Spiunet Tane! Kush Jane?

Shko poshtë

kush - Spiunet Tane! Kush Jane? Empty Spiunet Tane! Kush Jane?

Mesazh  Luli prej 19.11.12 21:33

Spiunet Tane! Kush Jane?

kush - Spiunet Tane! Kush Jane? Spy

Nje liste "emrash te koduar" erdhi sot dhe plot links ne internet qe flasim per Spiunet Tane. A duhet te dalin ne shesh kete njerez!

Mos valle po diskretitohen disa persona qe ndoshta shoqeria jone ka nevoje ti mbroje, dhe se kane qene te detyruar te bashkepunojne?

Lista:
"Anteu"
"Alfons Ballsha"
"Shishja e Qumshtit"
"Këndesi"
"Medicina"
"Cigarja"
"çiftelia"
"Inxhinieri"
"Shkrimtari"
"Dizenjatorja"
"Raketa 5"
"Serbi"
"Greku"
"Qukapiku"
"Proletari"
"Koromania"


MIRËMËNGJES SPIUN!

Nga Armir SHKURTI

“Kemi parë e s’kemi parë / Shkon i vdekuri me të gjallë”. Këto vargje nga Kostandini dhe Dhioqina më kujtohen sa herë mendoj se as komunizmi e aq më pak sigurimi i shtetit nuk kanë vdekur, por përkundrazi, jetojnë për bukuri mes nesh e madje kanë edhe pushtet. Sidomos pushtet ekonomik.

Edhe në Bibël madje Apokalipsi pikërisht kështu përshkruhet: Do të ngrihen të vdekurit nga varret e do të përzjehen me të gjallët. Ne besuam se e varrosëm njëherë e mirë atë sistem. Por ata sot i kemi kudo e sidomos i kemi me pushtet. Që prej të enjtes “Express” ka filluar të kruaj koren e Sigurimi dhe “bp”-ve (bashkëpunëtorëve). Duket se i erdhi radha gazetarisë t’ia hyjë kësaj valleje pasi politika e ka varrosur një herë e mirë këtë çështje.

Nëse “Express” do t’ia dalë mbanë, vërtet do të zëmë me dorë hundët nga era e qelbur që do të shpërthejë, por më pas, më besoni se të gjithë do të jemi shumë më mirë. Kështu mund të mësojmë kë kemi në krah, kë kemi në shtrat, kë kemi në shtet. Pas skenarit të hartuar nga Gorbaçov në Katovice, rrjeta gjigande e spiunëve edhe tek ne u lëshua për të mbërthyer pushtetin ekonomik, mediat, drejtësinë e paralelisht edhe politikën.

Duke patur brumosje, shkollim, stërvitje e veprimtari thuajse identike, duke patur lidhje e organizim, e mbi të gjitha informacion shumë më të madh se pjesa tjetër e shqiptarëve, ata u shpërndarën si metastaza në politikë, media e biznes. Për pasojë sot vëren se shqiptari i zakonshëm, prej ndërrimit të sistemeve ka fituar veç lirinë e të folurit sipas qejfit, ose, siç perifrazoi Ramiz Alia, Sali Berishën:
“Pluralizmin e mendimit, pasi për pluralizëm politik nuk jemi të përgatitur”. Për rrjedhojë ende nuk kemi zgjedhje sipas standarteve demokratike, ende mbetemi të izoluar e s’lëvizim dot lirisht, ende vuajmë varfërinë ndërsa pasuria kombëtare u nda vetëm në disa duar, ndërkohë, ata që qeverisën Shqipërinë komuniste sot qeverisin Shqipërinë demokratike. Nëmos vet, përmes bijëve a shërbëtorëve të dikurshëm, ku vend nderi zënë edhe “bp”-të. Ky rrjet duket se ka një ngjashmëri të hatashme me dy ish aleatët tanë: Jugosllavi e Bashkim Sovietik.

Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, strukturat e KGB vunë kontroll mbi ekonominë, politikën dhe krimin e organizuar, duke e bërë “Mafian Ruse” një prej më famkeqeve në botë. E njëjta histori edhe me Serbinë. “Klani i Zemunit” – që e kemi njohur prej fjalimeve të zotit Berisha- është një organizatë mafioze me qendër në lagjen Zemun në periferi të Beogradit, ku krimi i organizuar lulëzon falë një gërshetimi mafie – UDB.

Me një hesap të shpejtë, në kuvend, qeveri, drejtësi, biznes e media deri në ambasada, përfaqësi të organizatave ndërkombëtare e fondacione prestigjioze më dalin plot djem e vajza të Byrosë e të figurave të larta të shtetit, më shfaqen ish-punonjës të Institutit të Studimeve M-L, drejtues e gazetarë të Zërit të Popullit, Bashkimit, aparatçikë e funksionarë të Komitetit Qëndror të Partisë dhe të Komitetit Qëndror të Rinisë, ish hetues, gjykatës, prokurorë, etj etj etj... E përkrah tyre e gjithë armata e “Heronjve të Heshtur”.

Thjesht për të kuptuar se kush e ka vërtet pushtetin në këtë vend mjaft të lexosh editorialin e djeshëm të “Express”-it e të mësosh se “Bejruti” dhe “Gjembi” punojnë në kupolën e policisë, se “Korabi”, “Vogli”, “Koromania”, “Çiftelia”, “Stilografi” e y-hyyy sa të tjerë! janë ligjvënës të zgjedhur nga ne në parlament apo ministra të kabineteve në të dy krahët e politikës, se “Çorapja”, “Bozhuri” e “Korani...” bëjnë ligjin në kupolën e mediave duke manipuluar opinionin sipas interesave të caktuara, se “Duhani” me shokë janë bizesmenët më në zë që kontrollojnë jo vetëm tregjet e politikën, por shumë më tepër. Për këtë arsye hapja e dosjave a mbyllja përfundimtare e tyre mbetet një çështje shumë më e madhe nga kureshtja se kush fshihet pas atyre pseudonimeve.

Është çështje lëngate a shpëtimi, vazhdimësie a ndryshimi. Nëse largohen spiunët (të paktën nga politika) ka gjasa të çohet deri në fund revolucioni i dimrit ’90-91, revolucion i mbytur në djep. Në të kundërt rrezikojmë të mbetemi përjetësisht peng i kufomave që na shoqërojnë ngado që prej 15 vitesh.


Luli
Luli

"Duhet bredhur shumë në errësirë derisa të preket drita"

884


Mbrapsht në krye Shko poshtë

kush - Spiunet Tane! Kush Jane? Empty Re: Spiunet Tane! Kush Jane?

Mesazh  Luli prej 19.11.12 21:35


PD, PS, LZHK, LSI, poker spiunësh në parlamentin e ri

Nga Kastriot Myftaraj

Në fillim të kësaj fushate elektorale, midis dy partive të mëdha, nga njëra anë, PS dhe PD, si dhe dy rivaleve të tyre brenda llojit nga ana tjetër, LSI dhe LZHK, u vu re një aspekt mjaft intrigues i “luftës” elektorale, përdorimi i dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Ky aspekt i “luftës” konsistonte në akuza të ndërsjellta për kandidatët për deputetë të palëve si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit.

Për shumëkënd ky qe aspekti më interesant i fushatës, pasi mund të pritej që, pa dashjen e partive politike, rezultati të qe transparenca e një prej aspekteve më të errta të trashëgimisë së diktaturës komuniste, spiunëve të Sigurimit të Shtetit në politikën pluraliste shqiptare.

Por, gjatë përdorimit në fushatën elektorale të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, u vu re një fenomen i ngjashëm me atë që gjatë periudhës së “Luftës së Ftohtë”, kur ekzistonte rreziku i luftës së përgjithshme bërthamore quhej si “ekuilibri i frikës” i ardhur nga “shkatërrimi i sigurt i ndërsjelltë”.

Sipas këtij koncepti, asnjëra nga superfuqitë, ose fuqitë bërthamore, aleate të tyre, nuk guxonte që t’ i përdorte armët bërthamore, pasi kjo do të çonte në përdorimin masiv të tyre, çka do të shkaktonte shkatërrimin e sigurt të të gjitha palëve të involvuara. Që të shmangej një situatë e tillë u krijua dhe i quajturi “teletajpi i kuq”, që lidhte direkt Shtëpinë e Bardhë me Kremlinin dhe që ishte një mënyrë e sigurt për komunikim me qëllim parandalimin e precipitimit të konflikteve.

Në politikën shqiptare “ekuilibri i frikës” vepron midis “superfuqive” (PS dhe PD), në rastin e përdorimit të “armëve bërthamore” të politikës shqiptare, që janë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Me këto “armë” janë të pajisura si PS dhe PD, falë qenies në pushtet të lidershipit të tyre në kohë të ndryshme dhe mundësisë për akces në arkivat ku mbahen dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Por, të dy palët e dijnë se përdorimi i “armës” së dosjeve do të çonte në një precipitim të luftës politike, që do të çonte në shkatërrimin e sigurt të ndërsjelltë.

Kështu, nëse PS do të sulmonte PD-n dhe aleatët e saj me dosjet “Këndesi”, “Gjeli”, “Çorapja”, “Sqepi”, “Masoviku”, “Çiklisti”, “Shishja e qumshtit”, “Naftëtari”, “Alfons Ballsha”, “Demoni”, “I Vogli”, “Qukapiku”, “Dizenjatorja”, “Inxhinieri”, “Medicina”, “Çiftelia”, “Nemërçka”, PD nga ana e saj do të përgjigjej me dosjet VIP të krerëve të PS-s dhe ministrave si “Cigarja”, “Anteu”, “Ylli”, “Serbi”, “Llulla”, “Financieri”, si dhe me akuzën e përjetshme se PS është trashëgimtare e partisë që krijoi dhe komandoi Sigurimin e Shtetit dhe se spiunët e rëndomtë vepronin sipas platformave të përgatitura nga Komiteti Qendror i PPSH-s dhe Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste ku kontribuonin dy nga drejtuesit kryesore të mazhorancës së sotme të majtë, pa përmendur këtu faktin se numri dy i PS-s është ish-shefi i Sigurimit të Shtetit.

Prandaj, në këtë fushatë elektorale, dy “superfuqitë” e politikës shqiptare, PS dhe PD, evituan që ta përdorin “armën bërthamore” kundër njëra tjetrës dhe u kufizuan në përdorimin e “armëve konvencionale”, domethënë akuzat për korrupsion dhe për ngjarjet e 1997-s.

Prandaj Berisha i kërkon Fatos Klosit që t’ ia publikojë rivalit të vet në Mallakastër, ministrit të jashtëm Kastriot Islami dosjen e Sigurimit të Shtetit, të cilën çuditërisht nuk e publikon vetë Berisha, që e zotëron sigurisht si ish-President, ndërsa Nano nuk i kujton Berishës p.sh. se Genc Rulin, kandidat i PD-s në Gjirokastër, në mbledhjen e Këshillit kombëtar të PD-s në prill 1997 e ka quajtur bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit.

Prandaj Nano nuk i kujton Berishës se jo më larg se vjet në tetor i ka quajtur “çekistë” deputetët e partive aleate që votuan pro kandidatit të së majtës për Kontrollin e Shtetit, edhe pse disa prej tyre sot janë kandidatë për deputetë të mbështetur nga PD, si p.sh., kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arian Starova. Por ato nuk hezituan që të provojnë ta përdorin “armën bërthamore” kundër rivalëve respektivë brenda llojit, LSI dhe LZHK, duke menduar se këtu rreziku qe më i vogël.

Lufta e dosjeve, filloi së pari midis PD-s dhe LZHK-s. Në fillim të fushatës, në ditoren praën PD-s “TemA” u botua shkrimi me autor Bedri Blloshmin “LZHK, ose sofra e spiunëve”. Në këtë shkrim denoncohej me emër një kandidat për deputet i LZHK-s në Korçë, si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe pjesëmarrës në cilësinë e ekspertit në një gjyq të montuar politik të kohës së diktaturës komuniste ku qenë dënuar me vdekje njerëz të pafajshëm.

Nga vetë titulli i shkrimit dhe përmbajtja e tij, aludohej se LZHK qe një “sofër politike” ku qenë ulur këmbëkryq spiunët e Sigurimit të Shtetit. Shkrimi i Blloshmit mbështetej mbi një premisë të vërtetë, pasi tashmë në shtyp është botuar disa herë ekspertiza letraro-sigurimse e individit në fjalë (herën e fundit është botuar në prill të këtij vitit), gjë për të cilën nuk mundej mos të qe në dijeni kreu i LZHK-së, Leka I Zogu.

Ishte e qartë se, PD dhe Berisha po kërcënonin LZHK-n dhe Leka Zogun se do t’ i shkatërronin me “armën” e dosjeve, në rast se nuk mbanin një profil të ulët të luftës politike kundër PD-s.

Në mjediset e LZHK ky sulm, që për më tepër paralajmëronte një sulm total, u prit me alarm dhe LZHK u kundërpërgjegj duke publikar dosjen penale në Itali të aleatit më të ngushtë të Berishës, Fatmir Mediut (ish-Mehdihoxha).

PD reagoi duke e rritur presionin ndaj LZHK-s me “armën” e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe duke e kërcënuar me botim të dosjeve të kandidatëve të saj për deputetë. Në një editorial të njeriut më pranë Berishës në mediat opozitare, Mero Baze, që atakohej direkt në shkrimin e Thanasit, editorial të botuar në “TemA” të datës 11 qershor 2005, thuhej se:

“Në redaksinë tonë kanë ardhur jo gjysmë dosje, dhe jo vetëm kapakë, por dosje të plota të disa krerëve të LZHK-së, që kanë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që nga ata që kanë denoncuar për pantallona kauboj e deri tek ata që kanë denoncuar dhe njerëzit e fisit të tyre të nderuar, nga Laçi në Kukës. Ato nuk janë gjysmë të vërteta, janë të vërteta të hidhura, por që kërkojnë shumë vullnet pozitiv për të mos i publikuar, sidomos në fushatë elektorale. Nëse do të vepronim siç veproi Shehi, të cilin zëdhënësi i Fatos Nanos e trajtoi njësoj si reporterin e kronikës tek një gazetë e përditshme, atëhere në këtë fushatë zor se do të dilte ndonjë kandidat i LZHK-së, pa dosje”.(“TemA”, 11 qershor 2005, f. 1.)

Ky qe një paralajmërim për luftë totale me dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit nga ana e PD-s kundër LZHK-s. Derisa akuzoheshin hapur të 100 kandidatët për deputetë të LZHK-së si bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit, madje kërcënoheshin me publikim e dosjeve të tyre, për dy drejtuesit më të lartë të LZHK-së bëheshin aluzione të posaçme. Kur PD e bëri këtë kërcënim ajo besonte se kjo qe një lojë pa risk, pasi LZHK nuk qe një “fuqi bërthamore” në politikën shqiptare, pra nuk e zotëronte armën e dosjeve.

Por, në këtë pikë PD pati një surprizë të pakëndshme pasi brenda asaj dite LZHK u shndrrua në një “fuqi bërthamore” në politikën shqiptare, duke u pajisur me “armën” e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe që të nesërmen e kërcënoi PD-n me “armën” e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Në një editorial me titull “Harabeli, bajga e lopës dhe skifteri” të botuar në gazetën “Atdheu”, organ i Partisë Lëvizja e Legalitetit, në datë 12 qershor 2005, me autor drejtorin e departamentit të marrëdhënieve publike në LZHK, Gjergj Thanasi, shkruhej:
“Në shkrimin e mësipërm janë përdorur teknika të marrëdhënieve me publikun të quajtura: Names Dropping Technique dhe Iceberg technique. Të interesuarit për përmbajtjen e këtyre teknikave le t’ i drejtohen firmës konsultuese BG&R, ku japin ndihmën e tyre ekspertë si Naftëtar, Ymer Çorapja apo këndezë e gjela plehrash e jo vetëm harabelë e kafshëza të tjera”. (“Atdheu”, 12 qershor 2005, f. 2.)

Të interesuarit ndoshta kanë pyetur në BG&R dhe atje u kanë thënë se teknikat në fjalë janë teknika shantazhi sipas të cilave një ose disa personave u përmenden detaje të papëlqyeshme për ata, por pa ua dhënë emrat, ose krejt të dhënat. Mënyra sesi procedon z. Thanasi është një model i përdorimit të këtyre teknikave, pasi atje përmenden pseudonimet në Sigurimin e Shtetit të disa figurave të rëndësishme të PD-s dhe partive aleate, si “Naftëtari”, “Çorapja”, “Këndezi”, “Gjeli”, si dhe aludohej për të tjerë me emra kafshësh.

Vetë zgjedhja e z. Thanasi për ta përsjellë këtë mesazh për PD-n nuk qe e rastësishme, pasi ai u zgjodh për faktin se kishte qenë njeriu që ishte dëbuar pak kohë më parë nga PD, ku mbante të njëjtin post që ka sot në PLL, pasi i ofroi Doktorit prova të pakundërshtueshme se një drejtues i PD-s në durrës qe në komunikim të vazhdueshëm me drejtorin e SHISH në Durrës.

Pra, LZHK po e kërcënonte PD-n dhe aleatët e kësaj partie, se nëse PD do të bënte publike dosjet e Sigurimit të Shtetit të kandidatëve të LZHK-s, atëhere edhe LZHK do të bënte të njëjtën gjë me dosjet e kandidatëve të PD-s dhe të partive aleate të kësaj të fundit. Kjo çoi në stabilizimin e “ekuilibrit të frikës” midis PD-s dhe LZHK-s nga frika e shkatërrimit të sigurt të ndërsjelltë.

PD dhe LZHK e ndërprenë luftën me dosjet e spiunëve të Sigurimit të Shtetit dhe kjo ndërprerje qe megjithatë po aq elokuente sa rasti kur këto dy subjekte elektorale do t’ i kishin publikuar dosjet, kushdo që do të kuptojë e kuptoi se të dy palët qenë zhytur deri në fyt në “halen” e Sigurimit të Shtetit dhe nëse kjo lojë do të vazhdonte, atëhere do të shikonim të botoheshin mbi 90 dosje spiunësh të kandidatëve të PD-s, mbi 90 dosje spiunësh të kandidatëve të LZHK-s, pa llogaritur partitë satelite të PD-s.

Kështu u bë e qartë se edhe tek LZHK, që ka sloganin “Ne bëjmë shtet”, “NE” është Sigurimi i Shtetit dhe kjo kuptohet dhe nga fakti se z. Thanasi që u dëbua nga PD se denoncoi bashkëpunimin me SHISH të një drejtuesi lokal të saj, u hoq nga lista e kandidatëve të LZHK-s në Durrës. Dhe këtë nuk e them vetëm unë, por e ka thënë p.sh. kandidati i sotëm i LZHK-s në një nga zonat elektorale në veri, E.P., i cili në një shkrim në një të përditshme vitin e kaluar përmendte pseudonimin sigurims “Lëngaraqi” dhe disa detaje nga aktiviteti i tij në burgun e Spaçit në kohën e diktaturës. A mund t’ u thotë sot E. P. mbështetësve të LZHK-s se kush është “Lëngaraqi” që sot kandidon për LZHK-n, në një zonë elektorale pak më në jug se ajo e E.P?

Lufta e ftohtë me armën e dosjeve të Sigurimit të Shtetit filloi edhe midis dy rivaleve të majta, PS dhe LSI. Në prag të fushatës elektorale dhe në fillim të saj, në gazetën e PS-s “Zëri i Popullit” emrat e disa prej kandidatëve dhe krerëve të LSI, sipas një teknike të njohur shantazhi u përmendën në fjali ku qe futur dhe fjala që u atribuohej si pseudonimi në Sigurimin e Shtetit.

E ndodhur në këtë situatë shantazhi, LSI, me gojën e Dritan Priftit reagoi fuqishëm duke akuzuar një nga drejtuesit e PS-s dhe njeriun që shihet si kandidat për numrin 2 të saj, Petro Koçin, si bashkëpunëtor të Sigurimit të Shtetit dhe duke përhapur fjalë se ai ka pasur pseudonimin “Korabi”. Petro Koçi u kundërpërgjegj duke thënë se kaq rëndë nuk e kishte fyer as Berisha që i paskësh qethur kokën në vitin 1997, duke ia bërë të ndrijë si tas, si maja e Korabit kur e mbulon bora.

Për një moment u duk se lufta e dosjeve brenda së majtës do të precipitonte dhe të dy palët do të t’ ia çirrnin “gjethen e fikut” njëra tjetrës, pasi LSI është një “fuqi bërthamore” në politikën shqiptare, e pajisur me “armën” e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, për shkak se në lidershipin e kësaj partie është dhe ish-kryetari i SHISH, Fatos Klosi dhe ish-kryetari i komisionit të verifikimit të figurave, Nafiz Bezhani, një tjetër ish-pjestar i lidershipit të LSI-s, që vdiq para pak kohësh, thuhet se i ka lënë me “testament” Ilir Metës disa thaës me dosje të fotokopjuara.

“Zëri i Popullit”, duke e ndjerë rrezikun që vinte nga lufta e dosjeve brenda së majtës, e akuzoi drejtpërdrejt Fatos Klosin se qe ai që e furnizonte Priftin (më saktë Murgun, siç e quan “ZP”) me të dhëna nga dosjet sekrete dhe kërcënoi krerët e LSI se ata do të dilnin më të humbur nga kjo luftë, pasi veç një tufe bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit kishin në rradhët e tyre dhe mjaft bashkëpunëtorë të SHIK-ut të Berishës.

Lufta e dosjeve mes PS-s dhe LSI-s përfundoi njëlloj si lufta e dosjeve mes PD-s dhe LZHK-s, pra u mbyll me vendosjen e ekuilibrit të frikës, për shkak të shkatërrimit të sigurt të ndërsjelltë, gjë që, ashtu si në rastin e dy partive të djathta, është po aq elokuente sa rasti kur dosjet e kandidatëve do të ishin publikuar. Përfundimisht mund të thuhet se lufta me “armën” e dosjeve të të Sigurimit të Shtetit u mbyll për partitë që konkurojnë në zgjedhje, pa u hapur mirë. E megjithatë dosjet e Sigurimit të Shtetit vazhdojnë të rrijnë si “Shpata e Damokleut” mbi kryet e politikanëve shqiptarë dhe në një mënyrë ose në një tjetër, ato vazhdojnë të përdoren.

Për këtë gjë po jap dy shembuj:

1)Para disa ditësh, në një debat në “Ringun elektoral” në “Top channel”, kryeekzekutivi i LZHK-s pati një incident sinjifikativ retorik me kandidaten e PS-s në Tiranë, Majlinda Keta (Shaqiri). Kryeekzekutivi lzhkist, duke dashur të tregohej sa më perëndimor i tha kandidates së PS-së se, derisa ajo qe motra e drejtorit të përgjithshëm të SHISH, këtu kishte një problem dhe në Perëndim në këtë rast do të kishte dhënë dorëheqjen ose ajo, ose i vëllai.

Por, zonja Keta u kundërpërgjegj se ajo nuk sheh asnjë problem këtu dhe se ajo nuk ka ndonjë gjë për të fshehur. Tjetri si duket kapi ndonjë aluzion këtu për kushedi ç’ “mizë” që e kishte nën “kësulë” dhe iu pre zëri dhe e mbylli këtë temë.
2)Ministri i Rendit Publik disa herë e ka paraqitur si shqetësim kandidimin në zgjedhje të disa ish-funksionarëve të lartë të policisë, që ai i konsideron si të larguar nga policia për inkriminim, duke aluduar për kandidatë të LSI. Por ky zotëri, që ka marrë përsipër këtë aspekt të fushatës së PS, heziton që të shprehet për kandidimin e ndonjë funksionari të lartë të SHISH, po nga kjo parti. Pse?

Mbyllja e luftës së dosjeve të spiunëve të Sigurimit të Shtetit nga ana e partive të mëdha pjesëmarrse në këto zgjedhje është tregues i një pakti të pashkruar etik, që të gjitha palët po e respektojnë, ndryshe nga kodin e etikës që nënshkruan në Presidencë.

Veçse ky kod i pashkruar etike që po respektohet, është një kod i etikës mafioze, i llojit të Kodit “Omerta”, pra të kodit të heshtjes për krimet e të tjerëve, në këmbim të heshtjes së tyre për krimet e tua. Inteligjenca, në kuptimin e aferave të shërbimeve sekrete të instrumentalizuara në politikë dhe jo të njerëzve të dijes, mbetet pasioni i madh i krerëve të partive, në pushtet, ose në opozitë qofshin. “Dija është pushtet” thotë një sentencë e vjetër dhe kjo vlen më tepër se për çdo gjë për dijen në fushën e shërbimeve sekrete.

Duke ndjekur këtë sentencë Kryeministri Nano, në 23 janar 2004, në një takim zyrtar që pati në selinë qendrore të SHISH deklaroi: “Ka mundësi, t’ ju lajmëroj zyrtarisht, se kryeagjenti më i madh i të gjitha shërbimeve të shtetit në Shqipëri jam unë Kryeministri”. (“Zëri i Popullit”, 24 janar 2004, f. 3.) Në mënyrë më modeste por me persistencë, Berisha, Meta, Shehi (Zogu) përpiqen që mos të mbeten pas në këtë linjë, duke krijuar konmbinacione nga më të habitshmet.

Luli
Luli

"Duhet bredhur shumë në errësirë derisa të preket drita"

884


Mbrapsht në krye Shko poshtë

kush - Spiunet Tane! Kush Jane? Empty Re: Spiunet Tane! Kush Jane?

Mesazh  Luli prej 19.11.12 21:37

SPIUNET, SHKRIMTARE APO SHKATRRIMTARE....

Ish-drejtori i Hetuesisë: Ja si spiunonin poetët njeri-tjetrin

“Unë rrija në zyrën time dhe prisja ankesat ose denoncimet për ngjarjet e ditës, por shpesh më ndodhte diçka e çuditshme, sepse poetët vinin dhe denonconin njeri-tjetrin”. Kështu u shpreh dje për gazetën “SOT”, ish-drejtori i përgjithshëm I Hetuesisë së Shqipërisë Dilaver Bengasi, I cili nënvizon se ndjente keqardhje për shkrimtarët. Ç do javë ata vinin në zyrë me letra në dorë duke denoncuar dhe shkruar kundër njer-tjetrit”.

Eshtë ky thelbi kryesor I bisedës me të, ku Bengasi tregon se si poetët atëherë denonconin njeri-tjetrin, jo vetëm për mënyrën e të shkruarit, por edhe për gërmimet në biografi, apo për mënyrën e veshjes së kundërshtarëve të tyre. “Nga rradhët e njerëzve që merreshin me letërsi më shumë ishin spiunë se sa shkrimtarë të vërtetë, por shumica e tyre bënin denoncime vullnetare”, shton ai.

Në këtë kuadër, Bengasi përmend edhe rastin e sjkrimtarit dissident Kasem Trebeshina, të cilit ai vetë I ka vënë prangat.“E arrestova në shtëpinë e tij, për shkak të një letre që kishte dërguar në Byronë Politike, ku zoti Trebeshina deklaronte se nuk do të votonte”, shprehet Bengasi. Dhe duke treguar detaje nga marrja në pyetje gjatë procesit të hetuesisë, Bengasi thotë se Trebeshina ka mbajtur një qëndrim burrëor.

Por sipas Bengasit, menjëherë pas arrestimit të Trebeshinës, u krijuan disa rrethana që ai të lirohej me disa këshillime. Pikërisht këtu nisi tragjedia e tij e vërtetë. Sepse sipas Bengasit, ishin pikërisht disa nga shkrimtarët më të njohur të asaj kohe që dolën spiunë-vullnetarë për të dalë dëshmitarë në gjyqin kundër Trebeshinës.

“Ata shkrimtarë dolën dëshmitarë në gjyq dhe bënë të mundur që Trebeshina të dënohej, pa pasur asnjë fak”, shton Bengasi. Këto detaje I ka vërtetuar edhe vetë shkrimtari-disident, i cili madje i ka treguar një për një dëshmitarët që I dolën pabesisht nga Lidhja e Shkrimtarëve e artistëve. “Unë s’kam asgjë me Dilaver Bengasin, por mua më kanë denoncuar ish-shokët e mi shkrimtarë”, është shprehur Trebeshina. Dhe në këtë kuadër, Bengasi vazhdon të tregojë emrat e –shkrimtarëve-dëshmitarë që kanë denoncuar Pjetër Arbnorin, Viktor Qurkun, Faik Ballancën, Kapplan Resulin, etj, etj.

Dhe duke bërë një panoramë të burgosjeve, vrasjeve e internimeve që u janë bërë poetëve nga denoncimet e kolegëve të tyre, Bengasi thotë se Lidhja e shkrimtarëve ka funksionuar më tepër si një lidhje spiunësh vullnetarë. Dhe në fund Bengasi tregon se si një ditë në zyrën e kryehetuesit erdhi vetë Ismail Kadareja.

“Kadareja erdhi dhe më tha: Dritëro Agolli më ka marrë parëtë e honorareve të librit “Gjenerali I Ushtrisë së Vdekur”, që mi ka sjellë shtëpia botuese nga Parisi”. Pas këtij denoncimi, Bengasi thotë se iu përvesh menjëherë punës për të gjetur paratë e këtyre honorareve.

“Si përfundim e verifikova se paratë kishin ardhur me një adresë bankare në llogari të Lidhjes së Shkrimtarëve, prandaj ngatërresa u zgjidh menjëherë”, shton Bengasi. Dhe më tej, ish-kryehetuesi I Shqipërisë thotë: Më mirë mos shënoni asgjë tjetër, sepse unë e di se ç’më kanë parë sytë dhe ç’më kanë dëgjuar veshët nga poetët e dikurshëm që punonin si spiunë-vullnetarë të atdheut.

---

"TemA" u padit nga zv.kryeministri për artikullin që thotë se SHIK ka ndjekur Doklen për spiunazh.

Dokle mohon të jetë ndjekur nga SHIK si agjent i UDB

Gazeta 'TemA' është e thirrur nga Gjykata e Faktit në Tiranë sot në orën 12:30 në gjyqin me paditës Namik Doklen, të përfaqësuar nga Prokuroria e Tiranës. Dy gazetarët e akuzuar për shpifje do të jenë të pranishëm në gjyq për të dorëzuar provat dhe për të bërë kërkesat surprizë në këtë gjyq.

Sot në orën 12:30 minuta në Gjykatën e Faktit në Tiranë zhvillohet gjyqi i radhës për gazetën "TemA". Gazetarët Enton Palushi dhe Mentor Beqa janë paditur në Prokurorinë e Tiranës nga zv.kryeministri Namik Dokle.

Pozicioni i zv.kryeministrit mbrohet nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka ngritur në ngarkim të dy gazetarëve akuzën e "shpifjes për shkak të detyrës e bërë botërisht", e cila nga Kodi Penal dënohet me gjobë deri në 2 vjet burg. Prokurori Petrit Hysi pretendon se gazetarët me artikullin e botuar në gazetën 'TemA' me dt. 26.12.2003, kanë konsumuar veprën penale të shpifjes ndaj zv.kryeministrit Namik Dokle.

Sipas prokurorit gazetarët ka shpifur për Doklen duke thënë se ai është ndjekur nga Shërbimi Informativ Kombëtar për implikim me Shërbimin Sekret të shtetit fqinj Serbi-Mali Zi. Prokurori ka paraqitur si provë në këtë gjyq gazetën 'TemA', të ditës kur është botuar artikulli që mban emrin e dy autorëve, Enton Palushi dhe Mentor Beqa. Dy gazetarët e akuzuar do të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit dhe do të mbrojnë vërtetësinë e shkrimit të tyre duke paraqitur provat dhe burimin e informacionit për artikullin e botuar në këtë gazetë me datë 26 dhjetor 2003.

Në shkrimin e botuar nga gazeta thuhet se në zyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror ka një dosje të plotë, në të cilën Dokle akuzohet si njeri i lidhur me agjenturën e shtetit fqinj, Serbisë dhe Malit të Zi. Sipas artikullit mësohet se Dokle, i ndjekur nga shërbimi i inteligjencës për lidhje me shërbimin sekret të shtetit fqinj, nuk ka arritur që të mbyllë këtë dosje, në vitin 1997, vit në të cilin Partia Socialiste ka ardhur në pushtet.

Madje ai ka dështuar gjatë serisë së gjyqeve, me një oficer të këtij shërbimi, i cili ka insistuar deri në fund, për të provuar që dosja e tij ishte e rregullt dhe e argumentuar. Bëhet e ditur se oficeri, pasi ka fituar gjyqin në shkallën e fundit, në Gjykatën e Lartë është nisur në drejtim të Amerikës, vend në të cilin ai ka fituar azil politik duke paraqitur si argument për këtë kërkesë, pikërisht gjyqin e hapur ndaj tij dhe për të cilin është provuar se ai ishte i pafajshëm.

Gazeta 'TemA' ka pranuar se këtu ka një keqkuptim të vogël, pasi zoti Dokle me të vërtetë nuk ka zhvilluar asnjë gjyq me majorin e SHIK-ut që e ka ndjekur Doklen. Gazeta ka botuar dy javë më vonë një shkrim tjetër ku sqaron se oficeri i SHIK-ut ka qenë në gjyq me institucionin e Shërbimit Informativ Kombëtar, pasi e kishin shkarkuar nga puna, pikërisht për ndjekjen që i kishte bërë Namik Dokles. Gjatë procesit të stërgjatë të gjyqit që ka kaluar në tre shkallët e sistemit të drejtëjsisë, më në fund në Gjykatan e Lartë, major Shkëlqim Spahiu ka fituar gjyqin. Pra me vendim Gjykate atij i është miratuar ndjekja e zv.kryeministrit, duke e cilësuar si të drejtë punën që ai kishte bërë.

Oficeri i SHIK-ut Shkëlqim Spahiu ka arritur që pas një pune të gjatë të dokumentojë në rrugë operative të gjithë punën e tij në ndjekje të Namik Dokles dhe një deputeti të Partisë Demokratike në atë kohë, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Oficeri i Shërbimit Informativ Kombëtar, Shkëlqim Spahiu, ka arritur që në rrugë operative të grumbullojë informacione që forcojnë dyshimet se këto dy deputetë kishin kryer veprime që të linin të dyshoje se punonin për shërbimin sekret të Serbisë.

Shkëlqim Spahiu pushohet nga puna në vitin 1998, pikërisht për këtë ndjekje dhe provat që kishte paraqitur në vitin 1994 në qendrën e Shërbimit Informativ Kombëtar, për lidhjet e dyshuara të Namik Dokles me shërbimin sekret serb. I njëjti oficer ka ndjekur me të njëjtat dyshime, edhe një deputet të Partisë Demokratike, i cili nuk jeton më.

Pas ardhjes së socialistëve në pushtet, dosja e hartuar për Doklen është gjetur në sirtaret e SHIK-ut dhe ndaj këtij oficeri ka nisur një lloj persekutimi. Ai u pushua nga puna dhe më pas u njoftua nga miq të tij se po bëhej gati një ndjekje penale për të, se kishte përgjuar dy deputetë.

Gjykata e Lartë ka vlerësuar se shkarkimi nga puna i këtij punonjësi nuk është në përputhje me ligjin. Në vendim thuhet se institucioni i SHIK-ut nuk ka pranuar të vendosë në dispozicion të paditësit, informacionet që ai kishte depozituar gjatë kohës që ishte në punë, ku implikohet Namik Dokle me shërbimin sekret serb. Shkëlqim Spahiu e ka paditur institucionin e SHIK-ut për largim të padrejtë nga detyra dhe ka kërkuar shpërblim për këtë.

Në Gjykatën e Shkallës së Parë, oficeri i pushuar nga puna nuk e ka fituar gjyqin. Ai e ka apeluar çështjen në Gjykatën e Apelit, ku edhe kjo e ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.

Shkëlqim Spahiu me avokat Virgjil Karaj ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku dhe ka fituar çështjen. Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimin e Apelit, duke e cilësuar si të drejtë pretendimin e paditësit, që është Shkëlqim Spahiu.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë thuhet "Sipas pretendimeve të palës së paditur, paditësi ka dërguar një material organit qëndror të Shërbimit Informativ, i cili ka për lëndë emrin e një personi që për shkak të funksionit nuk mund të ndiqej, pa u marrë miratimi nga një instancë e caktuar e njohur me ligj.

Më në fund të materialit, shkruhet shprehimisht:... "kaq për dijeni, nga ana e jonë janë marrë masat e mëtejshme për verifikimin e vërtetimin e këtyre të dhënave të rëndësishme." Nga ana e paditur, për arsye të sekretit, këto materiale nuk janë paraqitur në gjykatë. Paditësi ka pretenduar se materiali i dërguar është një informacion i thjeshtë dhe nuk qëndron fakti se ndaj funksionarit janë kryer veprime operative në kundërshtim me ligjin."



Luli
Luli

"Duhet bredhur shumë në errësirë derisa të preket drita"

884


Mbrapsht në krye Shko poshtë

kush - Spiunet Tane! Kush Jane? Empty Re: Spiunet Tane! Kush Jane?

Mesazh  Luli prej 19.11.12 21:39

Shqipëria, 400 mijë spiunë të Sigurimit

Kundërshtimi i ashpër ndaj projektligjit për hapjen e dosjeve të spiunëve,si dhe kordinimi i votave demokrate dhe socialiste tregoi qartë e më së miri atë që kemi thënë shpesh herë se strategjia e “Katovicës” është fenomen që po gërryen shoqërinë shqiptare.

Spiunët e Sigurimit tashmë janë shndëruar në “ bomba ekologjike” të cilat ndotin, nga dita në ditë, ambientin e politikës e të jetës publike shqiptare, si dhe të një pjese të mirë të pushtetit mediatik shqiptare.Detonatorët e ” Bombave Spiune” të politikës shqiptare janë në duart e sigurta të individëve udhëheqës të formacioneve politike të cilët sa herë shohin se po ju shkasin nga dora “ushtarët” bëjnë plasjen e tyre.

Koha ka treguar se sa herë që dikush nga spiunët në fjalë ka dalë nga linja politike katoviciane e Nano-Berishës, pseudonimi dhe të dhënat rreth personit, në fjalë, janë bërë publike duke bërë demaskimin e radhës që do të thotë humbje morali para shtetasve shqiptarë për tu marrë me politikë.

Pra, rasti i kundërshtimit të këtij projektligji, nuk është bërë për faktin se Bule Çeços e Pjetër Arbnorit ju dogj zemra për të Drejtat e Njeriut apo për Konventat Ndërkombëtare, por për pseudonimet të cilat janë, edhe brenda vetë këtyre komisioneve duke ju shërbyer me devotshmëri si kartona për ligjet dhe projektligjet, pasi këto qënie të mjera janë një dorë e ngritur pro ose kundër sipas oreksit të shefave të tyre.

Sipas statistikave që disponon “SOT”, rezulton që Shqipëria postkomuniste rendiste plot 400 mijë dosje që mbajnë brenda tyre pseudonime spiunësh, duke llogaritur raportin 1 me 3 të popullsisë aktive.

Fatkeqësi kjo për një komb të vogël si Shqipëria, ku eksperimenti i diktaturës së Enver Hoxhës kultivoi njeriun e ri spiun, ku vëllai spiunonte vëllanë, ku fqinji përgjonte fqinjin, ku nipi dënonte xhaxhanë, ku njeriu për njerinë u bë spiun për të mbijetuar.

Pra, proverbi i vjetër sipas të cilit: Në kapitalizëm njeriu për njeriun bëhet ujk u konvertuar në sentencën e re: Në socializmin enverist njeriu për njerinë qe spiun.

Kurajua që kanë elementët socialistë të cilët janë të lidhur shpirtërisht dhe ideologjikisht me të kaluarën e tyre komuniste, për të marrë në mbrojtje, në emër të drejtave të njeriut elementin spiun, është një paturpësi e rradhës dhe një krim makabër.

Të mësuar nga paraardhësja e tyre me teorinë “të qënit spiun është nder dhe lavdi”, këta të fundit mundohen me mish e me shpirt të mbrojnë pseudonimet që fshihen pas emrave të politikanëve dhe, duke qënë bashkë, dikush tutor dhe dikush spiun, nuk duan ta prishin këtë dashuri bashkëshortore me elementin spiun që kanë brenda vetes.

Por a mundet të tolerohet nga shqiptarët që ai spiun që la fëmijën në bark të nënës pa baba, që la gruan pa burrë, që i bëri gropën viktimës duke e çuar në litar me shpifjet dhe spiunllëqet e tij, të jetë pjesë aktive e politikës shqiptare? A mund të tolerohet që ata që helmuan dhe vranë jetë njerëzish të drejtojnë institucione, të bëjnë politikë në sallën e parlamentit, apo qoftë dhe të lëshojnë helm mediatik apo të jenë opinionbërës?

A mundet që ne shqiptarët të pranojmë që brezat që po rriten jashtë realitetit diktatorial të udhëhiqen nga kjo racë e ndyrë hijenash që kanë duart me gjak dhe ndërgjegjen me njollë? Dhe për çudi spiunëve nuk duhet t’u preken të drejtat ndërsa viktimat e diktaturës vazhdojnë të vuajnë traumat që u shkaktuan nga ndërgjegja e tyre kriminale.

Mirëpo ky qënka realiteti shqiptar, ku “Stilografi” bën patriotin, ku “Vllahu” dhe “Babai” bëjnë historitë, ku “Kaposhi” shpërndan lajmin e “ Luftëtari” bën dipllomacinë, ku “Nëmërçka” tregon kryepleqësinë dhe mënçurinë, ku “Langaraqi” drejton viktimat... Sigurimi i Shtetit të ndihmonte të shndëroheshe nga koran Pogradeci në “Koran myzeqeje” duke të ndëruar emrin dhe duke të dhënë shkollën për të pasur kontigjent të besuar në ditët e vështira. Dhe ditët e vështira kanë ardhur ndaj, sot duhet edhe “Korani” dhe “Bozhuri”. Ah për pak harruam dje “ Holta” dekoroi viktimën e rradhës, viktimë në diktaturë derëziu, viktimë dhe në demokraci...

Luli
Luli

"Duhet bredhur shumë në errësirë derisa të preket drita"

884


Mbrapsht në krye Shko poshtë

kush - Spiunet Tane! Kush Jane? Empty Re: Spiunet Tane! Kush Jane?

Mesazh  Luli prej 19.11.12 21:40

Spiunët e Sigurimit në politikën shqiptare

Si mund të harrohet “Doku” që ngre njerëzit nga varri apo “Financieri” që është marrë me paranë publike. Janë shumë të tjerë që si “urithë” sillen rreth presidencës së republikës dhe rrethojnë Presidentin tonë të nderuar. Spiunët e sigurimit dhe të asfalisë greke si “Kaposhi”, apo “Greku”, apo politikani “Profesor” që megjithëse i djathtë teorinë e spiunllëkut e ka marrë nga të majtët shqiptarë...

A do të ndodhë ndonjëherë që të hapen dosjet e spiunëve të Sigurimit të Shtetit? Kjo është një pyetje që natyrshëm vjen në mendjet e njerëzve të paimplikuar me spiunllëqet e asaj kohe, kur shikojnë se në politikën, administratën, median si dhe në shumë sektorë jetikë marrin pjesë aktive ata, spiunët e Sigurimet të Shtetit.

Ata janë të pranishëm kudo, në drejtimin e dikastereve, janë deputetë, mediatikë, drejtues formacionesh politikë, drejtorë në administratë, drejtues OJF-sh dhe shumë sektorësh që kanë të bëjnë drejtëpërdrejt me jetën dhe fatin e individit e të shoqërisë shqiptare.

Janë këta të fundit që pavarësisht postit politik që mbajnë, për ustallarët e tyre rezultojnë në formë pseudonimesh e numrash që drejtohen në bazë të formulave që hedhin në databazën e tyre ustallarët e politikës, të cilët ndjehen komodë me këtë ushtri hijenash, që njollat shekspiriane të gjakut apo vuajtjeve të viktimave të tyre mundohen ti fshijnë duke i shërbyer sa më mirë atyre, pronarëve të dosjeve të tyre.

Dikur ligji i pastërtisë së figurës nxorri në pah se shumë prej pretendentëve të karriges së deputetit ishin figura të njollosura me denoncime dhe bashkëpunime ndaj kundërshtarërve të rregjimit. Shumë prej deputetëve të sotëm, biles dhe ministra nuk ishin në gjendje të kalonin Komisionin e Pastërtisë pasi kishin njollën e spiunit në biografinë e tyre. Shumë prej njerëzve që punonin në administratën berisha dhanë dorëheqjen pasi komisioni “Mezini” i nxorri spiunë të Sigurimit të Shtetit...

Por ç’ndodh realisht sot kur në pushtet kanë ardhur të majtët shqiptarë? Gjëja e parë që bëri Fatos Nano ishte shkrirja e komisionit që kryesohej nga i ndjeri Nafiz Bezhani. Shkaku sepse në administratë dhe në listën e deputetëve egzistonin shumë të sëmurë me “bronkopneumoninë” e spiunit shërimi i të cilëve nuk i interesonte në atë kohë as Nanos dhe as Berishës pasi, për të parin duheshin njerëz sa më të kompromentuar, për t’i pasur nën kontrollin e plotë, duke përdorur si gjithmonë “karton të kuq” dosjet.

Për të dytin, situata politike nuk premtonte të bënte spastrimet e spiunëve pasi kredencialet e tij elektorale ishin në nivelin më të ulët që Partia Demokratike kishte pasur ndonjëherë gjatë gjithë aktivitetit djaloshar tranzicional. Pa llogaritur se koha e qëndrimit në pushtet ju dha mundësinë të dyja palëve të kenë në dispozicion shumë prej dosjeve më të rëndësishme duke filluar nga ato të tyret.

Kjo gjë solli dhe seleksionimin e komoditetin e të punuarit me biografitë e të tjerëve, nën bindjen e plotë se dosjet e tyre tashmë janë vetëm nëpër sirtaret apo kasafortat e tyre.

Në këto kushte që ndodhet tashmë Shqipëria, ku filozofia e “Katovicës” vazhdon të mbretërojë dhe udhëheqësit e zgjedhur nga Alia vazhdojnë të qeverisin njëri në opozitë dhe tjetri në pozitë, spiunët janë kthyer në tmerri i zhvillimit dhe i progresit të këtij vendi. Pseudonimet aderojnë fuqishëm në fushat e tyre politike apo mediatike duke mbjellë helm apo duke mbajtur peng këtë vend.

Gazeta “SOT” ka hapur dhe në beharin që shkoi një cikël shkrimesh me pseudonime politikanësh apo njerëzish publikë që kanë qënë bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit duke publikuar dhe lakuar me përafërsi identitetet përkatëse. Shumëkush prej njerëzve mund të mendojë se kjo mund të jetë një skup mediatik.

Në të vërtetë gazeta “SOT” disponon shumë materiale që do të bëhen publikë në momentin e duhur, duke i treguar shqiptarëve identitetin e vërtetë të politikanëve që i udhëheqin. Duke pasur parimin e gazetarisë civile, nga ana jonë, asnjëherë nuk është synuar përbaltja e kërkujt, por vënia në vend e të vërtetës për hir të atyre njerëzve që u persekutuan, u burgosën e u pushkatuan nga dëshmitë e falcifikuara të njerëzve që kanë moralin të qëndrojnë në jetën politike apo publike shqiptare.

Nuk mund të harrojmë politikanin i cili me 15 faqe dëshmonte për babanë e tij për të shpëtuar veten nga reperkusioni komunist. Nuk mund të harrohet ky njeri që spiunonte shokët e punës te operativi i sigurimit dhe që sot i bën moral publikut të gjërë.

Si mund të harrohet “Doku” që ngre njerëzit nga varri apo “Financieri” që është marrë me paranë publike. Janë shumë të tjerë që si “urithë” sillen rreth presidencës së republikës dhe rrethojnë Presidentin tonë të nderuar.

Spiunët e sigurimit dhe të asfalisë greke si “Kaposhi”, apo “Greku”, apo politikani “Profesor” që megjithëse i djathtë teorinë e spiunllëkut e ka marrë nga të majtët shqiptarë.

Padyshim që në fasadën piktoreske të spiunëve nuk do bëhej mirë të mos përmëndeshin as “Yjet” apo “Dizenjuesit” e parlamentit. Qeveria shqiptare do të ngelej keq po të mos kishte në rradhët e saj “Sërbin” pasi eksperienca e tij është e shkëlqyer. As “Anteu” s’mund të rrijë jashtë se ç’kuptim ka.

Pa harruar freskinë që i sjellin parlamentit opozitarët spiunë si “Inxhinjeri”, “I vogli”, “ “Shishja e qumështit”, “Alfons Ballshi” apo “Naftëtari”, një djalë me të ardhme ky i fundit, që mund të na lidhë mirë dhe me Amerikën.

Për të mbyllur për sot siparin e kësaj parade spiunësh ja vlen që dhe mediatikët si “Holta”, “Drita” “Plepi”, “Grepi”, “Çorapja”, apo “Korani i Myzeqesë” të kujtohen si përmbushës të detyrave të vëna nga shpikësit e pluralizmit të masakruar shqiptar.
Luli
Luli

"Duhet bredhur shumë në errësirë derisa të preket drita"

884


Mbrapsht në krye Shko poshtë

kush - Spiunet Tane! Kush Jane? Empty Re: Spiunet Tane! Kush Jane?

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi