EXPLORER UNIVERS
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Alfabeti i bestytnive

2 posters

Shko poshtë

Alfabeti i bestytnive Empty Alfabeti i bestytnive

Mesazh  Jon 05.06.08 21:56

Alfabeti i bestytnive

Ardhmëria (fati dhe fatkeqësia) edhe sot e kësaj dite, krahas zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë, mbetet e panjohur në po atë masë sa ishte edhe në kohët e civilizimeve të lashta.

Kujdesi që të evitohet fatkeqësia, gjegjësisht që të arrihet deri te fati, bëri që njeriu gjatë gjithë këtyre shekujve në çdo pëllëmbë të tokës, t'i ruaj në traditën e vet këshillat bestyte nga të parët e tij. Kështu bestytnitë me shekuj e shekuj ndikuan në psikën e njeriut. Historiani T. S Noulson bestytnitë i klasifikoi në tre kategori:

a). Bestytnitë që kanë të bëjnë me veprime të ashtuquajtura detyruese e që manifestohen në formë të bindjes se individit do t'i ndodh ndonjë fatkeqësi nëse e kryen veprimin e caktuar.

b). Bestytnitë që shprehen me anë të kryerjes së rtualeve të caktuara specifike ose fetishizmit të mjetit të caktuar, e që më vonë sjellin deri te rezultati i kërkuar.

c). Leximi i shenjave djhe komentimi i parashikimeve të cilat na bëjnë me dijepër pritjen e ndonjë ndodhie.

Komentimi i bestytnive që do ta përshkruajmë këtu mirret vetëm si një gjë argëtuese, dhe nëse dikuj i shkonë ndërmend se po bëjmë manipulime pseudoshkencore me frikën dhe mosnjohuritë e njeriut, gabon.

Në fund të fundit, vet zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë, si duket është fajtor për rrënjëzimin edhe më të madh të këtyre dukurive, ngase mos harroni, për shkencën e djeshme kjo e sotmja ka qenë bestytni pseudoshkencore ...po ajo e nesërmja...!?

Nëse pa paragjiykime dëshironi të argëtoheni disa çaste, ja disa këshilla që i mblodhëm kohë më parë nga tradita mjaft e pasur e popullit tonë.

Alfabeti i bestytnive

-Nusja e re në shtëpi të burrit në ditën e martesës, duhet të hyjë (ta shkelë pragun) me këmbën e djathtë, në të kundërtën harmonia e familjes do të shkatërrohet që nga ai çast.

Poashtu me të dy duart (ndonjëherë të lyer me mjaltë) duhet ta prekë pjesën e sipërme të derës-që jeta e çiftit të ri të jetë e ëmbël, e lumtur dhe në harmoni me anëtarët tjerë të familjes.

-Bombonet, orizi, gruri e drithërat tjera që i hudhen nuses (apo ndonjëherë çiftit të ri) kanë për qëllim që trashëgimia e tyre të jetë e suksesshme.

-Nëse gërshërët biejnë nga dora dhe ngulen në dysheme-është shenjë e grindjes së shpejtë e anëtarëve të asaj familjeje.

-Ena që rastësisht thehet në kuzhinë paralajmëron fat të befasishëm për atë familje, ndërsa nëse fotografia apo gjësendi bie nga muri rastësisht, pritet një fatkeqësi e madhe për shtëpinë.

-Po qe se e theni rastësisht pasqyrën, atëherë thonë se në shtatë vitet e ardhëshme do të jeni i pafat!

-Fatkeqësi sjell gjithashtu edhe ajo nëse e harroni çadrën hapur në shtrat, çadrën e mbyllur dhe nëse luani me gërshërë pa prerë asgjë.

-Nëse në të njëjtën kohë i preni thonjtë edhe të këmbëve edhe të duarve, në të njëjtën ditë do të keni edhe gëzim edhe hidhërim.

-nëse gjethja nga druri vetvetiu bie dhe prek supin tuaj të majtë-mund të pritni së shpejti një fat apo gëzim të madh.

-Fëmiu, nëse vetvetiu merr fshisën dhe fillon ta fshijë dhomën, mund të pritni ardhjen e një mysafiri nga larg. E njëjta ndodhe edhe nëse e harroni (mbetet gjatë) lugën nën sofër.

Thonë se do të takohesh me dikë nëse faqja ju kruhet, syri i djathtë nëse ju kruhet sjell gëzim, ndërsa i majti lotë.

-Nëse ju tingëllon veshi i majtë mund të pritni lajme të këqija, ndërsa i djathti sjell lajme të mira.

- Lemza nëse ju ngacmon intenzivisht, është shenjë se dikush pandërprerë në ju mendon, dikush që ju do me zemër.

-Nëse dëgjoni gjelin që këndon në mesnatë-pritet një rrezik i madhë për zotin e shtëpisë në oborrin e të cilit ndodhet gjeli, ndërsa këndon në orën 12 apo pak para mbrëmjes, atëherë paralajmëron fat të papritur.

-Kur ju kruhet dora e djathtë-është paralajmërim se do të jipni (te disa e kundërta) para, ndërsa e majta se do të merrni para.

-Po qe se nga shtrati zgjohesh dhe shkel me këmbën e majtë, tërë ditën punët mbrapsht do të vejnë.

-Shumë njerëz në mesin tonë besojnë se vetëm në mëngjes njeriut i ndahet fati, prandaj duhet zgjuar sa mëherët!

-Nëse në majë të gjuhes ju paraqitet ndonjë puqërr, dikush është duke ju sharë prapa shpine, e njëjta vlen edhe nëse ju skuqet veshi i majtë, ndërsa i djathti do të thotë lavdërimin që dikush ju bën.

-Nëse syri vetvetiu loton, apo tymi vazhdimisht hyn në sy, do të thotë se dikush është përmalluar për ju. Gëzim sjell edhe nëse mjekrra ju kruhet.

-Ilirët kanë besuar se nëse lëshohen gjarpërinjtë nëpër trupin e femrave pa fëmijë, ato do të mbarësohen në natën e parë të fjetjes me burrin.

-Vënia e dorës gjatë gogësimit nuk është vetëm mirësjellje bontone, por atë e bëjnë shumica ngase janë të bindur ngase përmes gojës hyjnë shpirtërat e këqinj.

Nga Sabiha Reçi Gjinoci


Edituar për herë të fundit nga Gothicus në 05.06.08 22:01, edituar 1 herë gjithsej
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Alfabeti i bestytnive Empty Re: Alfabeti i bestytnive

Mesazh  Jon 05.06.08 21:59

Bimët dhe bestytnitë

Asarum europaeum është një bimë që në gjuhën tonë quhet kopedan, bartlyeni, helmetun etj. Kryesisht përdoret si "bar Shëngjergji". Në Marec, lidhur me këtë bimë, ekziston bestytnia se kjo bimë mbron nga qeniet e këqija. Ja si është tregimi në origjinal:

"Dy shtriga ishin kan'nisë me hangër ni thmi. Kur hynë n'aborr, hetuen se kalit i kish pas met n'thunër do helmetun. Si e panë kit bari ikën, se ku ka helmetun nuk muj'bajnë keq."

Gështenja, ndryshe në popull quhet kshtajë, kështajë. Arbreshët e Zarës e quajnë maron. Në rrethin e Strugës është zakon që natën, kur të hyjë dhëndëri, në darkën e parë me nusen, përveç ushqimeve tjera, të ketë edhe 7-8 kokrra gështenja të ziera a të pjekura.

Nëse nusja nuk bën fëmijë, atëherë ajo zgjohet te ndonjë gështenjë dhe lutet për të qenë fertile. Ndërsa për ditën e Shëngjergjit dilet në pyll në të ashtuquajturat "panagjire të gështenjave" në shenjë gëzimi për ditët e bukura pranverore dhe me dëshira për verë të frytshme.

Qershija, nuk bën të prehet ngase në këtë botë paska ardhur me njëqind besa. Ajo bën me u përdorë vetëm për urë dhe vig, për shpi kurrë. Kjo bindje ekziston në Llap, ndërsa në Tepelenë, ditën e vitit të ri dhe në ditën e ujit të bekuar, hidheshin në zjarr bisqet, copat e shkopinjtë e qershisë, ndërsa hiri i tyre hidhet më pastaj në vreshta.

Thana - Në shumë vise besohet se thana është bimë e mallkuar nga ana e Profetit, ngase e ka penguar atë përderisa ai kishte tentuar të ikte nga çyfarrët. Ai i kishte thënë thanës: e para lulofsh, e mrama i piqsh, dru kurrë mos u bofsh!.

Në rrethin e Strugës dhe Kërçovës për Ditën e verës (14 mars), në hyrje të shtëpive dhe kasolleve të bagëtisë vihen rrema thanash. Në mëngjes herët, të nesërmen i pari që zgjohet nga gjumi, i merr rremat e thanës dhe me to zgjonë nga gjumi anëtarët tjerë, duke filluar nga më i riu i familjes, dhe duke uruar "si thana qi asht e fortë ashtu tëi t'jesh i fortë, si thana qi ka shpërthy, ashtou tëi shpërthejsh".

E tëra kjo bëhet që anëtarët e familjes vitin e ardhshëm të jenë më të shëndetshëm, më të fortë dhe fatlumë.

Ftoi, Në shumë vende të Kosovës natën e Shëngjergjit dredhin penj të bardhë e të kuq, i lënë tërë natën në degë të ftoit ose edhe të kaçës, të nesërmen i marrin dhe ua vëjnë djemve dhe vajzave në qafë, ngase e kuqja dhe e bardha simbolizojnë shëndetin.

Daucus carota L. Bimë e cila në gjuhën shqipe quhet karotë, në disa vende të banuara me shqiptarë quhet edhe lulenjerëzie, luleperde, lulemarrje, lule e marrës, lulebereçeti, luleturpi etj. Emërtimi i kësaj bime vjen nga bestytnia duke u bazuar në pjesën qendrore të lules e cila është me ngjyrë të zezë dhe e cila "dikur o kanë ma e madhe e tash o zvoglue shum, se ka hupë marrja te njerzija, tue hup kto, hupë edhe t'zezt e lulës".

Ahin s'e vret 'reja

Ahu, në Llap e preferojnë si mriz hijen e ahut, sepse ekziston bindja se "e ka hijen e shndoshë dhe ahin nuk e vret reja".

Fiku, është interesante se në Myzeqe, në ditën e lehonisë, gruaja që nuk kishte gji shkonte bashkë me një shoqe me fëmijë, te një fik. Gruaja lehonë kapte degën e fikut ndërsa shoqja e pyeste: Çfarë tund? Lehona përgjigjej: "Un tund fikun, fiku tund dheun, dheu tund detin, deti bie bulmetin (qumështin e gjiut).

Frashëri, Shumëkund besohej se frashëri ka fuqi magjike për të absorbuar shikimin "e syrit të keq", prandaj nga ky dru u bënin fëmijëve krahosha apo m'syshe që u vareshin me dyll në flokë. Po për të njëjtin qëllim edhe zgjedhat i bënin nga i njëjti dru.

Shpendra, shumëkund quhet edhe shpinël, kukuretë, kukuraqe, kukurek, taçe, kolonec, vuzhë, verboz, shpendve, etj. Në anën e Strugës Ditën e verës fëmijët dalin në fushë për të mbledhur lule dhe shpendra. Luleve u marrin erë, kurse shpendrat i përdorin për t'i fërkuar sytë, që t'i kenë të shëndoshë, meqë besohet se kjo barishte i mbron ato.

Në Kosovë fëmijët sjellin nga fusha përplot buqete të shpendrës dhe i stolisin shtëpitë dhe oborret në shenjë gëzimi për kthimin e ditëve të nxehta dhe të gjelbërimit.

Arra, në shumë vende besohet se nuk është mirë të mbillet, ngase kur bëhet e gjerë sa koka e atij që e mbolli, ai vdes. Në Llap besohej se "nder arrë nuk asht mirë me flejt, as me nejtë e as bunar ngat saj me ba.

Edhe në rrethin e Kërçovës ekzistojnë bestytnitë që i përkasin anës dhe ato zakonisht i mbjellin pleqtë ngase nji i ri nouk bon ta mjelli, se kour të rreitet arra e të trashët sa qafa e atij qi e ka mjellë, qatherë vdes ai". Ka gjasa që këtë bestytni ta kenë përhapur maqedonët dhe serbët, ngase ata vet e mbjellin me dorën e tyre.

Përndryshe arsyeja do të ishte ngase arra në njëfarë mënyre është "pompë natyrore" dhe nga thellësitë e mëdha e thith ujin. Kështuqë në kohën e thatësirës, vendi ku ndodhet bima e arrës ka lagështi natyrore. Këtë e dijnë popujt tjerë.

Në Myzeqe, me gjethet e njoma të arrës shtronin dyshek që t'i largonin të ligat nga trupi dhe të jenë të shëndetshëm e ta kalojnë verën si gjethja e arrës. Këtë e bënin në muajin maj.

Molla, edhe me mollën lidhen mjaft bestytni. Njëra nga do është molla e dasmës. Merrej molla në shtëpi të nuses dhe bartej gjer në shtëpi të dhëndërit. Në oborrin e tij hudhej, dhe ai që do ta kapte atë mollë, mendohej se do ta përcjellte fati e lumturia.

Në kaptell të djepit gdhendeshin molla, qershia e frutat tjera, të cilat kishin domethëniet magjike që tregonin se fmija t'jetë i shnoshë si molla, i hjeshëm si kukrra e çurshisë, ndërsa të njëjtat motive mund t'i hasnim edhe te arkat e nuseve, që ato të kenë sa ma shum thmi t'shnoshë e t'hieshëm si pem't.

Në Myzeqe të vdekurit i viheshin mollë ndër duar që t'ua japë fëmijëve që e presin në të andejshmën kur të vejë. Rëndom mollët i jepte një nënë zemërdjegur që i kanë vdekur fëmijët e saj, e cila vajton me zë dhe e porositë që t'ua japë fëmijëve të saj në atë botë.

Neottia nidus-avis Rich, në gjuhën shqipe quhet neoti, bar'ethç, ethç, ethc, ethacak, hethacak etj. Nga emertimi shihet se në shumë vende besohet se nëse i jipet bagëtisë kjo bimë për Shëngjergj, i shtin gjanë të ethën çpejt.

Borziloku, ndryshe quhet edhe vasilikon, fesligen selfen, sefian, sefergjen, busule, lul'bojsilek, fesilgjen etj. Në Myzeqe besohej dhe ishte zakon që pasi të rregullohej i vdekuri, i vihej nën krye jasteku i mbushur me borzilok që të pushonte me erën e këndshme të kësaj bime. Pas disa ditësh rrobet e të vdekurit laheshin dhe pastaj spërkateshin me ujë borziloku.

Në ditën që, për së dyti, martohej burri ose gruaja, e spërkaste varrin e ish partnerit me ujë borziloku që të mos dëshpërohej për martesën që po e bënte i shoqi ose e shoqja.

Ulliri, E ka hijen e Zotit, e nuk bahet lugjat. Në Myzeqe besonin se ulliri është pemë e bekuar nga perëndia ngase jep vajin për ushqim dhe krezm (vaj i shenjtë). Dega e ullirit futej në varr të njeriut, të mos bëhej kokuth (lugjat), ngase pranë e ka hijen e zotit, që lufton ngjalljen për kokuth. Në Berat, për ditën e Shëngjergjit nëpër shtëpi e kasolle të bagëtisë vënin degë ulliri.

Ononis spinoza L, kalmuthi. Ndryshe quhej edhe nevestër, ferribujkë, lamuth, caboketh, therranuse, ferrënuskë, gjuhënuse, therrë (thue) mace, barlugati, cronikth, etj. Rrënja e kësaj bime vendosej mbi derën e shtëpisë, ngase besohej se mbron për mos me hi lugati. Gjembi i bimës qepej nëpër tesha që baheshin përçdo ditë - shko ku t'duesh, se s'ki frigë ma pej lugati. Kjo bestytni ishte më dominuese në Klinë dhe rrethinë.

Kumbulla, në rrethin e Kërçovës, të Llapit dhe në disa vende të tjera, besohet se nëse femra e han frutin "binjak" të kumbullës lind fëmijë binjakë.

Shega, te shqiptarët e Çamërisë vjehrra ia jipte nuses një kokërr shege, të ndarë në katër pjesë, të cilat nusja i përplaste me forcë në mur, që kokrrat të shpërndaheshin. Të pranishmit atëherë uronin: "Të jesh e plotë si

Këtë herë në përgatitjen e këtyre bestytnive na shërbeu libri i pazëvendësueshëm i Shefki Sejdiut, Fjalorth Etnobotanik i Shqipes.

Nga Sabiha Reçi Gjinoci
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Alfabeti i bestytnive Empty Re: Alfabeti i bestytnive

Mesazh  Jon 05.06.08 22:16

Mos e mbani trëndafilin e verdh në vazo...

"La fluer que tu m'avais jetee ", janë këto fjalë nga aria e njohur muzikore, e që në përkthim do të thonë : "Lulen që ma gjuajte ti", fjalë të cilat i flet romja e bukur Carmen, personazhja kryesore në operën e njohur të Bizetit me emër të njëjtë.

Si duket Karmen e dinte mirë se çfarë roli të rëndësishëm kanë lulet në joshje të dashurisë. Romja e bukur, Karmen, arriti t'ia pushtojë zemrën djaloshit Don Josea duke ia lënë një lule të cilën ai do ta ruaj gjer në vdekje.

Për gjithë ata që dëshirojnë t'ia fitojnë zemrën dikujt, le ta përcjellin shembullin e romes Karmen dhe le t'ia dhurojnë partnerit të tyre trëndafilin e portokalltë. Me këtë ju mund ta shtyeni partnerin që t'ju bëhet besnik dhe xheloz nga dashuria e madhe.

Sipas një besimi të vjetër hebrej - kabalës, hithi jo vetëm që kur e mbledh t'i përcëllon duart, por e përcëllon dhe ndez edhe zemrën e personit të cilin dëshirojmë ta pushtojmë. Rituali bestyt që hebrenjtë e vjetër e përdornin është si vijon: " Duhet të pritni agun e mëngjezit, të merrni pak karafil, dhe në ujë të njelmët vendosni pak gjethe hithi dhe këto duhet t'i zieni.

Pasi të ftohet uji, vendosini në të lulet e karafilit. Lëngun e përfituar duhet ta përdorni deri para agimit pasues, në të kundërtën rituali e humb efektin dhe mund ta përsëritni vetëm pas shtatë ditëve."

Lulja e portokallit për martesë të lumtur

Edhe me fjalën martesë lidhen shumë rituale bestyte. Nënat sa e sa herë i këshillojnë bijat e tyre me fjalët: "…bëje këtë, mos e bën atë…", me qëllim që ajo ta ketë martesën sa më të lumtur. Njëra prej bestytnive nga më të përhapurat në botë është kjo: "Në buqetën e luleve që dhëndri ia dhuron nuses, duhet të figurojë edhe lulja e portokallit.

Për këtë qëllim bën të përdoret edhe lulja e limonit, pasi që për nga natyra është përafërsisht e njëjtë me lulen e portokallit." Në disa vende, p.sh. në Skotlandë, në buqetën e çiftit të ri bashkëshortor figuron edhe gjethja e bimës kamelia (Camelia japonica), bimë e përafërt dhe e familjes së njëjtë me bimën Camellia sinensis, të cilën e adhuron shumë populli ynë, mbase pa vetëdije.

Përndryshe kjo bimë te ne është e njohur me emrin "çaj i rusit", çaj ky që përfitohet nga gjethet e kësaj bime.

Në disa vende si p.sh. në veri të Francës, në buqetën e luleve të çiftit të ri, vendoset edhe guri i shkëmbinjve kristalorë. Përderisa kamelia simbolizon besnikërinë, guri i shkëmbinjve kristalorë simbolizon dashurinë e pastër dhe të fortë. Lulja e portokallit (ose limonit) simbolizon çiltërsinë dhe virgjërinë e nuses, por njëherit këto paraqesin edhe lulet më të adhuruara të perëndeshës së dashurisë -Venerës.

Fryti i portokallit, gjegjësisht i limonit, të cilat u sollën në Europë nga lindja para rreth njëmijë vjetëve, konsiderohej si simbol i plleshmërisë vetëm e vetëm për shkak të farave të saja që përmban. Për këtë arsye, në vendet e lindjes, si p.sh në Kinë, po t'ia dhuroje ndonjë vajze një fryt portokalli, nënkuptohej sikur t'i ofroje martesë.

Cila bimë guxon dhe nuk guxon të ndodhet në dhomën e qiftit të ri

Bima luleberonja (Ilex aquifolium), e cila ndryshe në popull njihet edhe me emrat ashe, dushk i egër, lar i egër etj, si dhe bimët lule Shëngjergji (Convallaria maialis ) dhe begoneja, nuk bën të ndodhen në dhomën e çiftit të ri. Lule Shëngjergji është bimë helmuese.

Luleberonja, nga vetë emri - beronjë, që do të thotë shterpë, pastaj me po këtë emër quhet edhe gjarpëri i hollë e i gjatë që i mbështillet njeriut a shtazës përreth kur do ta hajë, është sikur të gjitha bimët tjera me therra, dhe shumëkund në botë ekziston bindja bestyte se me këtë bimë kanë lidhje shpirtat e këqij dhe të parahatshëm. Me siguri edhe te ne ekziston kjo bestytni, pasi që bima në fjalë është emërtuar me po atë emër.

Përndryshe këto bimë i simbolizojnë lulet e dashurisë së fshehtë dhe shpesh janë pjesë përbërëse të kurorave me lule që vendosen në varre. Prandaj këshillohet që për martesë sa më të lumtur të zgjedhen bimët diellore si trëndafili, etj.

Nëse dëshironi që edhe të pranishmit në dasmë të ndiejnë dashuri dhe që shikimet e dasmorëve mes vete të shndërrohen në "shigjeta të Amorit", vendosni në tavolina vazot në të cilat ndodhen trëndafilat e kuq dhe kokoçelat, të cilat lehtë mund t'i gjeni në muajin qershor - shtator, nëpër ara me grurë.

Kokoçeli (lule gruri) ka ngjyrë të kaltër dhe simbolizon besnikërinë e që efekti të jetë më i madh, që buzëqeshjet dhe shikimet e të pranishmëve të shndërrohen në dashuri, në vazo vendoset edhe një copë e vogël hekuri të magnetizuar, i cili në kohët e hershme simbolizonte fatin në dashuri dhe neutralizimin e ndikimeve negative, përderisa bakri e simbolizonte forcimin e ndikimeve pozitive. Nëse e vendosni trëndafilin e verdhë në vazo, do t'i ndihmoni rritjes së xhelozisë mes të pranishmëve.

Muaji i mjaltit

Kudo në botë besohet se muaji i mjaltit paraqet fazën kalimtare mes çiftit të ri dhe bashkëshortëve. Në muajin e mjaltit shkojnë si "çift i ri "dhe kthehen si "Burrë dhe grua". Për këtë shumë besojnë se themelet e fatit të ardhshëm vendosen pikërisht në ditët e muajit të mjaltit. Që "hapi" i parë të jetë fatlum dhe i mbarë, shumëkund preferohet ndihma magjike e luleve.

Në valixhet e çiftit të ri shpesh vendosen disa lule e gjethe të bimës mare (Artubus), pastaj të bimës lulëkuqi i egër, bimë këto më të dashura të Giusepine Beauharnais-it, apo Xhozefinës së njohur, para së cilës u përkul Napoleon Bonaparta.

Në këtë udhëtim ndihmon edhe gjethja e urthit (hedera helix) e cila shkon zvarrë nëpër mure të shtëpive dhe ndodhet në shumë oborre këtu në Kosovë, pastaj edhe gjethja e dafinës, e cila ka aromë të këndshme dhe të cilën amviset e vendosin në gjellëra.

Gjethet e bimës dafinë (Laurus nobilis) rriten në vende mesdhetare, por këtu te ne mund të blehen në shumë supermarkete e shitore të tjera ushqimore. Përndryshe popujt antikë këtë bimë e konsideronin si bimë triumfi mbi kundështarrin. Për këtë kurorat triumfale të popujve antikë stoliteshin me gjethet e dafinës. Përndryshe besohet se kjo bimë mbron edhe nga fatkeqësitë.

Mbase kjo bestytni ka marë hov nga tregimi i natyralistit të vjetër Latin, Pliniut, për pulën që kishte rënë nga lartësitë e mëdha qiellore prej kthetrave të shqiponjës dhe kishte shpëtuar e palënduar fare. Në gojë pula mbante gjethen e bimës dafinë.

E tëra kjo kishte ndodhur para vajzës Livie, të fejuarës së sundimtarit August. Për këtë ata në oborrin e tyre kishin mbjellur drurin e dafinës, dhe lidhja e tyre martesore njihej si lidhja më e fuqishme e dashurisë në historinë e njerëzimit.

Nata e parë e dashurisë

Venera (Afërdita), njihet si perëndeshë e njohur e dashurisë dhe, sipas legjendës, ajo është lindur nga valët e detit të plleshëm prej organeve mashkullore të Uranit, të cilat në atë det i hudhi Saturni. Përndryshe, Venera ishte gruaja e Vullkanit, mirëpo dashuronte Marsin…

…e që nata e parë bashkëshortore të jetë e përsosur, në shumë vende në botë i vendosin vazot me jasemine (Jasminum officinale) nga ana e jashtme e dritares, bimë e cila simbolizon ndieshmërinë aromatike, e pranë saj vendosin edhe një copë të shkëmbit kristalor dhe ujin e njelmët. Po t'i bëjnë gjitha këto, besojnë se fati do të flejë në krevatin e çiftit bashkëshortor gjer në amshim.

Lulet dhe shëndeti

Periudha më e ndieshme për shëndetin e femrës është periudha e shtatzënësisë, pastaj ajo e lindjes dhe menopauzës. Në shumë vende besojnë se kalendula mjekësore - (Calendula officinalis) është parashenjë e mirë për jetë të re, e cila simbolizon optimizmin dhe ia bartë fatin fëmiut.

Për këtë ndihmon edhe trumëza si dhe temjani, të cilat relaksojnë, për çka i përdorin edhe budistët gjatë meditimeve të tyre. Gjatë periudhës së lindjes, shumë popuj preferojnë që pranë nënës së ardhme të ndodhet një kalli gruri - si simbol i plleshmërisë, pastaj kalendula mjekësore me optimizmin e saj, si dhe karafili i bardhë me çiltërsinë që sjell. Në menopauzë ndihmojnë petalet e kurorës së trëndafilit për t'mos ju humbur sharmi, si dhe kalendula mjekësore që mos ta humbni besimin.

Numri shtatë për sukses në punë, mësim dhe në provime

Në shumë vende simbol i suksesit dhe i fatit të mirë është numri shtatë. Prandaj për sukses në mësime dhe punë mund t'i merrni shtatë kokrra të misrit dhe një kalli të grurit (bën edhe ndonjë tjetër drith).

Drithërat janë simbolet më të vjetra të plleshmërisë, suksesit dhe përparimit. Nëse i shtoni këtij kombinimi edhe gjethet e bagremit (drizës së butë), shumë më tepër do të shtohet përqëndrimi juaj. Në vendet perëndimore bagremi përdoret si bimë për t'i ndarë dy shiritat e autoudhëve, ngase kjo rritë dhe forcon reflekset e shoferëve.

Nëse dëshironi të bëheni më të qëndrueshëm, mos e harroni thënien: "i fortë është ai të cilin e rrahin shpesh erërat", prandaj nëse dëshironi ta rritni qëndrueshmërinë tuaj, merrni edhe një copë shkëmbi të cilin shpesh e rrahë era. Mos harroni edhe këtë: punoni vyeshëm dhe mësoni!

Ndërsa sa i përket fatit në punë dhe punësimit, le t'ju kujtohet një film i vizatuar nga repertoari i Walt Disneyit, shotanit miliarder dhe centit të parë të tij. Dizni e respektoi këtë bestytni antike dhe e përgatiti këtë film vizatimor.

Pra, merrni një monedhë të vjetër metali dhe vendoseni në letrën shtatëshe karo, të lakuar përgjysmë. Monedha e vjetër jashtë qarkullimit në vete ka mbledhur energjinë e shpresës së pasurimit në duart e miliona njerëzve, ndërsa shtatëshja karo është simpol i suksesit në punë. Dhe para se të dilni nga shtëpia, vendosni këtë "hajmeli" në çantën tuaj. Në fund të fundit, dëme nga kjo nuk do të keni.

Ndërsa për përparim në karierë ju nevojiten njëzet para të letrës jashtë qarkullimit. Në to vendosni pak anilinë apo kumin (Carum carvi) të kuq në pluhur, si dhe tri gram të bimës ndërgishte (Potentilla anserina) e cila e rritë efektin e parave fatsjellëse. Këto bimë mund t'i gjeni nëpër supermarkete apo në barnatore bimore.

Me siguri nëpër shitore dhe barnatore shpesh keni parë vazo me lloje të ndryshme të fierëve. Ndoshta pa vetëdije, e ndoshta kjo si fshehtësi, të cilën ne do t'ia shpalosim lexuesve të Mjellmës.

Fieri e simbolizon pasurinë. Me shekuj është transportuar përmes karvaneve nga lindja dhe një kohë kishte vlerë sa të arit.

Nëse vendosni në një strajcë të lirit përzierjen e fierit (çfarëdo lloji qoftë), të farave të një limoni dhe të disa kokrrave të kripës së detit, dhe këto i lëmoni çdo mëngjez posa të zgjoheni nga gjumi, atëherë do ta keni një ditë të qetë. Forcën e oqeanit ju jep kripa, pasurinë fieri, ndërsa kthjelltësinë dhe plleshmërinë e fitoni nga kokrrat e limonit.

Nga Sabiha Reçi Gjinoci
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Alfabeti i bestytnive Empty Re: Alfabeti i bestytnive

Mesazh  Jon 05.06.08 22:19

Mos e shkelni trëndafilin...

Njeriu gati gjithmonë ka bërë përpjekje që t'i përcjellë shenjat dhe porositë e fshehta shumëkund, dhe këto më pastaj t'ia përcjellë gjeneratave pasardhëse përmes traditës, zakoneve e riteve. E tëra kjo, dhe të tjerat bestytni, me siguri lindën si nevojë e njeriut që në situatat e zakonshme ta ketë një shkop magjik që do t'ia rregullonte jetën.

E ky shkop magjik, në veçanti do t'i nevojitej gjinisë femërore, për ndoshta ndonjë simpati të fshehtë, për martesë të lumtur, shëndet, punë etj. Etj. Ashtu si premtuam në numrin e kaluar, ne do t'ju përshkruajmë këtu disa bestytni që lidhen me bimët e ndryshme te ne dhe në botë. Për dikë ndoshta ndonjëra do të shërbejë si shkop magjik, për tjetrin… Sidoqoftë, ju dëshiroj argëtim të këndshëm.

Si të dashurohet marrëzishëm

Kudo në botë, si dhe mes nesh, ekziston bindja se nëse dikush gjen tërfillin me katër gjethe, do të ketë fat të pakufishëm. "Ai çi xhanë tërfojë me katër fletë ka igball", thonë kudo në Kosovë. Studentët, tërfillin e gjetur me katër gjethe e vendosin në indeks.

Nxënësit, nëpër fletore, përveç zemrës, e vizatojnë edhe tërfillin me katër gjethe. Në djep, përveç dekorimeve të tjera, shpesh haset edhe tërfilli me katër gjethe. Shumëkund në Kosovë besohet se e mbron fëmiun nga "syri i keq". Në vazhdim po ju përshkruajmë një ritual bestyt që aplikohet ndër shqiptarë e që ka të bëjë me tërfillin me 4 gjethe dhe dashurinë.

Për të bërë që të dashurohet në juve personi, të cilit ia keni hedhur syrin, gjejeni një tërfill me katër gjethe dhe jipjani priftit që ta vendos në potir me oste (potir - kupë për verë; oste - nafora në kishën katolike, vër.jonë), për 39 ditë. Ditën e katërdhjetë prifti ju kthen tërfillin dhe ju bekon. Me atë tërfill, kur e prekni personin që e doni, ai do të dashurohet marrëzisht në juve.

Për ju që nuk keni fat ta gjeni tërfillin me katër gjethe, ja një mundësi tjetër për ta bërë për vete njeriun që e simpatizoni fshehurazi. Merrni (natën vonë) tre lule të barpezmit me njëmijë gjethe, vendosni në një strajcë dhe mbani me vete gjersa ta takoni personin që e simpatizoni.

Sipas një bindjeje, në ishullin Rodos, besonin se Venera, pasi që kishte dalur nga deti, ishte shtrirë pranë barpezmit me njëmijë gjethe dhe ia kishte dhuruar forcën e zgjimit të ndieshmërisë. Kjo lule, njëherit ishte lulja më e dashur e konteshës nga Castiglionea, e cila ia pushtoi zemrën Napoleonit të III-të. Edhe romakët e konsideronin barpezmin (Achilea milefolium) si bimë të shenjtë dhe nga ajo prodhonin pije të dashurisë.

Për të gjithë ata që mendojnë se nuk e kanë besnik partnerin, ja një ritual të njohur në Siri, Egjipt dhe Kinë. Ditën më të gjatë të vitit (21. Qershor), në një arë me drithëra, merrni disa kallinj gruri dhe një grusht lulëkuqe (lulë bozhure). Në të vendosni edhe gjethet e gardenit (gardenia florida), ose në vend të tyre ato të bagremit (drizës së butë).

Së bashku me fotografinë e të dashurit, kërcellin e bimës lulëkuqe duhet ta vendosni në libër. Lulet dhe gjethet e saj vendosen në strajcë të lirit së bashku me grurin dhe bagremin. Strajcën e lini në dërrasë të dritares për një muaj lunar (28 ditë).

Ndikimi i tyre do t'ju qetësojë dhe më qartë do ta shihni situatën. Gruri është simbol i plleshmërisë, ndërsa bagremi apo gardeni simbolizojnë dashurinë jo të sigurtë (më do, s'më do…). Gruri sjell harmoninë e humbur. Gjatë këtij cikli lunar, partneri do të bëhet vetëm i juaji.

Legjendat e dashurisë:"Hasan Aga dhe Qika Potureshë"

Në Llap dhe kudo tjetër nëpër vise të banuara me shqiptarë, ekziston bindja se kaça (trëndafili i egër) është krijuar si pengesë që t'i ndajë varret e çiftit të dashuruar. Ja se ç'thotë kjo gojëdhënë që këndohej edhe si këngë:

"Kaça osht dalë pej vorrit t'Plakës! Plaka o kanë nana e Hasan Agës, i cili ja kish' pa'dhanë besën Çikës Potureshë po nana e ti ja muer ni grue tjetër, e Hasan Aga, masi çi e çkruen ni letër n'sobë t'vet, para syve t'nusës e vret vehtën.

T'nesret kur e sheh Qika Potureshë tue e çue te vorret edhe ajo vret vehten, e të dyt i shtien n'dhe ngatangat. Pej zemnës s'plast edhe nana e Hasan Agës des dhe len amanet me e shti n'dhe nermjet t'birit e Çikës Potureshë (veç mos me i lanë bashk, as n'at dyje!). Pej Plakës osht bi kaça; kaça gjithmonë i çet lulat ngatangat, po nermjet lulave del dega me therra çi s'i len (lulat) me u bashkue!"

Edhe shumë bindje dhe gojëdhëna janë të lidhura me trëndafilin e egër. Në vazhdim po i jap disa që kanë të bëjnë me trëndafilin e butë të kultivuar. Në Myzeqe ishte zakon që posa të zbriste nusja nga kali, dhëndëri e qëllonte me trëndafil në kokë mbi duvak, tre herë. Qëllimi i kësaj ishte që ajo të sillej mirë dhe të lindë fëmijë të bukur si trëndafili.

Poashtu në këto treva, pasi që e pagëzonin foshnjën, e linin të palarë tre ditë, ngase besonin se i lahej kremza. Kremza paraqet vajin e shenjtë e që përdoret për shërbesa fetare te katolikët. Ditën e tretë e lanin fëmiun dhe ujin e derdhnin te rrënja e trëndafilit, aty ku nuk shkel këmba e njeriut, që të mos shkelet krezma e foshnjes si dhe që ai trëndafil të çelë e të bëhet i bukur si që është.

Edhe të sëmurin nga epilepsia (sëmundja e tokës si i thotë populli), e lanin dhe ujin e derdhnin te rrënja e trëndafilit, që i sëmuri të bëhej i shëndetshëm si trëndafili, ndërsa sëmundjen ta merr toka.

Ndër besimtarët myslimanë ekziston bindja se nga secila pikë e djersës së Muhamedit a.s. ka mbirë një trëndafil i butë me aromë të këndshme.

Për rifreskim dhe zgjim të dashurisë së fjetur

Sa e sa herë kam dëgjuar të thotë dikush: "eh, në fillim ishte ndryshe, kujdesej për mua, më dashuronte më shumë…". Nëse mendoni se dashuria që ka pasur partneri për ju tashmë disi është e fjetur, ja një reçetë për ta zgjuar atë.

Natën, mes hënës së re dhe asaj të plotë, mblidhni tri tulipanë, bimën mërsinë (myrtus communis L.), të cilës i shtohet rrënja e bimës anemone (filikate) dhe vendoset në shishe me ujë për shtatë ditë dhe shtatë netë. Më pastaj kullojeni dhe përdoreni si parfum.

Kjo do ta kthejë çiltërsinë, fortësinë dhe ndjenjën si më parë. Hëna në rritje e paraqet rritjen e dashurisë së re si dhe marrëdhënieve mes jush. Tulipani, ose në vend të tij zambaku i bardhë, simbolizon virgjërinë dhe dashurinë para fjalosjeve të para.

Legjenda thotë se anemonea është lindur nga gjaku i djaloshit të bukur Adon, i cili ishte aq tërheqës sa që për të luftuan Venera dhe Persefona - (perëndesha e dashurisë dhe vdekjes). Zeusi e gjykoi Adonin që gjashtë muaj të jetojë me Persefonën dhe gjashtë të tjera me Venerën.

Anemonea është simbol i kthimit të dashurisë që duket e "vdekur", ndërsa mërsia është bimë që me aromën e saj kushtuar Venerës zgjon shqisat e dashurisë.

Kur shelgu të qetë pipa


Në viset e banuara me shqiptarë, edhe shelgu dhe hithi janë bimë me të cilat lidhen shumë bestytni. Natën e Shëngjergjit, pothuaj çdokund në Kosovë, është bërë zakon të vëhen rremba shelgu nëpër dyer dhe dritare.

Pastaj herët në mëngjez, nëna ose motra (femër), i zgjon fëmijët duke i spërkatur me rremba shelgu, të lagura në ujë të freskët. Gjethet e shelgut dhe hithit në shumë vende në Kosovë vendosen në ujë, me të cilin pastaj lahen fëmijët në ditën e Shëngjergjit. Poashtu hithi dhe shelgu vendosen edhe nën jastëk dhe në djep (!).

Në Veleshtë dhe kudo në rrethin e Strugës, është zakon që kur të hyjnë në shtëpi të re, herët në mëngjez, mblidhen tërë anëtarët e familjes dhe farefisnisë. Zonja e shtëpisë, përveç kulaqit dhe ëmbëlsirës me gjalpë, vaj, nisheste e sheqer që quhet hasude, merr edhe një gjel dhe një mace.

E shoqëruar me vajza e gra të farefisit, së pari e lëshon macen të hyjë në shtëpi, e pastaj hyn plaku i shtëpisë e pas tij anëtarët tjerë të familjes dhe të pranishmit tjerë, duke mbajtur në duar enë bakri, kokrra gruri dhe rremba shelgu e trëndafili.

Lidhur me shelgun, në Llap ekziston kjo legjendë: "Ish kanë ni njeri çi i kish pas mytë 99 vet. Kur kish nisë me u plakë ish kan ba merak për gjynahet çi i kish pas ba, e ju kish lutë Zotit me ja falë gjynahet. Melaçet i kishin pas thanë me mjell ni bahçe me bostana, me thurr me huj shelnje t'preme para shtat vjete e përgjysë t'djegne! Kush t'kapërcen asajde me ja dhanë ka ni bostan e me çue te shpija. N'çitshin hujt pipa najher, Zoti ti ka falë xhynahet…

Shumkush kish pa kapërcye asajde e i kish pas dhanë bostan. Ni njeri, musteqet vesh-ëm-vesh, hypun n'kali, kish pas kapërcye asajde. I zoti i bahçës i kish pas thanë me marrë naj bostan, po aj i kish pas than se osht tye u gutë se njani po dojke me e dhanë ni çikë e duhet me shkue me prish punë. I zoti i bostanit e kish pas pushkën ngat e vetmeveti thot:

"paj i kam mytë nandhet e nanë e pse se boj t'niçintin!" Ja mledh kamzën pushkës e, hala pa ra pej kali dekun n'tokë, hujt e shelnjeve çiten pipa plot mugull! Pej gzimit i kish pas k'putë do pipa e i kish pas stërpikë bostanin me ujë t'ftoft e do pipa i kish çue te shpija…

Qashtu osht met me i stërpikë thminë n'sabah herët ditën e Shingjergjit." Për fund, po e japim edhe një bestytni lidhur me qershinë. Nëse në vendin ku ndodhet një qershi mbjellni dhe një tjetër, do të prodhojnë më shumë fryta, thonë pemëtarët, ngase pluhurosen me polenin e njëra tjetrës në mënyrë të ndërsjelltë. Njëra qershi e tërheq tjetrën dhe gjithnjë janë në çifte.

Për gjithë ata që martohen në kohën kur ka qershia, natën e parë të ndejës duhet vendosur edhe dy kokrra qershia. Kjo simbolizon bashkësinë martesore.

Nga Sabiha Reçi Gjinoci
Jon
Jon

1159


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Alfabeti i bestytnive Empty Komentimi i besëtytnive

Mesazh  denisa90 04.05.11 11:07

Mos i preni thjonjte naten!

Komentimi i besëtytnive të cilin do ta japim këtu, duhet të merret vetëm si një gjë argëtuese, dhe nëse dikujt i shkon ndërmend se po bëjmë manipulime pseudoshkencore me frikën dhe mosnjohurinë e njeriut - gabon rëndë. Në fund të fundit, vetë zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë, si duket, është fajtor për rrënjëzimin edhe më të madh të këtyre dukurive ngase mos harroni, për shkencën e djeshme kjo e sotmja ka qenë besëtytni pseudoshkencore... po ajo e nesër­mja...?!

Sa e sa herë më ka ndodhë kur gjyshja apo dikush tjetër më tërhiqte vërejtjen kur tentoja që një veprim të zakonshëm ta kryeja në kohë të pazakonshme. Po ju të dashur lexues, sa herë deri tash keni pasur rastin të dëgjoni vërejtje të llojit: "Mos u shiko në pasqyrë natën", "Mos puno se është e Xhuma", "Mos e zbath vetëm njërën çorapë se...", etj. etj.

Ardhmëria (fati dhe fatkeqësia), edhe sot e kësaj dite, krahas zhvillimit të shkencës dhe teknologjisë ,mbetet e panjohur në po atë masë sa ishte edhe në kohët e civilizimeve të lashta. Kujdesi që të evitohet fatke­qësia, gjegjësisht që të arrihet deri te fati, bëri që njeriu gjatë gjithë këtyre shekujve në çdo pëllëmbë të tokës, t'i ruajë në traditën e vet këshillat bestyte nga të parët e tij. Kështu besëtytnitë me shekuj e shekuj ndikuan në psiken e njeriut. Historiani T. S. Noulson besëtytnitë i klasifikon në tri kategori:

a) Besëtytnitë që kanë të bëjnë me veprime të ashtuquajtura detyruese e që manifestohen si formë e bindjes së individit se do t'i ndodh ndonjë fatkeqësi nëse e kryen veprimin e caktuar.

b) Besëtytnitë që shprehen me anë të kryerjes së ritualeve të caktuara specifike ose fetishizmit të mjetit të caktuar, e që më vonë sjellin deri te rezultati i kërkuar.

c) Leximi i shenjave dhe komentimi i parashikimeve të cilat na bëjnë me dije për pritjen e ndonjë ndodhie. Komentimi i besëtytnive të cilin do ta japim këtu, duhet të merret vetëm si një gjë argëtuese, dhe nëse dikujt i shkon ndërmend se po bëjmë manipulime pseudoshkencore me frikën dhe mosnjohurinë e njeriut - gabon rëndë. Në fund të fundit, vetë zhvillimi i shkencës dhe teknologjisë, si duket, është fajtor për rrënjëzimin edhe më të madh të këtyre dukurive ngase mos harroni, për shkencën e djeshme kjo e sotmja ka qenë besëtytni pseudoshkencore... po ajo e nesër­mja...?!

Nëse pa paragjykie dëshironi të argëtoheni disa çaste, ja disa këshilla që i mblodhëm kohë më parë nga tra­dita mjaft e pasur e popullit tonë. [/color]

Abeceda e besëtytnive

[color=violet]-Nusja e re në shtëpi të burrit, në ditën e martesës, duhet të hyjë (ta shkelë pragun) me këmbën e djathtë, në të kundërtën harmonia e familjes do të shkatërrohet që nga ai çast. Po ashtu, me të dy duart (ndon­jëherë të lyer me mjaltë) duhet ta prekë pjesën e sipërme të derës -që jeta e qiftit të ri të jetë e ëmbël, e lum­tur dhe në harmoni me anëtarët tjerë të, familjes. Bonbonet, orizi, gruri e drithërat tjera që i hidhen nuses (apo ndonjëherë çiftit të ri) - kanë për qëllim që trashëgimia e tyre të jetë e suksesshme.

-Nëse gërshërët bien nga dora dhe ngulen në dysheme - është shenjë e grindjes së shpejtë e anëtarëve të asaj familjeje.

-Ena që rastësisht thyhet në kuzhinë paralajmëron fat të befasishëm për atë familje, ndërsa nëse fotografia apo ndonjë gjësend tjetër bie nga muri rastësisht, pritet një fatkeqësi e madhe për shtëpinë. Po qe se e thyeni rastësisht pasqyrën, atëherë thonë se në shtatë vitet e ardhshme do të jeni i pafat!

-Fatkeqësi sjell gjithashtu edhe ajo nëse e harroni çadrën hapur në shtrat, çadrën e mbyllur dhe nëse luani me gërshërë pa prerë asgjë.

-Nëse në të njëjtën kohë i preni thon­jtë edhe të këmbëve edhe të duarve, në të njëjtën ditë do të keni edhe gëzim edhe hidhërim.

-Nëse gjethja nga druri vetvetiu bie dhe prek supin tuaj të majtë - mund të pritni së shpejti një fat apo gëzim të madh.

-Fëmija, nëse vetvetiu merr fshesën dhe fillon ta fshijë dhomën, mund të pritni ardhje e një mysafiri nga larg. E njëjta ndodh edhe nëse e harroni (mbetet gjatë) lugën nën sofër. Thonë se do të takohesh me dikë nëse faqja ju kruhet, syri i djathtë nëse ju kruhet sjell gëzim, ndërsa majti lot.

-Nëse ju tingëllon veshi i majtë mund të pritni lajme të këqija ,ndërsa i djathti sjell lajme të mira. Lemza nëse ju ngacmon intensivisht - është shenjë se dikush pandërprerë në ju mendon, dikush që ju do me zemër.

-Nëse e dëgjoni gjelin që këndon në mesnatë - pritet një rrezik i madh për zotin e shtëpisë në oborrin e të cilit ndodhet gjeli, ndërsa këndon në orën 12, apo pak para mbrëmjes, atëherë paralajmëron fat të papritur.

-Kur ju kruhet dora e djathtë - është paralajmërim se do të jepni (te disa e kundërta) para, ndërsa e majta - se do të merrni para.

-Po qe se nga shtrati zgjohesh dhe së pari shkel me këmbën e majtë, tërë ditën punët mbrapsht do të vejnë. Shumë njerëz në mesin tonë besojnë se vetëm në mëngjes njeriut i ndahet fati, prandaj duhet zgjuar sa më herët!

-Nëse në majë të gjuhës ju paraqitet ndonjë puçërr, dikush është duke ju sharë prapa shpine, e njëjta vlen edhe nëse ju skuqet veshi i majtë, ndërsa i djathti do të thotë lavdërimin që dikush ju bën.

-Nëse syri vetvetiu loton, apo tymi nëse vazhdimisht hyn në sy, do të thotë se dikush është i përmalluar për ju. Gëzim sjell edhe nëse mjekra ju kruhet.

-Ilirët kanë besuar se nëse lëshohen gjarpërinjtë nëpër trupin e femrave pa fëmijë, ato do të mbarësohen në natën e parë të fjetjes me burrin.

-Vënia e dorës gjatë gogësimit nuk është vetëm mirësjellje bon­tone, por atë e bëjnë shumica ngase janë të bindur se përmes gojës hyjnë shpirtrat e këqinj.

...Dhe nëse ju fiket cigarja thonë...

...thonë...thonë...

...ndize edhe njëherë!
Nga alfabeti i besëtytnive


denisa90
denisa90

1


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Alfabeti i bestytnive Empty Re: Alfabeti i bestytnive

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi