Origjina e kombeve

Shko poshtë

Origjina e kombeve Empty Origjina e kombeve

Mesazh  Estilen prej 30.03.10 17:29

................Teorite mbi origjinen e kombeve.......


ORIGJINA E KOMBEVE

Pikëpamja objektiviste

Duke gjurmuar origjinën historike të nacionalizmit, teoricienët kanë analizuar faktorët që kanë sjellë apo kanë ndihmuar shfaqjen e kombeve.

Disa nga këta faktorë mund të shihen në këtë pasqyrë të gjendjes në Europën pas mesjetare: pas rënies së botës së krishtere që mbizotëronte në mesjetë, themelimi i kishave kombëtare si entitete të ndara i kishte ndarë kombet e kontinentit; kapitalizmi i shtypit, domethënë shpikja e makinave të shtypit që mundësonin botime masive në seri bënte të mundur shpërndarjen në shkallë të gjerë të të njëjtave ide, duke krijuar kështu një kulturë homogjene; gjuha vendase po përdorej gjithnjë e më shumë në komunikime zyrtare.

Strukturat dinastike dhe monarke po dobësoheshin në shekullin XVIII.
Duke u përpjekur të gjejnë gjurmët e para të kombeve në kuptimin gjeografik, shumica e studiuesve, ndër ta Gellner (2006), besojnë se është Europa vendi ku kombet u shfaqën më së pari, pasi që nacionalizmi[7] lidhet me modernizimin i cili nënkupton procesin e shkëputjes nga shoqëria tradicionale bujqësore, që më së pari ngjau në Europë.

“Është nacionalizmi ai i cili lind kombet, dhe jo e kundërta. Pa dyshim se nacionalizmi shfrytëzon përhapjen e kulturave të hershme dhe të trashëguara, ndonëse i shfrytëzon në mënyrë shumë të përzgjedhur, dhe shumë herë i transformon ato në mënyrë radikale.” (Gellner 2006:54) Nacionalizmi nuk është një sentiment i shprehur nga kombet para-ekzistuese, por në të vërtetë ai krijon kombe ku ato nuk kanë ekzistuar më parë.

Për dallim nga Gellner, Anderson (2006) beson se ishte ‘bota e re’ (Amerika) vendi ku filloi procesi i krijimit të kombeve dhe se kombet më së pari u shfaqën te Kreolët e Amerikës Qendrore dhe Latine në gjysmën e dytë të shekullit XVIII teksa idetë e iluminizmit ishin sjellë aty nga spanjollët.

Mirëpo, argumenti i Anderson-it që lindjen e kombeve e arsyeton me rënien e dinastive dhe fesë, si dhe lindjes së literaturës mund të jetë shpjegim i vlefshëm në kontekst të Amerikës, megjithatë, ajo nuk shpjegon shfaqjen e kombeve në disa pjesë të botës ku shumica e popullatës nuk kanë ditur shkrim-lexim, si për shembull në Afrikë.

Sidoqoftë, fakti se literatura e shtypur ka ekzistuar qysh në shekullin e XVI dhe nuk ka pasur ndikim në lindjen e kombeve, sugjeron se kombet dolën nga ‘etni të caktuara, të ndikuara nga zhvillimi i literaturës amtare dhe trysnia nga shteti’ (Hastings, 1997).

Industrializimi

Autorët si Hobsbawm dhe Gellner sugjerojnë se krijimi i kombit është pasojë e industrializimit. Sidoqoftë, problemi me këtë pikëpamje është se shumë kombe janë shfaqur në rajonet e paindustrializuara, si ato në Europën Qendrore dhe Lindore.\

Por vetë Gellner kishte qenë i vetëdijshëm për këtë kur kishte vërejtur se nacionalizmi nuk e ka shoqëruar gjithnjë industrializimin; zviceranët ia kanë dalë edhe pa të.[8] (Gellner 2006:XXV)

Gellner insiston se kombet dhe nacionalizmi nuk janë të natyrshëm, sepse nuk janë tipare të përhershme të gjendjes njerëzore, por janë shfaqur me tranzicionin në industrializëm. Megjithëkëtë, kjo nuk nënkupton se kombet janë arbitrarë apo të pashpjeguar, të rastësishëm apo të shmangshëm; ato lidhen ngushtë me me industrializimin.

Në të vërtetë, është kjo që i bën ata të duken të natyrshëm në sytë e pjesëtarëve të shoqërisë industriale dhe mu ky të qenë ‘i natyrshëm’ i jep nacionalizmit fuqinë. Por, çfarë ka tek tranzicionin në industrializëm që kombet dhe nacionalizmin e bën gati universal në modernitet? (Gellner 2008: XXIII)

Për Gellnerin, nacionalizmi nuk është shprehje e kombeve, klasave apo elitës intelektuale, dhe rrënjët e tij nuk gjenden në studimin e kombeve, kapitalizmit, klasës ose ideve. Por, si të kuptohet ai? Gellner në shpjegimet e tij përkitazi me krijimin e kombeve bënte një lidhje shkakësore sipas së cilës rrethanat në modernitet kushtëzojnë lindjen e nacionalizmit, ndërsa nacionalizmi kushtëzon lindjen e kombeve. Për të shpjeguar këtë lidhje Gellner duhej të identifikonte tiparin qendror të modernitetit dhe pastaj të përpunojë një argument që demonstron funksionalitetin e nacionalizmit në modernitet. (Gellner 2008: XXI)
Gellneri modernitetin e kuptonte si formë të dalluar të kulturës dhe organizimit shoqëror.

Ai konsideronte se nacionalizmi është në funksion të modernitetit. Ndonëse pajtohej me Kedourie se nacionalizmi është dukuri moderne dhe se ai i kishte krijuar kombet, dhe jo anasjelltas, Gellner nuk pajtohej se kjo ndodhte në saje të fuqisë së nacionalizmit si ide, ose shpesh klasës intelektuale si bartës të kësaj ideje. Ideja e nacionalizmit ishte produkt, dhe jo prodhues i modernitetit. Suksesi i tij nuk i atribuohet fuqisë intelektuale të tij, por funksionit të tij përbrenda rregullit moral shoqëror.

E kaluara e përbashkët

Kur flitet për të kaluarën e përbashkët të kombit, zakonisht bëhet fjalë për përkatësinë e përbashkët etnike, kulturore, historike e kështu me radhë. Ideja se përkatësia etnike është paraardhëse e kombit, dhe se kombi bazohet në rizbulimin dhe riinterpretimin e të kaluarës etnike është sugjeruar nga Smith.

Etnia përkufizohet si një grup njerëzish me identitet kulturor dhe gjuhë të përbashkët. Kombi formohet nga një ose më shumë etni dhe është një komunitet shumë më i vetëdijshëm se sa përkatësia etnike. Përkatësia etnike është një nga aspektet më të rëndësishme të identitetit kulturor ose shoqëror. Prandaj, termi etni shpesh përdoret si sinonim për kombin. Por, njerëzit me përkatësi të përbashkët etnike mund të jetojnë në shtet-kombe të ndryshme dhe mu për këtë arsye mund të trajtohen si pjesëtarë të kombeve të ndryshme.

Autorët pajtohen përkitazi me ndikimin e përkatësisë etnike, gjuhësore, e fetare në formimin e kombeve. Sidoqoftë, ata nuk pajtohen në lidhje me shkallën në të cilën ato kanë kontribuar në formimin e identiteteve kombëtare dhe rëndësinë apo lidhjen e tyre në përkufizimin e kombit. Që këtej rrjedhin përkufizimet e ndryshme të kombit në literaturë.

iç u tha në fillim të kësaj eseje, qasjet teorike që bazohen në të kaluarën e përbashkët të popujve si bazë për krijimin e kombeve shkaktojnë vështirësi pikërisht ngase është e vështirë të merret një nga komponentët e krijimit të kombeve si kriter i përgjithshëm.

Të marrim gjuhën, fenë ose përkatësinë etnike për shembull. Asnjëra nga këto e vetme nuk është e mjaftueshme për të krijuar një ndjenjë të identitetit kombëtar. Për më tepër, në disa kombe, gjuha, feja dhe/ose përkatësia etnike janë faktorë çintegrues. Ja përse disa nacionalizma nuk i përdorin njërën nga ato ose të tria së bashku si elemente përbërëse të identitetit kombëtar.

Ndonëse, kjo qasje është e vlefshme për sa i përket shumë kombeve në botë, ajo ka dobësi: është provuar se përkatësia etnike nuk është kusht as i domosdoshëm as i mjaftueshëm i ndjenjës së kombësisë.

Përkatësia etnike mund bazë e vlefshme për të krijuar kombin në rastin e japonezëve, armenëve, grekëve, shqiptarëve, por ajo nuk ka luajtur rol në krijimin e kombeve moderne, si për shembull kombi francez që është kelt, iberik dhe gjermanik ose kombi gjerman që është gjermanik, kelt dhe sllav ose kombi amerikan që është një kazan shkrirës i gjithfarë etnish dhe kulturash.

Në disa raste, madje edhe perceptimi i etnicitetit të përbashkët nuk garanton identitetin e përbashkët kombëtar, siç është rasti me Somalinë.
Andaj, shtrohet pyetja: përse disa etni shndërrohen në kombe, ndërsa të tjerat jo? Hastings (1997) sugjeron se shndërrimi i etnive në kombe ose në pjesë integrale përbrenda kombeve bëhet e mundshme kur “gjuha e tyre popullore kalon nga përdorimi në të folur të përditshëm në përdorim të shkruar, derisa ajo fillon të përdoret rregullisht për të prodhuar literaturë, dhe veçanërisht për përkthimin e Biblës.

” Nëse ky transformim nuk ndodh, atëherë as transformimi nga etnia në komb nuk do të ndodhë kurrë. Gjuha e shkruar është aq e rëndësishme për krijimin e kombeve në saje të ndjenjës së veçantisë historike dhe kulturore që ajo e shkakton në komunitetet që e lexojnë atë.

Pra, si përfundim, ndërsa jo të gjitha etnitë shndërrohen në kombe, me sa duket njëfarë potenciali dhe burimi është i nevojshëm për të mundësuar këtë transformim dhe për të rezistuar përfshirjen e etnive në një sistem tjetër kulturor dhe politik.

Natyrisht, jo të gjitha kombet janë krijuar në këtë mënyrë. Kjo mënyrë etnocentrike e krijimit të kombeve është tipike për mënyrën se si kombet e Europës lindore dhe qendrore, si gjermanët, rusët e italianët, e kanë përkufizuar vetveten, në terme të prejardhjes së përbashkët (në teori) dhe gjuhës (në praktikë).

Në anën tjetër, kjo është e kundërt me konceptin francez e britanik të kombit, i cili është përkufizuar në terme të kufijve territorial dhe me pëlqimin që të jetohet bashkë, për çfarë që do të flitet më poshtë në hollësi.

‘Tjetri’ dhe armiku i kombit

Procesi i identifikimit kombëtar është përfshirës dhe përjashtues. Ai përfshin popuj me së paku disa karakteristika të përbashkëta dhe përjashton të tjerë, ngaqë kombi e përkufizon vetveten duke e dalluar nga ‘tjetri’ i cili sidomos përfaqësohet nga kombet fqinjë. ‘E jona’ i referohet çdo gjëje që perceptohet dhe konsiderohet si pjesëtar (hero etj.) ose simbol i rëndësishëm (mite, toponime etj.) i një kombi të caktuar. Të gjitha kombet kanë të përbashkët perceptimin e ‘tjetrit’, dhe shpeshherë të kundërshtarit.

Ekzistimi i kundërshtarit që përfaqëson armikun e kombit i kontribuon rritjes së ndjenjës kombëtare. Vuajtjet e përbashkëta kanë një fuqi të madhe për të bashkuar një komb, kurse armiku i përbashkët është forcë e pamohueshme solidariteti dhe mobilizimi.

Nacionalizmi shpesh është shfaqur kur një komb është ndier i kërcënuar nga armiqtë e perceptuar si të tillë. Kjo mund të ilustrohet me shembullin e nacionalizmit amerikan dhe kundërshtarët e tij, që nga imperializmi spanjoll dhe britanik, nazizmi, komunizmi, dhe në ditët e sotme, ndoshta fundamentalizmi islamik.

Nacionalizmat e Europës Qendrore dhe Lindore, rajone këto në të cilat perandoritë rajonale (Osmane, Ruse dhe Austro-Hungareze) kanë sunduar me shekuj, armikun e portretizonin tek këta pushtues të huaj. Sidoqoftë, në raste të caktuara kundërshtari është i brendshëm, dhe jo doemos i jashtëm.

Pikëpamja subjektiviste

Kombi mund të përcaktohet si komunitet i cili plotëson kushtet objektive që u shtjelluan më lartë, si industrializimi apo kujtesa e përbashkët, domethënë ato që e bëjnë të mundshme krijimin e kombeve. Mirëpo, e meta e pikëpamjes që përkufizon kombin me këta përbërës objektivë është se nuk ka një kriter të vetëm ose grup kriteresh të cilat i përmbushin të gjitha kombet. Veçori të caktuara mund të përmbushen nga kombe të caktuara por jo nga të gjitha.

Si alternativë ekziston një qasje subjektiviste që thekson se kombi është një grup njerëzish të cilët e mendojnë këtë grupim si komb në saje të dëshirës dhe vendimit të tyre për të jetuar bashkë si dhe solidarësisë shoqërore. Teoricienët e kësaj vije mendimi marrin një qëndrim tjetër, për të argumentuar se kombi krijohet nga një proces më subjektiv, domethënë vetëdija kolektive, ndërsa popujt lidhen me identitetin kombëtar dhe me atdheun.

Filozofi James S. Mill ka thënë se kombi përbëhet nga njerëz “të mbledhur rreth simpatisë... që u jep atyre dëshirë për të qenë nën një qeveri të përbashkët...”[9] Këtë qasje e përkrah edhe historiani Ernest Renan i cili në shekullin XIX ka shkruar se lidhja me një komb është çështje solidarësie dhe e ndjenjave të përbashkëta, dëshira e shprehur qartë për të vazhduar jetë të përbashkët. “[Një komb] mendon të kaluarën, por shprehet në të tashmen ...dëshira e shprehur qartë për të vazhduar jetën e përbashkët.” (Renan, 1990)

Sidoqoftë, pikëpamja subjektiviste ka të metat e saja. Ajo supozon se kombet krijohen nga asgjëja dhe nuk merr në konsideratë kushtet objektive paraprake që e mundësojnë manifestimin e këtij procesi, e që (së paku në kontekstin europian) janë tregtia, komunikimi dhe udhëtimi i lehtësuar, lojaliteti ndaj autoriteteve qendrore që ka zëvendësuar lojalitetet provinciale, veçanërisht për sa i përket klasës së mesme. Për më tepër, ekzistimi i kundërshtarit që përfaqëson armikun kombëtar i kontribuon rritjes së ndjenjës kombëtare.

Në vend se të zgjedhim ndërmjet këtyre dy pikëpamjeve objektiviste dhe subjektiviste, qasje më e drejtpeshuar do të ishte nëse i shohim ato si jopërjashtuese të njëra-tjetrës. “Kombi mund të përkufizohet si komunitet që plotëson kushtet objektive (si industrializimi apo kujtesa e përbashkët) dhe nëse beson se është komb në saje të pasjes së këtyre veçorive të përbashkëta.” (Archard 2000:159)

LINDJA E KOMBEVE – PËRVOJAT E NDRYSHME

Pothuajse të gjithë kombet lidhen me një territor të caktuar, atdheun kombëtar ose diasporën jashtë tij. Me kohë, ideja e kombit bëhet koncept i rëndësishëm politik në Europë dhe gjetiu.

Kështu, nacionalizmi, si ideologji dhe lëvizje, e sheh kombin jo vetëm si term për një grup të caktuar njerëzish, por si një entitet politik me të drejtë sovraniteti që synon krijimin e shtetit kombëtar dhe beson se kufijtë kombëtarë do të duhej të korrespondonin me kufijtë shtetëror. (Gellner 2006:1)

Shtet-kombi është shteti që identifikohet si atdheu i një kombi të caktuar. Shumica e shteteve moderne hyjnë në këtë kategori. Kur shtetet hahen për territore, pretendimet mund të bazohen në argumente historike se cili komb ka jetuar aty më i pari.

Anglia dhe Portugalia, në saje të posedimit të identitetit kombëtar, nga shumë shihen si shtet-kombe të hershme. Të tjerët, shtet-kombin e shohin si dukuri më të vonshme të shfaqur tek në shekullin XIX në Europë dhe në shekullin XX në pjesët e tjera të botës, në ish-kolonitë dhe gjetiu.

Kombi etnik/kulturor dhe kombi qytetar

Në teori, dy janë mënyrat e krijimit të dhe manifestimit kombeve. Njëra është kur pjesëtarët e një kombi kanë një ndjenjë të përkatësisë së përbashkët dhe identifikohen me karakteristika të përbashkëta, siç është prejardhja e përbashkët, raca, kultura, gjuha ose feja.

Kjo formë e manifestimit është quajtur me termin komb etnik ose kulturor dhe pandeh se proceset identifikuese trashëgohen dhe nuk mund të përzgjidhen, ndërsa njësia politike e administrative që e formon ajo është quajtur shtet-komb. Ky lloj shteti u shfaq në kontekst të kombeve që ishin ndarë në territore e disa shtete.

Si rezultat i kësaj ndarjeje, identiteti kolektiv ishte bazuar në parime etnike dhe kulturore. Kjo donte të thoshte se thelbi i kombit ‘tonë’ mendohet të jetë ruajtur i pastër nga shkrirja dhe përzierja me kombe të ‘tjera’.

Me fjalë të tjera, kurdo që identiteti kolektiv nuk mund t’i referohet një shteti kombëtar, ai bazohet në parimin kulturor, duke e konsoliduar, kështu, një komunitet homogjen kulturor si bazë për shtet-kombin e ardhshëm.
Sidoqoftë, ky shtet-komb nuk korrespondon gjithnjë me kufijtë ‘e vërtetë’ të territoreve ku shtrihet kombi që pretendon ta përfaqësojë.

Në procesin e formimit arbitrar ose jo të shteteve, ku jo gjithmonë demografia luante rol vendimtar, shumë kombe ishin ndarë, siç ishte rasti me irlandezët, shqiptarët e të tjerë. Kjo është një vërejtje e rëndësishme, ngase në shumë raste kjo ka qenë burim konfliktesh etnike, veçanërisht në Europën jug-lindore dhe ish Bashkimin Sovjetik pas shpërbërjes së shteteve komuniste, por edhe gjetiu, si në Kurdistan e Palestinë që janë kombe pa shtet.

Forma tjetër e krijimit dhe manifestimit të kombit është kur pjesëtarët e një kombi kanë ndjenjë të përbashkët të përkatësisë që buron nga ndjenja e fatit të përbashkët. Kjo formë zakonisht quhet si komb qytetar dhe përfshin të gjithë ata që pranojnë kredon politike të kombit pavarësisht gjuhës ose përkatësisë etnike të tyre.

Ky është një proces në të cilin në një territor të caktuar me kufijtë të njohur jetojnë grupe të ndryshme njerëzish. Parimi i identitetit kolektiv në këtë territor është politik: qytetarët njësoj i nënshtrohen sundimit të Ligjit në atë territor.

Shpesh për të krahasuar këto dy modele të krijimit të kombeve përmenden mënyrat se si Franca, Britania e Italia, në njërën anë, dhe Gjermania, në anën tjetër, kanë përkufizuar kombësinë e tyre dhe kanë arritur te shtet-kombet përmes rrugëve të ndryshme varësisht nga rrethanat e veçanta të secilës prej tyre.

Franca ka përfshirë këdo brenda një territori të caktuar, prej të cilës më vonë ka krijuar kombin, ndërsa Gjermania ka përfshirë vetëm popujt që kishin të përbashkët tipare të caktuara etnike ose kulturore. Koncepti francez ishte parë si përfaqësues i përvojës së Europës ‘perëndimore’ dhe ishte quajtur model qytetar e territorial i kombit që prodhon nacionalizma ‘territorialë’, ndërsa koncepti gjerman është prototip i përvojës ‘lindore’ dhe ishte quajtur model etnik-gjenealogjik që prodhon nacionalizma ‘etnik’. (Smith 1991: 79-84)

Sidoqoftë, kjo nuk domethënë se të gjitha shtetet e Europës Perëndimore kanë ndjekur rrugën franceze, por as që të gjitha shtetet e Europës Lindore kanë ndjekur rrugën gjermane të krijimit të kombeve.

Dallimet në mes kombeve etnike/kulturore (komuniteteve të trashëguara) dhe kombeve qytetare (shoqërive të një territori) kanë implikime të mëdha në atë se si kuptohet pluralizmi dhe si rregullohen dallimet në shoqëri, në karakterin e shoqërisë civile dhe përkufizimin e qytetarisë.

Konsiderohet se kombet qytetare pranojnë më lehtë popullata të ndryshme në gjirin e kombit në saje të identitetit politik. Sidoqoftë, këto vende gjithashtu kanë një ndjenjë të zhvilluar të identitetit etnik dhe kulturor.

Për më tepër, qëndrimi karshi imigrantëve dhe qytetarëve të natyralizuar tregon se ata nuk janë aq të barabartë me të zotët e shtëpisë. Këtë e ilustron natyralizimi i kushtëzuar me provimet e shtetësisë (që provojnë njohjen e kulturës dhe gjuhës së shtetit përkatës), betimin dhe parakushte të tjera (qëndrimi i pandërprerë për një periudhë të caktuar në shtet, puna vullnetare, etj.) si dhe ndalimi i disa zakoneve të pakicave.

Zakonisht supozohet se formimi i kombeve në Amerikë dhe Europën Perëndimore ka pasur efekte integruese dhe kohezive, meqenëse koncepti i kombit qytetar ose kombi i përkufizuar territorialisht ka bashkuar grupe të ndryshme etnike dhe kulturore në kombe, në saje të ndjenjës së tyre të përkatësisë së përbashkët që buron nga ndjenja e fatit të përbashkët.

Mbase, kjo është arsyeja përse disa autorë [10] i referohet këtij modeli të kombësisë si ‘nacionalizëm i mirë’, në krahasim me ‘nacionalizmin e keq’ që ka rrënjë etnike.

Kombet në periudhën pas-perandorake

Në Europën Qendrore dhe Lindore, në të cilat perandoritë e mëdha të osmanëve, rusëve dhe austriakëve kanë sunduar me shekuj, si dhe në rajonet e copëtuara politikisht të qytetërimeve italiane dhe gjermane, lëvizjet nacionaliste kërkonin që hartën politike ta vizatonin sërish përgjatë linjave gjuhësore dhe kulturore, dhe në periudhën nga vitet 1820 deri 1920 ata, përgjithësisht, ishin të suksesshëm në këtë.

Më vonë, ndërsa federatat komuniste po krijoheshin, ato përfshinë në vete popullata të ndryshme etnike, kulturore dhe fetare. Sidoqoftë, kjo u pagua me një çmim kur këto federata u shpërbënë dhe popujt e ndryshëm të rajonit kërkuan një parim alternativ si bazë për solidaritet dhe për t’i dhënë kuptim botës përplot dyshime.

Atë parim e gjetën tek nacionalizmi i bazuar në identitetet etnik. Prandaj, ata iu kthyen prapa identiteteve të tyre kombëtare, duke theksuar krijimin e miteve në lidhje me karakteristikat që përkufizojnë identitetin e tyre unik karshi kombeve fqinje. Këto parime të reja kërcënuan këto federata, ndërsa në rastin e Jugosllavisë efekti ishte i vrazhdë dhe i përgjakshëm.

Kombet në periudhën pas-koloniale

Rasti i Azisë dhe përvoja e Afrikës është e ndryshme, teksa ato luftonin të ngadhënjenin kundër kolonialistëve. Nacionalizmi i ‘Botës së Tretë’ ishte përkushtim për vetëvendosje, por ‘nacionalizmi’ i mëvonshëm u lidh me procesin e ndërtimit të kombit (nation-building), domethënë me përpjekjen që përmes miteve dhe simboleve të krijohet një ndjenjë solidarësie dhe qëllimi të përbashkët ndërmjet popujve të shumëllojshëm dhe shpesh armiqësorë.

Nacionalizmi anti-kolonial ishte kuptuar në dy mënyra: nëse imperialistët ishin të gatshëm të shkonin, nacionalizmi mund të konsiderohej si formë e re e nacionalizmit qytetar, mu sikurse lëvizjet amerikane për pavarësi

. Nëse shtetet imperialiste kundërshtonin kërkesat për pavarësi, nacionalizmi ishte quajtur mjet i fuqive komuniste. Ky ishte mendimi për Korenë në fillim të viteve 1950-ta dhe më vonë për Vietnamin kur SHBA zuri vendin e Francës në Indokinë. (Gellner 2006:XIX)


PËRFUNDIM

Pavarësisht teorive të ndryshme, asnjëra nga veçoritë që teoricienët i kanë përmendur si faktorë kontribuues në formimin e kombit nuk është i mjaftueshëm në vete për të krijuar një komb dhe asnjë nga perspektivat teorike nuk janë të vlefshëm si shpjegime të përgjithshme për krijimin dhe përkufizimin e kombeve.

Merr qasjen ‘etnike’ për shembull; ndërsa është shpjegim i vlefshëm për disa kombe, nuk mund të thuhet se vlen për kombe të tjera. E njëjta vlen për qasjen e ‘kapitalizmit të shtypit’, e kështu me radhë.

Kjo argumenton se sa e vështirë është, për mos me thënë e pamundur, të nxirret një teori meta-narrative që do të qarkonte përkufizimet dhe prejardhjet e të gjitha kombeve në përgjithësi.

Nisur nga një pikëpamje në frymë të filozofisë së Wittgenstein-it, dhe përpjekja që të zbatohet në lidhje me idenë e kombit, mund të themi se kjo vështirësi rrjedh pikërisht ngase nuk ka karakteristika thelbësore të kombit që do t’i jepnin këtij nocioni një kuptim thelbësor.

Sidoqoftë, ajo çfarë pikëpamjet teorike ekzistuese mbi kombet dhe nacionalizmat bëjnë është se na mundësojnë të kuptojmë mënyrat e shumta që kombet e ndryshëm janë formuar varësisht nga rrethanat e ndryshme historike, shoqërore, ekonomike dhe politike.
avatar
Estilen

847


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Origjina e kombeve Empty Re: Origjina e kombeve

Mesazh  Jetmira prej 18.07.13 8:16

Autori më poshtë është nga ata që janë në frontin kundër kombeve, ku kombet janë "konstrukte artificiale kulturore" të "dy shekujve të fundit" dhe "duhen rrëzuar" se "janë të dëmshme"...

Retorika e tij niset me synimin madhor të merret me kombin si koncept e tërë kombet në kontinentin evropian, por përfundimisht adreson vetëm kombet artificiale që janë krijuar me injeksione kulturore si feja e gjuha e imponuar, duke lënë jashtë kombet e mirëfillta.

Pra retorika e tij (dhe për rrjedhojë dhe e ca shqipfolësve që e marrin për bazë) s'vlen për kombin shqiptar, i cili është konstatuar dhe përkufizuar në Ligjin zakonor shqiptar (Ligji i maleve, Ligji fisnor, Kanuni) dhe s'ka lidhje as me zhvillimet më të gjera "ideologjike-politike" evropiano-aziatike, etj. të kohës, as me terminologjinë e sotme "ndërkombëtare" (rëndom të amerikanishtes) e as me teoritë dhe synimet e majtizmit të sotëm që pall me të madhe "të ardhmen multi-kulturoro-racoro-etnike" nën një qeveri botërore (megjithëse këtë elementin e fundit shpesh harrojnë ta përmendin kur iu drejtohen kopeve).

Ndërkohë që autorit s'ia vë dhe shumë re, se flet si "amerikan", ua vë re injorantëve shqipfolës që e marrin për referencë apo për bazë. Pse i quaj injorantë? Sepse mund të kenë lexuar krejt filologjinë (që thuajse gjithnjë ka synime të pastra ideologjike-politike) e të huajve si Giri me shokë, por s'njohin LIGJIN prej nga ngrihen bazat e nacionalizmit tonë e megjithatë kanë gjithë prepotencën katunaroide të dalin në publik e të ulërijnë për "mite" e "konstrukte" që duhen "dekonstruktuar". Kjo ndodh sa herë që këta intelektoviçët e rinj dalin rrugëve të botës, në kuptim të parë si dhe figurativ, sepse dalin me veçorinë e kazanit (të plehrave).
Nacionalizmi dhe racizmi i Europës

Si historian i Mesjetës dhe qytetar i kohëve moderne, Patrick J.Geary, pedagog në Universitetin e Floridës, UCLA, vendosi t’i hedhë në letër pikëpamjet e tij për të shkuarën e largët, të tashmen, të ardhmen dhe ndërveprimet mes tyre. U mor gjatë me Europën dhe shkroi një libër për të.

“Miti i Kombeve: origjinat mesjetare të Europës”, i botuar këto ditë në shqip nga “Ombra GVG”, nuk ka kaluar në heshtje në asnjë prej vendeve në të cilat është botuar.

A ekziston dhe a është në krizë identiteti europian? A ekziston realisht një Europë e bashkuar, së pari përmes njësimit ekonomik që përligj harrimin e “inateve” të vjetra që i ka dëshmuar historia, e përpjekjeve për sovranitet, për një identitet kombëtar? Në përpjekje për të treguar lindjen e Europës, Geary hedh tezën e guximshme që e çon krijimin e identiteteve tona jo larg në kohë.
“Historia moderne lindi në shekullin e nëntëmbëdhjetë, u konceptua dhe u zhvillua si një instrument i nacionalizmit europian. Si një mjet i ideologjisë nacionaliste, historia e kombeve të Europës ishte një sukses i madh, por e ka kthyer të kuptuarit tonë të së shkuarës në një kosh plehrash toksikë, të mbushur me helmin e nacionalizmit etnik dhe ky helm ka depërtuar thellë në vetëdijen popullore. Të pastrosh këtë kosh është sfida më e vështirë që po përballin historianët sot. Historia e vërtetë e kombeve që populluan Europën në Mesjetën e hershme nuk fillon në shekullin e gjashtë, por në të tetëmbëdhjetin.

Kjo nuk është për të mohuar që njerëzit që jetonin në të kaluarën e largët nuk e kishin ndjenjën e kombit apo të identitetit kolektiv, por dy shekujt e fundit të aktivitetit intelektual dhe të konfrontimeve politike i kanë ndryshuar kaq shumë mënyrat se si mendojmë për grupet sociale dhe politike, saqë e kemi të pamundur të pretendojmë dhënien e një pikëpamjeje “objektive” të kategorive sociale të Mesjetës së hershme pa u prekur nga kjo e kaluar e afërt.
Jo vetëm që nacionalizmi etnik, siç e kuptojmë ne sot, është në një farë mënyre një shpikje e kësaj periudhe të vonë, por siç do të shohim, vetë mjetet e analizës me të cilat ne pretendojmë se praktikojmë histori shkencore u shpikën dhe u perfeksionuan brenda përbrenda një klime të gjerë nacionalizmi dhe preokupimesh nacionaliste. Më shumë se instrumente neutrale shkencore, metodat moderne të kërkimit dhe të të shkruarit të historisë u zhvilluan specifikisht për të thelluar qëllimet nacionaliste”.

Geary në këtë pikë e shikon historinë, veçanërisht atë mesjetare të manipuluar për qëllime politike. Pikërisht nga kjo periudhë e errët, sipas tij kanë lindur mitet e kombeve që sot vazhdojnë të përdoren si fakte që gjenerojnë konflikte për përkatësi territoriale dhe si mite të dhunshme në kohët e sotme.

Duke iu drejtuar një publiku të gjerë dhe jo thjesht specialistëve të fushës, Geary është ndalur në shembuj konkretë. Duke folur për Ballkanin si një vatër e nxehtë, për të dhënë një kuptim se sa e dukshme është kriza e identitetit europian, ai ndalet edhe në konfliktin e përgjakshëm të serbëve ndaj kosovarëve.
Për momentin, të paktën kosovarët qenë në gjendje të kthehen në Kosovë nga kampet e tyre të refugjatëve në Shqipëri dhe Maqedoni. A do të jenë edhe ‘popujt’ e tjerë që do të dëbohen prej shtëpive të të parëve të tyre nga urrejtja etnike dhe armatimet moderne po kaq me fat, apo mikpritësit e tyre do t’i konsiderojnë ata si mysafirë të përhershëm dhe të pamirëpritur?”, shkruan historiani.

Duke ndjekur linjën e tij se identiteti është përdorur si ideologji dhe duke u ndalur tek imigrimet e sotme të paligjshme, Geary shpjegon edhe reagimet e shteteve të mëdha si Franca për të rishqyrtuar identitetin kombëtar francez.

“Rezultatet janë shqetësuese”, thotë ai. “Frika nga islamizimi i Francës ka çuar në një ringjallje të së djathtës ksenofobike franceze”.

Duke shkuar te një shtet tjetër i madh, Gjermania e duke prekur çështjet e pakicave dhe raportet e identitetit me kalimin e viteve, Geary shtron pyetjen: Kush është gjerman? A mund të bëhet gjerman një imigrant, apo identiteti gjerman është çështje gjaku e race? Këto çështje janë shtruar edhe më parë dhe pasojat kanë qenë të tmerrshme”.
Atëherë për kë është Europa? “Popujt e Europës kanë qenë gjithmonë shumë më të lëvizshëm, më kompleksë dhe më dinamikë sesa imagjinatat e nacionalistëve modernë. Emrat e kombeve mund të na duken të njohur pas njëmijë vjetësh, por realitetet sociale, kulturore dhe politike të mbuluara nga këto emra kanë qenë radikalisht të ndryshëm nga çfarë janë sot. Për këtë shkak, neve na duhet një botëkuptim i ri i popujve të Europës, veçanërisht për periudhën formuese të identitetit europian që ishte ajo e mijëvjeçarit të parë. Ne duhet gjithashtu të kuptojmë se si traditat e përcjella që kanë nxjerrë me miliona njerëz në rrugë dhe me miliona të tjerë i kanë çuar në varr në shekullin e njëzetë, u formësuan pak më shumë se një shekull më parë”, thotë Geary, duke vazhduar: “A janë kombet e Komunitetit Europian ‘vende të imigrimit’, apo të mirat e kësaj nënshtetësie janë rezervuar vetëm për francezët, italianët, danezët dhe britanikët ‘e vërtetë’? Vetë fakti që akoma shtrohen të tilla pyetje, tregon se sa e gjallë mbetet agjenda e diskretituar e nacionalizmit dhe e racizmit”.
Jetmira
Jetmira

487


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Origjina e kombeve Empty Re: Origjina e kombeve

Mesazh  Jetmira prej 18.07.13 8:17

Te pjesa ku flet për "përkufizimin e kombit" autori vihet pak në siklet, sepse i prish punë përkufizimi "gjerman", se bie ndesh me konceptet bashkëkohore (euf. komuniste). I njëjti përkufizim është në Ligjin zakonor shqiptar (të cilin natyrisht nuk pritet ta dijë). Megjithatë s'prish punë, sepse ka mbështetjen e gjithë komunistëve të botës (edhe të atyre shqipfolës), në luftë kundër "pasojave".

Është interesant dhe fakti se si retorikën politike-ideologjike, personat si autori e fshehin si "studim historik". Çfarë frike kanë të shprehin haptas pozicionin e tyre të kuq, përderisa kanë depërtuar tashmë në tërë katedrat filologjike? Apo pikërisht se sado teori të shpikin brenda katër mureve, "agjenda e diskretituar" (sic) se si ndodh që vazhdon "të mbetet gjallë" aty jashtë në terren. Të paktën si historian supozohet dhe se duhet ta dijë pse bien vazhdimisht regjimet që centralizohen jashtë organizimit biologjik.



Sipas këtij klounit të radhës kombi qenka koncept stalinist, por që buron nga një filozof gjerman, dhe fizikisht paska lindur më 6 qershor 1523 në Suedi (i mungon vetëm ora):

Citim:
Tekstet e Historisë duhet të ndryshohen
NEXHMEDIN SPAHIU

Më se dy dekada nga mposhtja e komunizmit, Kosova u desh ta presë ministrin turk të Arsimit, Dinçer, që të marrë vërejtje për absurditetin në tekstet tona të Historisë. Rishikimi i teksteve të Historisë duhej të ishte bërë që para dy dekadave, në mënyrë që të shkundet nga mendësia marksiste – leniniste. Mundësitë akoma më të mira kanë qenë pas çlirimit të Kosovës.

Për këtë pata biseduar me ministrin e parë të Arsimit pas luftës në Kosovë, që vinte nga Afrika Jugore, dhe me ministrin e tretë në radhë pas lufte, Michael Daxner. Që të dy qenë pajtuar që kjo gjë duhej bërë sa më parë, por mandatet e tyre përfunduan dhe kjo gjë nuk u arrit.

Pengesa kryesore për ta duket të kenë qenë jo tekstet në gjuhën shqipe, por ato në gjuhën serbe, të cilat botoheshin në Beograd, dhe po të bëheshin tjera në Prishtinë, ato do të bojkotoheshin nga arsimtarët serbë në Kosovë. Kështu, as Mark-u as Michael-i nuk iu futën kësaj pune as për tekstet e Historisë në gjuhën shqipe.

Koncepti i kombit nuk është në rregull në tekstet tona të historisë

Koncepti i kombit është i dhënë sipas teorisë staliniste, dhe kjo gjë prodhon derivate të tjera me të cilat nxënësit dhe studentët tanë furnizohen gjatë gjithë shkollimit. Ky koncept krijohet që në klasat e ulëta, akoma pa u dhënë definicioni eksplicit për kombin.

Defekti i konceptit stalinist për kombin është se ai e barazon kombin me etninë. Ky koncept buron nga teza e filozofit gjerman Johann Gottlieb Fichte, se çdo popull që flet një gjuhë të veçantë ka të drejtë të ketë shtetin e vet. Kjo do të thotë se çdo etni ka të drejtë të jetë komb. Por, mes së drejtës për të qenë komb dhe aftësisë për t’u organizuar si komb ka një hapësirë të madhe që Stalini nuk deshi ta pranojë në teori, por, për ironi, e zbatoi në praktikë.

Bashkësive të shumta etnike në Perandorinë Sovjetike iu mohuan të drejtat për republikat e tyre pikërisht nga Stalini. Thjesht, në teori, Stalini e barazoi konceptin e kombit me etninë dhe, së këndejmi, historia e kombit u projektua deri në lashtësi. Madje edhe për epokat më të lashta u përdor terminologjia e historisë së kohës moderne.
Termi jologjik “Revolucioni Demokratik”

Kur është fjala për shqiptarët, këtu kemi edhe disa idiotizma të veçantë, p.sh. termi “Revolucioni Demokratik i Qershorit i 1924-s”, që përdoret për grushtshtetin që e solli Fan Nolin Kryeministër të Shqipërisë. Ne që na është mësuar veshi që nga fëmijëria, edhe nuk na duket ndonjë idiotllëk derisa të mos e përkthejmë në anglisht “Democratic revolution”. Atëherë kuptojmë çfarë marrëzish po flasim. Të thuash “revolucion demokratik” është sikur të thuash “dru i hekurt” (!). Ose është dru, ose është hekur, por nuk mund të jetë dru i hekurt. Kështu edhe revolucioni nuk mund të jetë demokratik, sepse këto dy gjëra përjashtojnë njëra-tjetrën. S’mund të jesh edhe revolucionar, edhe demokrat.


“Lufta Shqipëri – Perandori Osmane” është një term që nuk përket me konceptet historike

Në shekullin XIV, në kuptimin modern, s’kishte lindur akoma edhe një komb i vetëm në botë. Kombi i parë modern lindi më 1523-shin, kur më 6 qershor, mbreti suedez, Gustav Vasa Ericson, shpalli reformat e tij që Suedinë e bëjnë pronë të suedezeve dhe jo pronë të mbretit, siç ishte rasti me shtetet mesjetare, ku territori në zotërim të shtetit ishte, në fakt, pronë e mbretit dhe popullsia që banonte në atë territor nuk kishte asnjë rol në drejtimin e shtetit. Apo, më mirë e thënë, kishte aq rol, sa kishte edhe bagëtia që popullonte atë territor.
Kështu, suedezët u bënë kombi i parë në botë. Anglezët këtë e arritëm 126 vite me vonë, me Revolucionin e Oliver Cromwell-it më 1649-n; amerikanët me shpalljen e pavarësisë më 1776-n, ndërsa francezët me Revolucionin e vitit 1789, me të cilin fillon edhe epoka e kombeve.

Pse lindja e kombit francez shënon epokën e kombeve, e jo lindja e 3 kombeve të mëhershme? Kjo është sepse kombbërja franceze qe më e artikuluar (slogani “Liri, Vëllazëri, Barazi” në shkrimet Rousseau-os dhe Voltaire-it etj.) dhe u pasua menjëherë me kombbërjet në gjithë Europën Perëndimore.

Kur Perandoria Osmane arriti në Ballkan, nuk kishte as komb turk, as komb osman e as ndonjë komb ballkanik. Thjesht një sundimtar zëvendësonte një tjetër.

Edhe Skënderbeu nuk ishte udhëheqës kombëtar, por vetëm një sundimtar. Në shekullin XIX ai u shndërrua në një kryehero kombëtar nga rilindësit shqiptarë, me qëllim mitizimi. Madje, lëvizjen e kombformimit shqiptar e quajtën “Rilindje Kombëtare”, me demek se shqiptarët në kohën e Skënderbeut paskëshin qenë komb dhe tani po lindnin sërish si komb. Por kjo gjë nuk përkon me të vërtetën historike, sepse shqiptarët në atë kohë akoma s’ishin komb. Në mesjetë nuk kishim të bënim me konceptet që solli modernizmi (epoka e kombeve), siç është urrejtja ndëretnike, interesat kombëtare etj.
Perandoria Osmane s’ishte e turqve, por e sulltanit. Në trashëgiminë e saj, shqiptarët kanë të drejtë po aq sa dhe turqit, boshnjakët dhe popujt e tjerë.

Problemet shqiptaro-turke janë të një periudhe relativisht të shkurtër (1879-1912). Kjo është periudha kur lëvizja kombëtare turke po e sfidonte atë shqiptare.

Në fillimet e veta, lëvizja kombëtare turke donte që me popujt myslimanë të Perandorisë të krijonte një komb të vetëm. Rilindësit shqiptarë kishin konceptin e kombit mbi bazën e gjuhës e gjakut, e jo mbi atë të fesë, që binte ndesh me konceptin turk.

Kjo periudhë konflikti 33-vjeçare është minore në krahasim me miqësinë e mëpasshme mes kombit turk e atij shqiptar. Ndërsa, sa i përket Kosovës në veçanti, ajo lindjen e vet si shtet duhet t’ia dedikojë Turqisë me meritat e saj më të larta, menjëherë pas SHBA-ve dhe aleatëve perëndimorë.

Tekstet tona të Historisë përmbajnë urrejtje antiosmane e antiturke të trashëguar nga mendësia komuniste e Enver Hoxhës. Këto tekste duhet të revidohen një minutë e më parë. Ministri Dinçer ka plotësisht të drejtë.
Disa pyetje që vijnë vetiu me ekzemplarë si ky:

1) Kanë probleme të logjikës formale? Apo:
2) Vërtet s'e kanë hasur kurrë më parë konceptin burimor të Kombit? (Që na sjell detyrimisht te pika 3.)
3) Janë gjë ndonjë kaçurrel gjenetik që s'i dihet ana.
4) Janë gjë antishqiptarë?
5) Paguhen apo i thonë vetë?
6) Po tallin t...?

Idiotësi të tilla dëgjojnë rondelat lart e poshtë dhe mbushin gazetat me "opinione" duke riprodhuar njëri-tjetrin. Dhe ironia është se pikërisht këta janë produkti i komunizmit, njerëz që punojnë me tru borxh duke rrëmuar kazanëve "të botës".

Ajo që është më interesantja është si ndodh që abrahamikë e komunistë bëhen një në sulmin ndaj Kombit... ku dhe retorikën e kanë njësoj. Dhe gjithnjë vihet re se nuk ndikon pak dhe ngatërrimi i termave midis gjuhëve, që duket të jetë barrë e madhe për ata që punojnë me tru borxh.

(Sidoqoftë klouni në fjalë e bën me vetëdije atë që po bën, se është i kontigjentit.)








Jetmira
Jetmira

487


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Origjina e kombeve Empty Re: Origjina e kombeve

Mesazh  Pretar prej 23.02.14 21:49

Nje artikull qe flet me ndryshe per kombin


Çka është kombi e çka nacioni?



Ky artikull trajton një çështje mjaft të nxehtë kohëve të fundit, siç është ajo e kombit dhe e identitetit kombëtar. Së pari unë e konsideroj krejtësisht absurde dhe antishkencore që të pyesim se "çfarë është kombi". Kjo sepse logjikshëm ekziston koncepti, pastaj krijohet fjala për ta emërtuar atë. Nuk ka kuptim që të shpikim një fjalë, pastaj të pyesim se çfarë është kjo. Megjithatë, kjo po ndodh me rastin e kombit, sepse njerëz të caktuar kanë shpikur teori koti për interesa të ndryshme që nuk kanë të bëjnë asgjë me shkencën e mirëfilltë dhe ne mundohemi këtu të sqarojmë disa gjëra.

Fjala komb në shqip nuk ka të bëjë asgjë me fjalën arabe Khavim, por është fjalë e brumit shqip, që ka edhe kuptime tjera, si p.sh.: "diçka e lidhur nyjë" ose "nyjë e drurit ku dalin dy degë". Nuk mund të themi nëse fjala shqipe komb u krijua duke përdorur fjalën “komb” në kuptimin e një gjëje të lidhur nyjë, apo në kuptimin e nyjës së drurit. Në rastin e parë, kombi do të jetë kuptuar si grup njerëzish të lidhur fort pas bashkësisë siç është e lidhur nyjë edhe litari, mënga, harrni etj. Në rastin e dytë kombi nënkupton lisin gjenealogjik. Kjo e dyta duket më e sigurt, sepse fjala lis në traditën shqiptare ka kuptimin e gjenealogjisë, si p.sh.: lisi i gjakut apo lisi i tamlit.

Në lidhje me kuptimin e fjalës "komb" në shqip, le të jetë e qartë se nuk ka të bëjë asgjë me fjalën "nacion", apo siç thuhet në gjuhë të ndryshme, gjer. “nacjone”, ang. “njëshen”, sllav. “nacija”. Identifikimi i kombit me nacionin është një gabim nga i cili rezultojnë shumë gabime tjera. Ka shumë autorë shqiptarë që nga fillimi i shek. XX e deri më sot, që e kanë përdorur fjalën komb me kuptimin e nacionit, por sidoqoftë gabimi mbetet gabim dhe nganjëherë gabon edhe ndonjë mendje e ndritur. Themi gabim sepse e dimë që është një ngatërrim që rrjedh nga gjuhët e huaja, nga përkthimi jo-adekuat.

Kombi në traditën shqiptare përkufizohet si bashkësi e njerëzve me një atdhe, gjak, gjuhë, dhe kulturë. Atdheu është thjesht territori i grupit, por që pjesëtarët e grupit ushqejnë ndjenja të caktuara ndaj tij. Kjo është diçka që ekziston tok me njeriun, sepse është ndjenjë e natyrshme. Nga ana tjetër gjaku nënkupton jo lëngun e kuq me hemoglobinë siç e kanë zakon të ironizojnë cinikët, por nënkupton lidhjet e gjakut dhe prejardhjen, ose të paktën njërën prej tyre. Në fakt, lidhjet e gjakut janë të vjetra po aq sa edhe vetë njerëzit. Shkencëtarët çdo herë e më shumë po vërtetojnë se njeriu është specie tipike ekzogame, d.m.th. që ka tendenca të natyrshme të martohet jashtë familjes apo jashtë fisit. Martesat janë ato që lidhin fise të ndryshme duke krijuar komunitete mbifisnore, apo thënë në përgjithësi integrojnë këto grupe vazhdimisht dhe kjo gjë vlen njëjtë si për kohëra të lashta prehistorike ashtu edhe për kohët e sotme.

Bie fjala: nuk është e rastit që shteti brazilian ndjek politikë "të përzierjes racore me çdo kusht", sepse e di se përmes këtyre martesave lidh mes vete të gjitha grupacionet e popullsisë së vet. Edhe prejardhja vlen patjetër në përcaktimin e kombit. Shqiptarët e Ballkanit me arbëreshë të Italisë nuk kanë pasur martesa qe pesë shekuj, por prejardhja e përbashkët i bën shqiptarë që të gjithë. Edhe gjuha është një element i kombit që ka ekzistuar tok me njeriun. Njerëz pa gjuhë nuk ka, sepse përndryshe do të quheshin kafshë. Prandaj, njerëz pa komb nuk ka. Kur ka gjuhë ka edhe komb.

Kultura po ashtu është aq e vjetër sa që mjafton të pyesim arkeologët për këtë gjë dhe do të bindemi. Kultura të shumta prehistorike janë ato që përcaktojnë identitetin kombëtar (etnik) të bartësve të tyre.

Kësisoj, vijmë në përfundim se kombi është identitet i dhënë dhe aspak i konstruktuar, sepse lidhjet e gjakut ekzistojnë nga vetë natyra, e gjuha po ashtu mësohet në mënyrë krejtësisht spontane nga fëmija duke dëgjuar të tjerët. Nuk ka këtu nevojë për ideologji nacionaliste që fëmijës t'i mësohet gjuha. Kultura po ashtu krijohet spontanisht nga nevojat e rastit e jo me paramendim të caktuar.

Ndërkaq, nacioni, ndonëse rrjedh nga fjala latine natio (pjellë), në mesjetë mori kuptimin e identitetit politik. Kështu, gjithë ajo mori romakësh që flisnin gjuhë latine vulgare, në mesjetë e gjetën veten pa një shtet të përbashkët dhe njëkohësisht mes tyre kishte dialect continuum, që nuk i lejonte të veçoheshin si kombe, prandaj identiteti i parë që arritën të krijojnë ishte ai shtetëror (venedikas, fiorentin, gjenovez, raguzan, lionez etj.), që atyre iu duk sikur pjellë apo farë e fis(natio), por që s'e kishte fare atë kuptim. Na duket gjithashtu e çuditshme se autorë të huaj mundohen termit nacion në mesjetë t'i japin plot kuptime, kur në të vërtetë kishte vetëm një kuptim, e ky është identitet politik apo shtetëror.

Bie fjala: disa mendojnë se me natio në mesjetë janë quajtur edhe nënndarjet e studentëve brenda universitetit. Në realitet, studentët janë ndarë sipas shteteve prej nga kanë ardhur, p.sh.: nga Venediku, Francia, Picardia, Normandia, Germania... Pra, sërish "natio" në mesjetë kishte kuptimin e identitetit politik. Që nga atëherë termi "nacion" ruajti atë kuptim dhe ende atë kuptim e ka. Por, këto nacione u rritën deri në nivelin e kombit, e kjo ndodhi gjatë bashkimit të këtyre republikave të vogla në shtete kombëtare. Dhe termi nacion vazhdoi të përdorej, por duke qenë i shkrirë me kufijtë kombëtarë, atëherë u njësua me kombin (Gjermania, Italia, Franca etj.)

Rasti i Francës do të na shpjegonte mjaft mirë dallimin mes kombit dhe nacionit. Në Francë, meqenëse është vetëm një shtet, atëherë kemi vetëm një nacion - nacionin francez që e merr emrin sipas shtetit apo sipas kombit sundues. Në këtë nacion bëjnë pjesë shumë kombe, shumica të okupuar pa dëshirën e tyre. Në Veri francezët si okupatorë dhe komb sundues, në Lindje alzasët dhe lorenët (kombe gjermanike të okupuara pas Luftës së Parë botërore), në Veri flamanët (komb gjermanik), në perëndim bretanët (komb kelt, të cilët nga okupimi francez deri më tani kanë përfituar asimilimin e gjysmës së kombit), provansalezët në Jug që flasin gjuhë tjetër dhe janë komb më vete të ndryshëm nga francezët, dhe baskët në gjirin e Biskajës gjithashtu jo të kënaqur me okupimin francez. Tani e shohim se kombi s'ka të bëjë me shtetin aq shumë, edhe pse dëshirat e pastra të njerëzve janë që secili komb të ketë shtetin e tij në kufij kombëtarë. Kurse, nacioni nënkupton identitet politik, që shpesh mund të jetë i imponuar.

Raste tjera që mund të përmendim janë spanjollët dhe anglezët. Kombi spanjoll në shekullin XIV e më tej u zgjerua shumë në Amerikë, duke kolonizuar ato vende. Mirëpo, ata sërish spanjollë mbesin, sepse atë gjuhë e flasin. Por, duke mos mundur të mbajnë gjallë një shtet në një hapësirë aq të gjerë, ata krijuan shtete të shumta dhe bashkë me këto kuptohet se krijuan edhe nacione: meksikan, bolivian, peruan, argjentinas etj. Anglezët po ashtu u zgjeruan dhe prej tyre sot rrjedhin nacionet: amerikan, kanadez, australian, neozelandez, jugafrikan etj. Por, këto janë vetëm nacione e jo kombe. Nacioni është një nocion aq i zbrazët, saqë nuk ka kurrfarë kuptimi pa shtetin. Hiq shtetin dhe nacion nuk ka. Sikurse edhe mileti që nuk mund të ekzistojë pa fenë, "hiqe fenë dhe milet nuk ka".

Ndoshta kjo është arsyeja pse disa insistojnë se kombi amerikan u krijua pas revolucionit 1787. Por, ata që e thonë duhet ta dinë se ky nuk është aspak komb amerikan, sepse nuk ekziston një gjë e tillë si “komb amerikan”, se një amerikan e anglez janë mes vete të një kombi, por ne mund ta përdorim në atë rast shprehjen “nacion amerikan”.

Ne shqiptarët shumë mirë e kemi kuptuar rëndësinë e kombit, duke qenë se nuk kishim shtet gjatë shekujve, por kombi u ruajt edhe pa shtet. Ndryshe qëndron puna me anglezët që duke qenë të izoluar në veriperëndim si një ishull, rrallë u pushtuan. Kësisoj, te ata as që ekziston shprehja komb me rrënjë angleze: e përdorin shprehjen "ethnic group", që është nga terminologjia shkencore. E kanë edhe shprehjen “people” që ka kuptim shumë të përgjithshëm. Dhe në fund e kanë shprehjen "nation" që e huazuan nga francezët gjatë mesjetës. Kjo e fundit të njëjtin kuptim e ruan edhe sot.

Popuj tjerë e kanë edhe shprehjen e kombit. P.sh. gjermanët kombin e quajnë “volk” dhe njëkohësisht e përdorin termin “nazione” me kuptim nacion dhe jo komb.

Duke e quajtur kombin "ethnic group", ndërsa duke e konsideruar nacionin si grupim bazë të njerëzve, kjo njëkohësisht mbështet ideologji të caktuara. Kështu, amerikanët mund të mburren se ata janë të parët që krijuan nacion, sepse u ndanë nga Anglia (mos të harrojmë se këto teori raciste, kur është në pyetje mesjeta dhe antika nuk përdorin termin "nacion", por popull sërish me tendenca raciste); ose francezët mund të mburren sepse janë të dytët, apo le ta shprehim më ëmbël “janë ndër të parët” dhe se tash pasi ata krijuan nacionet për vete nuk u ka mbetur tjetër vetëm të shkojnë nëpër vende tjera t'ju dërgojnë "dritën" e tyre, t'i "qytetërojnë" dhe të tjerët, ashtu siç shtetet kolonizatore "ndriçuan" Afrikën e Azinë gjatë shekullit XIX e XX më së shumti. Kjo e bën teorinë e nacionit tërësisht raciste. Duke mos patur vjetërsi, ata krijuan diçka të re, diçka moderne. Por, kjo "diçka e re" është koncept krejt abstrakt që ekziston në mendjen e tyre. Veç tjerash, sipas këtyre teorive, duke qenë se identiteti qoftë kombëtar a shtetëror është konstruktuar (duke e barazuar gabimisht kombin me shtetin), synon që ta paraqesë njeriun para-modern (d.m.th. të para revolucionit 1789) si njeri pa kurrfarë ndërgjegje kolektive e madje në gjendje shtazarake që grupoheshin përreth disa zotërinjve feudalë.

Unë mbaj qëndrimin se ne para se të jemi shkencëtarë, para se të mbështesim këtë apo atë autor, para se të na pëlqejë kjo apo ajo teori, duhet të jemi thjesht shqiptarë të mendojmë shqip, të mbajmë teorinë tonë tradicionale për kombin, atë që na mëson tradita shekullore. Duke pranuar teori të këtilla se "kombi na qenka krijuar në shekullin XIX" ne pranojmë rolin e të kolonizuarit, rolin e indigjenëve primitivë në dy kuptime:

1. Në kuptimin që botëkuptimin tonë për kombin, në vend se ta mbajmë ashtu siç ishte, siç e krijuan rrethanat tona shekullore, ne po e humbim në favor të botëkuptimit anglosakson apo francez. Në këtë mënyrë e idiotizojmë vetveten duke instaluar mënyra të menduari që nuk na takojnë neve dhe njëkohësisht zbatojmë imperativin e kolonizatorit që të kolonizuarit t'ia imponojë mënyrën e vet të të menduarit.

2. Në kuptimin që atë që ne e quajmë komb, të tjerët e quajnë "ethnic group" d.m.th. diçka më e ulët se nacioni sipas tyre. Kështu që s'kemi pse t'u pranojmë të tjerëve se kanë bërë diçka që në fakt nuk kanë bërë. Me revolucionin amerikan nuk u krijua kurrfarë kombi, por u krijua një shtet i ri duke u ndarë nga pjesa tjetër për shkak të largësisë gjeografike dhe çështje tjera të natyrës praktike. Ata ende janë "ethnic group", konkretisht komb anglez, sikurse ne jemi komb shqiptar.

Gjithashtu, ne nuk duhet të tolerojmë që në statistika të përdoren shprehje të tilla si "të ardhurat kombëtare", që është përkthim i gabuar i shprehjes "national incomes" ose "national anthem" që dikush e përkthen si "himn kombëtar". Gjithashtu ka qenë gabim i madh kur Presidentja e vendit e quajti Këshillin Nacional, "Këshill Kombëtar", me arsyetimin se i përmbledh ose i ngërthen në vete të gjitha institucionet e Kosovës. Në të gjitha këto raste do të duhej të përdorej shprehja “nacional” dhe shtetëror sipas rastit, përkatësisht "të ardhurat nacionale", "himni shtetëror", "këshilli nacional", etj.

Vlen të ceket dhe tmerri që fshihet prapa idesë se shteti formon kombin. Kjo është një mënyrë perfide për të maskuar asimilimin. Në cilindo rast kur shteti formon komb, kemi të bëjmë me asimilim popujsh, zhdukje gjuhësh, shkatërrim kulturash të lashta, prandaj shpesh është për t'u çuditur si ka mundësi që flasin me kaq lehtësi për kombin shtet, madje e propagandojnë me zë të lartë, sidomos ata që gojën e kanë plot demokraci. Ne si shqiptarë kemi luftuar me shekuj pikërisht kundër asimilimit, për ruajtjen e gjuhës e sidomos zakoneve tona, dhe nuk duhet sot të mbështesim një të keqe që ka kërcënuar pikërisht popullin tonë përgjatë shekujve. Është pikërisht asimilimi i arvanitëve në grekë, i malësorëve në malazezë, apo i shqiptarëve tjerë në maqedonë e serbë, që këta njerëz e quajnë proces i formimit kombëtar, kur në të vërtetë kombit shqiptar u janë hequr gjymtyrët e veta.

Prandaj, pas gjithë këtij elaborimi, them se teori të tilla për kombin, së bashku me përkthimin e gabuar nga nation në komb, janë përdhosje e mënyrës tonë shekullore të të menduarit dhe të të jetuarit.

Genc Kastrati
Pretar
Pretar

4


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Origjina e kombeve Empty Re: Origjina e kombeve

Mesazh  Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi