Zoti, debati i përjetshëm për misterin e fundit

Shko poshtë

Zoti, debati i përjetshëm për misterin e fundit Empty Zoti, debati i përjetshëm për misterin e fundit

Mesazh  Luli prej 18.01.15 13:52

Zoti, debati i përjetshëm për misterin e fundit God

Për mijëra vjet, filozofë, matematicienë dhe figura fetare janë munduar me pyetjen nëse është e mundur të dish një herë e mirë a ekziston një gjë si “Zoti”. Dhe nëse po, çfarë forme duhet të ketë Ai? Në kërkim të zbulimit të misterit të fundit

Robert Matthews


Mund të jetë pyetja më e diskutueshme që është bërë ndonjëherë. Edhe pas mijëvjeçarësh me debate, pyetja nëse Zoti ekziston nuk e ka humbur aspak fuqinë për të provokuar. Stephen Hawking shkaktoi një skandal të madh ndërkombëtar kur pretendoi në librin e tij të fundit “The Grand Design” se shkenca e kish bërë Zotin të tepërt.

Ateistët mund ta shohin këtë si një surprizë jo shumë të madhe, por për të krishterët e devotshëm, deklarata të tilla mund të jenë thellësisht provokuese. Në fund të fundit, ata janë të sigurtë se e dinë që Zoti ekziston – edhe pse nuk mund ta thonë saktësisht se si. Dhe për fondamentalistët, vetë akti i vënies së një pikëpyetjeje mbi ekzistencën e Zotit mund të jetë blasfemi.

Përballë debateve të tillë në dukje të pafund, disa teologë kanë kërkuar mënyra të padiskutueshme për të demonstruar një herë e mirë ekzistencën e Zotit. Ndoshta më e famshmja u bë shumë popullore prej teologut anglez William Paley, i cili në vitin 1802 imagjinoi të gjente një orë dore gjatë një shëtitjeje në një shqopishtë. Paley argumentoi se, ashtu si ndërlikueshmëria e orës tregonte projektimin e saj nga një dizenjator, kompleksiteti i madh i – le të themi – syrit, duhet të merret si provë e një krijuesi – domethënë Zotit.

Edhe përpara Paleyt, kritikët e këtij të ashtuquajturi Argument Teologjik kanë nxjerrë në pah shembuj të shumtë të projekteve më pak se të mrekullueshëm në natyrë që duket se argumentojnë kundër ekzistencës së një krijuesi të vetëm dhe të gjithëpushtetshëm. Megjithatë, argumenti vazhdon të jetojë në formën e Intelligent Design Theory (IDT), sipas të cilës disa tipare të krijesave të gjalla gjykohen si thjeshtë shumë të pamundura për t’u shpjeguar vetëm prej evolucionit. Megjithatë, skeptikët thonë se IDT bie në të njëjtin kurth si Paley, duke pranuar se kompleksiteti është një shenjë e padiskutueshme e projektit.

Veç kësaj, ndërkohë që shkenca mund të përpiqet dhe mundohet shumë tani për të shpjeguar disa prej mrekullive të natyrës, kjo nuk do të thotë se nuk do të arrijë asnjëherë.

Megjithatë, përgjatë shekujve, disa teologë kanë eksploruar një qasje më radikale për ekzistencën e Zotit – një qasje që, të paktën në parim, do të detyronte pranimin përmes një prove matematikore. Në këtë pikë, teologëve u janë bashkuar filozofë, të gjithë të intriguar nga mundësia për gjetjen e një prove përfundimtare për ekzistencën e Zotit.


Argument ontologjik

Mundësia për gjetjen ndonjëherë të një prove logjike të ekzistencës së Zotit u shfaq pothuajse një mijë vjet më parë, në veprën e akademikut dhe klerikut Shën Anselm, i lindur në Alpe. Në viti 1078 ai botoi versionin e parë të një prove të tillë – i ashtuquajturi Argumenti Ontologjik (nga fjala greke “ontos” që do të thotë “ekzistencë”).

Shën Anselm e përcaktonte Zotin si ekzistencën supreme, madhështia e të cilës nuk mund të kapërcejë diçka të përfytyrueshme prej qenieve njerëzore. Më pas, ai argumentoi që një qenie supreme që në fakt ekziston duhet të konsiderohet më e madhe se sa një që thjeshtë ekziston në mendjen tonë. Si i tillë, i fundmi në qeniet supreme nuk mund të jetë imagjinar, por duhet të ekzistojë vërtetë. Si rrjedhim ne duhet të konkludojmë që Zoti ekziston, thoshte Shën Anselm, duke shtuar se kushdo që mendon se qenia më supreme ekziston vetëm në mendje nuk mund të jetë duke menduar për Zotin, për definicion.

Argumenti i Shën Anselmit shkaktoi një debat të madh që vazhdon edhe sot. Në kohën e tij, ai shkaktoi një kundër-argument, bazuar në idenë e një “Ishulli të Përsosur”, që kritikët e Shën Anselmit pretendonin se duhej të ekzistonte thjeshtë sepse një që ekziston është “më i përsosur” se sa një që nuk ekziston. Shën Anselmi kundërgoditi duke thënë se parodi të tilla bien në kurthin e paraqitjes së Zotit si thjeshtë një qenie “tjetër” e madhe, dhe jo si më e madhja.

Sot, shumë filozofë argumentojnë se argumenti i Shën Anselmit thjeshtë nuk është i saktë sa duhet për atë që pretendon të vërtetojë. Kjo i ka bërë disa filozofë që të kthehen nga logjika moderne matematikore, në kërkimin për përgjigje më të qarta.

Logjika klasike, shpikur nga filozofi i lashtë grek Aristoteli rreth vitit 350 para Krishtit vlerëson thjeshtë vërtetësinë apo pavërtetësinë e argumentave. Por gjatë shekullit 20, logjikanët e shtrinë fushëveprimin e saj në një sërë formash, një prej të cilave – e njohur si logjika modale S5 – çon në një teoremë me pasoja intriguese. E emërtuar sipas të ashtuquajturës Aksioma S5, kjo formë logjike modale thotë se mundësia që një pohim të jetë domosdoshmërisht i vërtetë mjafton për të siguruar që ai realisht është domosdoshmërisht i vërtetë. Pohimi mund të jetë çdo gjë – duke përfshirë dhe idenë që Zoti ekziston. Me fjalë të tjera, sipas logjikës modale S5, çdokush që pranon se ekzistenca e Zotit është e domosdoshme, duhet që si rrjedhim të pranojë ekzistencën e Zotit.

Jo për çudi, ky rezultat – i quajtur Argumenti Ontologjik Modal – ka rezultuar jo më pak kontrovers se sa origjinali i Shën Anselmit. Disa filozofë, si Alvin Plantinga, Profesor i Filozofisë në Universitetin e Notre Dame, Indiana, thekson se shumë prej atyre që nuk besojnë në Zot as nuk e pranojnë premisën më të dobët të thjeshtë mundësisë që Zoti ekziston. Dhe pa këtë, Argumenti Ontologjik Modal është i kotë.


Çfarë është ekzistenca?

Edhe kështu, argumenti e nxjerr në pah rëndësinë e përcaktimit të kuptimit të “ekzistencës” – dhe ky është një problem i vështirë. Në fund të fundit, ne të gjithë mund të pranojmë që tryezat dhe karriket realisht ekzistojnë, po çfarë mund të themi për njëbrirëshit, për numrat apo për bukurinë?

Në vitin 2002, filozofi Dale Jacquette, tani në Universitetin e Bernës në Zvicër parashtroi një definicion të ekzistencës që ai beson se i shkon në thelb problemit. Ai argumenton se mund të thuhet se diçka ekziston nëse dhe vetëm nëse, totali i cilësive të pandara është konsistent dhe i plotë.

Për të parë fuqinë e kësaj qasjeje, marrim përshembull pyetjen nëse njëbrirëshit ekzistojnë. Thjeshtë fakti që nuk kemi parë një njëbrirësh nuk do të thotë që ata nuk ekzistojnë, sigurisht. Por sipas Jacquette, ka një arsye shumë më të thellë për të thënë që ata janë joekzistentë – dhe kjo sepse është e pamundur të thuash edhe nëse një njëbrirësh që nuk është parë, ka sy blu apo jeshilë, ka saktësisht një milion fije në bishtin e vet apo një sërë karakteristikash të tjera të mundshme.

Me fjalë të tjera – dhe në kundërshtim me gjëra që ekzistojnë – lista e cilësive të pandara që mendohet të përcaktojnë një njëbrirësh është e paplotë. Dhe kjo, thotë Jacquette, mjafton për të thënë se kjo bishë mitike vërtetë nuk ekziston në ndonjë kuptim të arsyeshëm të fjalës.

I njëjti test ekzistence mund të zbatohet për Zotin – dhe sipas Jacquette, rezultati është lajm i keq për besimtarët. Si me njëbrirëshit, thjeshtë fakti që Zoti nuk e ka bërë ekzistencën e tij të qartë për çdo ateist nuk mjafton për të vërtetuar që ai nuk ekziston. Edhe më serioze, thotë Jacquette, është vështirësia në qartësimin e një Zoti të gjithëpushtetshëm dhe dashamirës, me çështje si ekzistenca e djallit. Kjo tregon inkosistencë të brendshme, që sipas argumentit të Jacquette nënkupton jo thjeshtë që Zoti nuk ekziston por edhe që logjikisht nuk ekziston.


Zoti është gjithçka

Atëherë, a i ka dhënë fund logjika moderne besimit tek Zoti? Jo domosdoshmërisht. Argumenti i Jacquette mund të ketë përjashtuar pikëpamjen standarte për Zotin, por përgjatë shekujve janë parashtruar konceptime të tjerë – duke përfshirë pikëpamjen për Zotin jo si një gjë, por si gjithçka.

Ndërkohë që një koncept i tillë panteist për Zotin mund të gjendet në degët e shumë feve – sidomos Judaizëm dhe Islam – ai është mbrojtur më me bujë nga filozofi i njohur holandez i shekullit 17, Benedict de Spinoza. Qoftë edhe për faktin se ofron një përgjigje shumë të thjeshtë për pyetjen nëse Zoti ekziston – në fund të fundit, a mundet ndokush të vërë në dyshim ekzistencën e gjithçkaje që ekziston?

Një Zot i tillë është gjithashtu në një farë kuptimi suprem dhe i kudondodhur, dhe vepra e fundit nga Jacquette sugjeron që Zoti-Gjithçka i Spinozës duhet të jetë unik.

Por Jacquette dyshon që shumë besimtarë nuk do të jenë të impresionuar nga avantazhet filozofikë të këtij koncepti shumë më abstrakt për krijuesin e tyre. “Zoti panteistik i Spinozës nuk i ka të gjithë cilësitë e dashura që tradicionalisht kanë shoqëruar Zotin si një personalitet të gjithëfuqishëm, hyjnor”, thotë ai.

Ndërkohë që përpjekjet e tjera për të përdorur logjikën për të vërtetuar ekzistencën e Zotit ose janë të mangëta ose të çojnë në rezultat të kundërt, koncepti i Spinozës mund të jetë më i miri që ofrohet – të paktën nga filozofia aktuale. Por, disa kanë sfiduar vetë idenë e kërkimit për një përgjigje po/jo ndaj një pyetjeje kaq të madhe. Ndër ta është edhe fizikani britanik Stephen Unwin, i cili ka parashtruar një tjetër qasje ndaj pyetjes nëse Zoti ekziston duke shfrytëzuar ligjet e rastësisë.

Ndoshta ndihmon shumë të përcaktosh shanset për një dorë fituese në poker. Gjatë viteve tridhjetë, matematicienët nisën të mbështesin idenë se teoria e probabilitetit mund të kapë konceptet e turbullt të besimit të pjesshëm dhe të pasigurisë personale, dhe treguan se si besimet duhet të ndryshojnë në dritën e provave. Për shembull, një agnostik mendjehapur mund t’i vendosë në 50:50 shanset e ekzistencës së Zotit, ndërkohë që ateistët do të jepnin raporte shumë më të ndryshëm.

Sipas Unwin, aftësia për të kapur hije të tilla besimi i jep probabilitetit një avantazh të rëndësishëm ndaj logjikës së pasigurisë, e cila duhet të përzgjedhë mes besimit dhe pavërtetësisë. “Në këndvështrimin tim, asnjë prej pjesëmarrësve të zëshëm në debatin për Zotin nuk përfaqësojnë qëndrimin më racional ndaj kësaj çështjeje – atë të pasigurisë”.

Më mirë akoma, thotë Unwin, këta nivele besimi nuk ka nevojë të skaliten në gur por mund të modifikohen sipas provave të reja pro dhe kundra duke përdorur një rezultat në teorinë e probabilitetit të quajtur Teorema e Bajesit. Në librin e tij “Probabiliteti i Zotit” Unwin tregon se si çdokush mund të përdorë këtë teoremë për të përforcuar besimin e vet personal e racional, në dritën e provave si shpeshtësia e fatkeqësive apo dëshmitë për mrekullira.

Më e pakta, vazhdon ai, kjo qasje detyron si besimtarët edhe skeptikët që të ekzaminojnë më nga afër besimin e tyre. Megjithatë, gjatë studimit të tij, ai zbuloi se fondamentalistët e të dy krahëve nuk janë të impresionuar nga mungesa e një përgjigjeje të qartë. “Më ka dhënë një vlerësim të mungesës së popullaritetit që ka pasiguria kur vjen fjala për çështjet e Zotit”.


Provë e shenjtë

Megjithatë, nëse ka një konkluzion që duhet të nxirret nga kërkimi mijëra vjeçar për provën e padiskutueshme që Zoti ekziston, ky është se një provë e tillë duket e paarritshme. Edhe prova në dukje rigoroze kanë patur të çara që në çdo rast i kanë vënë ato në diskutim dhe kanë ndezur edhe më shumë debatin. Pavarësisht shekujve të tërë përpjekje të pandalshme, edhe argumentat më të sofistikuar nuk kanë qenë në gjendje t’i shpëtojnë kërkesës së lashtë të çdo feje: besimit.



A është Zoti gjithçka?

Për disa, pyetja nëse Zoti ekziston është ekuivalente me pyetjen nëse “ka diçka atje tej”, që kujdeset për ta. Përgjigja e pyetjes kërkon pastaj të mundohesh me pyetje të tjera, si për shembull, përse një Zot i dashur lejon tmerre të tillë si Holokausti. Por për të tjerë, thjeshtë nuk ka kuptim të pyesësh nëse Zoti ekziston – ata e shohin Zotin si tërësinë e Krijimit.

I njohur si Panteizëm, ky këndvështrim gjithëpërfshirës për Zotin mund të gjendet në hinduizëm si dhe në disa degë të Judaizmit, Islamit dhe Kristianizmit.

Megjithatë, ndërkohë që Panteizmi i jep përgjigje pyetjes nëse Zoti ekziston, fakti që e shkrin Zotin me Krijesën e tij ka shkaktuar kundërshti të ashpra nga fetë kryesore. Gjatë viteve 1650, filozofi holandez de Spinoza u dëbua nga komuniteti hebre për arsye se vuri në dyshim pikëpamjen standarte të Zotit siç përshkruhet në Bibël. Në traktatin e tij “Etika” të vitit 1677, Spinoza parashtroi një pikëpamje Panteiste për Zotin si praktikisht gjithçka. Ai besonte se kjo ishte në përputhje të plotë me pikëpamjen standarte të Zotit si unik, i pafundëm dhe shkak i gjithçkaje – pasi ka vetëm një tërësi të natyrës, që është e pafundme në shtrirje, dhe për definicion përfshin të gjithë shkaqet e mundshëm.

Ndërkohë që pikëpamjet e Spinozës u denoncuan si blasfemi nga bashkëkohësite tij, finesa dhe sofistikimi i tyre ka ndikuar që atëherë shumë mendimtarë, përfshirë Johann Wolfgang von Goethe, George Santayana dhe Albert Einstein.


A ekziston? Vini bast!

Në vitin 1656, matematicieni dhe filozofi francez Blaise Pascal filloi të paraqesë një qasje radikalisht të ndryshme ndaj misterit të ekzistencës së Zotit. Në vend që të përpiqej që të mbërrinte në një provë logjike të pakundërshtueshme, Pascal argumentonte se ka një arsye shumë më themelore për të besuar tek Zoti: është basti më i mirë.

Argumenti i Pascal niste me dy pranime tërësisht të arsyeshëm; ose Zoti ekziston, ose nuk ekziston. Dhe ne ose mund të besojmë tek Ai, ose jo. Më pas, Pascal shqyrtoi të katër mundësitë që rezultonin prej kësaj. Nëse zgjedhim të besojmë dhe Zot ekziston vërtetë, atëherë do të shkojmë në parajsë. Nga ana tjetër, nëse zgjedhim të mos besojmë në Zot dhe jemi të gabuar, atëherë jemi në telash të madh. Ndërkohë, nëse Zoti nuk ekziston atëherë të besosh apo të mos besosh, pak ndryshim ka.

Kështu që, të vendosësh çfarë të bësh do të thotë të vlerësosh mundësinë që Zoti ekziston. Por Pascal argumentonte që, ndërkohë që shpërblimi për të besuar në ekzistencën e tij është lumturia e përjetshme, atëherë ky opsion i lë pas gjithë të tjerët, pavarësisht probabilitetit që të kesh të drejtë apo jo.

Argumenti i Pascal është kritikuar sidomos për përdorimin prej tij të pafundësisë për të eleminuar të gjithë mundësitë e tjera. Një tjetër kritikë është i ashtuquajturi problem i “Shumë Zotave” që u ngrit 250 vjet më parë nga enciklopedisti i famshëm francez Denis Diderot. Le të supozojmë që besojmë në Zot dhe e nderojmë atë, për shembull, në një kishë të krishterë dhe më pas zbulojmë se duhej të kishim shkuar në një xhami. Një zgjidhje është të argumentosh se një Zot i vërtetë gjithmonë do të vlerësojë një besimtar, edhe nëse devocioni i tij ka qenë i keqorientuar. Por në fund të fundit, mbetet një bast…

/bota.al/
Luli
Luli

"Duhet bredhur shumë në errësirë derisa të preket drita"

884


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Zoti, debati i përjetshëm për misterin e fundit Empty Re: Zoti, debati i përjetshëm për misterin e fundit

Mesazh  DaniEL prej 19.01.15 1:03

Te perpiqesh te provosh ekzistencen e Zotit me ane te shkences dhe logjikes eshte njelloj si te perpiqesh te futesh te gjithe oqeanin ne nje luge
DaniEL
DaniEL

Yahushua HaMashiach është : `` Udha, e Vërteta dhe Jeta; do ta njihni të Vërtetën dhe e Vërteta do t`ju bëjë të Lirë``. Gjoni 14:6 dhe 8:32

49


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi