EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Magjia - nga njëbrirëshi, tek Harry Potter-i

Shko poshtë

Magjia - Magjia - nga njëbrirëshi, tek Harry Potter-i Empty Magjia - nga njëbrirëshi, tek Harry Potter-i

Mesazh  Siroco 19.06.15 20:01

Magjia - Magjia - nga njëbrirëshi, tek Harry Potter-i Pc4p10

Mendimi magjik është i pranishëm në të gjithë legjendat e të gjithë kulturave, në rrëfimet e transmetuar gojarisht që nga këngët afrikane ashtu edhe në letërsinë e shkruar perëndimore. Eshtë një konstante e njerëzimit. Për shembull, tek Odiseja, magjistarja Circe transformon shokët e Uliksit, heroit kulturor të botës antike, në derra. Në letërsinë latine është i riu Lucio që transformohet në kafshë, në një gomar: ndodh tek Gomari i Artë i Lucio Apuleio, ku magjia është qendrore në të gjithë veprën, e njohur gjithashtu si Metamorfoza. I mbërritur në Hypata, në Thesali dhe i interesuar për dramën e mistereve dhe shtriganisë që ekziston në qytet, protagonisti, Lucio, arrin që të marrë pjesë fshehurazi në një prej mbledhjeve në të cilat fisniku Panfile transformohet në një buf. Bind shërbëtoren Fotide që të eksperimentojë edhe mbi të magjinë, por ajo gabon dhe Lucio transformohet në gomar.


Veshët hapur

Gomari Lucio jeton shumë peripeci, por ruan të gjithë kapacitetet arsyetues të një njeriu, që kur e grabisin brigantët dhe deri kur arrin të rishndërrohet në qenie njerëzore. Dhe në pozicionin e gomarit arrin që të shohë e kuptojë gjithçka mbi virtytet dhe dobësitë e qenieve nejrëzore. Edhe në letërsinë hebraike magjia ka patur rolin e saj. Një shembull për të gjithë është figura e mbretit Solomon, dijetar i madh dhe ekspert në artet e magjisë, i cili zotëronte edhe një unazë që shërbente për të folur me kafshët.
Në mesjetë ishin shumë të përhapur rrëfimet për kafshë fantastike si njëbrirëshi dhe dragionjtë. Shumë popullor edhe mes myslimanëve u bë Shën Xhorxhi, për shkak të legjendës që e shihte atë fitues mbi një dragua të tmerrshëm.


Magjistarë dhe shamanë

Magjepsja e magjisë, edhe në letërsi ka qenë gjithmonë e fuqishme. Dhe arsyeja qëndron në funksionin që ngjarjet magjike kanë patur në historinë tonë. Objekte që bëhen frymorë, shpendë dhe kafshë, të vërtetë dhe fantastikë, sjellin në vëmendje edhe marrëdhënien e njerëzve me gjërat dhe speciet e natyrës. Na rilidhin me një të kaluar “animiste”, në të cilën kafshët dhe fenomenet natyrorë ishin të dominuar nga shpirtëra me të cilët shamanët flisnin, krijonin aleanca dhe hynin në konflikte, me shpresën për të mundur t’i kontrollonin. Shembulli më i famshëm është ndoshta Merlini, figurë qendrore e ciklit narrativ Breton. Mbreti Artur thuhet të ketë lindur pikërisht falë magjisë së tij dhe ka qenë Merlini që e ka udhëzuar të riun deri në marrjen e fronit. Burimet mesjetarë – më i njohuri është Goffredi i Monmouthit (gjysma e parë e shekullit XII) – paraqesin megjithatë një Merlin të ndryshëm nga versioni i gjyshit të mirë që është përhapur për shkak të filmit “Shpata në gur” i Walt Disneyt: e përshkruajnë si një përllogaritës të trazuar, misterioz, pakëz i keq. Edhe Edda, vepër e realizuar nga historiani irlandez Snorri Sturluson diku rreth vitit 1220, është më se e qartë në këtë drejtim: perëndia nordik Odin paraqitet si Zoti i poezisë por edhe i magjisë. Dhe në Afrikë, historitë e perandorëve si Shaka Zulu, në krye të një prej mbretërive më të mëdha të njerëzve me ngjyrë, janë të lidhura me praninë e magjistareve dhe hyjnive. Në epopenë e Sundjatës, për shembull, mbreti i parë i perandorisë së Malit, ka shumë përbërës magjikë.


Llampa dhe xhindë

Por magjia në letërsi ka edhe një funksion tjetër: në planin psikologjik, në fakt, rrëfimet magjikë janë një mjet i fuqishëm i sublimimit të realitetit. Ata lejojnë, ashtu si në rastin e përrallës antike Hirushja, rrëfyer dhe botuar nga Charles Perrault dhe nga vëllezërit Grimm, një shpagim duke përmbysur me anë të magjisë situata varfërie dhe padrejtësi të pësuara. Mundësojnë ndryshime të shpejtë të kushteve personale dhe jo vetëm. Nëpër përralla, është shpesh herë magjia që lejon që peripecitë e protagonistëve të përfundojnë “dhe ata jetuan të lumtur e të gëzuar”. Nëpër përalla gjejmë shpesh herë versionin e protagonistit që pëson një kthesë për keq të fatit dhe që tek magjia gjen një ndihmë për të rivendosur drejtësi si dhe ekuilibrin personal të vetin dhe të njerëzve të dashur. Falë magjisë, të mirët fitojnë kundër të këqinjve, dhe jo vetëm në letërsinë perëndimore.
Një shembull gjendet tek Një Mijë e Një net, një përmbledhje rrëfenjash orientale të shekullit X, që përfshin edhe “Aladinin dhe llampën e mrekullueshme”. Në rrëfim, Aladini bindet nga një magjistar i Maghrebit, i cili hiqet si vëllai i babait të vdekur, që ta ndjekë pas. Me një të rënë, magjistari bën që të hapet toka. Nën të ka një thesar. Aladinit i kërkohet të marrë një llampë me vaj dhe ai braktiset aty. Por heroit i shfaqet xhindi i famshëm. I cili i ndërton një pallat të mrekullueshëm për Aladinin dhe bijën e perandorit. Por, me anë të një hileje, magjistari shtie në duar llampën dhe e transferon pallatin në Afrikë. Por i ndihmuar nga xhindi i unazës, Aladini e gjen dhe e vret. Më pas, si gjithmonë, jeton i lumtur me gruan e tij.


Njerka dhe zana

Magjitë që rrëfehen këtu respektojnë skemën dhe funksionet e studiuara në strukturat e përrallave nga linguisti dhe antropologu rus Vladimir Propp: ekuilibri fillestar i protagonistit, Aladinit, prishet nga një hero i rremë (magjistari i Maghrebit) i cili përdor mashtrimin dhe shndërrohet në antagonist; dhurata magjike ndihmon heroin që të çojë deri në fund misionin. Ekuilibri rivendoset dhe për heroin ka dhe një çmim të mrekullueshëm, që është bija e perandorit. Edhe në përrallat e Vëllezërve Grimm, që ripërpunojnë rrëfimet e traditës popullore gjermane, Propp ka dalluar të njëjtat skema: Borëbardha, Hansel dhe Gretel, Hirushja, Princi Bretk janë të mbushur me elementë magjikë. Dhe Carlo Collodi mbështetet tek një zanë dhe tek magjia me buratinin e tij, Pinokun.


Role të përcaktuar

Mes personazheve që Propp pikasi si të pranishëm në konstantet universale të përrallave, magjistarët dhe zanat mbulojnë rolet e “lajmëtarëve” dhe “dhuruesve” që japin këshilla si përshembull zanat e përrallave e që i japin heroit protagonist që do të triumfojë në sipërmarrjen e vështirë, instrumenta magjikë të dobishëm për qëllimin. Magjia shfaqet në funksionet e Propp si për shembull në formën e kurthit (antagonisti përpiqet që të mashtrojë heroin, duke u transformuar në një plakë si në rastine  njerkës tek Borëbardha), të dëmtimit (bukuroshja e fjetur e pëson për shkak të mallkimit të një shtrige), dhuratës (dhuruesi ia jep objektin magjik heroit), apo ndryshimit fizik (heroi merr pamje të reja si Pinoku, Hirushja, Princi Bretk apo Bisha tek e Bukura dhe Bisha).
Përbërësit magjikë janë kaq shumë të kolauduar në letërsi, kaq efikasë për goditjen e nënvetëdijes kolektive, saqë libra si Zoti i Unazave dhe e gjithë seria e Harry Potter kanë qenë në vitet e fundit bestsellera që kanë shitur miliona kopje si dhe filma me një sukses të jashtëzakonshëm. E gjithë kjo për meritë të fuqisë së mendimit magjik i cili, nga njëri mendim racional tek tjetri, arrin që të mbijetojë brenda nesh.

Focus
Siroco
Siroco

Unë e dëgjoj këngën e zogut jo për zërin e tij, por per heshtjen që vjen pas.


201


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi