantëve anembanë botës për këtë mundësi të re që i jepet shkencës për t’iu afruar më tej së vërtetës, duhet thënë se publiku i ka pritur lajmet për përshpejtuesin LHC përgjithësisht me indiferencë. Shkaqet e kësaj indiference janë të shumta, mes të cilave duhet marrë parasysh edhe vështirësia e fizikantëve dhe e popullarizatorëve të shkencës për t’i shpjeguar në mënyrë tërheqëse dhe stimuluese eksperimentet që do të kryhen me anë të LHC, dhe rëndësinë e këtyre eksperimenteve për dijen, njerëzimin dhe teknologjinë.

Opinioni publik nuk e ka të lehtë të pranojë edhe pse duhen shpenzuar miliarda euro nga fondet publike për të provuar ekzistencën e një grimce hipotetike, ose për të testuar kromodinamikën kuantike; në një kohë që bota duket se ka nevojë për zgjidhje teknologjike të shpejta në fusha të tilla si energjia e gjelbër ose mjekimi i kancerit.

Sikur kjo të mos mjaftonte, nga anë të ndryshme janë shprehur edhe shqetësime se mos eksperimentet e kryera prodhojnë pa dashur ndonjë vrimë të zezë ose dukuri tjetër të ngjashme, e cila teorikisht mund të çonte në shkatërrimin e plotë të planetit, ose edhe të mbarë universit, për shkak të një çarjeje ose shqyerje të kohë-hapësirës.

Frika se mos përplasja e grimcave me energji të lartë mund të përftojë mikro-vrima të zeza nuk është krejt e pabazuar; por fizikantët e konsiderojnë një rrezik të tillë si të papërfillshëm, edhe pse fizika e vrimave të zeza nuk njihet mirë.

Nga ana tjetër, ka edhe nga ata që besojnë se për rrezikun e përshpejtuesit LHC ka paralajmëruar, në kohën e vet, i madhi Nostradamus; me anë të kësaj katrine:

Migrés, migrés de Geneue trestous,

Saturne d’or en fer se changera,

Le contre Raypoz exterminera tous,

Auvant l’aruent le ciel signes fera.

Përkthimi i të cilës është disi i diskutueshëm, por në thelb është fjala për një thirrje të gjithëve për të ikur nga Gjeneva, meqë Saturni do të shndërrohet nga ari në hekur, dhe contre Raypoz do t’i shfarosë të gjithë, para se qielli të japë disa shenja.

Meqë askush nuk e di se ç’është pikërisht ky Raypoz, interpretuesit e kanë shpjeguar si ray(on) pos(itive), ose rreze protonesh, meqë këto grimca janë të ngarkuara pozitivisht; dhe contre Raypoz nuk janë veçse dy rreze të kundërta (contre) protonike që përplasen mes tyre.

U zgjata pak në këtë profeci të Nostradamusit, për të treguar si kjo mënyrë në thelb irracionale e të menduarit është më e kapshme sesa arsyetimet e fizikantëve për fizikën kuantike dhe eksperimentet përkatëse; meqë publiku nuk mund të eksitohet nga mundësia e zbulimit të bozonit Higgs, ose e ndriçimit të mekanizmit të thyerjes së simetrisë elektro-të dobët.

Në të vërtetë, jo vetëm publiku i sotëm është shushatur nga televizioni dhe e ka humbur disi interesin për fizikën si dije relativisht të pavarur nga aplikimet përkatëse në teknologji, por edhe vetë fizika moderne duket se është shndërruar në diçka të ngjashme me skolastikën mesjetare – meqë nuk ka një interpretim unik të rezultateve eksperimentale, në një kohë që teoritë e ndryshme në lëmin e kozmologjisë dhe të fizikës subatomike janë më tepër konstruksione matematike, sa elegante aq edhe të pashpjegueshme në raport me realitetin.

Nuk ka dyshim se përshpejtuesi LHC jo vetëm do t’u lejojë fizikantëve të kuptojnë më mirë si funksionon bota në nivelin subatomik, por edhe do të ndihmojë për një hop cilësor në lëmin teknologjik. Megjithatë, publiku i sotëm entuziazmohet më shumë nga pajisje të vogla utilitare të tipit i-Phone, të cilat zënë faqet e para të gazetave dhe minutat e para të emisioneve të lajmeve, në një kohë që LHC pritet pothuajse me armiqësi.

A duhet konsideruar kjo si shenjë se opinioni publik anembanë botës, por veçanërisht në vendet perëndimore, po vjen duke e humbur respektin dhe interesin për kërkimin shkencor të kulluar, ose përtej aplikimeve praktike të dobishme?

Nëse është kështu, atëherë rreziku për feedback negativ është real; sepse një publik i çinteresuar do të mbështetë gjithnjë e më pak financimin e projekteve të shtrenjta të tipit LHC; dhe shkencëtarët do të varen gjithnjë e më tepër, për fonde, nga korporatat; të cilat nga ana e tyre janë të interesuara për rezultate, ose teknologji dhe aplikacione, jo për shkencë të mirëfilltë dhe qasje ndaj të vërtetave kozmike.

Xha Xhai
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Dije të imagjinuara Empty Re: Dije të imagjinuara

Mesazh  Jon 22.02.10 20:03

DIJE TE IMAGJINUARA II

Para pak vjetësh, dhe pikërisht më 15 janar 2004, presidenti amerikan Bush u parashtroi qytetarëve të vet një plan të ri ambicioz për eksplorimin e hapësirës, i cili parashikonte, ndër të tjera, ndërtimin e një baze të përhershme në Hënë dhe organizimin e një misioni me astronautë drejt planetit Mars.

Nëse ideja e Bush-it ishte që të ngjallte në publik po aq entuziazëm sa edhe plani i dikurshëm i presidentit Kennedy, për të çuar astronautët amerikanë në Hënë, atëherë mund të thuhet se ishte një ide e llogaritur keq, meqë publiku e priti këtë vizion me kaq indiferencë dhe skepticizëm, sa strategët e public relations të Shtëpisë së Bardhë nxituan që ta heqin nga qarkullimi para se popullaritetit të presidentit t’i shkaktoheshin dëme të tjera të pandreqshme.

Ndërkohë jo vetëm SHBA, por edhe shumë vende të tjera, si Rusia, Bashkimi Europian, Kina dhe India, vazhdojnë të shpenzojnë miliarda dollarë për shfrytëzimin e hapësirës rreth Tokës, kryesisht duke lëshuar në orbitë satelitë për qëllime ushtarake dhe komerciale.

Në krahasim me investime të tilla, ato pak dollarë që duhen për të dërguar sonda automatike drejt Marsit, Jupiterit, Venusit ose brezit të asteroideve e më tej janë një pikë ujë në oqean. Këto sonda herë pas here dërgojnë ndonjë fotografi, e cila afishohet në mediat – pastaj vëmendja e publikut zhvendoset nga shkëmbinjtë pa jetë drejt temave të tjera më ngacmuese.

E megjithatë, vetëm 40 vjet më parë, mbarë globi e mbajti frymën, kur astronauti i parë zbriti në sipërfaqen e Hënës, për të shqiptuar fjalët tashmë të paharruara: “një hap i vogël për njeriun, një hop gjigand për njerëzimin.” Unë kam qenë fëmijë atëherë, por e mbaj mend se kudo në Tiranë nuk bisedohej për asgjë tjetër, përveçse për momentin kur Armstrong-u do të shkelte, i pari mes njerëzve, në sipërfaqen e satelitit.

Ditën e shumëpritur televizioni italian, RAI, transmetoi për 24 orë rresht filma fantastiko-shkencorë, me disqe fluturuese, beteja kozmike, jashtëtokësorë që sillnin mesazhe të paqes dhe të vëllazërimit, robotë të çmendur dhe shkencëtarë mjekërbardhë të gjithëdijshëm, si të dalë nga romanet e Jules Verne-it.

Ishte fundi i viteve 1960, të cilat tani dihet se i dhanë ngjyrë dhe formë pjesës së mbetur nga shekulli XX. Shkenca dhe teknologjia kundroheshin, me optimizëm prej të gjithëve, si çelësi drejt mirëqenies dhe bollëkut.

Një nga librat që kisha në bibliotekë, me ilustrime tërheqëse, u shpjegonte lexuesve të vegjël përparësitë e zëvendësimit të lëndëve natyrore me lëndë plastike; presidenti Nixon premtonte se kanceri së shpejti do të mposhtej përfundimisht; futurologët e përfytyronin vitin 2000 si kohën kur njeriu do të shërbehej prej robotëve, teksa gatitej të kolonizonte, me kuç e me maç, planetet e sistemit diellor.

Kur e krahason eksplorimin e hapësirës atëherë, me përpjekjet e sotme, nuk mund të mos vësh re një dallim thelbësor – në vitet 1960 eksplorimi ishte i kthyer nga jashtë, drejt së panjohurës, përfshirë në një përpjekje që e përfytyronte hapësirën si të gatshme për t’u pushtuar prej njeriut: me stacione në Hënë, qytete në Mars, miniera në satelitët e Jupiterit dhe ngulime shumëmilionëshe të varura pezull si zgjuaj blete në brezin e asteroideve. Sot, përkundrazi, eksplorimi i hapësirës është i kthyer së brendshmi, meqë pjesa më e madhe e satelitëve përdoren për qëllime praktike, ushtarake ose komerciale.

Pavarësisht nga përsosja e teknologjisë të nevojshme për të hedhur diçka në orbitë rreth Tokës ose më tej, asgjë nuk e ka zëvendësuar dot magjinë e modulit LEM, delikat e me letër varaku, të drejtpeshuar aq drojtur në rrafshultën e Mare Tranquillitatis. Përkundrazi, anija e sotme Space Shuttle nuk është veçse një kamion i madh e kabá që vlen për të çuar në orbitë gjithfarë kargosh prozaike: satelitë të parashikimit të motit ose të shoqërive të telefonisë celulare; për të mos folur pastaj për satelitët ushtarakë dhe të përgjimit.

Kozmosi në vitet 1960 ishte më tepër ankth dhe premtim për aventurë dhe lulëzim ekonomik e shpirtëror; sot, përkundrazi, hapësira rreth Tokës nuk ndryshon shumë nga një peizazh industrial i rëndomtë. Edhe astronautët vetë, që dje mahniteshin me pamjen e universit dhe kalonin kriza mistike ndoshta të përligjura, sot e kalojnë kohën duke luajtur shah në Internet, ose duke pastruar mjediset e mykura të stacionit MIR, ose duke marrë pjesë në eksperimente për fëmijë shkollash.

Fëmija në vitet 1960 kërkonte të dinte se pse nuk mund të kapërcehej shpejtësia e dritës; pyeste nëse ka jetë në Mars apo në Antares; ëndërronte që një ditë të mund të ecte me kërcime të plogëta, si astronautët gjatë shëtitjeve të tyre në bulevardet e heshtura të Hënës.

Ç’nuk do të kisha dhënë atëherë, për të parë nga afër ndonjë prej Apollo-ve; dëshirë që m’u realizua shumë vite më pas, gjatë një vizite në Washington DC në 1998, kur kapsula Apollo e ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Aviacionit dhe të Hapësirës m’u duk jashtëzakonisht e vogël, madje klaustrofobike.

Për këtë krizë në pritjet e publikut nuk e ka fajin shkenca, as teknologjia. E vërteta është se hapësira kozmike rreth Tokës është një mjedis veçanërisht armiqësor për njeriun: mungon ajri dhe uji; temperaturat janë të skajshme; rrezatimi kozmik vrasës.

Entuziazmin e viteve 1960 e ushqente shpresa se, misionet e amerikanëve në Hënë nuk ishin veçse pararoja e eksplorimit njerëzor të sistemit diellor, i cili ndoshta do t’i sillte Tokës së mbipopulluar e me burime në shterrim e sipër po aq të mira sa edhe zbulimi i Botës së Re prej Kolombit & Co. në fund të shekullit XV.

Prandaj nuk është rastësi që vetëdija ekologjike dhe lëvizjet e të gjelbërve morën hov pikërisht kur publiku anembanë u vetëdijësua, sado me vështirësi, se largimi prej Tokës në një të ardhme të afërt ishte i pamundur; dhe se nuk kishte asnjë Amerikë që të na priste krahëhapur, përtej horizontit qiellor.

Deri në fund të viteve 1970, teknologjia kishte përparuar kryesisht si ndërmjetësuese në marrëdhëniet e njeriut me sendet. Edhe eksplorimi dhe kolonizimi i sistemit diellor do të kryhej nëpërmjet pajisjeve teknologjike të mundësuara nga fizika, kimia, shkenca e materialeve, biologjia dhe mjekësia.

Njeriu kishte nevojë, para së gjithash, për makina të tilla që t’i lejonin të zhvendosej me shpejtësi në korridoret e pafund të hapësirës; por edhe për materiale të përshtatshme për të përballuar kushtet fizike të kësaj hapësire. Edhe pse të gjithë futurologët i kishin kushtuar vëmendje të veçantë automatizimit dhe robotëve, pakkush e kishte parashikuar revolucionin që po përgatitej në laboratorët e IBM: kompjuterin personal.

Këtu nuk është vendi të përshkruaj si i ripërkufizoi kompjuteri marrëdhëniet e njeriut me teknologjinë dhe me sendet në përgjithësi; por dua vetëm të theksoj se kombinimi magjik i hardware-it dhe i software-it shërbeu, ndër të tjera, edhe si çelës për t’i hapur njeriut dyert e realitetit virtual – qoftë në aspektin shqisor, duke e zëvendësuar botën reale me botë të tjera të përfytyruara; qoftë në aspektin komunikativ, duke e zëvendësuar komunikimin ndërnjerëzor të drejtpërdrejtë me Internetin.

Njerëzimi i viteve 1960 ishte ekstrovert, i kthyer me fytyrë nga hapësira, i gatshëm për të eksploruar dhe kolonizuar botët; njerëzimi i viteve 2000 është introvert, i kthyer me fytyrë nga vetvetja, i mbyllur në guaskën e pashmangshme të planetit Tokë, por edhe i humbur në hapësirën e pafund të realitetit virtual.

Nëse në shekullin XIX njerëzit fantazonin për kanalet ujitëse që kishte zbuluar në Mars Schiaparelli; nëse në shekullin XX njerëzit më në fund dërguan një kamera fotografike në Mars dhe u siguruan se atje nuk ka asgjë tjetër veç gurëve; në shekullin XXI njeriu do të mund ta ndërtojë Marsin sipas dëshirës e midesë – por vetëm brenda realitetit virtual të kompjuterit.

Natyrisht, edhe realiteti virtual kërkon teknologjinë e vet, e cila nuk mund të konceptohet as të realizohet pa bashkëpunimin e shkencave të sakta, duke përfshirë edhe fizikën subatomike.

Çfarë ka humbur pikërisht, nuk është rëndësia objektive e njohjes, por pjesëmarrja e publikut në këtë aventurë të njohjes, ose shkëputja tanimë totale midis teknologëve dhe përdoruesve të teknologjisë.

Nëse në vitet 1960 një fëmijë veçanërisht kurioz i klasës së tetë ende mund ta kuptonte si funksiononte një orë tryeze me zemberek ose deri diku edhe një gramafon, sot pakkush përveç ekspertëve të fushës e ka të qartë se çfarë ndodh pikërisht brenda një ore dore elektronike, le pastaj një lexuesi MP3.

Jetojmë në një botë që na rrethon me produkte magjike, të cilat jemi kushtëzuar t’i marrim për të mirëqena; por kureshtja e vjetër tashmë ka vdekur, sepse parimet mbi të cilat funksionon teknologjia e sotme janë tepër arkane, tepër të stërholluara, tepër të ndërvarura për t’u kuptuar nga mendja e vdekëtarit.

Xha Xhai
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Dije të imagjinuara Empty Re: Dije të imagjinuara

Mesazh  Jon 22.02.10 20:06

DIJE TE IMAGJINUARA III

Për të kuptuar marrëdhëniet e shkencës me opinionin publik ose vendin e shkencës në Zeitgeist ndihmon edhe analiza e prirjeve në letërsinë fantastiko-shkencore, si dhe në kinemanë dhe video-lojërat me temë fantastiko-shkencore, gjatë 50-60 vjetëve të fundit.

Në vitet 1960 të fëminisë sime, pak letërsi fantastiko-shkencore pikonte edhe në Shqipëri; dhe unë mbaj mend që romani Mjegullnaja e Andromedës, i rusit Efremov, më pat lënë mbresa të jashtëzakonshme.

Ai roman, që edhe sot e kësaj dite mbahet për kryevepër e fantashkencës sovjetike, shprehte më së miri epikën e eksplorimit të hapësirës yjore, nga një njerëzim që tashmë jetonte në komunizëm dhe bashkëpunonte me qytetërime të tjera jashtëtokësore; e keqja, në roman, përfaqësohej nga lënda, materja e panjohur ose e keqkuptuar (ylli i hekurt), dhe vetëm rrallë herë nga atavizmat e epokës parakomuniste.

Në të njëjtën kohë, letërsia fantastiko-shkencore në SHBA e kishte marrë fort për zemër temën e jashtëtokësorëve (alienëve) dhe luftrave me ta, sipas modelit të sugjeruar së pari nga H.G. Wells, me Luftën e botëve, botuar në 1898, por me ngjyra të theksuara militariste.

Këto luftra ndërplanetare tani ripërtypnin rrëfenja të Luftës II Botërore, teksa alienët pikturoheshin si karikatura të sovjetikëve dhe të komunizmit, siç mund të pritej në një atmosferë kulturore ende të sunduar nga makartizmi dhe Lufta e Ftohtë – këtë e mishëron më së miri Puppet Masters i Heinlein.

Në përgjithësi, romanet sci-fi amerikane shtjelloheshin në trajtat e kristalizuara, më pas, nga seriali televiziv Star Trek: ose një përplasje pothuajse metafizike midis individualitetit amerikan dhe kolektivizmit gjetiu; teksa njerëzimi eksploronte hapësirën, ngrinte koloni, lidhte aleanca me qytetërime të tjera, luftonte me të keqen e ashtu me radhë.

Një version tjetër i këtij miti simplist, por politikisht më korrekt dhe i varur pezull midis fantashkencës dhe përrallës, u realizua nëpërmjet serisë e filmave Star Wars të George Lukas.

Natyrisht, qëllimi i programit hapësinor amerikan të kurorëzuar me misionet njerëzore në Hënë në vitet 1960-1970 nuk ishte të vendosej kontakt me ndonjë qytetërim jashtëtokësor; por në kulturën pop kontakti me qytetërimet e Tjera i shërbente drejtpërdrejt dramatizimit të së ardhmes së njerëzimit mes yjeve.

Modelin primitiv, pozitivist të konfliktit të njeriut me hapësirën kozmike e vunë në krizë vepra të tilla si romanet Solaris (1961) dhe Zëri i padronit (1968) të polakut Stanislaw Lem; Rendezvous with Rama (1972) i anglezit Arthur Clarke; dhe Contact (1985) i amerikanit Carl Sagan (ky i fundit edhe kozmolog dhe astrofizikan i njohur).

Në Solaris, oqeani i planetit homonim përpiqet të komunikojë me astronautët në stacionin orbital rreth planetit, por me pasoja katastrofike; te Zëri i padronit njerëzimit i mbërrin një mesazh nga një qytetërim tjetër, por mesazhi është në thelb i padeshifrueshëm dhe interpretimet e ndryshme që i jepen janë krejt të papajtueshme mes tyre; te Rendez-vous with Rama i Clarke, një anije gjigante kozmike nga një qytetërim jashtëtokësor viziton sistemin diellor, por e shpërfill krejt Tokën dhe njerëzimin duke mos i konsideruar të denja për vëmendje të arsyetuar – ose me një gjest të barazvlershëm, për nga forca filozofike, me revolucionin kopernikan në kozmologji; më në fund, te Contact i Saganit, që u botua në 1986, njerëzit ndoshta arrijnë të komunikojnë me jashtëtokësorët, por jo mes tyre.

Vepra të tilla shprehën qartë, ndër të tjera, dyshimin mos hapësira kozmike do të mbetej përgjithmonë e panjohshme për njerëzimin, sa kohë që shtrihej përtej botës, ose zhguallit teknologjik që i duhej njeriut për të qenë në gjendje të eksploronte botën përtej, ose universin.

Që këtej, nuk ishte e vështirë të hidhej edhe një hap tjetër në fushën me mina të metafizikës, dhe të shtrohej pyetja se mos edhe njeriu vetë ishte së paku pjesërisht diçka e huaj, jashtëtokësore ose mekanike. Ideja shprehet, me forcë artistike të veçantë, në dhuratat bizarre të planetit Solaris për astronautët – të cilat janë sendërgjuar sipas fantazmave që këta fshehin në kujtesë, pa qenë plotësisht njerëz mishi dhe gjaku.

Po çfarë bëhet njeriu pikërisht, që nga momenti kur e lë veten në duart e teknologjisë, për t’u shkëputur nga planeti i vet?

Kësaj pyetjeje u orvat t’i përgjigjej Ridley Scott, me dy filmat e vet të rëndësishëm Alien (1979) dhe Blade Runner (1982); në të dytin, që mbështetet në një roman të Philip Dick, fatet e androidëve dhe të njerëzve pleksen së bashku, deri në atë pikë sa androidët të ndihen deri edhe më njerëzorë se krijuesit e tyre; Alien, përkundrazi, thuret rreth një alegorie katërkëndore midis njeriut (Ripley-t), androidit të maskuar si pjesëtar të ekuipazhit por në të vërtetë zbatues mekanik i interesave të korporatës, alienit vetë që është forcë e errët entropike dhe maçokut të Ripley-t, si kundërfigurë të alienit.

Si edhe më parë, si zgjidhje e vetme e pranueshme e këtij konflikti metafizik ofrohet vetmia e plotë madje kozmike e Ripley-t në epilog të filmit – çka vlen për gruan astronaute në film, dhe për njerëzimin jashtë kinemasë.

Vepra të tilla me impakt të fortë në imagjinatën kolektive, ndihmuan që të përpunohej ideja se po ajo teknologji që bënte të mundshëm eksplorimin e kozmosit, njëkohësisht po çonte në jetërsim (alienim) të njeriut vetë, i cili po reduktohej tashmë në një cipë të brishtë biologjike, që ndante botën e jashtme, materiale dhe armiqësore, shkëmbinjve, rrezatimeve dhe makinave, nga bota e brendshme, e sunduar prej miteve jungiane të nënvetëdijes, ndoshta njëlloj të huaja. Kësisoj shtysa e natyrshme, aventureske dhe borgjeze, drejt botëve të reja në hapësirë u shndërrua, hap pas hapi, në një orvatje për të marrë në pyetje vetveten e për të ftilluar konfliktet primordiale të psikes individuale.

Seriali televiziv X-Files, i cili pati sukses të jashtëzakonshëm në publik gjatë viteve 1990, shënoi një hap të mëtejshëm drejt ripërkufizimit tërësor të marrëdhënieve të njeriut me kozmosin; sepse në këtë serial tema e vjetër paranoide e UFO-ve dhe e komplotit për ta mbajtur sekret bashkëpunimin midis elitave të globit dhe astronautëve alienë erdhi e u ndërthur me temën, relativisht më të re, të tmerrit biologjik nga viruset, mutacionet gjenetike, katalogimi i njerëzimit dhe përpjekjet e jashtëtokësorëve për t’u hibridizuar me njerëzit.

Jo më kot shumë skena të atij seriali shumëvjeçar shtjellohen spitaleve, laboratorëve biologjikë dhe tryezave të autopsisë, sa kohë që frika nga vdekja dhe përçudnimi erdhën duke u shndërruar në përkufizim të njeriut vetë, në epokën e mashtrimit, makinacioneve dhe kompromisit faustian me vizitorët nga kozmosi.

Fundin logjik i kësaj lëvizjeje konceptuale nga jashtë brenda, ose tërheqjeje nga hapësira kozmike në brendësi të trupit të njeriut, e shenjoi trilogjia e filmave Matrix të vëllezërve Wachowski, e cila lëshoi në imagjinatën kolektive idenë sa të vjetër, aq edhe të freskët, se gjithçka që na rrethon është iluzion, ose ëndërr agoni e mendjes së burgosur në një trup imagjinar, që kërkon të zgjohet.

Nuk është aspak rastësi që suksesi i pashembullt i filmave dhe veçanërisht i mitologjisë Matrix koincidoi me lulëzimin e Internetit, dhe të realitetit virtual si konkurrent i përnjimendtë i universit të përtejmë.

Realiteti virtual, nga ana e vet, gjeti shprehje sa në simulimet e ushtarakëve, inxhinierëve dhe të meteorologëve, aq edhe në video-lojërat, të cilat nga ana e tyre u shndërruan në një faktor të fuqishëm për përsosjen teknologjike të kompjuterëve personalë.

Video-lojërat më popullore, të ashtuquajturat FPS (“first person shooter”, ose “qitës në vetë të parë”), janë zakonisht të mbështetura në skenarë të huazuar nga kultura pop e viteve 1960-1970, siç e dëshmon, p.sh. seria Half Life dhe Half Life 2, nga të cilat e para shiti rreth 8 milion kopje në botën mbarë, ndërsa e dyta rreth 4 milion (deri në vitin 2006).

Lojëtari vihet në rolin e shkencëtarit Gordon Freeman, të cilit i duhet të luftojë, për të mbijetuar, me gjithfarë alienësh që janë shfaqur në një laborator top sekret pas një eksperimenti të dalë jashtë kontrolli, dhe që tani synojnë të marrin në kontroll krejt planetin Tokë.

Half Life (1 dhe 2) nuk është e vetmja video-lojë që mbështetet në narrativën e luftës me jashtëtokësorët; edhe lojëra të tjera popullore, si Duke, Quake, Doom, Halo etj., shfrytëzojnë të njëjtin koncept, dhe me të njëjtat teknika narrative si edhe letërsia fantastiko-shkencore e periudhës së eksplorimit të hapësirës në vitet 1960-1970.

Përsëri, interesi i dikurshëm për t’u ballafaquar me kozmosin dhe të panjohurat e atjeshme i është përcjellë realitetit virtual, ku njeriu ndihet gjithsesi në kontroll – tek e fundit, sa herë që Freeman gjen vdekjen në nofullat e ndonjë jashtëtokësori veçanërisht të uritur, lojëtari gjithnjë mund ta rifillojë lojën duke shtypur tastin F6.

Xha Xhai
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Dije të imagjinuara Empty Re: Dije të imagjinuara

Mesazh  Jon 22.02.10 20:09

DIJE TE IMAGJINUARA IV

Në një shoqëri të sunduar nga ekonomia e tregut, publiku do të dashurohet pas evoluimit teknologjik të mallrave të konsumit të gjerë, por do të shohë me dyshim çdo përpjekje për shkencë të kulluar ose që nuk përligjet dot lehtë nga pikëpamja praktike.

Eksplorimi i hapësirës përtej orbitës së Tokës, ose organizimi i misioneve me astronautë në Hënë e më tej i përkisnin kësaj kategorie të dytë, sepse askush nuk priste që të tilla përpjekje të financuara me fonde publike të sillnin ndonjë përfitim praktik për konsumatorin.

U tha atëherë se misioni Apollo nuk mund të konceptohej jashtë logjikës së Luftës së Ftohtë dhe vullnetit për t’u treguar sovjetikëve se SHBA mbetej në pararojë të zhvillimit global teknologjik dhe shkencor; që andej ishte e lehtë të kalohej Rubikoni dhe të hidhej në qarkullim hipoteza se, tek e fundit, amerikanët nuk kishin shkuar kurrë në Hënë dhe se e gjithë kjo narrativë nuk ishte gjë tjetër veçse një mashtrim në shkallë planetare.

Kjo hipotezë, e përforcuar nga filmi Capricorn 1 (1978), vijon të qarkullojë edhe sot e kësaj dite, duke përfituar nga lehtësitë që u krijon Interneti teorive të komplotit.

Teoritë e komplotit, si dukuri, i përkasin psikologjisë kolektive. Çdo epokë ka teoritë e veta, të cilat i ushqen e i selit; por nuk ka dyshim se burimi kryesor energjitik për t’i mbajtur gjallë këto rrëfenja dhe shpjegime alternative ndaj narrativës zyrtare është frika ndaj së panjohurës, mosbesimi paranoid ndaj elitave dhe irracionalizmi.

Thashethemnaja të tilla planetare kanë nevojë për një hapësirë të frikës për t’u shtuar e shumuar.

Në vitet e Luftës së Ftohtë, kërcënimi kryesor për njerëzimin ishte i ashtuquajturi “dimër bërthamor”, ose katastrofa globale që do të pasonte luftën atomike midis superfuqive; pas vitit 1990, kjo paranojë është zëvendësuar nga skenarë të kolapsit ekonomik për shkak të shterrimit të rezervave të naftës (i ashtuquajturi peak oil), shkatërrimit të ekosistemit planetar, ose epidemive fatale të natyrshme, të nisura prej terroristëve, ose për shkak të ndonjë gabimi tragjik në laboratoret.

Fundit të Luftës së Ftohtë i faturohet, zakonisht, edhe lënia përgjysmë, në 1993, e punimeve për ndërtimin e përshpejtuesit SSC (Superconducting Super Collider) në Waxahachie, Texas; i cili përshpejtues, i ngjashëm me LHC, ishte parashikuar të kishte një perimetër prej 87.1 km dhe t’u kushtonte taksapaguesve rreth 12 miliard dollarë.

Megjithatë, nuk përjashtohet që Kongresi amerikan ta ketë ndërprerë financimin e këtij projekti kaq ambicioz edhe ngaqë zbulimi i bozonit Higgs nuk mund të pritej nga publiku me po aq entuziazëm sa zbulimi i një vaksine kundër kancerit, ose shpikja e një automjeti që punon me ujë.

Përgjithësisht, miti faustian ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më i pranishëm në kulturën pop dhe në imagjinatën popullore; dhe filma të panumërt të Hollywood-it e kanë stereotipizuar figurën e shkencëtarit tuhaf por ambicioz, që nuk ngurron të hyjë në marrëveshje me djallin, për të realizuar eksperimentet e veta përndryshe të panevojshme, të parakohshme, ose “të ndaluara”. Tema e eksperimentit që del jashtë kontrolli, për të shkaktuar katastrofë ose deri edhe fundin e botës, i është shoqëruar atij miti rregullisht, duke ushqyer frikërat e vjetra të publikut për rreziqet e shkencës dhe eksperimentimit “të tepruar”.

Ky kontekst mund të lejojë të kuptohet më mirë pse publiku e ka pritur me skepticizëm, në rastin më të mirë dhe me tmerr, në rastin më të keq, lajmin për aktivizimin e përshpejtuesit LHC, në Gjenevë. Zërat se eksperimentet e atjeshme mund të kenë pasoja fatale për njerëzimin, madje për krejt universin, nuk kanë ardhur vetëm prej grupeve të skajshme, irracionale, por edhe prej shkencëtarësh që e dinë se për çfarë flasin.

Disa autorë kanë folur për rrezikun e krijimit të mikro-vrimave të zeza me ngarkesë elektrike neutrale, të cilat do të kapen pastaj nga fusha gravitacionale e tokës, do të luhaten si lavjerrës sipas një aksi që e shpon globin mes për mes, për t’u stabilizuar pastaj në bërthamën e Tokës, ku nuk dihet se ç’mund të bëjnë sidomos po të ndërveprojnë mes tyre; të tjerë autorë kanë folur për mundësinë e krijimit të disa lloj grimcave të rralla, të quajtura strangelets, të cilat mund të shërbejnë pastaj si katalizatorë, për ta kthyer krejt planetin në një masë prej materieje strange.

Hipoteza të tilla, edhe kur vijnë prej fizikantësh të fushës, mbështeten mbi teori të cilat ende nuk janë provuar me rrugë eksperimentale; askush nuk e di nëse mikro-vrimat e zeza ose strangelets ekzistojnë vërtet, askush nuk i ka vrojtuar, askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë mund të ndodhë nëse objekte të tilla përftohen vërtet brenda përshpejtuesit LHC.

Tek e fundit, edhe kur do të kryhej shpërthimi i parë eksperimental i një bombe atomike në Alamogordo, New Mexico, disa fizikantë kishin shprehur dyshimin se mos ky shpërthim do të niste një reaksion zinxhir të tillë, që të çonte në shkatërrimin e mbarë planetit. Dallimi midis sot dhe atëherë është se sot përshpejtuesi LHC është protagonist në mass mediat, ndërsa atëherë për bombën atomike flitej vetëm në qarqe të ngushta e të kontrolluara ekspertësh dhe politikanësh.

Nga ana tjetër, mundësia që një eksperiment të dalë jashtë kontrolli gjithnjë ekziston; sikurse mundësia tjetër që ndonjë nga këto gabime, materiale ose të qëllimshme, të sjellë pasoja fatale për njerëzit, madje për njerëzimin mbarë.

Për shembull, gjithnjë ekziston rreziku që viruse shkaktarë sëmundjesh vdekjeprurëse dhe të pakurueshme të dalin aksidentalisht prej laboratorëve biologjikë që ruajnë dhe studiojnë agjentë të tillë patogjenë me rrezikshmëri të lartë (aksidente të tilla kanë ndodhur vërtet, p.sh. me virusin Marburg, që është i ngjashëm me virusin Ebola).

Deri edhe për agjentin e epidemisë SARS dhe virusin HIV është thënë se mund të kenë dalë, gabimisht, prej laboratorësh të tillë.

Autori i njohur Michael Crichton ka shkruar disa romane në të cilat sisteme komplekse virtualisht të përsosura, të konceptuara për të kontrolluar qenie të gjalla në kushte laboratorike kanë dështuar, për shkak se vetë ideja e kontrollit absolut ndaj formave jetësore është utopike, tepër optimiste ose thjesht e gabuar (Andromeda Strain, Jurassic Park).

Frikëra të ngjashme po qarkullojnë, kohët e fundit, në lidhje me pasojat afatgjatë të futjes së bimëve dhe të kafshëve gjenetikisht të modifikuara në ekosistemet; për të mos folur pastaj për agjentë patogjenë të rikombinuar në laborator, si armë bakteriologjike.

Nga kjo pikëpamje, pritja e ftohtë, prej publikut anembanë botës, e përshpejtuesit LHC në Gjenevë dhe lulëzimi i teorive dhe hipotezave apokaliptike në Internet dhe gjetiu shpjegohen jo aq me irracionalizmin e publikut, sesa me mungesën e kompensimit të mjaftueshëm për këtë irracionalizëm, ose të argumenteve reale se pse pikërisht duhet financuar një projekt i tillë kaq të kushtueshëm.

Shekulli XXI ka filluar nën shenjën e pesimizmit të përgjithshëm, kryesisht për shkak të problemeve që lidhen me efektin serrë, ndotjen e mjedisit, shterrimin e burimeve energjitike konvencionale, shtimin e popullsisë në planet, rrezikun e epidemive të rënda, rrezikun e terrorizmit si instrument universal shantazhi dhe manipulimi të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në një mjedis të tillë të sunduar nga ankthi, ambicjet e një grushti fizikantësh për të zbuluar bozonin Higgs dhe për të konfirmuar teoritë e tyre krejtësisht të pakuptueshme nuk bindin as entuziazmojnë më njeri.

Në librin e vet kontroversial The End of Science, John Horgan interviston një numër të madh shkencëtarësh nga më të shquarit (Francis Crick, Thomas Kuhn, Noam Chomsky, David Bohm, Karl Popper, Stephen Jay Gould, John Wheeler, Murray Gell-Mann, Richard Dawkins, Roger Penrose, Ilya Prigogine dhe Clifford Geertz, mes të tjerësh), të cilët duket se priren të besojnë që “epokës së zbulimeve të mëdha shkencore tashmë i ka ardhur fundi.”

Teza qendrore e Horgan është kundërshtuar nga shumë anë, ndonëse kur vjen fjala për fizikën moderne nuk mund të mos i jepet të drejtë atij autori, sidomos po të mbahet parasysh natyra gjithnjë e më spekulative e teorive që qarkullojnë brenda kësaj dege të dijes, si ajo e superfijeve; por edhe vështirësi të tjera metafizike, që kanë të bëjnë me ndërveprimin midis eksperimentuesit dhe eksperimentit, në nivelin e grimcave elementare.

Fizikanët, nga ana e tyre, përgjithësisht janë përpjekur ta përligjin nevojën për financime projektesh madhore, si përshpejtuesi LHC, duke argumentuar se dijes i duhet shërbyer pavarësisht nga dobitë e menjëhershme ose praktike të kërkimit shkencor; dhe se njohja e strukturës themelore të materies do të krijojë, herët a vonë, mundësi për aplikime teknologjike të drejtpërdrejta.

Megjithatë, nuk ka dyshim edhe se një pjesë e këtyre pretendimeve ndonjëherë bombastike bëhen thjesht për të maskuar arsye shumë më prozaike – të cilat lidhen drejtpërdrejt me një deformim profesional, ose me nevojën e këtyre fizikantëve për të siguruar fonde për kërkimet e tyre dhe mbijetesë për prestigjin e profesionit të tyre.

Pak ditë pas vënies paraprake në funksionim, përshpejtuesi LHC pësoi defekt të rëndë dhe doli jashtë përdorimit. U tha se riparimi i këtij defekti do të kërkojë kohë dhe se eksperimentet pritet të rifillojnë diku andej nga pranvera e vitit 2009.

Me këtë rast, megafonët e teorive të komplotit thanë se frikërat e tyre ishin konfirmuar dhe se përshpejtuesi ishte ndalur meqë eksperimentuesit ishin trembur nga ç’u kishin parë sytë; të tjerë shpjeguan se, njëlloj si në romanin Angels & Demons të Dan Brown, ishte formuar anti-materje e cila pastaj kishte “shpërthyer” – edhe pse, sipas të dhënave zyrtare, gjatë nëntë ditëve të funksionimit, në përshpejtues vetëm sa ishte qarkulluar vijueshëm një rrymë protonesh, pa u kryer ndonjë eksperiment me përplasje ose goditje grimcash super të shpejta.

Mbetet për t’u parë nëse eksperimentet do të rifillojnë ndonjëherë vërtet; sikurse mbetet për t’u sqaruar nëse pajisja shumëbilionëshe do të përdoret ndonjëherë për qëllime ushtarake, ose për të eksperimentuar dhe përftuar lloje të reja armësh edhe më të kobshme se këto të sotmet.

Me përkufizim, sekrete të tilla nuk merren vesh kurrë, përveçse kur nuk janë më sekrete – në një kohë që paranojës i mjaftojnë edhe copëza të vërtetash për të mbijetuar.

Gjithsesi, shpjegimet dhe motivimet entuziaste të shumë fizikantëve të njohur në mediat, për dobinë e përshpejtuesit LHC, nuk duket të kenë arritur të kundërshtojnë si duhet përshtypjen e shumëkujt se kjo farë lodre sa madhështore aq edhe e frikshme është një krijesë artificiale e ngjashme me dinosaurët e ringjallur prej Michael Crichton-it në Jurassic Park: gjigante, antideluviane, e pakuptueshme dhe ndoshta armiqësore.

[fund]

Xha Xhai
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Dije të imagjinuara Empty Re: Dije të imagjinuara

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi