Thënie nga Nisargadatta Maharaj

Shko poshtë

Thënie nga Nisargadatta Maharaj Empty Thënie nga Nisargadatta Maharaj

Mesazh  gjilanasi prej 27.04.14 0:20

Thënie nga Nisargadatta Maharaj 220px-Nisargadatta_Maharaj

Nisargadatta Maharaj (17 Prill 1897 – 8 Shtator 1981), lindur Maruti Shivrampant Kambli, ishte mistik indian, guru shpirtëror e filozof i Advita (Jodualizmit).

Në 1973, publikimi i librit të tij më të famshëm I AM THAT e bëri të famshëm në gjithë botën dhe i solli ndjekës nga të katër anët e globit. “Guruja im më tha të përqendrohem vetëm në ndjenjën e “Unë Jam” dhe asgjë tjetër, duke më sjellë kthimin drejt vetes në qetësi, gjendje në të cilën isha për shumë vjet” – thotë Nisargadatta. Unë thjesht u binda, duke mos ndjekur ndonjë teknikë të veçantë meditimi, studimi apo shkrimesh të shenjta. Duket e patakt, madje tepër e thjeshtë, por funksionoi!” Nisargadatta do të thotë “falur nga natyra”, “i pafragmentuar”.

Qëllimi i spiritualitetit, thotë ai, duket të jetë njohja e vetes së vërtetë, ajo që je, duke folur për “rrugën e thjeshtë” që të çon drejt Realitetit të Fundmë. Propozoi përdorimin e aftësive mendore për tu shkëputur nga jorealja drejt reales dhe identifikimin e gënjeshtërt të mendjes me egon me anë të dëgjimit të asaj që thotë mjeshtri, e duke menduar përherë, për të kuptuar se “Ti Je Tashmë”. Fjalët e tij janë çliruar nga kuptime kulturore dhe urtia që përcjellin është thjeshtëzuar në skajshmëri nga padobishmëritë.

Si mjeshtrat Zen, Nisargadatta kishte stil të vrazhdë, provokues dhe thellësor, duke u marrë vetëm me thelbin e gjërave. Thëniet e tij lakonike e të shkurtra, por tepër të fuqishme, njihen për aftësinë e zhvendosjes, shkrehjes e çalltisjes të ndërgjegjes vetëm duke i dëgjuar ose lexuar. Libri UNË JAM TASH hapet me fjalët: “Ajo, ku strehohen gjithë qeniet, dhe që strehohet në gjithë qeniet, që i jep nur gjithçkaje, Shpirti Suprem i universit, qenia e pakufishme – Unë Jam Tash. Amritbindu Upanishad”



Kërkimtar është ai që po gjurmon veten. Hiqni dorë nga gjithë pyetjet përveç njërës: “Kush jam Unë? Fundja, i vetmi fakt që të bind është që ti je. “Unë Jam” është gjë e sigurt. “Unë jam kjo gjë” nuk është e sigurtë. Lufto të gjesh çfarë je në të vërtetë. Të kuptosh çfarë je, të duhet më parë të shqyrtosh dhe të dish se çfarë nuk je. Zbulo se gjithçka që nuk je – trup, ndjenja, mendime, kohë, hapësirë, kjo apo ajo – asgjë, konkrete apo abstrakte, të cilat mendon se janë ti. Vetë akti i dallimit tregon se nuk je ajo çfarë percepton. Sa më qartësisht të kuptosh, në nivelin mendor, se ti përshkruhesh vetëm me fjalë mohuese, aq më shpejt do të arrish në përfundimin dhe njëmendësimin se ti je qenia e pakufishme.

Ne jemi krijuesit dhe krijesat e njëri-tjetrit, shkaktojmë dhe mbajmë barrën e njëri-tjetrit.

Derisa të bëni përpjekje të stërmëdha, nuk do të bindeni se orvatjet ju çojnë drejt tanikëtushmërisë. Vetja është kaq e sigurt në vetvete sa, po nuk u dekurajua plotësisht, nuk dorëzohet. Bindja thjesht me fjalë nuk mjafton. Vetëm fakte të pakundërshtueshme mund të shfaqin asgjëshmërinë absolute të vetëimazhit.

Ju duhet vetëm një mendje e qetë. Gjithçka tjetër do të ecë ashtu siç duhet, kur t’i fusni një mendje të lehtë. Siç ngrihet dielli të lëvizë botën, ashtu ngrihet edhe vetëdijësimi të ndryshojë mendjen. Nën dritën e vetëdijes së qetë e të gatshme, energjitë e brendshme zgjohen dhe bëjnë mrekullira pa përpjekjet tuaja.

Kur nuk prisni asgjë prej botës, madje as Zotit, kur nuk doni asgjë, nuk kërkoni gjë apo prisni diçka, atëherë Gjendja Sipërore do t’ju vizitojë pa pritur e pakujtuar.

Gjithçka që një guru mund t’ju thotë është: Zotëri i dashur, ti gabohesh për veten. Nuk je personi që kujton se je!

Nuk ekziston ajo gjë që quajnë person, por vetëm frenime e kufizime. Bashkësia e këtyre emërtojnë personin, i cili mezi duket, siç duket hapësira e një poçeje bosh: formë, volum e aromë poçeje.

Të parashtrosh e shpjegosh nocione është e thjeshtë, të zhvishesh krejt prej gjithë koncepteve është e vështirë dhe e jashtëzakonshme.

S’ka gjë për të praktikuar. Njih veten, ji vetja. Që te jesh vetja ndal së imagjinuari veten sikur je ky apo ajo. Vetëm ji e lër natyrën tënde të vërtetë të shfaqet. Mos e vrini mendjen me kërkime.

Vetëdija në mua dhe vetëdija në ty, në dukje dy, por realisht një, kërkojnë unitet dhe kjo është dashuri.

Një shtëpi, në shtëpi një njeri; tani njeriu ikën dhe shtëpia shkatërrohet. Fundja, çdo përvojë që keni patur, në një ditë apo prej vitesh, janë të gjitha iluzione. Përvoja nis me njohshmërinë. Cili është zakoni më i rrënjosur që keni? Është të thoni :”Unë Jam”. Ky është vesi themelor. Fjalët dhe eksperiencat janë të kota. Vesi i të provuarit nuk do t’ju braktisë derisa të kuptoni se gjithë territori i pesë elementëve është imagjinar, ndërsa kjo “Unë Jam” është vetë realiteti.

Kënaqësia ju vë në gjumë dhe dhimbja ju zgjon. Nëse nuk doni të vuani mos flini gjumë.

Mos nënvlerësoni vëmendjen. Është interes e dashuri gjithashtu. Të njohësh, të bësh, të zbulosh apo krijosh duhet të japësh zemrën – do të thotë vëmendje. Gjithë bekimet vijnë prej saj.

Zoti nuk është vetëm i vërtetë e i mirë, por edhe i bukur. Krijon bukuri për hir të haresë. Nuk ka qëllim bukurinë – gjithçka që bën është bukuri. A thoni dot se një lule përpiqet të bëhet e bukur? Është e bukur vetë. Edhe Zoti është vetë përkryerja, jo përpjekja për përkryerje. Ndriçimi është thelbi i bukurisë.

Ju duhet vetëm të hiqni dorë nga përpjekja për të përcaktuar veten. Gjithë saktësimet vlejnë vetëm për trupin tuaj e shprehjet e tij. Kur ikën ky fiksim me trupin ktheheni në natyrën tuaj të vërtetë, vetvetiu e pa mundim.

Trupat lindin e trupat vdesin, por si është puna me mua? Trupat ikin e vijnë në vetëdije dhe vetëdija është rrënjosur në mua. Unë jam jeta, dhe të miat janë mendja e trupi.

Nuk ka gjë të keqe me idenë e trupit, as me idenë “Unë jam trupi”, por kufizimi i vetes në një trup është gabim. Në realitet gjithë ekzistenca, çdo formë është imja, brenda ndërgjegjes sime. Trupmendja është si një dhomë. Është, por nuk kam pse të jetoj aty brenda gjithë kohën.

Kur të çliroheni prej botës, atëherë mund të bëni diçka për të. Përsa kohë jeni i burgosur në të jeni të pafuqishëm për ta ndryshuar. Përkundrazi, çdo veprim që bëni përkeqëson rrethanat.

Nëse ndryshoni veten do të kuptoni se nuk ka nevojë për ndryshime të tjera. Për të ndërruar filmin nuk sulmohet ekrani i kinemasë. Qartësoni mendjen, pastroni zemrën, shenjtëroni jetën tuaj – kjo është rruga më e shpejtë për të ndryshuar botën tuaj.

Unë jetoj me kurajo, e cila është esenca ime, dashuria për jetën. Jam çliruar nga kujtimet e pritshmëritë, pa kokëçarje për çfarë jam e çfarë nuk jam. Kam kurajon të jem askush e të shoh botën siç është: asgjë. Duket e thjeshtë, provojeni! Nuk kam frikë prej ndonjë gjëje. Por më vjen keq për njeriun që ka frikë. Fundja, të lindësh, të jetosh e të vdesësh është e natyrshme, por jo të kesh frikë.

E ç’është vekja? Ndryshim i procesit të jetës në një trup të veçantë. Bashkimi ndal e nis shpërbërja. Në vdekje vetëm trupi vdes, jo jeta, vetëdija, realiteti. Dhe, jeta nuk është kurrë më e gjallë sesa pas vdekjes.

Nuk ka ringjallje pa vdekje. Edhe errësira e gjumit është rinovuese. Pa vdekje do të kukudhëronim në pleqëri të përhershme. Kur jeta dhe vdekja shihen si të nevojshme për njëra-tjetrën, si aspekte të njëqenësishme, kjo është pavdekshmëri.

Të jesh qenie e gjallë nuk është gjendja e fundme; ka diçka përtej, shumë më të mrekullueshme, e cila nuk është qenie apo mosqenie, as në jetë apo e pajetë. Është gjendje e pastër vetëdijshmërie, përtej kufizimeve kohore e hapësinore. Kur braktiset iluzioni se trupmendja është vetja, vdekja nuk është më terror, bëhet pjesë e jetës.

Njerëzit kanë frikë të vdesin sepse nuk dinë ç’është vdekja. Ai që ka vdekur para vdekjes së vet ka parë dhe di se nuk ka gjë për të pasur frikë. Çastin që zbulon veten reale nuk ke frike prej asgjëje. Vdekja të jep liri e fuqi. Lumturia e të qenit absolutisht i lirë ësht përtej çdo përshkrimi.

Po ju them si vdiq guruja i gurusë tim. Pasi tha se po i vinte fundi, ndali ushqimin pa ndryshuar veprimet e përditshme. Në ditën e 11, kur po lutej, këndonte e duartrokiste, vdiq në çast, si fikje qiriri. Të gjithë vdesin ashtu siç jetojnë. Nuk kam frikë nga vdekja sepse nuk ka frikë nga jeta. Jetoj i lumtur e vdes i lumtur. Mjerim është të lindësh, jo të vdesësh. Gjithçka varet nga këndvështrimi.

Dëshira është kujtesa e kënaqësisë dhe frika kujtesa e dhimbjes. Të dyja të ngrenë mendjen.

Gjendja e dëshirës për diçka bllokon gjithë përvojat e brendshme. Asgjë m vlerë nuk i ndodh një mendjeje që di saktësisht çfarë kërkon, pasi çdo gjë që mendja do e parashikon nuk ka vlera.

Mendja juaj projekton një strukturë dhe ju identifikoni veten me të. Është në natyrën e dëshirës të ngrejë mendjen për të krijuar një botë, ku mund të përmbushet. Edhe një dëshirë e vockël nis një sërë veprimesh, jo më një dëshirë e fortë. Dëshira prodhon univers; fuqitë e saj janë të hatashme. Siç i vë flakën një pylli madhështor veç një fije shkrepse, ashtu dëshira ndez zjarre manifestimesh.

Të ekzistosh do të thotë të jesh diçka, një gjë, ndjenjë, mendim, ide. Gjithë ekzistenca është e veçantë. Vetëm qenia është universale, në kuptimin që çdo qenie është e përshtatshme me çdo qenie tjetër. Ekzistenca ndeshet, qenia kurrë. Ekzistenca do të thotë bërje, ndryshim, lindje e vdekje, lindje përsëri, ndërsa në qenie ka qetësi të heshtur.

Njeriu është gjithmonë i lirë. Jeni të lirë e të ndërgjegjshëm të jeni të vetëdijshëm. Askush nuk mund t’ju marrë tutje këtë.

Të dëshironi një gjendje ku jeni të lirë prej dëshirës nuk ju çliron. Asgjë nuk ju çliron, sepse jeni të lirë. Thjesht shikoni veten me qartësi të padëshiruar, vetëm kaq.

Liria për të bërë çfarë të doni është skllavëri e vërtetë, ndërsa liria për të bërë atë që duhet, atë që është e drejtë, është liria e vërtetë.

Thelbi i skllavërisë është të parafytyroni veten si një proces, të keni të kaluar e të ardhme, histori. Në fakt, nuk kemi histori, nuk jemi proces, nuk zhvillohemi apo kalbemi.

Nuk e rrotullon Zoti botën, gjithçka lëviz vetë. Ti bën pyetjen dhe kthen përgjigje. E di përgjigjen që kur po pyet. Gjithçka është lojë në ndërgjegje. Gjithë ndasitë janë të gënjeshtërta.

Kur shikoni botën po shihni Zotin. Nuk ka Zot që po sheh përveç botës. Përtej botës, të shohësh Zotin është të jesh Zoti. Drita, përmes së cilës sheh botën, që është Zot, është shkëndija “Unë Jam”, kaq e vogël në dukje, por e para dhe e fundit në çdo akt njohjeje dhe dashurie.

Gjithë kjo është e përkohshme, ndërsa unë merrem me përjetësinë. Zotat dhe universet e tyre vijnë e ikin, avatarët ndjekin njëri-tjetrin në vargje pafundësie, dhe në fund ne kthehemi në burim. Flas vetëm për burimin e pakohë të gjithë zotave e universeve të tyre, të shkuara, të tashme e të ardhme.

E ç’vlerë kanë gjithë diskutimet tuaja pro apo kundër Zotit, kur nuk dini as ç’është Zoti e për çfarë po flisni.

Zoti është vetëm një ide në kokën tënde. Fakti je ti. E vetmja gjë e sigurtë që di ti është “Jam këtu e tani”. Hiq “këtu e tani” dhe “Unë Jam” ngelet e pakundërshtueshme, vetëm këtë mund të them vërtet. Është manifestimi i një shkaku më të thellë, që mund ta quani vete, Zot, Realitet apo emra të tjerë.

Vetja juaj është mësuesi i fundmë. Mësuesi i jashtëm, guruja, është thjesht gur kilometrik. Vetëm mësuesi i brendshëm ecën me ju drejt qëllimit, sepse është vetë qëllimi.

Vetë jeta është Guruja Suprem; kushtojini vëmendje mësimeve të tij e bindjuni komandave të saj. Beejni jetën tuaj shprehje të besimit tuaj e dashurisë për gurunë tuaj – kjo është streha e vërtetë me gurunë.

Ata që shpallin madhështinë dhe veçantinë e tyre nuk janë guru. Të shpallësh veten të plotfuqishëm, të gjithëdijshëm e hyjni është shenj e qartë budallallëku.

Kur shkrihemi në gjëra të tjera, jo në vetvete, harrojmë veten. Nuk ka gjë ta panatyrshme këtu, por, pse ta harrojë veten përmes lidhjeve të jashtme? Urtia qëndron në gjithëkujtesën e vetes si burimi i përhershëm i përjetuesit dhe përjetimit njëherësh.

Nëse shikoni jetën së afërmi gjeni mizori ngado, pasi jeta ushqehet me jetë. Ky është fakt, por nuk ju bën të ndiheni fajtorë që jeni gjallë. Nga pikëvështrimi i kafshës, të vritet nuk është forma më e keqe e vdekjes, madje shumë më mirë se sëmundja apo pleqëria. Mizoria qëndron në arsyet, jo në faktin. Vrasja cënon vrasësin, jo të vrarin.

Hiqni qafe gjithë standardet tradicionale dhe lëruani hipokritëve. Ajo që ju çliron nga dëshirat, idetë e gabuara e frika është e mirë. Përsakohë merakoseni për mëkatin e virtytin nuk do të gjeni paqe.

Teoritë nuk janë të sakta apo të gabuara, por vetëm përpjekje për të shpjeguar të panjohurën. Nuk ka rëndësi teoria, por rruga sesi testohet. Eksperimentoni me cilën teori të doni – nëse jeni vërtet i ndershëm e i sinqertë mbërritja në realitet do t’ju ndodhë. Sinqeriteti ju çliron, jo teoria.

Një njeri i çliruar është tmerrësisht ligjbindur, por jo ligjeve të shoqërisë – ligjeve të vetëreales. Ligjet e të tjerëve ai i vëzhgon apo thyen sipas rrethanave apo nevojave, por nuk është kurrë kapriçoz e dëmtues.

Mos i besoni mendjes çlirimin, pasi ajo ju solli në skllavëri. Shkoni përtej saj njëheremirë.

Të shohësh veten në cilindo e të gjithë në vetvete është patjetër dashuri.

Nuk ka rrëmujë në botë, përveç atij që krijon mendja juaj. Vetëkrijohet në kuptimin që, në qendër ka idenë e rreme të vetes si diçka të ndryshme e të ndarë nga gjërat e tjera.

Nuk ekziston qetësia mendore. Mendje do të thotë turbullirë, vetë shqetësimi është mendja. Vini re qetësisht sesi mendja vlon me mendime. Ndonjëherë ndal, por i rikthehet menjëherë rrëmujës.

Unë jam gjithçka e gjithçka është në mua. Të jem bota nuk më frikëson nga bota, të jem gjithçka nuk kam frikë prej asgjëje. Uji nuk ka frikë prej ujit, zjarri prej zjarrit. Është lidhja me një emër apo formë që ushqen frikën. Unë nuk jam i lidhur, jam hiç dhe hiçi nuk ka frikë prej asgjësë. Përkundrazi, çdo gjë frikësohet prej Hiçit, pasi kur gjëja prek Hiçin bëhet asgjë.

Ata që bëjnë plane do të rilinden për t’i zbatuar. Ata që nuk bëjnë plane nuk kanë nevojë të lindin.

Ta marrësh botën si reale dhe veten si joreale është injoranca e vërtetë, shkaku i brengave. Të njohësh veten si të vetmin realitet dhe gjithçka tjetër si të përkohshme është liri, paqe e hare. Shumë e thjeshtë. Në vend që të shikoni gjërat siç i imagjinoni, mësoni t’i shihni siç janë. Kur i shihni siç janë do të shikoni edhe veten ashti siç jeni. Njësoj si të pastroni një pasqyrë. E njëjta pasqyrë që ju shfaq botën siç është, do t’ju shfaqë fytyrën tuaj të vërtetë. Mendimi “Unë Jam” është copa që pastron, përdoreni!

Për sa kohë keni idenë se vetëm ç’ka formë e emër ekziston, Supremja do të t’ju duket joekzistuese. Kur të kuptoni se emrat dhe format janë guaska pa përmbajtje, dhe se realja është pa formë e pa emër, energjie pastër jete e dritë vetëdijeje, do të gjeni paqe – zhytur në qetësinë e thellë të realitet.

Bota dhe mendja janë gjendje të qeni. Supremja nuk është gjendje. Përfshin gjithë gjendjet, por nuk është gjendje e diçkaje tjetër. Është krejtësisht e pashkak, e pavarur, e vetëplotësuar, e përtejkohshme dhe e përtejhapësirshme, përtej mendjes e lëndës, e pagjurmë. Nuk ka ç’t’i njohësh. Duhet parë drejtpërdrejt, duke lënë mënjanë kërkimet për shenja apo qasje. Kur bien gjithë emrat e format, realja ngelet brenda teje, pa nevojën për kërkim. Shumëzimet dhe ndasitë janë veç lojëra të mendjes. Realiteti është një. Realiteti nuk mund të provohet apo mohohet. Me mendje nuk mundeni, përtej mendjes nuk keni nevojë. Në reale, pyetja “ç’është reale?” nuk ngrihet.

Çdo gjë ndodh gjithë kohën, por duhet të jeni gati. Gatishmëria është pjekuri. Nuk e shihni dot realitetin vetëm sepse mendja nuk është e gatshme.

Shpëtim do të thotë të shohësh gjërat ashtu siç janë.

Ata që n1ohin vetëm shkrimet e shenjta nuk dinë asgjë. Të dish është të jesh. Unë di çfarë them: nuk e kam nga leximet apo thashethemet.

Dijeni se jeni përmbi e përtej gjithçkaje e mendimeve. Ajo që doni të jeni, jeni tashmë. Mos dëshironi gjë, pasi nuk ju mungon gjë. Vetë kërkimi ju ndal nga gjetja.

Gjithë vuajtja vjen nga dëshira. Dashuria e vërtetë nuk dështon kurrë, dashuria është gjendje të qeni. Seksi është energji. Dashuria është e urtë, seksi i verbër. Kur natyra e vërtetë e dashurisë dhe seksit kuptohet nuk do të ketë më konflikt apo pështjellim.

Mëkati dhe virtyti janë për personin. Pa një të tillë çfarë shtë mëkati apo virtyti. Në nivelin absolut nuk ka persona; oqeani i vetëdijshëm nuk është mëkatar apo i virtytshëm. Këto janë pafundësisht relative.

Sidoqë ta quani: vullnet apo qëndrim i njëtrajtshëm, fiksim i mendjes, ju riktheheni në sinqeritet, ndershmëri. Jemi qenie të ndërlikuara, në luftë së brendshmi e së jashtmi. Kundërshtojmë veten gjithë kohën dhe zhbëjmë sot punën e djeshme. Nuk është çudi që jemi bllokuar. Pak ndershmëri do të bënte ndryshim të madh.

Përktheu Arben Orhani
gjilanasi
gjilanasi

384


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi