Dashuria për jetën: Kush është njeriu?

Shko poshtë

kush - Dashuria për jetën: Kush është njeriu? Empty Dashuria për jetën: Kush është njeriu?

Mesazh  Jon prej 18.08.09 17:20

Dashuria për jetën: Kush është njeriu?

Pyetja: “Kush është njeriu?“, të çon menjëherë në thelbin e çdo problematike. Nga ana tjetër, nëse njeriu do të ishte send, do mund të pyesnim çfarë është, do mund të përkufizohej siç bëhet zakonisht me një objekt natyral apo prodhim industrial.

Por njeriu nuk është send dhe as nuk mund të përkufizohet si i tillë, paçka se shumë shpesh shikohet si i tillë. Për të thuhet se është punëtor, drejtor, mjek, etj, por duke bërë kështu kufizohemi në paraqitjen e funksionit të tij shoqëror; me fjalë të tjera, njeriu përkufizohet simbas pozicionit që ka në gjirin e shoqërisë.

Por njeriu nuk është send, përkundrazi një qenie e gjallë e përfshirë në një proces të përjetshëm zhvillimi. E në çdo çast të ekzistencës së tij nuk është çka do mund të ishte apo me gjasë çka do të bëhet.

Njeriu nuk mund të përkufizohet si një tryezë apo një sahat; e nga ana tjetër nuk është krejtësisht i papërkufizueshëm. Për të mund të thuhet diçka më tepër se fakti që s’është send porse një proces i gjallë. Aspekti themelor, në shërbim të një përkufizimi, është që njeriu mund të shtyhet me mendim përtej cakut të plotësimit së nevojave të veta. Për të mendimi, në kundërshtim me atë që ndodh tek shtaza, nuk është vetëm mjet për të siguruar gjërat që dëshiron, por dhe një mjet për të zbuluar realitetin e qenies së vet e të botës që e rrethon, pavarësisht nga preferencat apo neveritë.

Me fjalë të tjera, njeriu nuk është i pajisur vetëm me inteligjencë, si shtaza, por edhe me arsye e cila i jep mundësinë të njohë të vërtetën. E nëse njeriu lejon të udhëhiqet nga arsyeja, vepron në të mirë të tij si në kuptimin material ashtu edhe në atë shpirtëror.

Megjithatë, përvoja na mëson se shumë njerëz, të verbuar nga lakmia dhe krenia, nuk veprojnë simbas arsyes në jetën e tyre private. Më keq akoma: kombet veprojnë edhe me më me pak arsye, sepse demagogët e luajnë lojën me qytetarët dhe arrijnë t’i bëjnë të harrojnë se, nëse ndjekin këshillat, dënojnë me shkatërrim polisi-n dhe dhe tërë botën.

Shumë njerëz kanë shkuar në humbje, sepse nuk kanë qenë të aftë t’i heqin qafe pasionet e paarsyeshme që ua kushtëzonin veprimet, e sepse janë treguar të paaftë të lejonin që t’i udhëhiqte arsyeja. E në këtë pikë qëndronte edhe detyra e madhe e profetëve të Beslidhjes së Vjetër. Ata nuk parashikonin të ardhmen, siç mendohet se bëjnë profetët zakonisht, por shpallnin të vërtetën, e kësisoj në mënyrë të drejtpërdrejt tërhiqnin vëmendjen mbi pasojat e ardhme të veprimeve të tanishme të popullit.

Duke qenë se njeriu nuk është një send që në njëfare kuptimi mund të përshkruhet nga jashtë, mund të përkufizohet vetëm duke u nisur nga përvoja vetiake e qënies së tij. Mbasi që, pyetja “Kush është njeriu“ të çon menjëherë në një tjetër pyetje: “Kush jam unë?“. E, nëse nuk dua të bie në gabimin e të trajtuarit të njeriut si send, përgjigja mund të tingëllojë vetëm: jam një njeri.

Por pjesa më e madhe e njerëzve të tjerë nuk e kanë eksperimentuar këtë identitet: krijojnë një mijë shëmbëlltyra iluzive rreth vetvetes, rreth cilësive të tyre, rreth identitetit të tyre. E ngandonjëherë ndodh të përgjigjen: “Jam mësues“, “Jam punëtor“, “Jam mjek“; por ky informacion mbi aktivitetin e një individi nuk na thotë kurrgjë rreth atij vetë, e nuk përbën kurrfarë përgjigjeje për pyetjen “Kush është ai?“, “Kush jam unë?“.

E këtu ngre krye një vështirësi tjetër. Nën profilin shoqëror, moral, psikologjik, etj, secili ndjek një synim të përpiktë. Kur, dhe si mund ta di se qëllimi që tjetri i ka vënë vetes përbën një orientim përfundimtar, apo nëse tjetri mund të ndërrojë rrugë nën ndikimin e përvojave përcaktuese? A ka në njeriun ndonjë pikë të palëvizshme të atillë që, mbasi ta kemi vlerësuar mirë situatën, të mund të pohojmë se është ky dhe s’do të jetë kurrë ndryshe? Me terma statistike, ka gjasa të jetë e mundur ta pohojmë këtë në lidhje me shumë individë; por a mund të thuhet për gjithkënd, e secili të mund ta thotë për vetveten, ditën e vdekjes, se do të mund të ishte ndryshe nëse do të kishte rrojtur më gjatë?

Njeriu mund të përkufizohet edhe në mënyrë tjetër. Ato që e kushtëzojnë janë dy lloj pasionesh e shtysash, njëri me origjinë biologjike, e përgjithësisht i njëllojtë tek të gjithë individët. Ai përmban nevojën e mbijetesës, pra edhe atë të shuajtjes së urisë dhe etjes, të mbrojtjes, të një forme të strukturës shoqërore e edhe të seksualitetit, sadoqë kjo në një masë shtytëse mjaftë më të pakët. Pasionet e llojit tjetër nuk kanë rrënjë biologjike e nuk janë të njëllojta tek të gjithë individët. Rrjedhin nga struktura shoqërore të llojeve të ndryshme, e midis tyre numërojmë dashurinë, miqësinë, solidaritetin, zilinë, urrejtjen, xhelozinë, aftësinë konkurruese, lakminë për pronë, etj.

Sa i takon urrejtjes, duhet të bëjmë dallimin midis urrejtjes kundërvepruese dhe endogjene, koncepte të cilat i përdor sipas shembullit të depresionit endogjen përkundrejt depresionit kundërveprues. Urrejtja kundërvepruese është kundërveprim ndaj një sulmi, apo kërcënimi ndaj vetes sonë ose grupit, urrejtje e cila, për më tepër zhduket me të reshtur rreziku. Urrejtja endogjene është tipar karakterial: një individ i frymëzuar nga një urrejtje e tillë, është vazhdimisht në kërkim të mundësive për ta shfryrë.

Ndryshe nga pasionet me origjinë biologjike, ato që kanë origjinë shoqërore janë prodhim i strukturave shoqërore të çastit. Në një shoqëri ku një pakicë shfrytëzuese ushtron sundim mbi një shumicë të varfër e frikacake, do të ketë urrejtje nga të dy kahjet. Që të shfrytëzuarit urrejnë, kjo është e natyrshme; sa i takon pakicës sunduese, ajo urren nga frika e hakmarrjes së të shtypurve, por edhe sepse duhet t’i urrejë masat për të këndirrur ndjenjën e tyre të fajit e për të vërtetuar ligjshmërinë e qëndrimit të tyre shtypës. Urrejtja nuk mund të zhduket përsa kohë mungojnë drejtësia dhe barazia; në të njëjtën mënyrë nuk ka të vërtetë përsa kohë duhet gënjyer për të justifikuar dhunimin e parimeve të barazisë e drejtësisë.

Ka nga ata që pohojnë se parimet në fjalë janë ideologji të zhvilluara në vazhdën e historisë e që nuk u përkasin trashëgimisë themelore të njeriut. Ky është një opinion të cilin nuk mund ta kundërshtoj deri në fund brënda kësaj bisede, por megjithatë do nënvizuar se qëniet njerëzore janë të pajisur brënda zemrës së tyre me një ndjenjë barazie dhe drejtësie, dhe kjo vihet re nga sedra që tregojnë kur një grup kundërshtar shkel parimet e njëjta.

Ndjeshmëria dhe vetëdija njerëzore nuk spikat kurrë aq qartë sa në kundërveprimin që shumica e njerëzve shfaq gjer dhe ndaj dhunimeve të vogla të drejtësisë e të barazisë, por vetëkuptohet, me kushtin që të mos jenë ata vetë fajtorët. Ndodh kështu që ndërgjegja të fitojë zë veçanërisht kumbues në akuzat e hedhura nga një grup nacional kundër armiqve të vet. Nëse njerëzit nuk do të ishin të pajisur me një ndjenjë morale natyrale, si shpjegohet që ngrejnë krye me dhunë pasionale atëherë kur, gabimisht apo me të drejtë, vihen në dijeni rreth veprimeve mizore që mendohet të jenë kryer nga armiku?

Një tjetër përkufizim e shikon te njeriu një qenie të gjallë në të cilën príja instinktive e veprimit do mund të zvogëlohej në masë minimale. Padyshim, në njeriun janë të pranishme mbeturina shtysash instinktive, si uria e seksualiteti; por vetëm kur mbijetesa e tij dhe e bashkësisë vihet në rrezik, individi lejon të udhëhiqet në masë të gjerë nga instinktet. Pjesa më e madhe e pasioneve që vënë në lëvizje njeriun, si ambicja, xhelozia, hakmarrja, rrjedhin dhe ushqehen nga konstelacione të përpikta shoqërore. Forca e pasioneve të tilla shpërfaqet nga fakti se mund të jenë deri dhe më të fuqishme se instinkti i mbijetesës; qeniet njerëzore janë gati të japin jetën për urrejtje dhe ambicje, por edhe për dashuri e ndershmëri.

Më i keqi i pasioneve njerëzore, shtysa për t’i shërbyer një njeriu tjetër për qëllime egoiste, në emër të epërsisë së tij, dallohet shumë pak prej një forme të stërholluar të kanibalizmit. Në shoqëritë neolitike, lakmia për të shfrytëzuar dikë për qëllime vetiake nuk ekzistonte ende; ndërsa sot, pothuajse për të gjithë njerëzit e gjallë, ideja se ka ekzistuar një peiudhë historike në të cilën njeriu nuk donte të shfrytëzonte e as të shfrytëzohej, duket e çuditshme, pothuajse e pakuptueshme.

Megjithatë, ishte pikërisht kështu: në kulturat primitive të bujqve e gjuetarëve të gjithë kishin me se të jetonin, dhe nuk kishte fare kuptim të grumbulloje ndonjë gjë; pasuria vetiake nuk mund të investohej ende si kapital e as nuk mund të jepte pushtet. Është një periudhë e zhvillimit njerëzor jehona e së cilës haset në formë legjendare tek Besëlidhja e Vjetër: në shkretëtirë, bijtë e Izraelit ushqehen me manë, e cila është e mjaftueshme sepse të gjithë mund të hanë deri sa të ngopen, por nuk mund të grumbullohet.

Duke mos u konsumuar brënda ditës së rënies, kalbet dhe zhduket, e çdo parashikim për “furnizim“ të ardhshëm me manë është i kotë. Nga ana tjetër, pasuri si drithërat apo plaçkat nuk zhduken si mana, por mund të grumbullohen e t’i japin pushtet atyre që zotërojnë më tepër. Vetëm atëherë kur teprimi ka kapërcyer njëfarë caku, fiton kuptim ushtrimi i pushtetit mbi individë të tjerë për t’i detyruar që të punojnë në shërbim të klasës sunduese, duke u kënaqur me një nivel të ulët jetese. Mbas fitores së shtetit patriarkal, skllevër, punëtorë dhe gra u bënë objekte kryesore të shfrytëzimit.

Vetëm nëse njeriu resht së qëni një mall konsumi për njerëz më të fortë se ai, do mund të marrë fund prehistoria kanibaleske dhe të fillojë historia e vërtetë njerëzore: një transformim i cili kërkon që të bëhemi plotësisht të vetëdijshëm se sa kriminale janë doket dhe zakonet kanibaleske. Por vetëdija e plotë do të mbetet e paefektshme, nëse nuk shoqërohet me një pendesë të njëmendtë.

Pendesa është më shumë se keqardhja e thjeshtë, është një emocion shumë më i thellë: njeriu i penduar provon neveri për vetveten dhe veprimet e tij. Pendesa e vërtetë dhe turpi që lidhet me të është e vetmja përvojë njerëzore e aftë të pengojë përsëritjen e pareshtur të të njëjtave krime. Mungesa e pendesës mund të na krijojë iluzionin se nuk e kemi kryer kurrë krimin. Por ku është pendesa e vërtetë? Vallë, hebrejtë qenë penduar për masakrat kundër fiseve kanane? Po amerikanët për shfarosjen pothuajse të plotë të lëkurkuqëve? Tash dymijë vjet plot njeriu jeton në një sistem të atillë, për të cilin fitimtari nuk duhet të pendohet për asgjë, meqenëse pushteti dhe e drejta janë e njëjta gjë.

Krimet e kryera nga ne vetë, nga bashkëkohësit dhe nga stërgjyshërit tanë, konkretisht apo nëpërmjet bashkëpunimit me heshtjen, do të duhej të thirreshin pa shtirje në ndërgjegjen e secilit, të rrëfeheshin në mënyrë të qartë e jo me një gjuhë që do të guxoja ta quaja rituale. Kisha katolike romane ofron mundësinë e rrëfimit të mëkateve të individit, duke i dhënë kësisoj një farë hapësire zërit të ndërgjegjes; por rrëfimi individual nuk mjafton, sepse nuk i prek krimet e kryera nga një grup, nga një klasë, apo nga një komb, e mbi të gjitha nga shteti sovran që nuk i nënshtrohet nevojave të ndërgjegjes.

Përsa kohë nuk do të vendosim për një “rrëfim kombëtar të mëkatit“, qëniet njerëzore do të vazhdojnë të ecin përgjatë rrugës së shkelur, duke treguar ndjeshmëri të fortë në lidhje me krimet e armiqve, por verbëri sa u takon krimeve të kryera nga populli i tyre. E si vallë është e mundur që individi të fillojë t’u bindet seriozisht urdhëresave të ndërgjegjes, nëse kombet, të cilat e shpallin veten përfaqësues të moralit, nuk tregojnë aspak bindje ndaj ndërgjegjes? Si rezultat, mund të ndodhë vetëm që, tek çdo individ të heshtë vetë zëri i ndërgjegjes, i cili është i pandashëm si e vërteta.

Që arsyeja njerëzore të bëhet e efektshme, nuk duhet të mbisundohet nga pasione të paarsyeshme. Inteligjenca mbetet e tillë edhe kur përdoret për qëllime të mbrapshta. Ndërsa arsyeja, që do të thotë njohja e së vërtetës ashtu siç është, e jo ashtu siç do të donim të ishte që ta bëjmë më të përshtatshme për qëllimet tona, vepron vetëm në masën me të cilën arrijmë të mposhtim pasionet e paarsyeshme, që do të thotë në masën me të cilën njeriu është bërë përnjëmend human dhe veprimet e tij nuk përcaktohen më nga interesat e paarsyeshme, pasionale.

Dhe ja tek jemi tek çështja e rëndësishme e pasioneve të domosdoshme për mbijetesën e njerëzimit. Agresiviteti dhe destruktiviteti, po, që mund të shërbejnë e të lejojnë që një grup të shkatërrojë një tjetër, e të mbijetojë, por krejt ndryshe paraqitet gjëndja për atë që ka si pikësynim mbarë njerëzimin. Nëse agresiviteti do të kishte përhapje universale, nuk do të sillte vetëm shkatërrimin e këtij apo atij grupi, por fundin e tërë gjinisë njerëzore.

Nëse njëherë e një kohë kjo ide ishte e parealizueshme, nëse ishte fantazi e pastër, sot mbijetesa e njerëzimit është vënë në diskutim sepse njeriu zotëron mjetet e vetëshkatërrimit, e në të vërtetë, njeriu zbavitet me këtë ide, sepse dashuria për jetën ka zbritur në nivelin më të ulët. Sot mund të thuhet me plot gojën se parimi i mbijetesës së më të fortit, nevoja e shfrenuar e vendosjes së shteteve sovrane, mund të çojë në shkatërrimin universal.

Në Tetëqindën, Emersoni pohonte se “gjërat janë mbi samar dhe po kalërojnë njeriun“, sot është e lejueshme të pohohet se “gjërat janë idhujt e njeriut, dhe adhurimi i tyre mund ta shkatërrojë“.

Vazhdimisht dëgjojmë të thuhet se njeriu është pakufizueshmërisht i mbruajtshëm, e me shikim të parë duket përnjëmend kështu. Një panoramë e sjelljes njerëzore nëpërmjet historisë, na bën me dije se, nga lartësitë më të mëdha deri në poshtërsinë më të madhe, nuk ka praktikisht asgjë që nuk mundet e nuk ka mundur të kryejë; por pohimi rreth farkëtueshmërisë së njeriut duhet marrë me rezerva.

Çdo mënyrë sjelljeje që nuk i shërben zhvillimit dhe realizimit të plotë të njeriut kërkon një çmim; shfrytëzuesi ka frikë nga i shfrytëzuari, vrasësi ka frikë nga izolimi, si pasojë e mbrapështive që ka kryer, edhe kur nuk është fjala për izolim me burg; shkatërruesi ka frikë nga ndërgjegja e tij, konsumatori i trishtuar druan se është duke jetuar pa patur një jetë.

Në pohimin se njeriu është pakufizueshmërisht i mbruajtshëm është e nënkuptuar ideja se mund të bëhet fjalë për një qenie të gjallë fiziologjikisht, por të gjymtuar nga pikëpamja njerëzore; dhe një qenie e këtillë është fatkeqe, nuk njeh gëzime, është e mbushur përplot me mllef, arsye për të cilën bëhet shkatërrues.

Vetëm kur arrin të çlirohet nga këto vargonj, gëzimi i shpaloset para plotësisht. Me përjashtim të rasteve gjenetikisht patologjike, njeriu lindet i shëndetshëm nga ana psikike; ai deformohet vetëm nga ata që kanë si pikësynim zotërimin e plotë të tij, që urrejnë jetën dhe nuk e durojnë të qeshurën e gëzueshme. Dhe, kur fëmija bëhet i gjymtë, ata kanë një një pretekstin e duhur për sjelljen e tyre armiqësore që e shpjegojnë jo si shkak, por si rrjedhojë të sjelljes së papranueshme të fëmijës.

Po përse vallë një individ duhet të dëshirojë ta shndërrojë dikë tjetër në sakat? Përgjigja e kësaj pyetjeje do kërkuar në ato që thamë më sipër në lidhje me kanibalizmin, i cili është në veprim ende sot. Një individ i gjymtuar psiqikisht lejon të shfrytëzohet më me lehtësi se një i fortë. Ky i fundit mund të kundërveprojë, ndërsa i ligështuari nuk mund ta bëjë një gjë të tillë, dhe i dorëzohet pa bërë qëndresë ligësisë së të fortëve. Sa më shumë që një grup sundues arrin të shndërrojë në të sunduar po aq individë të gjymtuar psiqikisht, aq më të lehtë e ka t’i shfrytëzojë, që do të thotë t’i përdorë si ushqim për qëllimet e veta.

Njeriu që është i paisur me gjykim, është në gjëndje t’i analizojë në mënyrë kritike përvojat e veta e të dallojë atë që i shërben zhvillimit të tij dhe atë që e pengon në këtë zhvillim. Ai synon shtrirjen sa më harmonike që të jetë e mundur të forcave të veta psikike e fizike, për të mbërritur në një shkallë të mirëqënies, e kundërta e së cilës është ligështimi ose depresioni siç është ilustruar nga Spinoza. Kështu që, gëzimi është një prodhim i arsyes, ndërsa ligështimi ose depresioni, pasojë e një mënyre të gabuar jetese. Dhe Besëlidhja e Vjetër që i qorton ashpër hebrejtë për mëkatin e rëndë të të qënit pa gëzim midis bollëkut, e pohon këtë parim në mënyrën më të qartë.

Vlerat themelore të shoqërisë industriale janë në kundërshtim me mirëqenien e njeriut. Po cilat janë këto vlera?

Para së gjithash, sundimi i natyrës. Mos vallë shoqëria paraindustriale e sundonte edhe ajo natyrën? Sigurisht, përndryshe njeriu do të kish vdekur qëkur nga uria: megjithatë, mënyrat e sundimit të natyrës në shoqërinë industriale janë shumë të ndryshme nga ato të shoqërive bujqësore, e kjo vlen mbi të gjitha sepse shoqëria industriale e sundon natyrën nëpërmjet teknikës. Kjo bazohet në përdorimin e aftësive mendore me qëllim prodhimin e gjërave, surrogati mashkullor i prehërit femëror. Për këtë arsye, në hyrje të Besëlidhjes së Vjetër lexohet që Zoti e ka krijuar botën me fjalën, ndërsa në mitin më të lashtë të krijimit babilonas është ende nëna e madhe ajo që lind botën.

Vlera e dytë themelore e shoqërisë industriale është ajo e shfrytëzimit të njeriut nëpërmjet detyrimit, shpërblimit ose, siç ndodh më shpesh, nëpërmjet ndërthurjes së ndonjërës me tjetrën.

Një tjetër vlerë themelore është që aktiviteti ekonomik duhet të japë fitime. Në shoqërinë industriale synimi i fitimit nuk është në radhë të parë shprehje e lakmisë për zotërim personal, por një masë e drejtësisë së sjelljes ekonomike. Nuk prodhohet për konsum, ndonëse pjesa më e madhe e mallrave duhet të ketë njëfarë vlere përdoruese që të mund të nxirret në treg, por prodhohet për të shtuar përfitimet.

Kjo do të thotë se rezultati i aktivitetit tim ekonomik, në analizën e fundit, duhet të jetë fitim më i lartë se investimi për prodhimin a blerjen e mallit; dhe është shumë i përhapur keqkuptimi se për synime fitimi duhet të ndiqet karakteristikat psikologjike të ca individëve të veçantë, të cilët nxiten nga lakmia e pasurimit. Sigurisht, mund të vihet re edhe kjo, por koncepti i fitimit në shoqërinë industriale moderne është diçka tjetër: fitimi është një tregues i një sjelljeje ekonomike të kurorëzuar nga suksesi, pra një masë aftësie dhe shkathtësie.

Vlerë a katërt, madje dhe klasike e shoqërisë industriale, është aftësia garuese. Nga njëra anë, zhvillimi ka treguar që, si pasojë e rritjes përherë e më tepër të centralizimit dhe përmasës së ndërmarrjeve individuale (por dhe si pasojë e çmimeve të ndryshme të paligjshme e që megjithatë vazhdojnë), konkurrenca ia lëshon vëndin bashkëpunimit midis ndërmarrjeve të mëdha dhe është më e shpeshtë mes dy ndërmarrjeve të vogla se sa mes dy kolosësh industrialë.

Sot, në sjelljen tonë që ka të bëjë me marrëdhëniet ekonomike, mungon lidhja e përzemërt mes shitësit dhe blerësit, ndërsa një herë e një kohë ekzistonte një afërsi e veçantë mes tregtarit dhe klientit të tij. i pari interesohej për të dytin, shitja ishte diçka më tepër se sa një ujdí ekonomike; njeriu i tregtisë ndjente një farë kënaqësie kur u shiste klientëve mallëra të dobishëm e të përshtatshëm. Sigurisht, kjo ekziston ende sot, por përbën një përjashtim që përgjithësisht kufizohet në dyqane të vogla e të vjetra, teksa nëpër dyqanet e shtrenjta, personeli që shërben është indiferent ndaj çmimeve të gjërave që tregton; dhe është e kotë të nënvizohet se buzëqeshja me të cilën të presin nuk është e sinqertë dhe paguhet, pikërisht, me nivelin e lartë të çmimeve.

Në fund, do kujtuar se në shekullin tonë është pakësuar në mënyrë të konsiderueshme aftësia për të të ndjerë dhembshuri, e mbase duhet shtuar se është zhdukur edhe aftësia për të ndjerë dhimbje. Me këtë nuk dua të them se sot njerëzit vuajnë më pak se njëherë e një kohë, por që janë tëhuajsuar aq shumë ndaj njëri-tjetrit, sa nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për dhembjen e tyre.

Njëlloj si ai që vuan prej dhimbjeve kronike, ata e pranojnë dhimbjen si të dhënë dhe e ndjejnë me të vërtetë vetëm kur fuqia e saj kapërcen nivelin e zakonshëm. Por, nuk duhet harruar se dhimbja është e vetmja përvojë që duket përnjëmend e njëjtë për të gjitha qeniet njerëzore, e mbase dhe për të gjitha krijesat e pandjeshmme, prandaj vuajtësi i cili e njeh universalitetin e dhimbjes i ka të gjitha të drejtat për të kërkuar ngushëllimin dhe solidaritetin njerëzor.

Të shumtë janë individët që nuk e kanë njohur kurrë lumturinë; por nuk ka as edhe një njeri që nuk ka vuajtur, sadoqë të përpiqet ta ndrydhë vetëdijen e dhimbjes. Dhembshuria është pazgjidhshmërisht e lidhur me dashurinë ndaj njerëzve të tjerë; aty ku nuk ka dashuri, nuk mund të ketë dhembshuri. E kundërta e dhembshurisë është indiferenca, e cila me të drejtë mund të përkufizohet si gjëndje patologjike e tipit skizoid. Ajo që e quajmë dashuri për individin, shumë shpesh shpërfaqet si lidhje nënshtrimi; ai që di të dojë vetëm një njeri, ai nuk do askënd.

——————————

Erih From (Frankfurt 1900-Lokarno 1980) ka studiuar në Universitetet e Haidelbergut e të Mynihut si dhe në Institutin e Psikoanalizës në Berlin. Së bashku me Adorno, Horkheimer, Marcuse e të tjerë, ka punuar në mjediset e të famshmit Institut für Sozialforschung të Frankfurtit. Ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që nga viti 1934; ka dhënë mësime në Bennington College, në Columbia, Michigan dhe Yale University e edhe në Universitetin nacional të Meksikës. Mes veprave të tij më të famshme janë “Arti i të dashuruarit“, Kriza e psikoanalizës, “Anatomia e destruktivitetit njerëzor“, Të kesh apo të jesh, Madhështia dhe kufizimet në mendimin e Frojdit, Mosbindja dhe ese të tjera, Ikje nga liria.

Magjia, mprehtësia, energjia, fryma njerëzore e një mjeshtri të madh të fjalës së “folur“, vijnë në këto “biseda në radio“ të transmetuara nga Süddeutsche Rundfunk ndërmjet viteve 1971-1979, që janë një përmbledhje e vyer dhe koherente e mendimit të autorit të Të kesh apo të jesh? e të librave të tjerë që mbeten po ashtu gurë kilometrikë të shekullit tonë.

I titulluar me të drejtë Dashuria për jetën, ky cikël i bisedave të Fromit me drejtuesin e transmetimit, Hans Jürgen Schultz, por sidomos me publikun që e dëgjonte, vjen sot për lexuesit, prek temat e persiatjeve të Fromit mbi fatin njerëzor: shoqëria e konsumit dhe dallimi midis bollëkut dhe teprisë; origjina e agresivitetit njerëzor; ëndrra, gjuha njerëzore universale; psikologjia për jopsikologët; një portret i Hitlerit si “nekrofil“ i kundërvënë ndaj qëndrimit “biofil“, të atij që do jetën; aktualiteti i shkrimeve profetike të Besëlidhjes së Vjetër. E mbi të gjitha, një mrekulli e vogël e vërtetë: një autobiografi intelektuale e Fromit, i cili rrëfen se cilët kanë qenë mësuesit e tij të “artit të të jetuarit“.



Erich Fromm
Marrë nga “Dashuria për jetën”, përktheu Shpëtim Kelmendi
Jon
Jon

1163


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi