EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ufo, jashtëtokësorët, Aktet X…

Shko poshtë

Ufo, jashtëtokësorët, Aktet X… Empty Ufo, jashtëtokësorët, Aktet X…

Mesazh  Jon 12.01.10 11:48

UFO, jashtëtokësorët, Aktet X…

Ufo, jashtëtokësorët, Aktet X… Ufo-4910

Elvisi është gjallë. Ushtria amerikane po ndërton anije kozmike. Merlyn Monroe është vrarë nga familja Kennedy. Njerëzit adhurojnë teoritë e konspiracionit, të cilat në jetën e përditshme ndërlidhen me mitet më të çuditshme.

Në vitin 1959, shkrimtari amerikan, William Burroughs, u njoh në qytetin bregdetar Tanger në Maroko me kapitenin e një anijeje, me mbiemrin Clark. Clark u lavdërua për faktin se ka lundruar për 23 vjet me radhë, pa përjetuar asnjë aksident të vetëm.

Vetëm disa orë më vonë, Clark dhe ekuipazhi i tij vdesin, pas një incidenti në det të hapur. Të njëjtën mbrëmje, përderisa Borrough ishte në dhomën e tij dhe mendonte për këtë rastësi të çuditshme, në radio jepet lajmi për rrëzimin e një aeroplani në Floridë. Fluturimi kishte numrin 23. Mbiemri i pilotit: Clark.

Përvoja e Borroughs impresionoi aq shumë autorin Robert Wilson, i cili filloi të merret me numrin 23, duke e tërhequr një sistem global përreth këtij numri: jeta e njeriut fillon me nga 23 kromozomet e babait dhe të nënës, të cilat bashkohen. Dhe përfundon me psalmin 23, i cili lexohet gjatë varrimit. Hitleri thuhet se i është bashkuar në vitin 1923 vëllazërisë së fshehtë Vril. Bonnie dhe Clyde janë vrarë më 23 maj nga ana e policisë.

Wilson has në vazhdimësi në numrin 23. Së bashku me Robert Shean, Wilson në vitet e ‘70 shkruan trilogjinë “Illuminatus”, në të cilën numri 23 paraqitet si çelës i komplotit global nga ana e vëllazërisë së fshehtë, “Illuminatëve”- duke ndihmuar kështu lindjen e miteve më këmbëngulëse të epokës sonë.

Gati katër dekada më vonë, ende mbahet gjallë enigma që ndërlidhet me numrin 23, nëpërmjet të shfaqjeve në teatër dhe xhirimit të filmave.
Një nga teoritë më të njohura të konspiracionit është ajo, e cila ndërlidhet me zbulimin e “fytyrës së njeriut” në planetin Mars, në vitin 1976. Anija kozmike Viking I fotografoi atëbotë një formacion të gurëve, i cili i ngjasonte fytyrës së njeriut. Pasuan menjëherë raportet anembanë botës, në të cilat spekulohej për një civilizim të jashtëtokësorëve, i cili është mbajtur i fshehtë.

Sikur edhe në rastin e numrit 23, edhe miti i fytyrës së njeriut në Mars, u rezistoi të gjitha përpjekjeve për të shpjeguar këtë dukuri. Madje edhe pas fotografimeve të reja, të bëra në vitin 2001, të cilat dëshmuan se vërtet bëhet fjalë për një formacion të shkëmbinjve, legjenda për “fytyrën e njeriut” në Mars mbeti gjallë.

“Që nga fillimi i epokës së qartësimit, bota është bërë më racionale. Mitet dhe religjionet e kanë humbur ndikimin e tyre”, shpjegon historiani Dieter Groh, nga Universiteti i Konstanzes, afinitetin mes argëtimit dhe teorive të konspiracionit.

“Por me këtë, bota e ka humbur magjinë”, shton ai.

Gjatë stuhive, asnjë njeri nuk ngre me frikë shikimin kah qielli, për të shikuar rrufetë si tërbim të perëndisë Thor. Njerëzit e dinë se bëhet fjalë për shkarkim elektrostatik, i cili matet me Amper. Njerëzit po kuptojnë gjithnjë e më shumë, por edhe më tutje e kërkojnë të pashpjegueshmen. Dhe magjinë e këtillë e ofrojnë teoritë e konspiracionit.

“Dëshiroj të besoj”. Nuk është rastësi se pikërisht ky mbishkrim gjendet i varur prapa tavolinës së gjuetarit më të njohur në media të fshehtësive në shekullin XX: në mbi 200 episode agjenti i FBI-së, Fox Mulder, u vu në kërkim të rasteve më të pabesueshme në serinë “Aktet X”. Në këtë serial u ricikluan teoritë më të pabesueshme të konspiracionit, duke filluar nga projektet për hulumtimin e teknologjisë së jashtëtokësorëve në zonën e ndaluar ushtarake, “Area 51”, e deri te rrëmbimi i njerëzve nga jashtëtokësoret. U trajtuan edhe mitet mesjetare, duke filluar nga vampirët, e madje deri te vetë djalli. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm dhe pasoi xhirimi i shumë serive të tjera me përmbajtje të ngjashme.

Në thelb, teoritë e konspiracionit jetojnë falë një paradoksi: ato duhet të mbështjellin një ngjarje me velon e fshehtësisë, duke mos ofruar njëkohësisht shpjegim.

Sa herë që nuk ekzistojnë shpjegime të qarta për ngjarjet e ndryshme botërore, menjëherë dalin ata që mbështesin teoritë e konspiracionit, për të mbushur vrimën në mënyrë kreative: Atentati kundër John F. Kennedyt? Një komplot i mafisë, me bashkëpunimin e CIA-s, Fidel Castros dhe të zëvendëspresidentit amerikan, Lyndon Johnson. Vdekja aksidentale e princeshës Diana? Një atentat, me urdhrin e familjes mbretërore të Britanisë. Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001? Një komplot i administratës së SHBA-së për të legjitimuar luftën në Irak.

“Teoritë e konspiracionit janë një instrument për reduktimin e kompleksit. Ato janë një fije, për të cilën mbahen njerëzit në botën gjithnjë e më të paparashikueshme, për të gjetur shpjegime të thjeshta për atë që ndodh përreth tyre”, nënvizon historiani Groh.

(Der Spiegel)
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi